“Haley: Rusia po e izolon veten duke e mbështetur Assadin” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Haley: Rusia po e izolon veten duke e mbështetur Assadin” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Haley: Rusia po e izolon veten duke e mbështetur Assadin

Posted: 12 Apr 2017 09:31 AM PDT

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley ka thënë se Rusia po e izolon veten duke mbështetur presidentin sirian, Bashar al-Assad. "Për kolegët e mi nga Rusia – ju jeni duke e izoluar veten nga komuniteti ndërkombëtar, çdo herë që avionët e Assadit hedhin një bombë-fuçi mbi civilët", ka thënë Haley, gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ambasadorja Haley ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë mbi një zgjidhje diplomatike për t'i dhënë fund luftës gjashtëvjeçare në Siri. "Ne jemi të gatshëm që t'i vendosim burimet tona në diplomaci. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë që ky konfikt të përfundojë", tha Hayel.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

McCain mbështet anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

Posted: 12 Apr 2017 09:12 AM PDT

Senatori amerikan, John McCain ka thënë se pranimi i Malit të Zi në NATO është vendimtar në stabilitetin e rajonit, pas aksioneve të Rusisë , të cilat ai i quajti "të papranueshme". McCain i bëri këto komente pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrad Boskoviq në Podgoricë. Ky takim vjen vetëm një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump nënshkoi ratifikimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, gjë të cilën Moska e ka kundërshtuar ashpër. "Besoj se sjellja ruse kërkon solidaritetin dhe forcën tonë, në mënyrë që të ruhen parimet dhe bazat e demokracisë", ka thënë McCain, i cili është nëjri prej kritikëve më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin në Kongresin amerikan. Zyrtarët në Mal të Zi kanë akuzuar Rusinë se është e përfshirë në komplotin për puç vitin e kaluar. Rusia ka hedhur poshtë këto akuza. Moska që një kohë të gjatë kundërshton zgjerimin e NATO-s dhe e ka përshkruar anëtarësimin e Malit të Zi në aleancën ushtarake si "provokim".  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin takohet me Tillersonin

Posted: 12 Apr 2017 08:58 AM PDT

Kremlini thotë se presidenti rus, Vladimir Putin është duke u takuar me Sekretartin amerikan të Shtetit Rex Tillerson, pas vizitës së kryediplomatit amerikan në Rusi, i cili u takua edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov është cituar nga agjencitë ruse të ketë thënë se Putini është duke u takuar me Tillersonin dhe Lavrovin. Vizita e Tillersonit është e para në Rusi që prej se Donald Trump u zgjodh president. Kjo vizitë vjen në kohën e ngritjes së tensioneve në mes të Uashingtonit dhe Moskës, pas sulmit me gaz nervor ndaj civilëve, sulm për të cilin SHBA thotë se është kryer nga qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Militantët kurdë marrin përgjegjësinë për sulmin në Diyarbakir

Posted: 12 Apr 2017 08:52 AM PDT

Grupi militant Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK) ka marrë përgjegjësinë për sulmin me bombë të 11 prillit, në një ndërtesë të policisë në qytetin Diyarbakir. Përmes një deklarate të publikuar në internet, militantët e PPK-së kanë thënë se kishin vendosur mbi 2.5 tonë eksplosivë nën kompleksin policor. Tre persona, përfshirë një zyrtar policor, u vranë në këtë sulm, i cili u krye vetëm disa ditë para referendumit të 16 prillit, përmes së cilit pritet t'i rritet pushteti presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. PPK vlerësohet organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu gjatë një interviste për rrjetin Haberturk, tha sot se shpërthimi në Diyarbakir ishte sulm terrorist dhe ishte kryer përmes një tuneli nën kompleksin policor.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Asociacioni, peng i problemeve në Listën Serbe

Posted: 12 Apr 2017 08:17 AM PDT

Qeveria e Kosovës është e gatshme të ulet dhe të nisë bisedimet me përfaqësuesit e Listës Serbe për përpunimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sapo përfaqësuesit e kësaj liste të kthehen në ekzekutivin e vendit. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, Bajram Gecaj, i cili njëherësh është edhe këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, për komunitete. Kryeministri Mustafa, muajt e kaluar, tri herë i ka ftuar përfaqësuesit e Listës Serbe në takim, për të diskutuar lidhur me propozimet e tyre për përpunimin e statutit të Asociacionit, në praninë edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë. Përfaqësuesit e Listës Serbe, patën "ngrirë" pjesëmarrjen tyre në institucionet qendrore, që nga tetori i vitit të kaluar. Kushti i tyre për tu kthyer në institucionet qendrore e ka qenë krijimi i statutit të Asociacionit, si dhe themelimi i tij. Zëvendësministri Gecaj thotë se tashmë Qeveria është në pritje të kthimit të përfaqësuesve të Listës Serbe në ekzekutiv. "Tani, ne e kemi parë që Lista Serbe është kthyer në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por, megjithatë, kemi pak telashe me kthimin e tyre të plotë në Qeveri, për shkak të disa problemeve të brendshme që i ka Lista Serbe. Sigurisht që i keni parë edhe nëpër medie, deklarimet e ndryshme nga përfaqësuesit e tyre", tha Gecaj. Përfaqësuesit e Listës Serbe, së fundi janë përplasur ndërmjet vete, për shkak se dy përfaqësues të kësaj liste, Slavko Simiq dhe Aleksandar Jabllanoviq, secili veç e veç, kanë parashtruar dokumentacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për regjistrim të Listës Serbe si parti politike, duke pretenduar që të dy se janë kryetar të kësaj liste. Por, a është biseduar brenda kësaj liste për çështjen e kthimit të përfaqësuesve të saj në Qeverinë e vendit? Slavko Simiq, i cili thotë se është kryetar i Listës Serbe, nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjen e Radios Evropa e Lirë, se kur do të kthehen përfaqësuesit e kësaj liste në Qeverinë e Kosovës. Por, Slobodan Petroviq, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk është mbajtur asnjë takim lidhur me këtë çështje. Madje, ai thekson, se tash e tutje nuk mund të flas në emër të Listës Serbe, për shkak se brenda saj, siç thotë ai, "ka shumë faktorë". "Por, mund të them hapur se tash e disa muaj nuk kemi pasur asnjë takim. Madje, nuk kemi pasur mbledhje as kur është marrë vendimi për 'ngrirjen' e pjesëmarrjes në institucione. Këtë e pata lexuar në media. As që e kam ditur. Takimin e fundit e kemi pasur para disa ditësh, ku unë nuk kam qenë i ftuar. Edhe për këtë mbledhje kam kuptuar nga mediat se po mbahet. Kështu që, për aq sa unë jam i njoftuar, nuk kemi pasur asnjëherë ndonjë mbledhje në këta muajt e fundit, për asnjë temë, e aq më pak për këtë për të cilën po flasim", tha Petroviq. Ditë më parë, Petroviq, në mënyrë të hapur, para mediave, kishte polemizuar me Slavko Simiqin dhe zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviq, për çështje të brendshme të Listës Serbe. Megjithatë, zëvendësministri Gecaj, thotë se Qeveria e Kosovës, është gatshme që t'i presë përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të nisin bisedimet për përpunimin e statutit të Asociacionit. "Në momentin që ata t'i zgjidhin këto probleme të brendshme dhe të vijnë te kryeministri me propozimet e tyre, atëherë ne do të konsiderojmë se janë kthyer plotësisht në Qeveri dhe do të jemi të gatshëm që të fillojmë bisedimet lidhur me statutin ( e Asociacionit) sa më parë", theksoi Gecaj. Sidoqoftë, Begradi zyrtar, me mbështetjen e të cilit është themeluar Lista Serbe në vitin 2014, i ka dhënë Slavko Simiqit mbështetje, si kryetar i kësaj liste. (REL) 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Të paktën 5 të vrarë nga një sulm vetëvrasës në Kabul

Posted: 12 Apr 2017 08:07 AM PDT

Të paktën pesë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sulm vetëvrasës me bombë në Kabul, ka njoftuar Ministria e Brendshme afgane. Shpërthimi ka ndodhur afër ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe ndërtesave të tjera qeveritare, në kohën kur mijëra punëtorë ishin duke dalë nga zyret e tyre. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes është cituar të ketë thënë se në mesin e viktimave ka edhe civilë dhe anëtarë të forcave të sigurisë afgane. Grupi militant Shteti Islamik, përmes agjencisë së lajmeve Amaq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se sulmuesi ka pasur për cak një post bllok policor. Më 8 mars, militantët e IS-it vranë mbi 50 persona kur sulmuan një spital ushtarak në Kabul.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mogherini do të vizitojë Rusinë

Posted: 12 Apr 2017 08:00 AM PDT

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini do të zhvillojë vizitën e parë zyrtare në Rusi më 24 prill. Njoftimi është bërë sot nga zyra e Mogherinit. Ajo pritet të takohet me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov "për të biseduar për çështjet më urgjente të politikës ndërkombëtare, veçanërisht për konfliktin në Siri", thuhet në njoftimin për media. Mogherini dhe Lavrov gjithashtu do të bisedojnë për situatën në Libi, procesin e paqes në lindjen e Mesme, Iranin, Afganistanin, Ukrainën dhe raportet BE-Rusi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump dhe Xi bisedojnë për Korenë Veriore

Posted: 12 Apr 2017 07:37 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka biseduar në telefon me homologun kinez, Xi Jinping për "kërcënimin" që paraqet Koreja Veriore. Trump ka shkruar në Twitter se "kam pasur një bisedë të mirë me presidentin e Kinës, lidhur me shqetësimin për kërcënimin e Koresë Veriroe". Biseda Trump-Xi, vjen pas komenteve të bëra nga presidenti amerikan se Uashingtoni "do ta zgjidhë problemin vetëm", nëse Pekini nuk bën më shumë në frenimin e programit bërthamor të Phenianit. Kina është e gatshme të punojë me Shtetet e bashkuara për t'i dhënë fund programit të armëve bërthamore të Koresë Verirore, por dëshiron që për këtë gjë të ketë një zgjidhje paqësore, citohet të ketë thënë presidenti i Kinës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Komunat vjelin mbi 3 milionë euro nga taksat për vetura

Posted: 12 Apr 2017 06:43 AM PDT

Një taksë komunale, me të cilën qytetarët kushtëzohen për të regjistruar veturat e tyre, që për vite të tëra ka grumbulluar shuma parash në komuna, është cilësuar nga Avokati i Popullit si shkelje e të drejtave të njeriut, duke kërkuar nga institucionet e vendit heqjen e saj. Qytetarët thonë se paguajnë taksën prej 10 eurosh për të regjistruar veturën e tyre, pavarësisht se ajo mund të jetë shkelje e të drejtave të tyre. Arben Berisha nga Prishtina për çdo vit që regjistron veturën e tij, është i kushtëzuar që në komunë të paguajë tatimin në pronë dhe një taksë prej 10 eurosh, në mënyrë që t'i lëshohet dëshmia për pagesën e taksës komunale. Këtë taksë Arbeni thotë se paguan prej disa vitesh, por nuk e di arsyen e kësaj pagese dhe as se për çfarë shpenzohen këto mjete të mbledhura. "Ata (komuna) arsyetohen për ndonjë shërbim komunal që bënë komuna. Sikurse shumë gjëra tjera që bëhen tek ne edhe kjo është një padrejtësi që iu bëhet qytetarëve. Por, unë mendoj se fajtor janë qytetarët sepse nuk reagojnë. Disi jemi adaptuar që pushteti të na shfrytëzojë dhe ne nuk kërkojmë drejtësi. Pasi, për regjistrimin e makinave është e obliguar që edhe tatimi në pronë të jetë zero-zero", thotë Arbeni. Një taksë komunale që mundëson regjistrimin e veturës është aplikuar në të gjitha komunat e Kosovës prej shumë vitesh, dhe ajo ka kushtëzuar secilin prej pronarëve të veturave me pagesën e tatimit në pronë. Në Komunën e Prishtinës, vitin e kaluar nga kjo taksë prej 10 eurosh janë mbledhur mbi 472 mijë euro, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj komune. Në një përgjigje përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, Faton Zeka, zyrtar në komunën e Prishtinës, ka thënë se "edhe Komuna e Prishtinës sikurse komunat tjera zbaton edhe taksën e veturës dhe kushtëzimin e pagesës për tatimin në pronë". Mjetet e grumbulluara, ka thënë ai "shpenzohen varësisht nga nevojat e komunës dhe nuk janë të destinuara për ndonjë sektor të veçantë". Ndryshe, në gjithë Kosovën sipas shifrave zyrtare qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, që sipas një llogaritje për çdo vit, nga taksat komunale, grumbullohen mbi 3 milionë e 150 mijë euro. Kjo taksë për vetura zbatohet në bazë të udhëzimit administrativ 07/ 2011 për urdhëresat e ndalimit të shërbimeve komunale për detyrimin e pagesës së tatimit në pronë, e nxjerrë nga Ministria e Financave. Në këtë udhëzim thuhet se "Komunat kërkojnë nga qytetarët/bizneset që të paguajnë taksën për pronësinë e automjeteve motorike brenda kufijve të komunës. Komuna nuk duhet t'i kryejë këto shërbime përderisa nuk është paguar tatimi ne pronë". Por, udhëzimi administrativ ka shkaktuar reagimin e zyrës së Avokatit të Popullit, që e ka konsideruar si një "metodë të paligjshme për vjelje të tatimit në pronë". Zyra e Avokatit të Popullit i ka tërhequr vëmendjen autoriteteve përkatëse lidhur me shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut dhe ka rekomanduar ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ. Majlinda Ulaj- Sinani, zëdhënëse në këtë institucion, ka thënë se më këtë udhëzim vihen në rrezik të drejtat e njeriut. "Anashkalimi i Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat, natyrisht që mund të ketë pasur qëllim lehtësimin dhe shkurtimin e rrugës për vjeljen e tatimit. Mirëpo në këtë mënyrë vë në rrezik të drejtat e qytetarëve në një proces të rregullt dhe të përcaktuara me këto ligje", ka thënë Ulaj-Sinani. Avokati i Popullit, ka thënë ajo, i ka rekomanduar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që të ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar në shkresën shpjeguese. "Duke nxjerrë një qëndrim të ri me konstatimin se kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave me pagesën e tatimit në pronë, nuk kanë bazë ligjore dhe janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut, dhe si të tilla nuk mund të aplikohen", është shprehur Ulaj-Sinani. Por, zyrtarë të Ministrisë se Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë thënë se në vitin 2012 kanë dërguar shkresë shpjeguese në të gjitha komunat e Kosovës lidhur me kushtë​zimin e shërbimeve publike për qytetarët, kurse për zbatueshmërinë e këtij udhëzimi është përgjegjëse Ministria e Financave. Në këtë shkresë shpjeguese, ndër të tjera thuhet se :"Komunat kanë të drejtë të bëjnë kushtëzime në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e saj, atëherë kur vlerësojnë se më një veprim të tillë arrihet një qëllim i interesit publik, i cili interes realizon para se gjithash nevojat e vetë qytetarëve të saj, por duke mos dëmtuar drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e njeriut". Por Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Financave, e cila ka nxjerrë këtë udhëzim, që të bëjë ndryshimin e dispozitave që kanë të bëjnë më kushtëzimet e qytetarëve për pagesën e tatimit në pronë. Rreth kësaj çështjeje zyrtarë të Ministrisë se Financave, kanë thënë se "ky dikaster aktualisht është në proces të ndryshimit të Ligjit për Tatimin në Pronë. Pas miratimit të Ligjit do të hartohen edhe Udhëzimet e reja Administrative". Deri atëherë, ndërkaq, qytetarët do të detyrohen të vazhdojnë të paguajnë një taksë komunale e cila për shumë vite është mbledhur në llogaritë e komunave. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Merkel e “tmerruar” nga sulmi kundër ekipit të futbollit në Dortmund

Posted: 12 Apr 2017 06:02 AM PDT

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është shprehur "e tmerruar" nga sulmi kundër ekipit të futbollit, Borussia Dortmund, ka thënë sot zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, derisa autoritetet e Gjermanisë po zhvollojnë hetime për lidhjen e mundshme të tri eksplodimeve me grupin ekstremist, Shteti Islamik. Një person me prejardhje islamiste është arrestuar nga autoritetet e Gjermanisë lidhur me këtë rast. Nga këto eksplodime të djeshme është dëmtuar autobusi i ekipit. Shefi ekzekutiv i klubit, Hans-Joachim, tha se mbrojtësi spanjoll i ekipit, Marc Bartra, është lënduar dhe ishte dërguar në spital. Ishte lënduar edhe një polic. Incidenti ka ndodhur në vendin Hoeshten, afër qytetit Dortmund, derisa ekipi ishte nisur për takimin gjysmëfinal të Kupës së Kampionëve kundër Monakos. Takimi është shtyrë për sot më vonë gjatë ditës. "Kancelarja ishte e tmerruar nga lajmi për sulmin në autobusin e ekipit, sikur ishin të tmerruar edhe miliona njerëz çdokund", u tha gazetarëve zëdhënësi Seibert. Një letër, me të cilën merret përgjegjësia, është gjetur afër vendit të eksplodimeve, ka thënë prokurorja, Sandra Leucke, por pa dhënë detaje të tjera. "Po vërtetohet autenticiteti", tha ajo. Autoritetet e Gjermanisë nuk e kanë quajtur sulmin si terror i organizuar. Por hetimet janë marrë nga prokurorët federalë, pasi në përgjegjësinë e tyre përfshihen hetimet për terrorizëm. Ralf Jaeger, ministër i brendshëm i shtetit Vestfalia Rajne Veriore, lidhur me këtë sulm tha: "Ne po bëjmë çdo gjë të mundshme që prapavija e këtij sulmi, që tash për tash është krejtësisht e paqartë, të mund të shpjegohet sa më shpejtë", tha Ralf Jaeger. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Diskutohet qëndrimi unik i Kosovës në raport me dialogun me Serbinë

Posted: 12 Apr 2017 05:56 AM PDT

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës me mbështetjen e Institutit Demokratike të Kosovës kanë ndërmarrë një nismë për analizimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Aty u kërkua unifikimi i qëndrimeve parlamentare në raport me këtë dialog, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. "Kuvendi duhet ta luaj rolin e vet të pakontestueshëm në këtë proces", ka thënë kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. Sipas tij, për këtë qëllim, ky Komision i ka ftuar kryetarët dhe përfaqësuesit e komisioneve tjera parlamentare që të krijohet një koordinim mes tyre rreth këtij procesi.  "Dialogu duhet të jetë çështje mbi partiake rreth të cilit duhet ndërtuar një konsensus partiak e shtetëror", ka thënë ai. Aktualisht, Kuvendi ka në fuqi Rezolutën për pezullimin e dialogut me Serbinë deri në lirimin dhe kthimin në Kosovë të Ramush Haradinajt, i cili po mbahet nën masën e lirimit me kusht në Franca, mbi bazën e një procesi ndaj tij, që vjen si rezultat i një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë. Kurse deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri tha se dialogu duhet të ristrukturohet dhe riformatohet. "Me Serbinë duhet të ketë dialog ndërshtetëror", tha Mustafa. Kurse bisedimet me serbët e Kosovës, sipas tij, duhet të përqendrohen në raportet e brendshme me këtë komunitet. Ndërkaq kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nuk e mbështet formën aktuale të dialogut në Bruksel. "Mendojmë që është koha e fundit që ne si Kuvend, deputetë apo parti politike, ta kemi qëndrimin e qartë rreth këtij dialogu, sepse është me rëndësi që i gjithë procesi të rishqyrtohet, përfshi edhe secilën marrëveshje të arritur në të", ka thënë Haxhiu. Sipas saj, si rezultat i dialogut janë thelluar ndarjet dhe paralelizmat në Kosovë, çka e kanë bërë jofunksional shtetin e Kosovës, duke tërhequr vërejtjen se me krijimin eventual edhe të Asociacionit të komunave serbe, atëherë do të ndodhte edhe 'bosnjëzimi i Kosovës'. Si konkluzion, ajo tha se dialogu nuk i ka inkuadruar serbët në institucione, por vetëm sa e ka shtuar ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe e ka bllokuar Kosovën në procesin e shtetëndërtimit. "Është koha e fundit që ne ta ndalojmë këtë dialog", ka thënë Haxhiu. Kohë më parë, Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë një Rezolutë me të cilën e ka pezulluar dialogun me Serbinë deri në lirimin e Ramush Haradinajt. Por, pas datës 27 prill, kur në Colmar do të zhvillohet seancë gjyqësore ndaj Ramush Haradinajt, deputeti Elmi Reçica tha se pritjet janë që lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj do të lirohet dhe më pas, Kuvendi duhet të marr vendim të ri në lidhje me vazhdimin e këtij procesi, i cili po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Haradinaj aktualisht po qëndron në Francë, nën masën e lirimit me kusht. Ai po i nënshtrohet një procesi gjyqësor në Colmar të Francës, ku po shqyrtohet kërkesa e Beogradit për ekstradimin e tij në Serbi. Prokuroria Speciale e Serbisë pretendon se Haradinaj ka kryer krime lufte, ndërkohë që Haradinaj dhe institucionet në Prishtinë kanë vlerësuar se ky është një proces i motivuar politikisht nga Beogradi.(REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tanin: Për mandatin e UNMIK-ut në Kosovë vendos vetëm Këshilli i Sigurimit

Posted: 12 Apr 2017 04:28 AM PDT

Administrata e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, do të mbetet në Kosovë për aq kohë sa këtë e kërkon Këshilli i Sigurimit, ka deklaruar shefi i këtij misioni, Zahir Tanin. Ai ka zhvilluar sot një takim me Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës ku ka thënë se ka diskutuar me deputetët për disa çështje që mund të jenë me rëndësi të dyanshme. "Ne ishim dhe jemi këtu që të punojmë dhe të shohim se si mund të kontribuojmë së bashku për paqen e stabilitetin në Kosovë, pra bashkë me KFOR-in, BE-në, EULEX-in, OSBE-në dhe organizata tjera ndërkombëtare", ka theksuar Tanin. Por, kur është në pyetje mbyllja e këtij misioni, Tanin e ka bërët ë qartë se këtë çështje nuk mund ta vendosin institucionet e Kosovës. "Puna dhe prania e UNMIK-ut është çështje e Këshillit të Sigurimit dhe se ne do të jemi këtu për aq kohë sa Këshilli i Sigurimit e dëshiron këtë", ka thënë ai Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, deputeti Elmi Reçica tha se UNMIK-u punon në Kosovë mbi bazën e Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit dhe se Komisioni nuk ka ndonjë informatë nga Ministria e Punëve të Jashtme për zvogëlimin e mëtutjeshëm të mandatit të këtij misioni apo edhe mbylljen e tij. Reçica tha se në lidhje me disa deklarata që janë bërë në Ministrinë e Jashtme rreth mandatit të UNMIK-ut, do të ftohet të raportoj ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, që t'i sqaroj ato.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjermani: Gabriel niset për vizitë në Serbi dhe Kosovë

Posted: 12 Apr 2017 04:16 AM PDT

Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, e fillon sot vizitën e tij dyditëshe në Serbi dhe Kosovë, për të diskutuar lidhur me rritjen e tensioneve në raportet ndërmjet dy palëve. "Ne shohim se disa plagë të së kaluarës ende janë të thella dhe ende i mbajnë tensionet e larta", tha sot Sigmar Gabriel, para se të nisej për në Beograd. Ai theksoi se do të angazhohet zëshëm në "mbështetje të zhvillimit demokratik dhe sundimit të ligjit" në të gjitha vendet e rajonit. Kosova e banuar me popullatë shumicë shqiptare, në vitin 2008 e ka shpallur pavarësinë dhe është njohur nga 114 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Por Serbia dhe aleati i saj, Rusia, nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Aktualisht, tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ndërmjet institucioneve qendrore të Kosovës dhe minoritetit serb brenda Kosovës, janë ende të larta. Gjatë turneut të filluar sot, ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, do ta vizitoj edhe Shqipërinë më 16 të këtij muaji. Duke u shprehur për perspektivën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, zoti Gabriel theksoi se do tu thotë liderëve të rajonit se "rruga kah BE-ja mbetet e hapur, nëse ju i zgjedhni reformat dhe progresin e jo ndarjet dhe ngecjen". 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin: Lidhjet me SHBA-të janë përkeqësuar prej ardhjes së Trumpit

Posted: 12 Apr 2017 03:51 AM PDT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thotë se niveli i besimit ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, ka rënë prej inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump. Komentet e zotit Putin gjatë një interviste televizive janë postuar sot në faqen e Kremlinit në Internet, në ditën kur në Moskë, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, po zhvillon bisedime me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov. I pyetur nëse lidhjet Rusi – SHBA ishin përkeqësuar prej se Trump erdhi në presidencë në muajin janar, Putin është pergjigjur: "mund të thuhet se niveli i besimit në nivelin punues, e veçanërisht në atë ushtarak...nuk është përmirësuar, por ka shumë gjasë që është përkeqësuar". Putin, po ashtu, e ka mbrojtur vlerësimin e Kremlinit se qeveria e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, nuk ishte përgjegjëse për atë që Shtetet e Bashkuara thonë se ishte sulm me armatim kimik më 4 prill, nga i cili janë vrarë dhjetëra civilë. Putin tha se beson se të dy teoritë më të besueshme janë se gazi helmues ishte liruar kur sulmet ajrore të qeverisë së Sirisë e kanë goditur një kapacitet prodhues të armatimit kimik të kryengritësve apo ky sulm ishte "thjesht i organizuar". Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera i kanë hedhur poshtë prtendimet e tilla si të pabaza.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pesë vjet nga rasti "Monstra", krimi ende mbetet enigmë

Posted: 12 Apr 2017 03:32 AM PDT

Në pesë vjetorin e vrasjes së pesëfishtë në Smillkovcë të Shkupit, dy palët, si familjarët e maqedonasve të vrarë ashtu edhe ata të shqiptarëve të dënuar, kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit, apo siç thonë, gjetjen e autorëve të vërtetë të krimit të 12 prillit të vitit 2012. Vrasja e pesë maqedonasve, katër prej tyre të rinj rreth të 20-tave dhe e një peshkatari më të moshuar, që ka ndodhur pranë një liqeni artificial në veri të Shkupit, është cilësuar si akt terrorist me motive fetare dhe pesë persona janë dënuar me burgim të përjetshëm, Fejzi Aziri, Haki Haziri, Alil Demiri dhe Agim dhe Afrim Ismailoviq, që ndodhen në arrati. Por, familjarët e të dënuarve asnjëherë nuk e kanë pranuar veprën duke akuzuar politikën të ketë gisht në këtë akt që është dënuar edhe nga vet ata. Por, pavarësisht kësaj si edhe pretendimeve tjera mbi pafajësinë e tyre, ata janë shpallur fajtor duke marrë dënimin maksimal. Ngjarja mori dimension tjetër me paraqitjen e aferës së përgjimeve nga lideri i opozitës, Zoran Zaev, i cili pati deklaruar se nga bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve ka mësuar se të dënuarit për rastin "Monstra" janë të pafajshëm dhe se në këtë akt makabër kanë gisht struktura të caktuara që përmes nxitjes së tensioneve dëshirojnë destabilizimin e Maqedonisë. Megjithatë, edhe dy vjet nga kjo deklaratë e vërteta nuk është zbardhur. "Mendoj se bën marrëveshje VMRO-ja, BDI-ja dhe LSDM-ja që të mos publikojnë asgjë. Ne ndjehemi të mashtruar. Nuk kemi më asnjë shpresë edhe tek Katica Janeva (Prokurorja Speciale) pasi ajo na premtoi se do të jetë rasti i parë që do ta shqyrtojë por deri më tani këtë nuk e ka bërë. Pra, ende nuk ka asgjë nga drejtësia që na u premtua për zbardhjen e vrasjes së fëmijëve tanë", thotë Goran Nakevski një nga familjarët e maqedonasve të vrarë. Bedri Ajdari nga këshilli i familjarëve të dënuar thotë se shqiptarët dhe maqedonasit e zonës asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë konflikt mes veti, por se kanë jetuar në fqinjësi të mirë. Ai beson se bëhet fjalë për një rast tragjik të montuar me qëllim e vetëm nxitjen e tensioneve për synime të caktuara. Ai bën thirrje që ankesat e tyre sa më parë të shqyrtohet nga instancat e larta gjyqësore. "Ne si familje që jemi jashtë dhe të burgosurit që i kemi brenda, nuk e dimë ende se për se u zgjodhën familjet tona që ta mbulojmë këtë rast. Nga bisedat e përgjuara telefonike e dimë se jemi të pafajshëm, këtë në fakt e kemi ditur që nga dita e parë, por për të demaskuar këtë u desh të dilnin "bombat" (afera e përgjimeve). Edhe opozita e thotë se jemi të pafajshëm e këtë e themi edhe ne, por edhe dy vite nuk ka asnjë epilog edhe pse lënda ndodhet në Gjykatën supreme", thotë Ajdari. Lideri i Lidhjes social-demokrate, Zoran Zaev më herët pati deklaruar se materialet që posedon nuk i ka publikuar pasi ka frikë që ky rast mund ta destabilizojë vendin, andaj edhe sipas tij i mbetet që ta hetojë Prokuroria Speciale. "Pse nuk e kemi bërë deri më tani këtë. Nuk e kemi bërë pasi realisht kam frikë se ajo të cilës i gëzohem si fëmija i vogël mund të rrënohet, e kam fjalën për unitetin ndëretnik që kemi krijuar", pati deklaruar Zaev duke njoftuar dorëzimin e të gjitha materialeve Prokurorisë Speciale për hetimet e të gjitha shpërdorimeve nga zyrtarët shtetëror. Por, njohësit e çështjeve juridike janë pesimist nëse gjyqësori do të ketë vullnet të zbardh këtë rast. Profesori i së drejtës kushtetuese Osman Kadriu, njëherësh avokat në shumë procese gjyqësore, thotë se edhe Prokuroria Speciale do ta ketë të vështirë ta hetojë këtë rast për shkak të pengesave nga institucionet gjyqësore. Ai thotë se lëvizje mund të ketë por jo nga ky pushtet. "Kjo besoj se do të ndodhë nëse kemi ndryshim të pushtetit. Nëse nuk kemi ndryshim të pushtetit, apo zgjedhjen e qeverisë së re, atëherë mendoj se ky rast do të zvarritet ashtu siç zvarriten edhe rastet tjera, përfshirë këtu edhe rastin e Sopotit", thotë Kadriu. Prokuroria Speciale disa herë ka kërkuar që ky rast t'i kalojë për hetim këtij institucion por kërkesa e saj tani disa muaj nuk shqyrtohet nga Këshilli i Prokurorëve, organ ky që besohet se punon sipas urdhrave të pushtetit aktual. Ndryshe, për rastin "Monstra" disa herë janë mbajtur edhe protesta që janë përshkallëzuar në dhunë mes protestuesve shqiptarë dhe forcave të rendit, duke rrezikuar një konflikt të përmasave më të gjera. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Turqi: Eksplodimi në Dijarbakir ishte sulm terrorist

Posted: 12 Apr 2017 02:18 AM PDT

Eksplodimi vdekjeprurës në kompleskin e policisë në qytetin juglindor Dijarbakir në Turqi, ishte sulm terrorist, ka thënë ministri i brendshëm turk, Suleyman Soylu. Në intervistën për transmetuesin Haberturk, Soylu tha sot se sulmi ishte kryer nëpërmjet një tuneli nën kompleks. Nurmi i të vrarëve nga eksplodimi i djeshëm ka arritur në tre vetë, kanë thënë burime spitalore. Ministri Soylu fillimisht pat thënë se nuk ka involvim të forcave të jashtme në këtë incident në qytetin e trazuar me popullatë shumicë kurde, duke indikuar se eksplodimi ishte shkaktuar nga punët riparuese në një garazh të policisë dhe se nuk ishte pasojë e sulmit. Eksplodimi, që ka mundur të dëgjohet në disa lagje të qytetit, i ka shtuar shqetësimet e sigurisë vetëm disa ditë para referendumit, me të cilin pritet të shtohen autorizimet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tillerson do t’i bëjë presion Rusisë për Sirinë, derisa tensionet rriten

Posted: 12 Apr 2017 02:01 AM PDT

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, pritet t'i sfidojë zyrtarët rusë në Moskë lidhur me mbështetjen e Rusisë për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, pas asaj që Shtetet e Bashkuara thonë se ishte sulm barbar me armatim kimik i forcave të tij, javën e kaluar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ahmadinejad regjistrohet si kandidat për zgjedhjet presidenciale në Iran

Posted: 12 Apr 2017 01:14 AM PDT

Mediat shtetërore në Iran kanë njoftuar se ish presidenti Mahmud Ahmadinejad, një konservator i vijës së ashpër, që ka shërbyer në dy mandate, është regjistruar si kandidat për zgjedhjet presidenciale të 19 Majit. Ahmadinejad e ka paraqitur kandidaturën e tij në ditën e dytë të afatit të regjistrimit që zgjat prej 11 deri më 15 prill, bëjnë të ditur mediet më 12 Prill. Udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei i tha vitin e kaluar Ahmadinejadit që të mos kandidojë për president. Mediat iraniane njoftuan se edhe bashkëpunëtori i afërt i Ahmadinejadit, Hamid Baghaei, një ish zëvendës president, gjithashtu është regjistruar si kandidat. Kandidatët e ardhshëm do të verifikohen nga Këshilli i Gardianëve, një vijë e ashpër. Ahmadinejad tha javën e kaluar se nuk po planifikonte që të kandidonte dhe se do të mbështeste Baghaein. Baghaei, u mbajt në arrest për disa muaj në vitin 2015 nën akuza të panjohura.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dortmund: Është gjetur letra me të cilën merret përgjegjësia për sulm

Posted: 12 Apr 2017 12:47 AM PDT

Autoritetet e Gjermanisë thonë se tri eksplodime kanë ndodhur dje afër autobusit ku gjendeshin futbollistët e ekipit, Borusia Dortmund. Shefi ekzekutiv i klubit, Hans-Joachim, tha se mbrojtësi spanjoll i ekipit, Marc Bartra, është lënduar dhe ishte dërguar në spital. Bashkëlojtarë të tij u thanë mediave zvicerane se ai ishte "goditur nga copat e xhamave të thyer". Policia tha se indikimet e para janë se ky ishte "sulm me pajisje serioze eksploduese". Në fotografitë e autobusit nga vendi i ngjarjet shihen dritaret e thyera të autobusit. Një letër, me të cilën merret përgjegjësia, është gjetur afër vendit të eksplodimeve, ka thënë prokurorja, Sandra Leucke, por pa dhënë detaje të tjera. Incidenti ka ndodhur në vendin Hoeshten, afër qytetit Dortmund, derisa ekipi ishte nisur për takimin gjysmëfinal të Kupës së Kampionëve kundër Monakos. Ndeshja është shtyrë për sot, ka njoftuar klubi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ligji i punës nuk gjen zbatim, kërkohen ndryshime

Posted: 12 Apr 2017 12:36 AM PDT

Ligji i punës në Kosovë ndonëse i miratuar shtatë vite më parë nuk ka arritur të gjejë zbatim të duhur, në veçanti në sektorin privat.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now