Pse shqiptarët janë kaq pesimistë për vendin e tyre?




Pse shqiptarët janë kaq pesimistë për vendin e tyre? Përse janë gati në të urryer në lidhje me të? Pse është kjo ideja masive e braktisjes së vendit për t’u përshtatur në mënyrë perfekte në vendet e tjera, pa asnjë dëshirë për rikthim?

Këto janë pyetjet që mundojnë çdo shqiptar, por kjo pikëpyetje është hedhur në rrjet, në faqen më të madhe të pyetje-përgjigjeve në botë, në Quora.

Dhe një amerikan ka dhënë një përgjigje, që duket se i ka pëlqyer rrjetit.

Më poshtë përgjigjia:

“Fillimisht, vendi juaj nuk ka e ka njohur lirinë nga shtypja përveçse vitet e fundit, prandaj ka kuptim që e keni moralin e ulët. Fillimisht romakët, bizantinët, më pas otomanët, nazistët, më pas 40 vite komunizëm nën Enver Hoxhën. Shqipëria ka qenë gjithmonë nën shtypjen e fuqive më të mëdha ose të korruptuara. Që prej rënies së komunizmit, Shqipëria akoma po merret me qeveri shtypëse, të korruptuara, të mbushura me skandale dhe krime. Dhe, që nuk kanë kurrfarë kujdesi për njerëzit e tyre.

Së dyti, pavarësisht raportimeve të qeverisë shqiptare, papunësia është shumë e lartë. Thuajse gjysma e gjithkujt që njoh në Shqipëri, nuk kanë një punë. Nëse sheh një të moshuar ose një grua që rrëmon në plehra për të mbijetuar, e kupton se gjendja është e rëndë. Dhe, nëse je nga ata persona me fat që ka një punë ose një biznes, niveli i taksave është kaq i lartë dhe pagesat janë kaq astronomike, sa mbetet shumë pak për punëtorin apo për pronarin. Shumica e bizneseve në Shqipëri nuk rezistojnë për një kohë të gjatë dhe përgjithësisht falimentojnë pa mbushur një vit.

Së treti, nuk ka mundësi. Ndoshta disa biznese, por nuk ka fabrika, punishte, kompani të huaja, asgjë. Shumica e gjërave importohen në vend. Njoh shumë shqiptarë që janë të mirëedukuar dhe kanë diploma të mira, por nuk gjejnë punë, pasi nuk ka punë. Edhe nëse ka mundësi, vendet e punës mbushen me njerëz që paguajnë për atë vend. Ka shumë marrëveshje që bëhen nën tryezë. Korrupsioni ka depërtuar shumë thellë në popullsi.

Dhe së fundmi, kur sheh imazhet e një jete më të mirë jashtë vendit, në televizor, filma apo foto, ose dëgjon histori, nuk është e vështirë të bësh krahasimin. Dhe fakti është se jeta në shumicën e vendeve europiane është më e mirë se në Shqipëri. Shqipëria ka një infrastrukturë të dobët, qeveri të korruptuar, papunësi të lartë dhe shumë varfëri. Nuk është çudi pse shumë shqiptarë e kanë moralin e ulët dhe shpesh thonë ‘të q… Shqipërinë’.

Të jem i sinqertë, kam jetuar në Shqipëri për pesë vite vetë, prandaj e kuptoj pse morali është i ulët. Gjithmonë u kam thënë miqve shqiptarë se nëse do isha si ata, do bëja gjithçka për të marrë një edukim të mirë, të mësoja anglisht dhe t’ia mbathja nga Shqipëria.

Sepse përveç bukurisë natyrore, njerëzve të ngrohtë dhe miqësorë, Shqipëria nuk ka shumë për të ofruar… të paktën për momentin.