Demarkacioni me Malin e Zi, hartat dhe kontestimet
Marrëveshja midis Kosovës e Malit të Zi për përcaktimin e vijës kufitare midis dy vendeve, si një prej kushteve për vazhdimin e udhëtimit drejt BE-së, tashmë është nënshkruar në Vjenë (më 26 gusht 2015). Por, ndërsa nga opinioni malazias lajmi për këtë është mirëpritur, në Kosovë ka shkaktuar shqetësime shtesë, si një tkurrje e re e territorit të Republikës, padrejtësi e radhës.
Ndërsa institucionet e vendit ende nuk i kanë për publike dokumentet e as procedurat rreth kësaj marrëveshjeje që duhet të ketë rëndësi historike, burime të tjera i kanë vënë ato në dispozicion Floripress.
Në raportet mbi negociatat (të filluara në nëntor të vitit 2012) rreth përcaktimit të kufirit shtetëror me Kosovën në veçanti përmenden mospajtimet e Komisionit të Kosovës për vijën kufitare në segmentin e Haxhajve të Rugovës dhe të Kullës, për të cilat edhe opinioni kundërshtues i demarkacionit në Kosovë ka vërejtje.
Pala malazeze disa herësh i ka prezantuar dhe propozuar Komisionit të Kosovës harmonizimin e segmenteve kufitare të diskutueshme në bazë të vijës kufitare të vitit 1929, 1952 e 1974, sipas tij – në të gjitha këto vite identike, si argument për validiteti, ky i fundit kërkonte kohë për të analizuar situatën, duke theksuar se kishte hyrje në territorin e Kosovës të njohur me kufijtë kushtetues të vitit 1974.
Pala malazeze ndërkohë për territorin nga Çakorri deri afër Kuqishtës, ku kontestohej kufiri nga pala e Kosovës, konfirmoi pronësinë e 34 familjeve shtetase të Kosovës, por që si territor i përket Malit të Zi.
Pronarë tokash të shtetasve të Kosovës që shtrihen në territorin e Malit të Zi në fakt ka edhe në segmente të tjera të kufirit midis dy vendeve. Por, çështja e pronësisë rregullohet me marrëveshje të tjera.
Përfundimisht në bazë të dokumentacionit kadastral të të dy palëve dhe dokumentacionit tjetër përkatës përcaktohen kufijtë mes dy vendeve, që rezultoi me Marrëveshjen e nënshkruar në Vjenë nga përfaqësues të autorizuar të të dy vendeve.
Koha.net ka në dispozicion edhe hartat mbi kufirin mes dy shteteve, të cilat flasin me gjuhën e vet.
I tërë kufiri shtetërore në mes Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës (në gjatësi 75.6 kilometra) është vijëzuar në gjashtë harta topografike, në përputhje me dokumentacionin kadastral, me koordinatat e pikave ndarëse kufitare që nga trekufiri Mali i Zi, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, deri në trekufirin Mali i Zi, Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë.
Në Qeverin e Kosovës fyhen e kërcënohen kundërshtarët e demarkacionit
Nga Qeveria e Kosovës janë lansuar të premten kërcënime, fyerje e ofendime për të gjithë ata që janë duke e kundërshtuar Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Populli është etiketuar si hajdut e profesionistët janë paralajmëruar me pasoja ligjore.
Është vepruar kësisoj, ani se ekzekutivi kishte thirrur mbledhjen për të shqyrtuar raportin e një komisioni të cilin e kishte themeluar vetë për matjen e territorit të Kosovës.
Komisioni kishte për detyrë ta maste territorin konform kufijve që parasheh Marrëveshja e demarkacionit e parafuar gati dy vjet më parë me fqinjin perëndimor, por e cila ende nuk është ratifikuar shkaku se ajo kundërshtohet gjerësisht. Dhe, në mbledhjen e Qeverisë ku është miratuar raporti i këtij komisioni ka pasur një shfryrje ndaj kundërshtarëve të versionit aktual të caktimit të vijës kufitare me Malin e Zi.
Edhe liderët e subjekteve politike opozitare do të takohen me përfaqësuesen e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, gjatë vizitës që të shtunën ajo do ta realizojë në Kosovë. Asaj do t’i paraqiten kundërshtitë për Asociacionin e Demarkacionin.
Mogherini, e cila është edhe zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, do të ndodhet në Prishtinë në kuadër të turit që është duke e zhvilluar në rajon. Ajo do të takohet me autoritetet politike, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe kryeministrin Isa Mustafa. Do të vizitojë edhe urën qendrore në Mitrovicë që prej pasluftës ka simbolizuar ndarjen e qytetit që në jug të Ibrit banohet nga shqiptarët e në veri nga serbët.
Midis porosive që ajo pritet t’i lërë në Prishtinë, është zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës e Serbisë, dhe të ndërmjetësuara nga vetë ajo. Midis tyre është edhe Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila është konfirmuar të jetë jokushtetuese në shumë pika të saj. Veç kësaj, pritet të kërkojë edhe ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, si një nga dy kushtet e vetme për liberalizim të vizave që i kanë mbetur Kosovës.