“Banka Botërore: Kosova me rritjen ekonomike më të madhe në rajon” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Banka Botërore: Kosova me rritjen ekonomike më të madhe në rajon” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Banka Botërore: Kosova me rritjen ekonomike më të madhe në rajon

Posted: 06 Apr 2017 09:45 AM PDT

Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016, kurse gjatë këtij viti rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.9 për qind, që konsiderohet më e larta në rajon, ka bërë të ditur Banka Botërore gjatë një prezantimi të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Banka Botërore tha se rritja ka ndodhur për shkak të investimeve dhe konsumit dhe nënvizoi se rritje ka pasur me krijimin e vendeve të reja të punës, megjithëse nuk u dhanë numra të saktë. Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se pavarësisht parashikimeve pozitive për rajonin dhe Kosovën, megjithatë ende ka nevojë për përmirësim, konkretisht në krijimin e kushteve për punësim. "Lajmi i dytë pozitiv që ka të bëjë më Kosovën, ngjashëm sikurse me vendet e rajonit, është se kjo rritje po tregon shenjat e ndikimit që kishte tregu i lirë. Pra kemi evidencë për krijimin e vendeve të reja të punës . Por raporti nuk specifikon numrin", tha ai. Matovanelli tha se Kosova duhet të krijojë kushte për konkurrencë të jashtme, pasi mungojnë kapacitetet për eksport të prodhimeve. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, Kosova është në gjendje të krijojë vende të reja të punës në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për të rinjtë, kategori kjo që është një aset që e dallon Kosovën nga vendet tjera të rajonit, vlerësoi Matovanelli. "Pra ka sinjale pozitive, por duhet të bëhet më shumë. Mesazhi ynë është se reformat më kalimin e kohës, duhet të ndihmojnë ekonominë rreth produktivitetit të brendshëm dhe kapaciteteve më të mira për të qenë konkurrentë jashtë vendit". "Dhe kjo është vërtet dhe vlen për biznesin mjedisor, por gjithashtu edhe për krijimin e shkathtësive të reja për popullatën e re, në mënyrë që të jetë në gjendje të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare", ka thënë ai. Edhe Agim Demukaj, ekonomist i Bankës Botërore në zyren në Prishtinë, ka treguar se gjatë vitit të kaluar në Kosovë pasur krijim të vendeve të reja të punës, deficiti fiskal ka qenë më i ulët, sektori financiar ka pasur performacë të mirë, por që ka pasur një rënie të lehtë të investimeve të huaja.  Kurse në rritjen ekonomike, sipas tij, ka ndikuar diaspora më remitenca dhe investime. Sipas parashikimeve të Bankës Botërore edhe gjatë këtij viti do të ketë rritje ekonomike.  "Parashikimet tona për vitin 2017 janë se do të ketë një rritje 3.9 për qind, do të ketë një ngritje nga viti i kaluar. Kurse në vitin 2018, parashohim se do të ketë një rritje më të madhe. Shtytësit kryesor të kësaj rritjeje gjatë këtij viti, dhe vitin tjetër do të jenë prapë investimet që është shumë pozitive, pasi krijohet një bazë më e madhe e prodhimit, një bazë më e qëndrueshme për të ardhmen", ka thënë Demukaj. Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike në Prishtinë, i quajnë inkurajuese shifrat për rritje ekonomike të Bankës Botërore, por të pamjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm. Eksperti Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se për ta ulur nivelin e papunësisë, Kosova duhet të ketë dyfishin e rritjes ekonomike të prezantuar nga Banka Botërore. "Mendoj se bazuar në shtimin e popullsisë që ka Kosova, ku 30 mijë të rinj për çdo vit futën në tregun e punës, atëherë Kosova ka nevojë për dyfishimin e kësaj rritjeje ekonomike. Ne duhet të bëjmë përpjekje që të intensifikojmë të gjitha resurset tona të brendshme për inkurajuar investimet e jashtme dhe për të mobilizuar potencialet tona të brendshme që kjo rritje të jetë të paktën dyfishi i saj. Tek atëherë, do të fillojmë të luftojmë papunësinë, që në Kosovë është jashtëzakonisht e madhe", thotë Gashi. Kurse sa përket industrisë bankare, sipas Bankës Botërore, sektori bankar është i qëndrueshëm dhe likuid. Gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të nivelit të kredive dhe depozitave, kurse ka pasur ulje të nivelit të kredive jo përfomuese. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

IS merr përgjegjësinë për sulmin në Astrakhan

Posted: 06 Apr 2017 09:26 AM PDT

Grupi militant, Shteti islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 4 prillit në qytetin rus të Astrakhan, ku u vranë dy zyrtarë policorë. Një uebfaqe, që është e lidhur me IS-in, ka publikuar sot këtë lajm, duke u thirrur "në burime të sigurisë" brenda IS-it. Më herët gjatë ditës, autoritetet ruse kanë thënë se trupat e Gardës Kombëtare kanë vrarë katër burra, që dyshoheshin se ishin të përfshirë në sulmin në Astrakhan. Ky lajm vjen në kohën kur Rusia është në gjendje të lartë gatishmërie, pas shpërthimit të 3 prillit në metronë e Shën Petersburgut, ku u vranë 14 persona dhe u plagosën rreth 50 të tjerë.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Moskë: Tubim solidarizues për viktimat e shpërthimit në metro

Posted: 06 Apr 2017 08:31 AM PDT

Mijëra njerëz kanë dalë sot në sheshin kryesor të Moskës, për të treguar solidaritetin me viktimat e sulmit shpërthimit vdekjeprurës në metronë e Shën Petersburgut. Marshi i sotëm, është njëri prej dhjetërave tubime, që autoritetet ruse kanë autorizuar që të organizohen në mbarë Rusinë, në ditët në vijim. Autoritetet kanë identifikuar sulmuesin si person me prejardhje uzbeke, i lindur në Kirgizi. I dyshuari kryesor i shpërthimit të 3 prillit ku u vranë 14 persona, kishte pasaport ruse. Qindra policë kanë formuar kordon në sheshin Manezh ku është mbajtur tubimi.      

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Kryesuesi i Komitetit të Inteligjencës tërhiqet nga hetimi për Rusinë

Posted: 06 Apr 2017 07:27 AM PDT

Kryesuesi i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese, Devin Nunes, tha se përkohësisht tërhiqet nga roli i tij udhëheqës në hetimin e këtij komiteti për involvimin e dyshuar të Rusisë, në zgjedhjet presidenciale amerikane, në vitin 2016. Zoti Nunes, republikan nga Kalifornia, tha sot se ai tërhiqet nga hetimi për shkak të ankesave për sjellje jopërkatëse, që janë bërë kundër tij nga Zyra Etike e Kongresit. Ai thotë se ankesat janë false dhe të motivuara politikisht. Udhëheqjen e komitetit gjatë hetimit për Rusinë, do ta marrë republikani, Mike Conaway, derisa Nunes do ta vazhdoj punën e tij në komitet. Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese, Paul Ryan, tha se e mbështet vendimin e zotit Nunes, pasi çështjet etike "do të ishin shmangie" nga hetimi. Devin Nunes është kritikuar ashpër për takime të fshehta me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe kjo i ka shtruar çështjet e paanshmërisë së tij gjatë hetimeve të administratës së presidentit, Donald Trump. Kritikët, po ashtu, kishin vërejtje ndaj zotit Nunes pasi ai kishte luajtur rol kryesor në ekipin tranzitor të Trumpit. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kriza politike në Maqedoni vështirëson menaxhimin e krizës së migrantëve

Posted: 06 Apr 2017 07:14 AM PDT

Maqedonia do ta ketë shumë të vështirë përballjen me valën eventuale të migrantëve nga visete prekura nga lufta në Lindjen e Mesme dhe ato të Afrikës së Veriut, pasi zvarritja e krizës politike ka bllokuar konsolidimin e institucioneve shtetërore, thonë ekspertë të sigurisë. Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Agim Nuhiu, tha të mërkurën se Maqedonia është duke u përballur me trafikimin e migrantëve në dimensione të mëdha. Në një takim diplomatik në lidhje me migrantët organizuar në Ministrinë e Jashtme, ai tha se për të luftuar këtë fenomen, nevojitet bashkëpunim sa më i ngushtë mes vendeve të rajonit, por nën kujdesin e vendeve evropiane. Ministri Nuhiu me këtë rast ka theksuar se nuk mund të përjashtohet mundësia e një krize të re refugjatësh. "Edhe pse kjo temë nuk ka zënë shumë vend në agjendën e mbledhjeve rajonale dhe ndërkombëtare siç ka qenë para një viti. Gjithsesi, mendoj se duhet të pranojmë se kërcënimet janë objektive dhe mundësia për përsëritje janë reale, për këtë duhet të gjithë së bashku të jemi të gatshëm të ofrojmë përgjigje gjithëpërfshirëse rajonale nën kujdesine partnerëve tanë nga BE", ka deklaruar Agim Nuhiu, Ministër i Punëve të Brendshme. Por ndërkohë, Vladimir Pivovarov ish drejtues i agjencisë ushtarake kundër zbulim për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia do ta ketë shumë të vështirë përballjen e me një valë të re krize të refugjatëve për dallim nga vala e fundit, kur e kishte më të lehtë, pasi kufijtë e vendeve të BE-së ishin të hapur dhe Maqedonia atë kohë ishte vetëm vend trazit. "Sa I përket aspektit të sigurisë do të paraqes rrezik të madh për vendin qëndrimi i një vale më të madhe të migrantëve në Maqedoni dhe jo vetëm kapërcimi përmes territorit të Maqedonisë si vend tranzit. Them se kjo paraqet rrezik, sepse institucionet e shtetit tani janë jo funksionale meqë janë shndërruar në trupa partiak dhe në praktikë ata realisht nuk mund t'u përgjigjen sfidave me të cilat mund të përballet vendi. Aq më tepër në këtë moment kur vendet e Bashkimit Evropian i kanë mbyllur dyer dhe në një situatë të këtillë Maqedonia gjendet në një situatë shumë të ndjeshme" thekson Vlladimir Pivovarov. Qendra për Menaxhim me kiza thotë se do të jetë shumë e vështirë menaxhimi i situatës nëse migrantët, të cilët ikin nga zonat e përfshira nga konflikti në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, bllokohen në Maqedoni si rrjedhojë e mbylljes së kufijve nga ana e vendeve të BE. Agron Buxhaku drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia deri më tani është definuar si shtet transit dhe për këtë ajo është e përgatitur për të menaxhuar situatën por, siç thotë ai, situata mund të komplikohet nëse migrantët detyrohen të qëndrojnë një kohë më të gjatë, për çka vendi nuk disponon me kapacitete të mjaftueshme. Sipas tij qendrat pranuese në Vinojug në Gjevgjeli përgjatë vijës kufitare Maqedoni-Greqi si dhe qendra pranuese në Tabanovc përgjatë kufirit me Serbinë, disponojnë me kapacitet vetëm përdy mijë persona. "Ne si Qendër për Menaxhim me Kriza në kuadër strategjisë së aprovuar nga ana e qeverisë në ikje të Maqedonisë, prej kur filloi kriza, kemi kapacitet për të pranuar në kampet e transiterreth dy mijë persona. Ne e quajmë veten si vend transit kështu që nuk kemi kapacitet për të pranuar ndonjë numër më shumë se kaq". "Mirëpo siç ndodhi vitin e kaluar me ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe organizatat ndërkombëtare arritëm të menaxhojmë situatën. Sa i përket çështjes së sigurisë në vazhdimësi marrim përkrahje sa I përket regjistrimit të personave dhe identitetin e të gjithë atyre që hyjnë në territorin e Maqedonisë" thotë Buxhaku Ndryshe gjatë vitit të kaluar përmes Maqedonisë drejt vendeve të BE kanë kaluar mbi njëmilion migrantë nga zonat e prekura nga lufta në lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, përderisa aktualisht në Maqedoni qëndrojnë rreth 50 migrantë të cilët kryesisht janë nga Iraku dhe Siria me shpresë se do t'u mundësohet të arrijnë në vendet e BE ku kanë pjesën tjetër të familjes.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Turqi: Autopsia tregon se në Siri është përdorë armatimi kimik

Posted: 06 Apr 2017 07:08 AM PDT

Turqia thotë se rezultatet e autopsisë tregojnë se në një sulm nga i cili janë vrarë dhjetëra civilë në pjesën veriore të Sirisë, më herët këtë javë, është përdorë armatim kimik. Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, e ka cituar ministrin e drejtësisë, Bekir Bozdag, që sot ka thënë se rezultatet e autopsisë së tri viktimave "konfirmojnë se presdienti sirian, Bashar al-Assad, ka përdorë armatim kimik". Bozdag tha se ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kanë marrë pjesë në autopsitë e kryera në Turqi. Një zëdhënës i OBSH-së tha se "një person i OBSH-së ishte atje në kohën e autopsisë, por nuk kishte rol në autopsi ose hetim". Aktivistët sirianë thonë se 86 vetë janë vrarë në sulmet ajrore para dy ditësh në qytetin, Kan Sheikan, në provincën Idlib në Siri. Afro 60 të plgosur janë dërguar në Turqi për trajtim mjekësor, ndërsa tre prej tyre kanë vdekur menjëherë, theksohet në raporte. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera e fajësojnë qeverinë e Assadit për kryerjen e sulmit kimik. Por Siria dhe aleati i saj, Rusia, thonë se aeroplanët sirianë e kanë bombarduar një fabrikë, ku ishte depozituar armatimi kimik. Ky pretendim është hedhur poshtë nga Shtetet e Bashkuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mustafa: Ratifikimi i demarkacionit shkon në kuvend këtë muaj

Posted: 06 Apr 2017 06:40 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se brenda këtij muaji qeveria do ta procedoj për ratifikim në Kuvend Projektligjin për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Këto komente, Mustafa i bëri gjatë një vizite bizneseve lokale, në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës. "Kufi tjetër nuk kemi, ai është kufiri andaj do ta ratifikojmë", ka thënë Mustafa."Nëse jo tash, do ta ratifikojmë më vonë", tha ai. Sipas Mustafës, opozita ka qëllimet e veta politike që të kritikoj dhe kërkoj zgjedhje të parakohshme. "Unë e respektoj opozitën, por më shumë e respektoj nevojën që ne të hapim punë, të krijojmë perspektivë dhe vende të reja pune", ka thënë Mustafa. Komisioni Evropian i ka vënë Kosovës kusht për liberalizimin e vizave ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dy demokratë propozojnë legjislacion për mosndryshim të politikës ndaj Rusisë

Posted: 06 Apr 2017 06:33 AM PDT

Dy ligjvënës demokratë në Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një masë të re për ta ndalur presidentin amerikan, Donald Trump, që të mos e ndryshoj politikën ekzistuese të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë, derisa të kompletohet një hetim i agjencisë FBI. Kjo masë e propozuar mbrëmë nga anëtarët e Dhomës Përfaqësuese, Eric Swalwell dhe Eliot Engel, është e ngjashme me një legjislacion të propozuar nga një grup i republikanëve dhe demokratëve në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Propozimi në Dhomën Përfaqësuese, sikur ai në Senat, kërkon që administrata Trump "të mos i ndryshoj sanksionet, marrëveshjet, ndihmën ushtarake ose raportet diplomatike, nga të cilat mund të përfitoj presidenti rus, Vladimir Putin, ose qeveria e tij". Çfarëdo ndryshimesh, theksohet në këtë propozimlegjislacion, mund të bëhen pasi agjencia FBI ta përfundoj hetimin e vet për lidhjet e mundshme ndërmjet zyrtarëve rusë dhe bashkëpunëtorëve të Trumpit. Duke pasur parasysh se në të dy dhomat e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, republikanët e kanë shumicën, duket se ka pak gjasë që këto legjislacione të miratohen.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shqipëri: Ishulli ushtarak hapet për turizëm

Posted: 06 Apr 2017 05:29 AM PDT

Ministria e mbrojtjes e Shqipërisë është pajtuar për ta hapur ishullin Sazan, që është bazë ushtarake, për turistët gjatë verës. Ministrja e mbrojtjes, Mimi Kodheli, dje e ka nënshkruar një marrëveshje me ministren e ekonomisë, Milva Ekonomi, për lejimin e vizitave prej majit e deri në muajin tetor, raporton AP. Zonja Ekonomi këtë marrëveshje e ka përshkruar si "ngjarje të rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë", pasi shumë operatorë të turizmit kanë insistuar se vizita e këtij ishulli do të jetë atraksion i popullarizuar. Ky ishull, dikur i fortifikuar dhe i izoluar, ka bunkerë dhe tunelë të paraparë për t'i rezistuar sulmit eventual atomik. Ai vazhdon të mbetet misterioz për shumë shqiptarë, pasi në këtë ishull dikur kanë jetuar më se 3 mijë pjesëtarë të ushtrisë. Sot, ky ishull zyrtarisht mbetet bazë ushtarake, ku gjenden vetëm disa ushtarë. "Pa dyshim, ishulli Sazan është atraksion turistik për shkak të pozitës së tij", tha ministrja e mbrojtjes, Mimi Kodheli.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

PE: Miratohet liberalizimi i vizave për shtetasit e Ukrainës

Posted: 06 Apr 2017 05:20 AM PDT

Parlamenti Evropian e ka miratuar liberalizimin e vizave për shtetasit e Ukrainës. Në votimin e sotëm për këtë masë ishin 521 ligjvënës evropianë, 75 ishin kundër, ndërsa 365 të tjerë abstenuan. Që kjo masë të bëhet e plotfuqishme nevojitet që edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian ta miratojnë atë. Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së pritet që këtë marrëveshje ta miratojnë në mbledhjen e 26 prillit në Bruksel, derisa burime të BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ministrat e shteteve anëtare të BE-së, pastaj më 11 maj, do ta vërtetojnë vendimin e ambasadorëve. Diplomatët thanë se presin që regjimi i udhëtimit pa viza për shtetasit e Ukrainës do të bëhet i plotfuqishëm në mes të muajit qershor.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tillerson: Rusia të mendojë për lidhjet me Assadin pas sulmit të “tmerrshëm”

Posted: 06 Apr 2017 04:34 AM PDT

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i ka bërë thirrje Rusisë që të mendojë përsëri për raportet e saj me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, pas sulmit të qartë kimik, për të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar qeverinë e Assadit. "Nuk ka dyshim në mendjen time se regjimi sirian, nën udhëheqjen e Bashar al-Assadit, është përgjegjës për këtë sulm të tmerrshëm. Ne mendojmë se është koha që rusët realisht duhet të mendojnë me kujdes për mbështetjen e vazhdueshme të tyre për regjimin e Assadit", u tha mbrëmë gazetarëve në Uashington, Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson. Këto komente u bënë në periudhën e rritjes së tmerrit ndërkombëtar lidhur me sulmin nga i cili u vranë së paku 72 vetë në provincën Idlib në Siri para dy ditësh, dhe në ditën e njëjtë kur Departamenti i Shtetit shpalli se Tillerson do ta vizitojë Rusinë më 12 prill, që është turneu i parë në këtë vend i diplomatit më të lartë amerikan, pas inaugurimit të presidentit, Donald Trump, më 20 janar. Rusia i ka dhënë Assadit ndihmë madhore diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës gjashtëvjeçare, që pat filluar me goditjen e dhunshme kundër protestuesve që kërkonin demokraci. Nga kjo luftë deri tash janë vrarë më se 300 mijë njerëz. Presidenti Donald Trump tha se qeveria e Assadit ka lëvizur përtej "vijës së kuqe" me këtë sulm, që sipas tij është "i papranueshëm". I pyetur nga gazetarët se a ka ndryshuar qëndrimi i tij lidhur me Sirinë, zoti Trump theksoi: "Është shumë e mundshme dhe do t'ju them se tashmë po ndodhë, që qasja ime ndaj Sirisë dhe Assadit ka ndryshuar shumë", tha Donald Trump. Në komentet e tij për Sirinë, presidenti Trump nuk e ka përmendur Rusinë, por sekretari Tillerson është njëri prej zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, që e ka kritikuar Moskën lidhur me sulmin në Siri. Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, tha se "të gjitha dëshmitë tregojnë" se qeveria e Sirisë ka dorë në sulm dhe i ka bërë thirrje Rusisë që ta respektojë marrëveshjen e nënshkruar për të ndihmuar në eliminimin e armatimit kimik në Siri. Zoti Pence, për sulmin kimik para dy ditësh në Siri, pjesërisht e ka fajësuar administratën e ish-presidentit, Barack Obama, duke thënë se ajo kishte dështuar ta mbajë përgjegjëse Rusinë dhe Sirinë për ndalesën e armatimit kimik, që Assadi e ka nënshkruar në vitin 2013. Në një intervistë për rrjetin Fox News, Pence tha se është koha që Moska ta "mbajë fjalën e vet për ta parë eliminimin e armatimit kimik, në mënyrë që ky armatim më të mos jetë kërcënim për popullin në këtë vend". Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se "Assadi nuk do t'i ndalë sulmet kimike derisa Rusia e mbronë atë". "Ne e dimë se nëse nuk bëhet asgjë, këto sulme do të vazhdojnë. Assadi nuk ka arsye për të mos përdorë armatim kimik, derisa Rusia vazhdon ta mbrojë regjimin e tij nga pasojat", tha Nikki Haley. Përgatiti: Fatmir Bujupi  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kadare nderohet me çmim ndërkombëtar në Kosovë

Posted: 06 Apr 2017 04:19 AM PDT

Ministria e Kulturës e Kosovës i ka ndarë, të enjten, shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, çmimin ndërkombëtar "Letërsia Shqipe" për veprën e tij letrare. Kadare, që po viziton Kosovën, ka takuar gjatë ditës presidentin Hashim Thaçi, përpara se t'i ndahej çmimi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. "Falënderoj Kosovën dhe lexuesit e mi të Kosovës", tha Kadare në një fjalë tij. "Ky çmim i dhënë nga Kosova ka kuptim më tepër se një çmim për mua dhe më jep kënaqësi me shumë se çdo çmim tjetër". Ismail Kadare, shkrimtari më i njohur shqiptar, është nderuar disa herë pwrveç me çmimet letrare edhe nga Presidentët e Kosovës, për veprën e tij dhe angazhimin për Kosovën.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump takon sot presidentin e Kinës

Posted: 06 Apr 2017 03:37 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pret sot në Florida presidentin e Kinës, Xi Jinping.  Takimi, i pari i dy presidentëve, do të vazhdojë edhe nesër. Marrëdhëniet e ardhshme midis dy ekonomive më të mëdha në botë kanë qenë të paqarta pas zgjedhjes së Trumpit, i cili është inauguruar më 20 janar. Gjatë fushatës, ai e ka akuzuar Pekinin për politika të padrejta të tregtisë. Javën e kaluar, Trump ka shkruar në Twitter se SHBA nuk mund të tolerojë më deficite masive trgetare dhe humbje të vendeve të punës dhe se takimi me Xinë "do të jetë shumë i vështirë". Temë diskutimi pritet të jetë edhe kërcënimi bërthamor nga Koreja e Veriut.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sulmi në Shën Petersburg: Hetuesit bastisin një apartament

Posted: 06 Apr 2017 02:35 AM PDT

Hetuesit rusë thanë se autoritetet kanë bastisur një apartament në Shën Petersburg, në të cilin kanë jetuar disa shtetas të Azisë Qendrore që kanë qenë në kontakt me sulmuesin e dyshuar të metrosë,  Akbarjon Jalilov. Komiteti Federal i Hetimeve tha se janë gjetur "gjëra të rëndësishme për hetimet", por nuk dha më shumë detaje. Agjencitë e lajmeve Interfax dhe Fontanka cituan burime të paidentifikuara të kenë thënë se autoritetet kanë arrestuar disa bashkëpunëtorë të mundshëm në sulmin e 3 prillit. Konfirmime zyrtare, megjithatë, nuk ka ende. Hetuesit thonë se Jalilov, 22 vjeç, shtetas rus i lindur në Kirgizi, ka shpërthyer bombën në metronë e Shën Petersburgut, duke vrarë 14 njerëz dhe plagosur afro 50 të tjerë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Turqia "konfirmon se Assadi ka përdorur armët kimike"

Posted: 06 Apr 2017 02:03 AM PDT

Turqia tha se rezultatet e autopsisë tregojnë se në një sulm në provincën Idlib të Sirisë janë përdorur armët kimike. Sulmi, që ka ndodhur të hënën në qytetin Khan Sheikhoun, ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë dhe qindra të plagosur. Agjencia turke e lajmeve Anadolu citoi ministrin turk të Drejtësisë, Bekir Bozdag, të ketë thënë se rezultatet e autopsisë së tri viktimave "konfirmojnë se (v.j. presidenti sirian, Bashar al-) Assad ka përdorur armë kimike". Bozdag tha se ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kanë marrë pjesë në autopsitë e kryera në Turqi. OBSH nuk ka dalë ende me komente. Aktivistët sirianë thanë se 86 njerëz janë vrarë në sulmin e 4 prillit. Tridhjetedy të plagosur janë dërguar për trajtim mjekësor në Turqi dhe tre prej tyre më pas kanë vdekur. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë akuzuar regjimin e Assadit për kryerjen e sulmit. Siria dhe aleatja e saj, Rusia, kanë fajësuar rebelët.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Takimi i Listës Serbe nis me tensione, fyerje e akuza

Posted: 06 Apr 2017 01:57 AM PDT

Takimi i Listës Serbe ka filluar me fyerje e akuza. Lista Serbe është mbledhur në një takim urgjent për të shqyrtuar zhvillimet e brendshme në këtë subjekt politik.Ditë më parë, është raportuar se ish ministri në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, do të marrë detyrën e shefit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Jabllanoviq kthehet në këtë detyrë të cilën e ngriu deri sa ishte në detyrën e sekretarit të shtetit në Ministrinë e Punës të Republikës së Serbisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump dhe Merkel biseduan për Ukrainën, Afganistanin...

Posted: 06 Apr 2017 01:52 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bisedoi në telefon me kancelaren gjermane, Angela Merkel, për çështje të "interesave të përbashkët", përfshirë konfliktin në lindje të Ukrainës dhe atë në Afganistan, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Dy udhëheqësit "u zotuan për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në këto dhe çështje të tjera" dhe u pajtuan që të mbeten në kontakt të afërt, tha Shtëpia e Bardhë. Trump dhe Merkel janë takuar për herë të parë më 17 mars, në Uashington. Në atë takim, Merkel ka thënë se do të vazhdojë pjesëmarrjen ushtarake të Gjermanisë në misionin e NATO-s në Afganistan. Megjithatë, në shumë çështje të tjera, përfshirë krizën me refugjatë dhe tregtinë, Merkel ka qenë në mosmarrëveshje me Trumpin.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tensione në Listën Serbe, nuk dihet kush është kryetari, Jabllanoviq apo Simiq

Posted: 06 Apr 2017 01:32 AM PDT

Paralajmërimet se Aleksandar Jabllanoviq mund të merr kreun e Listës Serbe e kanë shtyrë këtë subjekt politik në debate, polemika e tensione të shumta. Lista Serbe është mbledhur në sallën e Grupit parlamentar në Kuvendin e Kosovës, por takimi është përshkuar me tensione, fyerje e akuza. Ishte Sllobodan Petroviq ai i cili ka sulmuar verbalisht zëvendëskryeministrin e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, Branimir Stojanoviq dhe kryetarin e Listës Serbe Sllavko Simiq. Ky i fundit, nuk e kishte ftuar në takim Sllobodan Petroviqin. Po ashtu, aty nuk është parë as Aleksandar Jabllanoviqi. "Kush je ti..., ti je turpi dhe poshtërimi më i madh për bashkësinë serbe...", ishin fjalët që Petroviq ia drejtoi Simiqit. Kurse Simiq dhe Stojanoviq i kërkuan Petroviqit që të lëshonte sallën. Takimi udhëhiqej nga Sllavko Simiq. Ndërkaq debatet dhe polemikat vazhduan ndërmjet Simiqit dhe Stojanoviqit në njërën anë dhe Petroviqit në anën tjetër. "Ti dhe Jabllanoviq po bëni cirk, kështu që ulu ose dil jashtë", iu drejtua Simiq, deputetit Petroviq Ndërkohë, Petroviq thumboi sërish dy krerët e Listës Serbe, duke u thënë se 'keni dalë nga zarfi dhe nuk i keni votat e popullit'. "Kur i merr votat, eja këtu", iu drejtua Petroviq, Simiqit. Në një moment, Petroviq dhe Stojanoviq janë ngritur në këmbë, kurse në sallë është parë edhe sigurimi. Megjithatë, të pranishmit i kanë qetësuar të dy përfaqësuesit serb. Pas acarimeve në sallë takimi është mbyllur për mediat. Lista Serbe ishte mbledhur në këtë takim urgjent për të shqyrtuar zhvillimet e brendshme në këtë subjekt politik. Ditë më parë, është raportuar se ish- ministri në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, do të marrë detyrën e shefit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Jabllanoviq kthehet në këtë detyrë të cilën e ngriu deri sa ishte në detyrën e sekretarit të shtetit në Ministrinë e Punës të Republikës së Serbisë. Detyrën e kryetarit të Listës Serbe në Kosovë e ka ushtruar Slavko Simiq, por babai i Aleksandar Jabllanoviqit, Dragan Jablanoviq thotë se i vetmi kryetar i regjistruar në KQZ në Kosovë është i biri i tij, Aleksandri. Pas takimit të mbajtur, Sllobodan Petroviq tha para medieve se takimi i thirrur ishte jo legjitim, ngase aty ishin ftuar vetëm njerëz të caktuar të Listës Serbe. Ai ka akuzuar Sllavko Simiqin se po i zëvendëson ministrat sipas dëshirës së tij. "Gjashtë muaj ishim jashtë institucioneve dhe në ditën e parë kur u kthyem, kuptuam nga mediat se janë ndërruar zëvendësit tanë, se janë ndërruar anëtarët tanë", ka thënë Petroviq, duke akuzuar Simiqin për vendime të njëanshme. "Nënçmimi më i madh për bashkësinë serbe në Kosovë është që Sllavko Simiq të jetë kryetar. E pastaj edhe të gjithë ne që për tri vite jemi këtu si përfaqësues të serbëve dhe asgjë nuk kemi bërë përveç luftës që kemi bërë se kush, cilin kolltuk do ta merr dhe cilën pozitë", ka thënë Petroviq. Sipas tij, Aleksandar Jabllanoviq është kryetari legjitim i Listës Serbe, ngase ai ishte edhe themelues i saj. Ndërkohë, zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq tha se nuk bëhet fjalë për përçarje të listës Serbe, por individ që duan t'i vënë interesat e tyre para bashkësisë serbe. "Ata që nuk sillen në harmoni me politikën e Listës Serbe do të sanksionohen, sikurse ka ndodhur deri më tani", ka deklaruar Stojanoviq.  "Deri dje, Sllavko Simiq ishte i vetmi person i autorizuar në KQZ dhe askush nuk mundi ta zëvendësonte. Por, dikush brenda natës, me siguri për ndonjë vullnet politik apo ide e krijoi këtë hapësirë", ka thënë Stojanoviq. Përderisa vet Sllavko Simiq tha në kohën kur po tentohet të emërohet ministri i Pushtetit Lokal në mënyrë që të nis procesin e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, duket se ky hap nuk po u pëlqen Petroviqit dhe Jabllanoviqit. "Jam i bindur që një gjendje e tillë më së shumti u përshtatet atyre, të cilët janë këtu në Prishtinë e të cilët në vazhdimësi duan që të bëjnë pengesa në mënyrë që të zvarritet formimi i Asociacionit të Komunave Serbe", ka thënë Simiq. Lista Serbe është themeluar më 2014 me mbështetjen politike të Beogradit. Ajo doli si një lloj produkti politik i marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për përfshirjen e serbëve në zgjedhjet e atëhershme lokale në Kosovë.​ (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Duhanpirja shkakton një në dhjetë vdekje në botë

Posted: 06 Apr 2017 01:25 AM PDT

Pirja e duhanit shkakton një në dhjetë vdekje në gjithë botën, ndërsa gjysma e tyre janë në vetëm katër shtete: Kinë, Indi, SHBA dhe Rusi.  Studimi i ri thotë se me gjithë politikat për kontrollin e duhanit, rritja e popullsisë ka parë edhe rritje të duhanpirësve. Hulumtuesit thonë se vdekshmëria mund të rritet më tej, pasi kompanitë e duhanit, në mënyrë agresive, shënjestrojnë tregjet e reja, sidomos në vendet në zhvillim. Raporti është publikuar në revistën mjekësore britanike The Lancet. "Pavarësisht se tash e mbi gjysmë shekulli ka prova të qarta për efektet e dëmshme të duhanit në shëndet, sot, një në katër burra në botë është duhanpirës i përditshëm", tha autorja e studimit, dr Emmanuela Gakidou.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pence, Tillerson i kërkojnë Rusisë të rimendojë marrëdhënien me Assadin

Posted: 05 Apr 2017 11:47 PM PDT

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, tha se "të gjitha provat" tregojnë se Qeveria siriane qëndron prapa sulmit shkatërrues kimik në provincën Idlib dhe i bëri thirrje Rusisë që të respektojë marrëveshjen e saj për eleminimin e armëve kimike në Siri. Në një intervistë për Fox News, Pence tha se është koha që Moska "të mbajë fjalën për eleminimin e armëve kimike, në mënyrë që ato të mos jenë më kërcënim" për njerëzit në Siri. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i bëri thirrje Rusisë që të rimendojë marrëdhëniet e saj me presidentin sirian, Bashar al-Assad. "Nuk ka dyshim në mendjen tonë se regjimi sirian është përgjegjës për këtë sulm të tmerrshëm. Mendojmë se është koha për rusët që të mendojnë vërtet për mbështetjen e tyre për regjimin e Assadit", tha Tillerson. Mbi 70 veta janë vrarë nga sulmi i dyshuar kimik që ka ndodhur të hënën në qytetin Khan Sheikhoun.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now