Virion Graçi: Arti si mundësi që të mos vdesim nga e vërteta


Virion Graçi, përfaqësues i letërsisë së viteve `90, është autor i disa romaneve që nisin nga viti `95 për të vazhduar deri në 2014 me “Stina e hijeve”. Romani i parë që kam lexuar nga Virioni ka qenë, “Të çmendur në parajsë” (1995). Në fund të librit ndjeva një tronditje shpirtërore e cila m`u duk se bëri copash gjithë ndërtesën e bindjeve të mija. Virioni ecën diku mes ëndrrës dhe zgjimit; lodron me ëndrrën

Virion Graci

“Përse duhet ta kaloj kohën duke lexuar një roman nëse mendoj (dhe më vjen për shtat të mendoj) se gjithë çka duhet të bëj në këtë botë është të ruhem dashurisht nga bota vetë”. Emanuele Trevi

Nga Ledia Dushi

Virion Graçi, përfaqësues i letërsisë së viteve `90, është autor i disa romaneve që nisin nga viti `95 për të vazhduar deri në 2014 me “Stina e hijeve”. Romani i parë që kam lexuar nga Virioni ka qenë, “Të çmendur në parajsë” (1995). Në fund të librit ndjeva një tronditje shpirtërore e cila m`u duk se bëri copash gjithë ndërtesën e bindjeve të mija. Virioni ecën diku mes ëndrrës dhe zgjimit; lodron me ëndrrën. Shpesh janë ëndrra shekspiriane dhe kur ndien fundin e saj, vë re se është zgjuar duke treguar. Në faqet e këtij libri gjallojnë qenie apo njerëz në skajet e mjerimit që si armë kanë lirinë.

Në orient kanë një thënie: “Një libër nuk duhet t`i zbulojë gjërat, një libër thjesht duhet të na ndihmojë t`i zbulojmë ato”. Krahas vlerave artistike që bëjnë një ndryshim të rëndësishëm me letërsinë e shkruar para viteve `90, ka një vlerë të mirëfilltë historike dhe shpirtërore. Në këtë libër brezat që do të vijnë mund të mësojnë një pjesë të asaj se çfarë ndodhi gjatë viteve `90.

Në këtë roman, si edhe në romanet e tjerë, Graçi lufton të zbulojë jetën duke përfshirë këtu edhe veten e tij. Personazhet e tij duan të shpëtojnë nga censura e brendshme dhe varfëria e jashtme. Kjo gjë i trondit, provokon vorbulla pasionesh të trishta; nganjëherë më duket sikur thërret: “Arti na është dhënë që të mos vdesim nga e vërteta”.

“Nuk mund të çlirohesh nga mundimet duke marrë me vete një pjesë të atyre që t’i shkaktojnë ato”. Këtë gjë e shtron vetë autori dhe e di krejt mirë se sa e vështirë është të realizohet kjo.

Këtë gjë e bën të kjartë para lexuesit nëpërmjet veprave te tij në prozë apo edhe në shkrimet e tija studimore.

Në prozën e Virionit ndjehet tharmi poetik.

“Shpirti merr fytyrën e fatit.

Të iki. Të largohem. Ku të shkoj. Kush më pret …?

Këtu është më mirë.

Këtu vdekja vjen duke qeshur”. ( Pjesë nga romani “Të çmendur në parajsë”)

Autori na bën të kjartë ose më mirë na bën të mësojmë se mendimet, emocionet, dëshirat, vinë prej nesh në momentin që ato shfaqen. E kështu jemi të sigurt se na përkasin dhe që nëpërmjet tyre bota mund të ndryshojë, mund te rregullohet.

Në poezi, ku merret seriozisht me botën e tij të brendshme, ndjehet kapërcyelli i kohës. Në poezinë “Mëngjes” (“San Valentino” (1993) kemi dy vargje të mrekullueshme:

“Thirra….thirra… por jeta

Ishte zgjuar tre ora para meje”.

Thirrja e shpirti i tij është një veprim subjektiv por jeta është tjetër gjë: është zgjim, të cilin e kanë të vështirë ta bëjnë njerëzit që fytyrën e lirisë e shohin në pastërtinë e përkohshme të xhamave:

“Fytyra jote shfaqet përkohësisht

Në pastërtinë e përkohshme të xhamave”.

Në poezinë e tij ndjehet dashuria për vendin ku është lindur e rritur. Kjo dashuri vjen në momentin kur njeriu njeh veten dhe kur është artist kërkon të përballet me të. Arti është “armë” e mirë për këtë punë. Kërkuan të kthehet në fillim, tek fëmijëria. Aty kthehen të gjithë. Ndoshta janë ndjenjat e para krejt të pastra, krejt personale dhe pa nevojën e të tjerëve.

“S’përhapet më aroma e ngrohtë e bukës

Era ngashëryese e borzilokut, as

Kaligrafia alarmante e ujit të shirave

Nëpër xhamat e dritareve”. ( Pa diell )

Dëshiroj të përmend edhe tre vargje nga poezia “Ditë dashurie” që të sjellin vërtet kënaqësi. Kënaqësia e lexuesit është më e madhe se ajo e shkruesit sepse “lexuesi s`ka pse të shqetësohet, s`ka pse të ketë ankth, ai thjesht dëshiron të ndiejë kënaqësi dhe kaq”.

“Bëj një provë të fundit. E vendos

Veshin mbi zemrën e saj. I dëgjoj paksa

Vringëllimat e shpatave që thyhen aty”.

Dhe tani dëshiroj të bëj një ndërhyrje mbi një veçanësi që bie në sy në librat e Virionit. Dëshiroj të theksoj se janë të mbushur me dialogje dhe monologje që, për faqe të tëra të japin idenë e një drame të plotësuar me shënimet e regjisorëve.

“Megjithatë aty poshtë dëgjohet dikush.

Kush?

Një fëmijë.

Jetim?

Pse kujton se është jetim?

Sepse mungojnë pllakat e mermerta, kangjellat, lulet.

Ishte fatkeq.

Viktimë?

E vranë!

Nëna e tij”.

Duket si një dialog i shkëputur nga një dramë surrealiste. Sigurisht kjo nuk evidenton diçka që s’duhet bërë, përkundrazi jam dakord me diçka të tillë. Këto lloj dramash pranojnë pavetëdijen, seksualitetin, ëndrrën etj., duket se afirmojnë të drejtat e tërësisë njerëzore.

Në librat e Virionit bie në sy kjartë se njohja totale e njeriut duhet të nisë nga vetja.

Librat e tij mund të jenë drama ose librete për filma.

Si mbyllje po citoj një pjesë nga monologu i fundit në librin “Të çmendur në Parajsë”:

“Mos u mërzit. Do të kalojmë matanë… e parandiej.

Sa të dalë dielli bota do të mbushet sërish me hije: mijëra, miliona, miliarda hije. Mes miliona hijeve të mjera si unë, unë do të marr sërish rrugën e kthimit në kërkim të udhëtarëve të tjerë, si zakonisht për pesë pare, për bukën e përditshme”.

Vetë autori pranon se, “Unë dhe bashkudhëtarët e bashkatdhetarët e mi jemi njerëz të ngrohur deri në palcë nga dielli i qytetërimit bashkëkohor”.

Unë mendoj se personazhet e tij janë të deheroizuar, por jo të depersonalizuar.

“Të çmendur në parajsë” dhe përgjithësisht romanet e Graçit janë romane psikologjike, çka nënkupton një zhanër nëpërmjet të cilit eksplorohen shpirtrat njerëzore, proceset psikike, arsyet e sjelljeve dhe zgjedhjeve njerëzore të prodhuara dhe të gërshetuara nga impulset subjektive dhe kushtëzimet social-kulturore. Realisht si zhanër i përket fundit të shek. XIX fillimit të shek. XX, kohë kur na parashtrohen studimet filozofike të Bergsoni me zbulimin e botës së brendshme dhe ato psikanalitike të Freud-it.

Kjo klimë pasigurie historike, kulturore, sociale që do të shoqëronte zhvillimin e këtij zhanri, duket se në Shqipëri, si një kuadër europian i mbivendosur, ndodh në fillimin e viteve `90. Me një thyerje të egër, për kah stili e përmbajtja, me traditën e mëparshme të trajtimit të romanit, Virion Graçi vendos me forcë në thelb të letërsisë së tij nevojën për të kuptuar njeriun, nevojë e cila forcohet nga identiteti i saj, duke i shkuar deri në thelb asaj ndjenje të vetmisë dhe të rastësisë. Duket se ndërfutet “fluksi i ndërgjegjies”, monologu i brendshëm ku mendimet, dëshirat, ndërgjegjja e personazhit në bazën e një sistemi të lirë asosacionesh. E gjithashtu, koha e narracionit shtrihet simbas kohës së ngjarjes dhe hapësirat e personazhet ndërvaren nga pasqyra e gjendjeve shpirtërore të protagonistit. Të ndikuar edhe nga psikologu francez Alfred Binet, shkrimtarë të këtij zhanri, nuk e konsiderojnë më ndërgjegjen njerëzore si një entitet të ngulitur, të përjetshëm e të pandryshueshëm, por tashmë si një sintezë fenomenesh në transformim të vazhdueshëm që i japin jetë personazheve të shumta dhe kontradiktorë në luftë me njëri-tjetrin. Falë studimit të tij, Freud-i zbuloi se te secili prej nesh ekziston një botë e fshehur dhe pa kontakt me ndërgjegjen tonë, inkonshiente. Me zbulimin e Freud-it, njeriu nga njëra anë duket se gjen arsyen shqetësimit të tij brendshëm, nga ana tjetër pranon se është nën tërbimin e forcave të fshehta.

Personazhet paraqiten të pasigurt, konfuzë, tashmë të paaftë të përcaktojnë një identitet të caktuar. Të duket se personazhet dora dorës bëhen “të panjohur” deri edhe për veten.

Nëse je lexues i veprës së Virion Graçit, vepër e një artikulimi të posaçëm në historinë e romanit shqip, je ai që ke zgjedhur ta njohësh dritën e formave duke përshkuar hijen.