Sigurimi shqiptar vodhi nga serbët planin kundër Kosovës Kush ishte Çubrilloviç, ideatori i serbëzimit të Kosovës.
Skema 100-vjeçare dhe letra e Stalinit në 1925
Ramadan Ilnica / Qemal Biraku
Materiali është i përgatitur nga shërbimet sekrete shqiptare gjatë një periudhe kohore, që nis në fund të viteve ´70-të dhe ka përfunduar në fillimet e viteve ´80-të, atëherë kur edhe populli i Kosovës u hodh në demonstrata masive, duke kërkuar më shumë pavarësi.
I gjithë ky material i referohet një dosjeje sekrete që agjentë të Sigurimit të Shtetit shqiptar kanë mundur të vjedhin nga kasafortat sekrete të Divizionit 11, në ushtrinë e Jugosllavisë të asaj kohe. Dosja “Kosova”, e përpunuar nga struktura të specializuara të shërbimeve sekrete shqiptare, ka qenë e porositur nga Byroja Politike me interesim personal të Enver Hoxhës, pak vite përpara se ai të vdiste.
Në pjesën e parë (gjithmonë duke iu referuar dokumenteve sekrete të ushtrisë jugosllave), jepet një biografi e hollësishme e akademikut famëkeq serb Vaso Çubrilloviç, i cili është dekoruar në vitin 1976 për planin e tij të detajuar se si do të serbizohej me kolonë krahina e Kosovës, duke përdorur jo vetëm dëbimet masive, por edhe zhdukjet fizike të mijëra shqiptarëve që jetojnë aty.
Plani hyri në veprim që atëherë. Të dhënat janë marrë edhe nga referati i V.Çubrilloviçit “Shpërngulja e arnautëve”. Ndërkohë në këtë dosje gjenden mjaft fakte interesante të pabotuara, se si Serbia që në fillim të shekullit të kaluar ka pasur një skemë të qartë në veprim për zbrazjen e tokave shqiptare të Kosovës dhe më gjerë të autoktonëve.
Interesante janë faktet për rolin e Partisë Komuniste Jugosllave që në themelim dhe më pas pro kësaj strategjie.
Letra e Stalinit drejtuar kësaj partie në vitin 1925, ku kërkohet që Kosova të ketë të drejtën e vetëvendosjes. Masakrat e 100 viteve të fundit dhe si divizionet partizane jugosllavë vranë dhe masakruan popullsinë shqiptare aty… Periudha 36-vjeçare (1876-1912) Në vitin 1877, Vilajeti i Kosovës kishte 760 mijë banorë dhe në këtë kohë ky vilajet përfshinte përveç territorit të Kosovës së sotme edhe Shkupin, Tetovën, Novipazarin, Senicën, Toplicën, Kurshumlinë, Prekuplen, Leskocin dhe Vranjën. Kurse në vitet 1912-1913, numëronte 497 mijë banorë, në të njëjtin territor si në vitin 1877, përjashtuar krahinat e pushtuara në këtë kohë nga Serbia.
Nga të gjitha burimet del se 3/4 e popullsisë së Kosovës ishte shqiptare. Shqiptarët në këtë kohë krahas luftës mundër pushtuesve turq, luftonin për t´u mbrojtur nga rreziku i pushtimit të ri prej shtetit serb, i cili vepronte aktivisht për t´i dëbuar me dhunë nga territoret e tyre dhjetëra mijë shqiptarë të zonave në kufirin me Serbinë e Malin e Zi.
Në këtë kohë, Serbia pushtoi zona të tëra shqiptare si Toplicën, Vranjën, Kurshumlinë, Prekuplen 2 dhe Leskocin, ndërsa Mali i Zi, Ulqinin dhe të tjerë. Më 1877, mbi 30 mijë shqiptarë u dëbuan nga Toplica e Klisura. Vetëm prej 81 fshatrave nga Toplica e Kosanica janë shpërngulur rreth 1867 familje shqiptare. Në vitet 1876-1878, nga Prekupla e Kurshumlia, ku 50 për qind e popullsisë ishte shqiptare, u dënuan rreth 20 mijë banorë shqiptarë. Sipas të dhënave turke, austriake, serbe e frënge, në thellësi të Vilajetit të Kosovës e të Shkodrës u vendosën rreth 300 mijë shqiptarë, të shpërngulur si rezultat i pushtimit të krahinave të sipërme nga Serbia e Mali i Zi.
Vrasjet e dëbimi masiv nga ushtria serbo-malazeze i popullsisë vendase shqiptare, krijoi një shqetësim dhe alarm të madh, jo vetëm në krahinat shqiptare në kufi me Serbinë e Malin e Zi, por edhe në të gjithë vendin.
Kundër kësaj politike shoviniste lindi dhe u zhvillua një lëvizje e fuqishme popullore për vetëmbrojtje, e cila kishte për qëllim t´i dilte mbrojtjes së atdheut nga copëtimi dhe robëria e re.
Në këtë kohë u krijua edhe Lidhja Shqiptare në Prizren. Periudha 24-vjeçare (1913-1937) Gjatë viteve 1913-1937 (përjashtuar vitet e Luftës së Parë Botërore), Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, u pushtuan nga shteti jugosllav.
Gjatë kësaj kohe, regjimi shovinist i borgjezisë serbomadhe përdori të gjitha mjetet politike, ekonomike, ideologjike dhe ushtarake për shkombëtarizimin, sllavizimin e plotë të territoreve shqiptare të aneksuara. Shkombëtarizimi nëpërmjet zhdukjes fizike Dokumentet që disponon Arkivi i Shtetit shqiptar (fondi i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës), dëshmojnë se gjatë viteve 1913-1927 në Kosovë dhe në vise të tjera të ish- Jugosllavisë janë vrarë 207 mijë e 448 shqiptarë.
Vetëm në Kosovë, gjatë viteve 1913-1927, janë burgosur 22 mijë e 110 shqiptarë. Po ashtu në këto vite janë zhdukur plotësisht 57 fshatra, djegur 6050 shtëpi dhe janë plaçkitur 10 mijë e 526 familje. Për mungesë të dhënash këtu nuk përfshihen zhdukjet fizike që janë bërë në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi gjatë viteve 1927- 1937.
Shkombëtarizimi nëpërmjet reformës agrare kolonizuese Borgjezia serbomadhe, përveç mjeteve të dhunës, në luftën për shkombëtarizimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, përdori edhe mjete të tjera ekonomike dhe kryesisht reformën agrare kolonizuese.
Në bazë të dokumenteve arkivorë dhe të disa të dhënave, që japin disa studiues kosovarë, u vendosën në Kosovë në periudhën mes dy luftërave botërore rreth 58 mijë e 714 kolonë serbë e malazezë. Vetëm deri në vitin 1937 në Kosovë u vendosën 16 mijë e 622 familje kolonësh serbë dhe malazezë dhe po kështu 2 mijë familje të tjera kolonësh serbo-malazezë u vendosën në viset shqiptare të Maqedonisë.
Në bazë të hartës së kolonizimit, deri në vitin 1937 në Kosovë u ngritën rreth 374 fshatra kolonësh. Sipas raportit të drejtoratit të Lartë të Reformës Agrare jugosllave, gjatë viteve 1920-1940 vetëm në disa rrethe të Kosovës e Maqedonisë u janë marrë shqiptarëve dhe u janë dhënë kolonëve serbo-malazezë mijëra hektarë tokë.
Shkombëtarizimi nëpërmjet shpërnguljes është një tjetër metodë e përdorur nga serbët. Kështu, për shkak të dhunës së egër për shfarosjen dhe masakrimin e shqiptarëve, grabitjes masive të tokës dhe përdorimit të mjeteve të tjera të detyrimit, gjatë viteve 1913-1937 u shpërngulën nga trojet e veta një masë e madhe e 3 popullsisë shqiptare që jetonte në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Në vitet 1937- 1941, për shkak të intensifikimit të propagandës nga politikanët e regjimit, aparati shtetëror serbomadh vuri në zbatim masa të shumëllojshme për të shpejtuar kolonizimin dhe sllavizimin e krahinave shqiptare në Jugosllavi.
Si rrjedhim, në këto vite qeveria jugosllave ndërmori bisedime me Turqinë për të shpërngulur vitet e ardhshme të paktën 400 mijë shqiptarë. Kjo u realizua nëpërmjet rritjes në një shkallë më të lartë të dhunës politike dhe të detyrimit ekonomik.
U rrit ardhja e kolonëve dhe marrja e tokës shqiptare. Për realizimin e misionit të shpërnguljes së shqiptarëve u angazhua edhe ushtria. Në vitin 1938, komanda e zonës së armatës së tretë, në Shkup, propozonte: Lypset të përpiqemi që turmat e forta dhe komplekse të shqiptarëve të shpërngulen sa më shpejt, duke futur në mes tyre të paktën 50 për qind të popullsisë sonë (sllave).
Për këtë, gjatë viteve 1939-1940, u kryen dy operacione terrori ndaj shqiptarëve, nën pretekstin e mbledhjes së armëve, vrasjeve dhe masakrimit të popullsisë shqiptare nga ushtria jugosllave në pragun e kapitullimit të Jugosllavisë (prill 1941).
Të gjitha këto bënë që masa e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi të ngrihet në një shkallë më të lartë. Vetëm në këto vite u dëbuan nga trojet e tyre rreth 280 mijë shqiptarë të tjerë. Përfundimisht, gjatë periudhës 28-vjeçare (1913-1941) nga viset shqiptare në Jugosllavi u shpërngulën mbi 500 mijë shqiptarë. (220 mijë deri në vitin 1937 dhe 280 mijë në vitet 1937- 1941).
Nga të 500 mijë shqiptarët e shpërngulur gjatë kësaj periudhe, një pjesë janë vendosur në Shqipëri dhe pjesa tjetër, rreth 380 mijë, në Turqi. Përballë një politike të tillë shkombëtarizuese, popullsia e viseve shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia zhvilloi një qëndresë të fuqishme në forma të ndryshme, deri në luftë të armatosur.
Janë të njohura kryengritjet e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e Dibrës në shtator të vitit 1913. Kryengritjet e Plavës, Gucisë e Rugovës më 1919, apo ajo e Rrafshit të Dukagjinit po në këtë vit, ku numri i kryengritësve shkonte në 10 mijë. Një tjetër kryengritje, ajo e Kosovës, do të shpërthente në vitin 1920, ku 12 mijë kryengritës luftonin kundër ushtrisë serbomadhe.
Dokumente arkivorë hedhin dritë edhe mbi lëvizjen e çetave kryengritëse në vitet 1918-1927, sidomos në zonën e Drenicës. Sipas statistikave, që japin organet shtetërore jugosllave, gjatë viteve 1919-1927 janë vrarë rreth 4 mijë luftëtarë shqiptarë kryengritës.
Periudha katërvjeçare (1941-1944) Edhe pas kapitullimit të Jugosllavisë monarkiste, në kushtet e pushtimit nazifashist, gjatë viteve të luftës, forcat ultranacionaliste serbomadhe të çetnikëve, të përbërë prej 40 mijë ushtarëve të ish-ushtrisë së kralëve, nën komandën e Drazho Mihajlloviçit, në mënyrë të vazhdueshme sulmonin Kosovën dhe vise të tjera shqiptare përreth, duke kryer vrasje e masakra në masë.
Është e njohur tragjedia e Bihorit, në janar të vitit 1943, kur çetnikët shkretuan 52 fshatra, vranë 4 mijë banorë, grabitën 300 vajza dhe kërcënuan gjithë popullsinë shqiptare në Kosovë e vise të tjera, se në rast qëndrese për të mos pranuar sundimin serb do të pësonin të njëjtin fatkeqësi si popullsia e Bihorit dhe Novipazarit. Letra e Stalinit në vitin 1925, Kosova deri në shkëputje Rrjedhimisht, popullsisë shqiptare në Kosovë e viset përreth iu desh të bënte një luftë të shumëfishtë; si ndaj pushtuesve italianë dhe gjermanë ashtu dhe kundër forcave serbe të përfaqësuara nga çetnikët dhe ato bullgare të Borisit, që kryen krime të rënda kundër popullsisë shqiptare. Nga ana tjetër, grupi shovinist i Titos, me qëndrimet e tij, sabotoi luftën nacional-çlirimtare të popullsisë shqiptare. Në këtë 4 drejtim është kuptimplotë vendimi shovinist i AVNOJ (Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar të Jugosllavisë), në nëntor të vitit 1943, në Jajc, i cili në kundërshtim me qëndrimin marksist-leninist ndaj çështjeve nacionale dhe orientimeve të dhëna nga KOMINTERNI në atë kohë, që proklamonin se të gjitha kombet e kombësitë në ish- Jugosllavinë monarkiste do të mbeteshin në kuadrin e kufijve të shtetit jugosllav të pasluftës, bile dhe pakica nacionale jugosllave të mbetura jashtë kufijve do t´i bashkoheshin Jugosllavisë së pasluftës. Josif Stalini, duke demaskuar pikëpamjet e qëndrimet nacional-shoviniste të udhëheqjes së Partisë Komuniste Jugosllave (Semiçit) në vitin 1925, shkruante se në programin e partisë, si bazë për zgjidhjen e çështjes nacionale duhet marrë parimi leninist i së drejtës së vetëvendosjes, deri në shkëputje, dhe jo kufijtë imperialistë të shtetit borgjez jugosllav të krijuar si rezultat i luftërave dhe dhunës (J. Stalin Vepra vëllimi 7, faqe 22).
Kështu AVNOJ nuk e linte për t´u zgjidhur çështja e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare në bazë të parimit leninist të vetëvendosjes deri në shkëputje, por e proklamonte zgjidhjen e saj duke e lënë Kosovën në kuadrin e Jugosllavisë së pasluftës.
Theksojmë se në këtë mbledhje të AVNOJ-it, nuk merrte pjesë asnjë përfaqësues nga Kosova. Dihet se një muaj pas mbledhjes së dytë të AVNOJ-it (më 31 dhjetor 1943), në katundin Bujan, të Tropojës, Koferenca e Parë e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, vendosën: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit janë krahina në të cilat banojnë në pjesën më të madhe popullsi shqiptare, e cila, si gjithmonë, edhe tash dëshiron me u bashkue me Shqipninë.
Prandaj e ndjejmë për detyrë me u vu në dukje rrugën e drejtë të cilën, duhet të ndjekin populli shqiptarë me qëllim që t´i realizojë aspiratat e veta… pra dhe populli shqiptarë, do të ketë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e vetë me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje”.
Ky vendim nga grupi titist aty, u konsiderua se bije në kundërshtim me vendimet e AVNOJ-it dhe me pikëpamjet e vijës politike të PKJ, lidhur me unitetin Jugosllavisë pas luftës... Vaso Çubriloviqi Kush është Vaso Çubrilloviçi: Karriera dhe vepra e tij Dr.Vaso Çubrilloviç është lindur në vitin 1897. Që në vitin 1914 ka qenë anëtar i organizatës “Bosnja e Re”, një organizatë kjo nacionaliste serbe, që u ngarkua me përgjegjësi për atentatin ndaj trashëgimtarit të fronit mbretëror austriak në Sarajevë më 23 qershor 1914.
Çubrilloviçi u diplomua në Universitetin e Beogradit, ku më pas mbrojti edhe doktoratën. Që nga viti 1930 ka qenë asistent profesor në Fakultetin e Filozofisë në Beograd. Më 7 mars të vitit 1937, ai përfundoi edhe studimin “Shpërngulja e arnautëve”, që më pas ia paraqiti klubit kultural serb, i cili e miratoi atë dhe e konsideron menjëherë platformën e borgjezisë serbomadhe për shkombëtarizimin, kolonizimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.
Pas Luftës së Dytë Botërore ishte ministër i Ekonomisë Pyjore dhe në dikastere të tjerë në qeverinë e RFJ. Vaso Çubrilloviçi njihet si politikan, historian dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Në vitin 1946, ishte profesor në Universitetin e Beogradit dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Serbisë.
Në vitin 1970, Çubrilloviçi drejtonte Institutin Ballkanologjik të Beogradit. Studimi “Shpërngulja e arnautëve” ruhet edhe sot e kësaj dite në arkivat serbe dhe në Institutin UshtarakoHistorik të shekullit XIX. 5 Mbijetesa duke lindur trefish më shumë se serbët Nuk është e rastësishme që, gjatë viteve 1944-1966, u zhdukën nga terrori serb në Kosovë dhe në viset e saj 70 mijë shqiptarë, nga të cilët rreth 40 mijë u zhdukën në periudhën katërvjeçare ´44-´48. Mbi 30 mijë të tjerë u eliminuan gjatë viteve 1949- 1966. Shembujt më tipikë të këtyre krimeve shfarosës janë pushkatimi i 17 mijë shqiptarëve në Tetovë, Gostivar, Tivar, Mitrovicë dhe Gjilan në vitet 1944-1945.
Po kështu, nuk mund të harrohet masakrimi i më se 30 mijë shqiptarëve në Drenicë, gjatë vjeshtës dhe dimrit të vitit 1944-1945, apo mbytja me gaz helmues i 2 mijë djemve shqiptarë në Goricë. Serbët vijuan më pas me vrasjet dhe torturat çnjerëzore në vitet 1955-1957, që i maskuan nën të ashtuquajturin aksion për mbledhjen e armëve.
Në këtë masakër famëkeqe u torturuan më shumë se 50 për qind e burrave të Kosovës. Ishin të njohur kampet e përqendrimit dhe burgjet famëkeqe titiste, ku gjetën vdekjen me mijëra shqiptarë si në: Nish, Mitrovicë, Otaku, Idrisava, Sremit, Stata, Sinja.
Dhuna serbe ndaj popullit etnik të Kosovës e viseve të saj u shfaq edhe njëherë në shtypjen e demonstratave të vitit 1968 në Prishtinë, Tetovë, Gostivar. Përveç kësaj, janë ndjekur nga UDB me dosje përpunimi më shumë se 120 mijë shqiptarë. Shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës në Turqi Ashtu si edhe në kohën e kralëve edhe regjimi titist përtëriu reformën agrare kolonizuese, duke ua marrë tokat shqiptarëve dhe duke ua dhënë atë elementëve serbë e malazezë. Kjo bëri atë që përveç kolonëve të paraluftës, të vijnë kolonë të rinj.
Vetëm gjatë viteve 1947-1960, në katër rrethe të Kosovës; Prishtinë, Mitrovicë, Pejë e Ferizaj, u vendosën rreth 53 mijë kolonë serbë e malazezë. Po ashtu, në atë kohë u përtërinë të gjitha mënyrat e detyrimit për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi.
Është e dokumentuar se mbi 50 për qind e elementit malazez, kroat dhe nga Bosnja, që jetojnë sot në Kosovë, kanë ardhur pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas të dhënave të botuara në numrin 10 të revistës “Përparimi” të vitit 1971, vetëm gjatë tetë vjetëve 1953-1960 janë shpërngulur nga Kosova rreth 285 mijë shqiptarë. Shpërngulja për në Turqi ka vazhduar edhe më pas dhe nga të dhënat që japin botimet e bëra në ish-Jugosllavi del se pas Luftës së Dytë Botërore serbomëdhenjtë kanë shpërngulur me forcë për në Turqi rreth 400 mijë shqiptarë, nga të cilët 203 mijë vetëm në vitet 1955-1958. Si i favorizoi Tito kosovarët të ikin në Perëndim Largimi i përkohshëm dhe i përhershëm në Evropë dhe Amerikë Një tjetër dredhi e përdorur nga regjimi titist për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, ishte dhe largimi për punë në vendet Perëndimore. Vetëm nga Kosova, në vitin 1978, gjendeshin në Perëndim rreth 60 mijë punëtorë, midis tyre 1200 femra. Ndërsa nga viset shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi, largimet për punë jashtë shtetit janë edhe më të mëdha. Vetëm nga katër komuna; Tetovë, Gostivar, Kumanovë dhe Ulqin, në vitin 1978 u larguan për punë në Evropë 17 mijë vetë. Veç largimit të përkohshëm rezulton se shumë kosovarë dhe shqiptarë të viseve të tjera etnike në Mal të Zi dhe Maqedoni, kanë shkuar dhe janë vendosur në Perëndim përgjithmonë. Nga të dhënat dokumentare del se nga viset shqiptare të Malit të Zi janë vendosur në Amerikë dhe Australi 15 mijë shqiptarë.
Po ashtu statistikat 6 jugosllave të vitit 1971 dëshmojnë se çdo vit jashtë krahinës së Kosovës emigrojnë 9 mijë shqiptarë. Në metodat serbe të shkombëtarizimit të Kosovës nuk mungonte edhe ajo e thithjes së shqiptarëve në thellësi të ish-Jugosllavisë.
Dokumentet tregojnë se nga viti 1944 deri në vitin 1961 janë larguar në thellësi të Jugosllavisë rreth 79 mijë shqiptarë. Struktura kombëtare e kuadrit dhe e njerëzve të tjerë në marrëdhënie pune nuk i përgjigjej përbërjes kombëtare të Kosovës. Ndërsa shqiptarët përbënin 80 për qind të popullsisë numri i atyre që ishin në marrëdhënie pune ishte 59 për qind.
Në sektorin shoqëror në Kosovë, ndërsa nga serbomalazezët punonte një në çdo pesë vetë, nga shqiptarët punonte një në tetëmbëdhjetë vetë. Ardhja në Shqipëri Për shkak të mohimit të të drejtave nacionale shoqërore në fusha të ndryshme dhe ndjekjes dhe terrorit gjatë viteve 1944-1945 kanë ardhur në Shqipëri 130 familje dhe 3750 individë shqiptarë të Kosovës.
Kjo vazhdoi edhe më vonë gjatë viteve 1948- 1977, ku kaluan kufirin nga Jugosllavia për në Republikën e Shqipërisë 2 mijë emigrantë politikë, nga të cilët rreth 1770 ishin shqiptarë dhe 230 jugosllavë. Qeveria e Titos, popullsisë shqiptare jo vetëm i mohoi të drejtën për vetëvendosje, por edhe nuk e lejoi që të qëndrojë e bashkuar në një njësi administrative, megjithëse kjo popullatë prej afro 2 milionë banorësh jetonte në terror të plotë.
Ashtu si edhe nën regjimin monarkist të kralëve, dhe titistët për të kënaqur interesat serbe, malazeze, maqedonase i ndanë artificialisht shqiptarët në katër njësi administrative: në krahinën autonome të Kosovës, ku jetonin rreth 1,546 milionë banorë ku 1,280 milionë ishin shqiptarë. Në Maqedoni, ku jetonin rreth 400-500 mijë shqiptarë. Në Serbi mbi 80 mijë shqiptarë dhe në Mal të Zi, ku banonin rreth 50 mijë shqiptarë.
Numri i popullsisë shqiptare, në bazë të statistikave dhe dokumenteve të botuara nga shteti jugosllav, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore jepet qëllimisht mjaft i zvogëluar nga Beogradi. Këto të dhëna marrë nga regjistrimet e ndryshme gjatë periudhës 1912- 1971 janë shumë më të vogla në krahasim me atë që duhet të ishin sipas shtesës natyrale të shqiptarëve.
Nga një përllogaritje e bërë në bazë të shtesës natyrale të popullsisë shqiptare për një mijë banorë në vit, del se nga viti 1912-1941 mungojnë rreth 650 mijë shqiptarë, të cilët janë zhdukur dhe shpërngulur jashtë trojeve të tyre.
Gjithashtu, nga e njëjta përllogaritje, del se gjatë viteve 1945-1976 mungojnë mbi 540 mijë shqiptarë të zhdukur fizikisht dhe të shpërngulur jashtë Kosovës dhe viseve shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi.
Sipas statistikave shtetërore jugosllave, elementi serbo-malazez si në shifra absolute, ashtu edhe në përqindje ndaj numrit të përgjithshëm të popullatës në Kosovë deri në vitin 1967 ka ardhur duke u rritur për shkak të sjelljes me shumicë dhe kolonëve të para dhe pas luftës. Në regjistrimet e vitit 1971, në raport me vitin 1961 elementi serb e malazez ka pësuar ulje si në shifra absolute edhe në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë në Kosovë.
Teoria titiste për shkombëtarizimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi Teoricienët, historiografët dhe politikanët titistë donin të ringjallnin teoritë e ndryshme antishqiptare të borgjezisë së vjetër serbomadhe, kryesisht në fushën e historiografisë dhe demografisë.
Këta teoricienë mohonin lashtësinë e shqiptarëve dhe nënçmonin kulturën e shqiptarëve, shtrembërojnë rolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, se gjoja paska luftuar për të ruajtur sovranitetin e Sulltanit në tokat e shqiptarëve.
Ata pohojnë se popullsia shqiptare në Kosovë gjoja është vendosur 7 para 150-200 vjetësh. Po kështu, teoricienët titistë bënë përpjekje të vinin në zbatim pikëpamjet e tyre në fushën e demografisë. Përveç teorive të tjera antishqiptare u shfaqën edhe mjaft teori në fushën demografike, të cilat synonin të justifikojnë pakësimin dhe largimin e shqiptarëve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ishJugosllavi.
Ashtu si në vitin 1937, Vaso Çubrilloviçi në referatin e mbajtur para klubit serb të kulturës, në Beograd, shprehte shqetësimin e tij se “politikën tonë të kolonizimit e mundi pjelloria e grave shqiptare”. Edhe politikanë titistë pas Luftës së Dytë Botërore shqetësohen për shtesën e madhe të popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Të dhënat statistikore të shtetit jugosllav të vitit 1971 tregojnë se popullsia e Kosovës gjatë 50 viteve të fundit, 1921-1971 me gjithë zhdukjet e shpërnguljet në masë është trefishuar në krahasim me ritmet e shtimit natyral të Jugosllavisë.
Shtimi natyral i popullsisë shqiptare në Jugosllavi ishte në ato vite 34-37 për mijë në vit, domethënë tre herë më i lartë se shtimi mesatar në Jugosllavi. Madje, këto statistika tregonin se fertiliteti i gruas në Kosovë zinte vendin e tretë në Botë dhe popullsia shqiptare ishte më e reja në moshë në Jugosllavi (ku nga 1 deri në 35 vjeç përbënin 74 për qind të popullsisë atje).
Me këtë tendencë rritjeje, që kishte popullsia e Kosovës, do të dyfishohej çdo 24 vjet. Të gjitha këto të dhëna i kanë preokupuar shumë jugosllavët, të cilët kërkonin rrugët, format dhe mjetet për pakësimin dhe largimin e popullsisë shqiptare. Jugosllavët e konsideronin shtesën e popullsisë shqiptare një proces eksplozioni demografik dhe shpiknin lloj-lloj mënyrash, që synonin gjithnjë pakësimin e popullsisë shqiptare.
Shpesh titistët bënin presion për pakësimin e lindjeve, largonin nga vendi moshat aktive të popullsisë, nuk bënin asnjë përpjekje për të pakësuar mortalitetin dhe për më tepër e linin Kosovën në prapambetje të plotë ekonomike dhe kulturore me qëllim që të pengonin rritjen e popullsisë.
Kështu propagandoheshin norma të Evropës Perëndimore për planifikimin familjar, nxitej politika e migrimit jashtë e brenda vendit, si dhe migrimet e përkohshme të fuqisë punëtore kosovare në Evropë për të përballuar shtesën e popullsisë. Falsifikimet e Beogradit në regjistrimet e popullsisë shqiptare Për të realizuar zvogëlimin e popullsisë shqiptare në Jugosllavi herë pas here kanë përdorur falsifikimet e pafundme në regjistrimin e popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Për këtë janë shpikur dhe zbatuar lloj-lloj formash e presionesh që të shënohen sa më shumë shqiptarë si maqedonas, malazezë, serbë dhe turq (të ashtuquajturit kombësi myslimane e Jugosllavisë). Përfundimisht, në 60 vjetët e fundit 1912-1976, në viset shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia u zhdukën fizikisht mbi 277 mijë shqiptarë dhe u shpërngulën nga trojet e veta më shumë se 973 mijë të tjerë, që gjithsej kapin shifrën e 1 milion e 250 mijë vetëve.
Nga dokumente dhe studiues të ndryshëm del se midis dy luftërave botërore vetëm në Turqi kanë shkuar mbi 700 mijë shqiptarë, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia. Por, me gjithë zhdukjet fizike dhe shpërnguljet e mëdha, popullsia shqiptare e këtyre anëve, për shkak të qëndresës së madhe dhe të natalitetit të lartë, nuk u sllavizuan dhe as mbetën në pakicë.
Përherë shqiptarët kanë qenë shumicë në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Në vitin 1971, regjistrimi i popullsisë në Jugosllavi jepte si shifër të shqiptarëve 1 milion e 310 mijë vetë.
Natyrisht kjo shifër nuk është e saktë, pasi fshihet realiteti. Atëherë po të merret parasysh shtesa e popullsisë shqiptare në trojet e tyre në Jugosllavi kjo shifër duhet të ishte që në atë kohë rreth 2 milionë, që do të thotë për nga numri i popullsisë shqiptarët ishin të tretët në atë shtet, gjë e cila ngjallte shqetësim edhe te politikanët e regjimit të Titos....