Tre subjekte në një roman për dashurinë dhe modernitetin

ndue-dedaj


Romani “Unaza e virgjëreshes “ i shkrimtarit Ndue Deda


“Unaza e virgjereshës” përqendrohet në historinë e një “ burrneshe” të Shqipërisë së veriut, një temë e njohur që ka tërhequr deri vonë, madje edhe sot e kësaj dite, kërshërinë e të huajve për Shqipërinë ekzotike. Në romanin e tij autori Ndue Deda kërkon të depërtojë në botën e brendshme komplekse të virgjëreshës, ku forca e përbetimit në një anë dhe tërheqjet e instiktit femëror në anën tjetër janë në një ndeshje sekrete të denjë për vëshgimin e hollë të psikanalzës



Nga Preç Zogaj

Ndue Deda, një publicist i talentuar, i njohur si lëvrues i poezisë së kultivuar dhe hulumtues i trashëgimisë etnokulturore të krahinës së Mirditës e më gjerë, ka vite që i ka ardhur rrotull prozës së shkurtër e të gjatë si për t’u matur me të e vënë në provë aftësitë e tij për ta shkruar po aq mirë sa poezinë, esenë, reportazhin apo studimet. Romani i tij voluminoz “ Unaza e virgjëreshës”, botuar nga shtëpia botuese ‘Geer”, vjen si produkt i kësaj përgatitjeje të gjatë e të gjithanshme, që na kujton porositë dhe ekzigjencat e shkrimtarëve të tillë si Floberi në Francë apo Jakov Xoxa në Shqipëri për të mbledhur për librin që ke ndërmend të shkruash më shumë lëndë se sa do të përdorësh, duke e organizuar në mënyrë të tillë që lënda e papërdorur të kuptohet se është aty rreth e rrotull.

Siç mund të merret me mend nga titulli “Unaza e virgjereshës” përqendrohet në historinë e një “ burrneshe” të Shqipërisë së veriut, një temë e njohur që ka tërhequr deri vonë, madje edhe sot e kësaj dite, kërshërinë e të huajve për Shqipërinë ekzotike. Në romanin e tij autori Ndue Deda kërkon të depërtojë në botën e brendshme komplekse të virgjereshës, ku forca e përbetimit në një anë dhe tërheqjet e instinktit femëror në anën tjetër janë në një ndeshje sekrete të denjë për vëshgimin e hollë të psikanalizës, ku vullneti i gruas-burrë triumfon, por nuk e shuan kryengritjen e femrës brenda saj. Çfarë fshihej në personin e dyfishtë të virgjëreshës së përbetuar, një grua nën maskën e një burri, apo një “ burrë” me fërgëllimat shpirtërore të një gruaje? “Unaza e virgjëreshës” i arratiset ekzotikës dhe steriotipeve të njohura për këtë temë dhe na çon te këto fshehtësi të ndjera , të dhimbshme, dramatike, që lidhen me shpirtin dhe natyrën e gruas. “Ky ishte teatri absurd shqiptar, pa maska, ku luhej drama e tjetërsimit të femrës”, thotë autori.

Por është e pasaktë të thuhet se libri në fjalë është historia e Dines, personazhit të burrneshës. Romani është shumë më kompleks se kaq, madje mund të themi se “Unaza e virgjëreshës” është një mozaik i tre romaneve më të vegjël apo nënromaneve që i bashkon metafora e dashurisë dhe modernitetit, si kredot shpirtërore, intelektuale dhe ideoartitike të autorit në sfondin e gjithë subjektit.

Është, së pari, romani i dashurisë së Bdek Divelit me Hirnen. Bdeku ( Benedikti) është një publicist dhe shkrimtar i njohur në Arbën. Hirna është një grua shumë e bukur në të njëjtin qytet, eksperte turizmi, mbesa e virgjëreshës Dine. Dashuria e tyre ka shkrepur dhe ka humbur një ditë të largët në një letër dashurie të shkruar e të fshehur nga Hirna në faqet e një libri që nuk do të hapet për shumë vite nga Bdeku. Shumë vite me vonë ata do të ritakohen si në baladat e rinjohjes. Ai ka një grua, ajo ka një burrë, të dy kanë fëmijë, por e gjithë jeta e tyre në njëzet e vitet e ardhshme do të jetë një tundim dhe një përpjekje për t’u rikthyer në dashurinë e papërmbushur në korrigjim të devijimeve që kanë ndodhur. Ky është ligji i dashurisë.

Është një histori tipike nga ato që i gjejmë shpesh në letërsinë botërore, por që në faqet e romanit të Ndue Dedës ka veçorinë se vjen për ta tronditur mjedisin e mbërthyer gjatë në një dogmatizëm arkaik, viktimë e të cilit ka qenë rëndom pikërisht shpirti i dashuruar dhe i lirë. Romanca e dashurisë së Bdekut dhe Hirnes si roman i jetuar ecën paralelisht me romanin për virgjëreshën që Bdeku e mbledh pjesë-pjesë nga largësia e viteve dhe e bashkon siç bashkohen puzlat, duke krijuar kësoj mbivendosje dhe nënvendosje që lidhin natyrshëm të shkuarën me bashkëkohoren. Autori, siç e cekëm në fillim, kërkon ta shpjegojë por edhe ta shmitizojë tjetërsimin e virgjereshës, duke vënë në shënjëstër të mendjes së hapur një tabu atavike penalizuese për femrën në raport me mashkullin në lidhje me virgjinitetin.

Romani i tretë, që mund të konsiderohet edhe si sfondi apo dekori i dy të parëve, është një qytet i imagjinatës me emrin Arbni, diçka e ngjashme me Mirditën e dikurshme të shtetit të Arbnit, që ka dalë nga nëntoka dhe harrimi dhe po ngrihet si një metropol i civilizimit bashkëkohor me teatrin e vet, me klubin e elitës, me filialin e Univeristetit, me parkun arkeologjik, me rilindjen e katedraleve mbi rrënojat e të vjetrave, me turizmin kulturor, me emrat dhe toponimet kuptimplote të gjuhës së vendit, me gazetarë, avokatë, profesorë, skulptorë, bankierë, punonjëse bankash… Mbi gjithë këtë konfigurim lartohet scriptoriumi i vjetër i murgjve bendediktinë, i restauruar, ku Bdek Diveli tërhiqet për t’i dhënë dorën e fundit romanit të virgjëreshës, në të vërtetë për t’i mbivendosur atij romani poemën e tij të dashurisë për Hirnën.

Në prag të Krishtlindjeve lexova një shkrim të Artur Zhejit ku akuzonte indiferencën e shtetit shqiptar për lënien pasdore të asaj pjesë të trashëgimisë sonë kulturore që lidhet me dëshmi identitare të historisë sonë europiane, siç janë katedralet, kishat, manastiret, abacitë, e tjerë. Më shkoi mendja se zoti Zhej kishte lexuar librin e Ndue Dedës, “Toka e katedraleve” ku autori evokon një traditë të pasur me ndërtime të tilla në krahinën e Mirditës, por pothuajse të zhdukur përgjatë kohës. Në romanin e tij “Unaza e virgjëreshës” Ndue Deda nuk ka pritur t’i dalë gjumi shtetit. Ka filluar ta “ndërtojë” vetë, në letër, me imagjinatë, Arbninë e zhdukur, atë vend ku banorët kishin dëshirë të mburreshin duke thënë se kishin patur fatin e lum të ishin një popull i bekuar që kishin patur një tempull të Zotit që bujarët arbër ia kishin blatuar kombit të tyre, një bazilikatë që pati nisur të lartohej madhështore përkundruall kuvendit të moçëm, asaj katedrales së vjetër në kushtim të shen Merisë që kishte mundur të mbërrijë deri në kohët e vona… Ndue Deda ecën në lëkurën e përsonazhit Bdek Diveli duke shënuar me dorë vendet e kujtimeve të mëdha ku duhet të rinisë e ardhmja. Imagjinata e ka hapur gjithmonë rrugën për të shkuar drejt qyteteve reale. Ashtu siç thuhet për poemat kozmike të Uitmanit që paralajmëruan flurimet kozmike të amerikanëve një shekull me vonë. Por Arbni nuk do të presë kaq gjatë, besojmë.

Sidoqoftë tani kemi romanin e Arbnit, që megjithë hallakatjen herëpashershme të panevojshme të lëndës, lexohet me endje si histori, si etnografi, si psikoligji, si poezi, si një tekst me një pasuri të veçantë leksikore dhe stilistikore.