Komunikimi dhe kultura: Imazhi në veprim”, botim i UET-Press, është një përmbledhje me ese, intervista dhe publicistikë të Ylljet Aliçkajt. Gjatë promovimit të librit, miqtë dhe kritikët e vunë theksin pikërisht tek ky dimension i ri i autorit, pra daljen para lexuesit me mantelin e studiuesit, hulumtuesit në shkencat e komunikimit…

“Mendoj se ky është një rast unikal, pasi ne e dimë që Ylljet Aliçka ka sukses në fushën letrare, por ky libër vjen si studim dhe lajtmotivi i sotëm është rikthimi i profesorit. Unë nuk surprizohem, por ndihem i vlerësuar që e kam pasur në dorë këtë libër, që më ka konfirmuar personalitetin e tij, jo vetëm si mësimdhënës i talentuar, por edhe si hulumtues në fushën e komunikimit dhe studimit, pavarësisht se atij laku ose kurthi që i ka dhënë natyra, që unë e quaj talent, duket se nuk i ka rrëshqitur as në këtë libër. Pikërisht bashkimi i stilit të të shkruarit me skrupulozitetin e studiuesit sjell një krijim të një dimensioni të ri”, tha ndër të tjera profesor Treska.
Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, në fjalën e saj tha se ndihej dyfish e nderuar edhe si zv.ministre edhe për shkak të profesionit të saj në mësimdhënie, që të fliste për një “profil shumëdimensional”, siç e cilësoi ajo Aliçkajn. Malaj theksoi se në stilin e të shkruarit të tij vihet re “humori irlandez ose “black humor” që sjell njëkohësisht me finesë tragjedinë dhe komedinë e jetës”.
Ndërsa gazetari Alfred Lela vlerësoi si tipar dallues të tekstit të Ylljet Aliçkajt ironinë dhe autoironinë. “Njohja ime me tekstin e tij ka ardhur si pasojë e punës si gazetar në gazetën Mapo duke lexuar shkrimet para se të botoheshin. Sot këto shkrime ribotohen në një libër. Kjo tregon se rileximi është sprova e një teksti. Në rastin e tij në një pjesë të mirë teksti ballafaqohet me rileximin. Thelbi i asaj që mund të thuhet për tekstin e Ylljet Aliçkajt është autoironia dhe kjo është cilësi e inteligjencës më shumë se sa e tekstit, tregon një tipar oksidental të tekstit të autorit”, tha Lela.
Gjatë promovimit e vlerësuan aftësinë e shkrimtarit Aliçkaj për të të emocionuar, si dhe ngacmimet me temat më të prekshme të jetës dhe moralit me librin e ri me ese dhe publicistikë edhe miq të tjerë të autorit si ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, Bujar Kapexhiu, Mirush Kabashi, Nevila Nika, Valbona Nathanaili etj.
Virtyti është i mundur vetëm në gjirin e mos-virtytit
*Nga Ylljet Aliçka
1.Kosova : Realitetet dhe dëshmitë monstruoze, krimi masiv, polimorf dhe i shumëfishtë në Kosovë, nuk është ende i njohur plotësisht. Kjo për mungesë mjetesh komunikimi apo dhe për shkak të drojës dhe turpit që ka rëndom qenia njerëzore ndaj poshtërimit të vet.
Me qëllim apo kinse spontanisht me një mjeshtëri të përsosur manipulimi në fushën e përpunimit të opinionit publik, krimi i vërtetë serb përpiqet të fshihet duke iu kundërvënë me ngjallje dyshimi mbi një tjetër krim monstruoz hipotetik, mjeshtëri kjo instrumentalizuese që ia doli mbanë të mobilizojë fuqinë karizmatike të turmave, të banalizojë urrejtjen dhe të shpikë armikun objektiv të kombit serb.
Peter Handke: shenjë e barazisë dhe simetri mes krimit të programuar serb dhe luftës për mbijetesë të popullit kosovar. U mbështet nga Elfiede Jelinek.
Për pasojë: Dilema dhe mëdyshje të shumta mbeten pezull :Ç’duhet bërë me kujtesën e vonë? Cila është detyra e kujtesës dhe ritmi i saj? Përtej emocioneve njerëzore, cili është interesi i bashkëjetesës në Ballkanin e sotëm, harrimi i krimit dhe vështrimi ndaj së ardhmes, apo pranimi i tij dhe përpjekjeve të të kuptuarit mes popujve? krimi mundohet edhe një herë të marrë theksin e virtytit.
Liria postkomuniste
Shpesh rrugëtimi përmes lirisë postkomuniste, në mungesë të herëpashershme të rendit dhe kaosit, precipitoi rëndom me një ngushtim të maskuar mjeshtërisht të hapësirave të lirisë e të vërtetës si dhe në instalimin e sistemit personal te qeverisjes dhe i suksesit vetjak të liderit. Dhe gjithë ç’ndodh, bëhet duke respektuar ligjin dhe në emër të një të ashtuquajturi “revolucion moral” për pastrimin e shtetit nga paligjshmëritë korruptive apo kapja e shtetit nga klikat, thënë ndryshe, në emër të gjithçkaje për mbrojtjen e interesave jetike të popullit, pasi njihet fakti se virtyti është i mundur dhe tërheqës vetëm në mesin e mos-virtytit.
Kam përshtypjen se gjatë këtyre dy dekadave të jenë shfaqur ide, vizione mobilizuese apo ringjallëse në fushën shpirtërore e morale që do lëkundnin klishetë e vjetra të mendimit, apo që do t’i ofronin individit shqiptar arsyen dhe orientimin e ri për të jetuar.
Nën të tilla retorika dhe stereotipa populiste, morali po merret me qira nga njerëz të devotshëm që, ndihur nga koraca e moralit të mirë, spërkasin me baltë këdo që guxon të mendojë ndryshe. Shpifja mediatike dhe ngushtimi i hapësirave për të vërtetat po merr fuqi të përbindshme, pasi shantazhi po bëhet një mënyrë e përkryer për të nënshtruar dhe dyshimi po zë vend një hap para akuzës. Ka një ringjallje të kulturës së dyshimit, e cila vetëm nuhat viktimën e radhës, por që, nga ana tjetër, mbjell paaftësinë e gjykimit real të rrethanave dhe dorëheqje nga kuptimi i gjërave. Kjo ndodh pasi radikalët e zgjidhjeve ekstreme dhe ultrasit e të gjitha ngjyrave të ylberit kanë nevojë për tronditje të mëdha që të mundësojnë pastrimin e madh, me motivimin: na duhet revolucioni moral ngaqë po zgjerohet vesi.
“Zakoni i intrigës dhe i shpifjes me mjete gjuhësore, si dhe pjesëmarrja në përndjekje e individit, kanë qenë dhe mbeten, historikisht, një mënyre jetese.” -thoshte Adam Micnik.
Përgjatë 25 vjetëve postkomunizëm monopolin e së vërtetës, e kanë rimarrë ish persekutorë të cilët pasi ofrojnë dëshmi moraliteti, strehuar në turmën e mediokritetit dhe banalitetit, konvertohen në politikë apo media, duke folur si ndërgjegjja e kombit. Në tregun e shpifjes rikërkohet fanatizmi i verbër dhe i ashtuquajturi ‘pastrimi i kujtesës kolektive’.
Të paaftë për të ndryshuar botën a për ta sfiduar atë, shpifësit dhe përndjekësit, si të vetmin kompensim, kanë kultivimin e ëndrrës së fshehur gjatë dhe kujdesshëm për t’u hakmarrë ndaj atyre që janë fajtorë për mjerimin shpirtëror të jetës së tyre. Duhet të jetë ky vetëhelmim shpirtëror që nxit zhvlerësimin e tjetrit.
Për pasojë, njeriu i sotëm është i ndjeshëm ndaj indoktrinimit, me modele të imponuara sjelljeje, mendimi dhe përfaqësimi, me individë me sistem njohës të manipuluar. Thënë ndryshe, gjykatës të varfër të interesave vetjake.
Në një mënyrë apo tjetrën është vetë shoqëria e sotme shqiptare ajo që ofron elemente të mjaftueshëm për atë që do e quaja “ndërgjegjësim fals të grupeve të gjera të popullsisë”, ku informimi publik është shndërruar në komunikim interesash, apo ku narcisizmi etno-kulturor shitet si vatër e vlerave të së ardhmes, mjedise këto të përshtatshme për të fikur në mendjen e njeriut çdo lloj dyshimi të natyrës njohëse, për të kontrolluar mendimet, si dhe për të rritur pandjeshmërinë ndaj mendimit alternativ.
Identiteti
Kam përshtypjen se problemi i identitetit trajtohet më tepër nga këndvështrimi kolektiv apo historik, duke injoruar nivelin individual të tij. Duam apo s’duam ta pranojmë, njeriu përshtatet apo përfshihet nën një ombrellë vlerash identifikues, krahas të tjerave kur ndjen se aty fiton ekonomikisht, se aty mbrohet nga një rrezik, apo se aty merr vlerë protagonizmi i tij. Parë nën këtë këndvështrim, është evident fakti se inercia dhe ndikimi i vlerave dhe antivlerave njerëzore nga e kaluara është shumë e fortë.
Rëndom, njeriu i sotëm ia fsheh vetes se pse ai krijon simpati apo tifozllëk për një lëvizje politike apo antipati për tjetrën, duke u përpjekur t’i veshë, përligjë apo interpretojë këto preferenca me argumente objektive, të moralit të mirë e të pranueshme për një opinion të gjerë, si për shembull, lufta ndaj padrejtësive, imoralitetit. Rrallë ndodh që në një plan individual apo kolektiv kur individi apo një grupim politik, pse jo dhe institucional, kryen një intrigë apo padrejtësi ndaj dikujt, apo një komuniteti dhe nuk e vesh atë me argumente të pranueshme të moralit të sotëm njerëzor.
Duhet të jetë ky niveli i maturimit të një individi apo shoqërie, pra raporti midis faktorëve objektivë të përqafimit të një partie politike me atë që lidhen me interesat apo egon e ngushtë të individit. Bie fjala, karshi situatës aktuale të një frenezie elektorale, në tallazin e betejave të perceptimeve të opinionit publik, lind natyrshëm dyshimi nëse shpenzimet kolosale të fushatës politike e japin apo jo rezultatin e ndikimit dhe ndërrimit të bindjeve politike të individit? imitim të modeleve propagandistike të botës perëndimore, apo me strategji të diktuara nga kushtet specifike të Shqipërisë? Pra, a ka mundur dot bashkëlidhja e medies me politikën vënë në shërbim të fushatave zgjedhore, të ndikojë mbi mënyrat e konceptimit të mesazheve politike të individit, apo ndryshimit të mëpasshëm të bindjeve politike? Dhe ndaj cilit target?
Imazhi
çdo vend e institucion ndërkombëtar apo popull, kërkon të njihet me fizionominë e një vendi tjetër, në rastin tonë të Shqipërisë, sipas interesave apo shtysave të veta politike, ekonomike, morale e shpirtërore. Ne, për shembull, motivohemi të njohim identitetin, fizionominë ose realitetin francez për aq sa na duhet për të përmbushur interesat tona ekonomike, kulturore, shpirtërore e pragmatike. E njëjta gjë i bie të ndodhë dhe me imazhin e ngritur nga opinion i huaj ndaj nesh, pa pretenduar se jemi në qendër të vëmendjes dhe se tërë bota e ka mendjen te ne. Identifikimi me etiketime fetare, antikulturore e historike. Por ka një diferencë të madhe se si e shohim ne veten, si na shohin të huajt në përgjithësi dhe si jemi realisht, mospërputhje që shpesh bëhet burim keqkuptimesh e zhgënjimesh.
A ka një masë që të vlerësojë diferencat kulturore për të kaluar për pasojë në pabarazitë dhe diskriminimet, kur pranohet që çdo kulturë që bart vlera, nënkupton edhe hierarkinë e tyre. Mirënjohja e thellë dhe toleranca e tepruar e shqiptarëve ndaj kontributit jetësor për zhvillimin e Shqipërisë postdiktatoriale, u keqkuptua nga një pjesë e opinionit të huajt? Ndofta vuajtjet historike për dinjitet kombëtar u bënë burim i kësaj tolerance të ekzagjeruar? Ndërkohë që sot pranohet gjerësisht se asnjë vend historikisht i lumtur apo fatkeq nuk heq dorë nga perceptimi i tij unik i vlerave të jetës si vlera kulturore. A është interesi aktual i Perëndimit për Shqipërinë emergjencë, partneritet, bashkëpunim apo alibi? realiteti shqiptar është më i ndërlikuar dhe më i copëtuar se parimet e vetë organizmave ndërkombëtare. Shpesh parimet në bllok, apo rregullat universale, konsiderohen si të papërshtatshme për raste e situata specifike. Shqetësimi tek ne filloi sapo u ballafaquan kufijtë midis imagjinatës dhe realitetit,kjo është kryesisht çështje kulturore, çështje politikash e prioritetesh. Më shumë se sa deficiti demokratik :pasojë e një deficiti komunikues.
Fatkeqësisht, ne po e kuptojmë me shumë vonesë se nuk jemi as më të mirë, as më të këqij se popujt e tjerë, se glorifikimi pa kushte i gjithë asaj që vjen nga jashtë dhe nënshtrimi servil ndaj saj nxit pështirosjen dhe të fundos më keq në pozitat e nënshtrimit.“aleancat e flirtet fluide me të huajt me qëllim që “t’ia futësh tëndit”.
Në opinion mediatik, ka gjurmë apo ngutje të qëllimshme apo naive për të zbuluar shqiptarët primitivë e të rrezikshëm, nën këndvështrime sensacionale, apo ekzotike, të cilat më tepër synojnë të shuajnë kuriozitete të sëmura, dhe që pashmangshmërisht sjellin jo vetëm opinione të deformuara mbi vendin tonë, por krijojnë, njëkohësisht, ato situata zhgënjyese, që prekin e lëndojnë vetë dinjitetin e qytetarit shqiptar.
Letërsia shqipe në botë
Aktualisht, problematikat në lidhje me përkthimin dhe botimin e letërsisë shqipe në botë nuk kanë të bëjnë vetëm me ambiciet apo aventurën artistike të autorëve shqiptarë, është bërë jo vetëm shkak zhgënjimesh e deziluzionesh në planin individual, por dhe një pengesë serioze në planin politik e atë institucional. Letërsia shqipe nuk po e ka të lehtë për të vazhduar përfaqësimin e saj në botë me vlerën apo peshën e saj reale, që me apo pa dashje, me vetëdije apo jo, priremi t’i projektojmë apo t’ia faturojmë një faktori pengues jashtë vetes, që rëndom në mendjen e krijuesit perceptohet si armik apo sabotator i botimit të tij jashtë vendit.
Një lexues apo botues i huaj, nuk i njeh mirë pikë orientimet me Shqipërinë, apo në të shumtën e herëve i njeh si klishe ekzotike (gjakmarrja, gratë e shndërruara në burra, bunkerët apo prostitucioni…). Lexuesi apo botuesi i huajt nuk mund të mirorientohet me vlerat apo antivlerat, të kuptojë se ku fillon fantazia e shkrimtarit apo realiteti apo ku mbizotëron prirja për t’iu përshtatur perceptimit të mësipërm klishe, vlerësimi real të një vepre letrare nga një vend i vogël, apo të kuptojnë se ku fillon fantazia e shkrimtarit ose realiteti i vendit të tij. Në një farë mënyre, një orientim jo i saktë apo real ndaj këtij realiteti aspak të lehtë, ofron për ne autorët shqiptarë gracka dhe zhgënjime të shumta,
Instrumentalizimi
Në një plan më të gjerë, më shumë se sa ideologjia apo politika në vetvete më ka interesuar instrumentalizimi ideologjisë, politikës apo dhe fesë për të vënë në jetë ligësinë apo instinktet e errëta njerëzore. Më konkretisht, më shumë më ka intriguar e më intrigon veshja apo përligjja etike, morale që i bëhet ligësisë njerëzore, e cila rrallë herë manifestohet me synimin e saj të vërtetë. Si një platformë vetëjustifikimi e qenies njerëzore për të vënë në jetë instinktet e tij shtazarake, të dhunimit të dinjitetit të njeriut apo mbizotërimi të jetës së tjetrit. për të vënë në jetë ligësinë apo instinktet e errëta njerëzore. Ç’kishte komuniste kënaqësia që ndjente sekretari i partisë së kooperativës kur propozonte masën e internimit ndaj një mësuesi fshati pse ai nuk e mbante mirë drejtimin e shkrimit të një parulle politike në mur apo në kodër… Them se, përveç kënaqësisë sadiste karshi vuajtjes së tjetrit, nuk kishte motivacion tjetër.
*Fjala e autorit gjatë promovimit të librit “Komunikimi dhe Kultura: Imazhi në Veprim”, botim i UET-Press
Kanë thënë për librin
Mesazhe bashkëkohore të një shkrimtari-diplomat
E kam pritur me interes botimin e një përmbledhjeje të tillë, sepse ai i përqaset me guxim- midis të tjerash- një dimensioni të rëndësishëm në jetën shoqërore, atij të vëzhguesit të realiteteve kulturore, që janë pjesë e pandarë e tharmit etnik të popullit tonë.
Përmbledhja në fjalë, që i jepet sot publikut shqiptar, përfshin mbi 30 studime, ese kritike, analiza mbi natyrën njerëzore, intervista mbi dimensionin artistik/ vlerësim personal dhe të autorëve të tjerë si dhe opinione prognostike për qenësinë e identitetit shqiptar dhe të kuptuarit e vetvetes, të mbështetura fort në përvojën e tij të gjatë në ballafaqim me realitetin shqiptar dhe me të huajt. Mbasi e lexova me kureshtje përmbajtjen e lëndës, unë nuk e pata të vështirë t’i ndaja ndihmesat e përfshira në këtë botim në disa grupe: shkrime për histori të jetuara; konvergjenca të shkrimtarit krijues me diplomatin aktiv në çështjen e imazhit të shqiptarëve, midis alibive (të synuara enkas) dhe realitetit të prekshëm; statusi i letërsisë shqipe në mesin e letërsisë evropiane; ndikimi i vlerave dhe antivlerave nga e kaluara; trashëgimia kulturore në ballafaqim me incentivat e integrimit evropian të shqiptarëve; shfrytëzimi i trashëgimisë proverbiale nga retorika politike; sensi i humbur i paskomunizmit; sfidat dhe dilemat për politikën kulturore në realitetin e sotëm të Shqipërisë etj.
Ajo që më bën më tepër përshtypje në këtë mori temash e problemesh lidhet me karakterin aktual të tyre: aty ku mesazhi jepet në formën më të thjeshtë, të kapshme nga të gjithë, ai ka një impakt të vërtetë mbi ne, që jetojmë në këtë mikrokozmos paksa të çuditshëm: shqiptarët i konceptojnë ngjarjet dhe përvojat që hasin gjatë jetës së tyre mbi bazën e një organizimi konjitiv ende defektuoz, nisur nga një pragmatizëm fals që nuk i lejon të shohin përtej së tashmes. Nga mesazhet e freskëta për kohën që jetojmë, unë do të ndalesha në disa dimensione me vlerë të shtuar, që kanë impakt të drejtpërdrejtë në sferën e antropologjisë kulturore.
Kolegu Ylljet Aliçka, me një aftësi mjeshtërore poliedrike, na ka dhënë përmes këtij botimi një model të ri të komunikimit kulturor me publikun vendas dhe të huaj. Tashmë dihet se, ashtu siç ndikon kultura mbi komunikimin, edhe ky i fundit ndikon mbi të parën dhe përforcon tipare të veçanta të saj. Mënyra me të cilën komunikon autori në një kontekst kulturor të kultivuar përforcon identitetin kulturor të tij/ tonë prej shqiptari. Sepse e gjithë vepra e deritanishme e tij është, para së gjithash, ritual- qoftë ndonjëherë edhe sarkastik- që kontribuon pa mëdyshje në atù-në e një sensi identiteti, për shkak se në brendësi të tij gjallon çdo qelizë e tharmit letrar, politik, diplomatik dhe shkencor të Aliçkës.
Dimensioni i dytë ka të bëjë me shfrytëzimin e trashëgimisë popullore, konkretisht të proverbave, në parullat politike të ditës. Këtë studim fondamental, autori e ka hartuar në bashkëpunim me asistenten Bisej Kapo, një ndër asistentet më premtuese të Universitetit Europian të Tiranës në sferën e shkencave politike. Aty zbërthehet përmbajtja strukturore dhe funksionale e dikotomisë proverba/ parulla politike, duke e marrë nxitjen nga libri dhe skenari me të njëjtin titull të filmit ”Parullat në gur” që shënoi rrugëtimin e suksesshëm të autorit në panteonin e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Së pari është për t’u vlerësuar fakti që Ylljet Aliçka, me këtë studim, inauguron në Shqipëri një fushë të re si pariemologjia, që- për hir të vërtetës- njihet pak ose aspak në vendet e Europës lindore. Ndaj edhe interesi për ’të ia vlente të përfshihej në këtë libër. Meqenëse vërtetësia e brendshme natyrore që bartin proverbat i bën ato lehtësisht të asimilueshme nga masa e gjerë e popullit, ato mbeten pjesë e fshehur e taktikave manipulative të përpunimit të opinionit publik”, siç shprehet me të drejtë Aliçka, çka do t’i shërbente ideologjisë totalitare (në rastin shqiptar) për ligjërimin politik të tjetërsuar, mbi bazën e logjikës së “veprimit të grupit”.Përdorimi i proverbave në ligjërimin e liderëve politikë totalitarë ka funksion të dyfishtë: nga njëra anë, ky lloj ligjërimi ka natyrë performuese; nga ana tjetër, ai krijon bindje, si pasojë e përsëritjes në kontekste të ndryshme kulturore, prej nga i hapet rruga manipulimit të dëshiruar. Ky ”funksion i dyfishtë” i proverbës shfrytëzohet nga retorika politike si “aftësi rigjeneruese” e parullave politike, që- me shumë gjasë- s’e kanë të vështirë mandej të përftojnë statusin e proverbës në realitetin e ri politik.
Me të drejtë, autori citon në këtë rast Bourdieu-në, sipas të cilit ”struktura të patjetërsueshme njerëzore konceptohen në mënyra të ndryshme, si rrjedhojë e faktit që çdo komunitet njerëzor i jep fjalës kuptimin që do”. Kjo paradigmë ngjan më se e vërtetë, po të kemi parasysh faktin se në botën shoqërore ekzistojnë edhe struktura subjektive (në rastin konkret: lidershipi politik), të cilat janë në gjendje të pengojnë veprimin e strukturave objektive, ose të ndikojnë në përfytyrimin e njerëzve mbi ’to. Dhe, efekti i një veprimi të tillë është më efikas kur ata i drejtohen sistemeve simbolike, sidomos gjuhës, mitologjisë dhe traditës popullore.
Përkundër këtij ndikimi të imponuar, Ylljet Aliçka i kthehet dilemës: kush e ka ”pësuar” më tepër në diktaturë, kolektivi apo individi? Sipas tij, ”dramatikja [e kohës] zbulohet më mirë në të përditshmen, në rutinën e zakonshme, se sa në heroizma”. Ndaj, shumica e personazheve të tij janë njerëz të zakonshëm. Por, a përbën shumësia e këtyre njerëzve të thjeshtë, ”të prerë njëlloj”, një ”dhuratë” të sistemit të kohës? Dhe më tej, a la ajo mendësi pasoja në memorien kolektive? Patjetër po, madje në formën e një ndjesie iracionale, çka Aliçka e vë formalisht ”në gojën” e shkrimtares austriake Anne Kim, por mendoj që mesazhi i tij, në mënyrën e thurjes, është më tepër një aset i tij personal i karakterit ekzistencial.
Lidhur me dimensionin e tretë të natyrës kulturore ka të bëjë me disa mendime të vyera të autorit mbi sfidat e reformës kulturore që duhet të ndërmerren për t’i dhënë jetë rolit që i takon aksionit kulturor mbarëkombëtar në krijimin e një shoqërie të hapur, që përmbush njëkohësisht aspiratat europiane të shoqërisë shqiptare.
Mesazhi më i rëndësishëm që përcillet përmes këtij aksioni është: instancat vendimmarrëse dhe publike ta shndërrojnë lirinë kulturore në një nga ”shtyllat” e shtetit. Për ta konkretizuar këtë ide, autori ka renditur disa nga prioritetet kryesore që duhet të plotësojë reforma kulturore, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Sipas opinionit të autorit, në paketën ligjore të kësaj fushe nuk është punuar ende mbi bazën e një strategjie afatgjatë, për shkak të nevojave emergjente të tranzicionit, përkatësisht në mbështetje të iniciativave spontane. Por, edhe sa duhet të presim që të kapërcehet kjo fazë kalimtare? Kush e mban përgjegjësinë institucionale-politike dhe qytetare për një ”javashllëk” të tillë? Mos vallë na mban shpresa se kultura përshtatet më shpejt se sa strukturat ekonomike e sociale?
Së pari, ne nuk na lejohet të postulojmë se kultura nuk mund të ndryshojë sensin (drejtimin) e saj origjinal nga ku e ka burimin. Të dhënat e antropologjisë kulturore na tregojnë se globalizmi sjell njohuri të reja kulturore; si proces i gjithanshëm dhe i kudondodhshëm, ai mund të sjellë në të ardhmen edhe koncepte kulturore krejt të ndryshme nga ato të një vendi të caktuar ”të sotëm”, por do t’i lërë gjithmonë rrugë të hapur zgjidhjeve më të pranueshme.
Së dyti, integrimi kulturor sipas ”kutit” europian kërkon domosdo qartësim të përgjegjësive dhe të barazisë së të drejtës për kulturë për të gjithë shtetasit, pavarësisht nga përkatësia etnike, feja, raca etj.
Së treti, nxitja e misioneve madhore për zhvillimin dhe studimin e trashëgimisë së përbashkët kombëtare nuk duhet të bjerë ndesh me studimin e thelluar të realiteteve/ veçantive lokale e rajonale kulturore.
Prof. dr. Aleksandër Dhima, Pedagog i Antropologjisë në UET
*Pjesë nga parathënia e librit “Komunikimi dhe kultura: Imazhi në veprim – Refleksione” e Prof. asoc. dr. Ylljet Aliçka