Profesor Latifi dhe koha e tij: përvoja që nuk përsëritet kurrë më




Latif Berisha aktivist në lëvizjen gjithë shqiptare të Kosovës, ish kryetar i LDK-së në Mitrovicë, shqiptarë nga Kosova, i vrarë nga Doktrina e shenjt serbe.

Latif Berisha lindi më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë.

Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Vushtrri e Prishtinë.Fillimisht më 1949,punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë. Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t'i botojë në revistën letrare 'Jeta e Re". Më 1951 punoi inspektor në Sekretariatin për Arsim Kulturë dhe Shëndetësi.Në ato vite qe edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.

Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve,më 1957 boti përmbledhjen e poezive"TUFA". Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare "Përpjekja" të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit. Në qershor të vitit 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës "Silvira Tomazini".

Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare , Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës "Skëndërbeu në letërsinë e shkruar shqipe".
Më 1965 u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa më 1968 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi).

Që nga viti 1984, punoi në projektin "Skëndërbeu në letërsinë shqipe" të cilin nuk e mbaroi.

Në vitin 1991, si dhe shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Latif Berishën,regjimi serb e largoi nga puna.
Gjatë viteve '90, Latif Berisha u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare.Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

U angazhua posaçërisht si udhëheqës në sektorin e kulturës.Ka qenë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Kur lufta për çlirimin e Kosovës mori hov të madh, më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të Natos mbi caqet serbe, në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë prof.Latif Berishën,në pragun e shtëpisë së tij.

Pas luftës Biblioteka e qytetit në Mitrovicë mori emrin "Latif Berisha".

Kontributi i Latif Berishës në fushën e arsimit,shkencës,kulturës. etj. qe shumë i madh.Vepra e tij poetike e shkencore zë vend të rëndësishëm në letërsinë dhe shkencën shqiptare të filologjisë.
Latif Berisha ka botuar vëllimin me poezi "Tufa"(1957), studimet e vështrimet: Ali Asllani dhe krijimtaria e tij poetike"(1963), Skëndërbeu në poemën "Kënga e sprasme e Balës" (1968), Skëndërbeu në disa krijime të letërsisë shqipe në Jugosllavi (1968), Vepra "Lulet e Verës" dhe disa nga dimensionet e saj kuptimore (1972), Poema "Bagëti e Bujqësi" (vlera ideoartistike) (1972), Hil Mosi dhe krijimtaria e tij poetike (1972), Andria Kaçiq Mioshiq dhe shqiptarët (1974), Një tufëz vjershash autografe të Zef Serembes (1974), Mistifikimi letrar dhe letërsia shqiptare e Rilindjes (1976), Jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në katër poezitë e atyre viteve (1978), Zef de Rada,poet pak i njohur arbëresh (1978),Pikëpamjet e Luigj Gurakuqit mbi poezinë (1978), Në gjurmë krijuese të Jeronim de Radës (1978), Pikëpjekje të Letërsisë së Rilindjes me jetën dhe letërsinë e sllavëve të jugut (1982), Poezia e De Radës në suaza botërore (1984), Gjendje aktuale e kulturës shqiptare në Kosovë dhe kahet e zhvillimit të saj (1995), Vepra letrare "Dora d'Istrias , Shqiptarët (1995) etj.

Latif Berisha është hartues i dy teksteve shkollore. Numri tematik " Jeta e re" , 3/2000 i kushtohet Latif Berishës.

Universiteti i Prishtinës , Fakulteti i Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe, nën përkujdesjen e Isak Shemës, Nuhi Rexhepi e Sali Bashota përgatitën tekstin "Vepra" në të cilën u përmblodhën poezitë, studimet, vështrimet,trajtesat e poetit,studiuesit,profesorit e veprimtarit Latif Berisha.

Në vitin 2004, Presidenti Historik Dr.Ibrahim Rugova,e dekoroi prof. Latif Berishën me Medaljen e Artë të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në 10 vjetorin e vrasjes së prof. Latfi Berishës, më 24 mars 2009, Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e përmbushi detyrën e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, duke ia ndarë Medaljen e Artë të Pavarësisë, familjes së prof. Latif Berishës,në akademinë përkujtimore që u mbajt në Qendrën e Kulturës "Rexhep Mitrovica", në Mitrovicë.


Tri gota

N’livadh të jetës tri gota i gjeta,

Dy janë të mbushura, asht bosh e treta…

Të parën e mora, në buzë e afrova,

Ish idhtë si pelimi mejherë e largova…

Të dytën e mora, me gjuhë pak e preka,

Prej s’ambli më dogj, mejherë e hjeka

I zbraza të dyja në të tretën gotë,

U ba idhtë e ambël, si asht vet kjo botë



*********


Dr Enver HASANI

Latif.Berisha.jpg (31357 octets)
Katër vjetori i vrasjës së të ndjerit prof. Latif Berisha, këtij tribuni të vërtetë kosovar, nga forcat e verbëra të militarizmit serb, na shtynë ta kujtojmë atë edhe njëherë publikisht, si një memento të vetë qenjes sonë. Aq më parë që pas kësaj dhe, veçanërisht, në driten e ngjarjeve e ndodhive të kësaj hapësire, personaliteti i tij, permes mungesës tragjike, vihet edhe më shumë në spikamë.

Latif Berisha, falë edhe shekullit të tij jetësor, reflekton pothuaj të gjitha vlimet dhe percaktimet nëpër të cilat kaloi Kosova e pasluftës së Dytë Botënore, ose, shprehur me zhargonin politik, fatin e saj gjatë Jugosllavisë së Dytë e të Tretë.

Megjithatë, duhet pasur parasysh se periudha e pas luftës nën regjimin komunist, nuk mund të merret homogjene dhe, rrjedhimisht, as edhe sjellja e synimet morale, intelektuale e kombëtare të shqiptarëve. Prandaj, në kushtet e një statu quo – je të imponuar, si nga brenda ashtu dhe jashtë federates jugosllave, qenë paracaktuar disi edhe kahjet e veprimeve të intelektualëve kosovarë, ndër të cilët bënte pjesë i ndjeri Latif. Në të tilla raste, siç thotë Goethe, diplomacia e jetës mbetet mjeti më efikas, por gjithsesi, me dy presa. Në rrethanat e atëhershme të Kosovës, pra, sinori që ndante veprimtarin kulturor prej konformistit , ishte tepër i hollë.

I ndjeri Latif, i futur tashmë në kapilaret e mendimit letrar, madje të një periudhe fine e plotë fantazi, siç është romantizmi, ishte fare i ndërgjegjshëm për këtë. Në të vërtetë, ai i përkiste asaj gjenerate që, para vetës kishte plotë mundësi tunduese. Më sakt: të ishte pionier i një rilindjeje shpirtërore e mendore të shqiptarëve, gjithnjë brenda caqeve iluministe, ose t’i dorëzohej kompromisit, për të gëzuar joshjet hedoniste që i cyste tërthorazi e dretpërdrejt regjimi në fuqi. Shkrimet e tija të para poetike dhe mjedisi ku ai mori shtat si intelektual – do te kujtonim me respekt te madh shoqaten “ Perpjekja “ te stundentëve shqiptarë në Beograd dhe organin e vetem te shprehjes letrare, revisten “ Jeta e Re “- ishte gurra e shëndetshme kombëtare, prej te ciles u ushqye ai . Profesor Latifi bënte pjesë në ajkën e këtij mjedisi dhe, si i tillë, do të mbetej deri në fund, kur dora mizore serbe shtiu pabesisht mbi te.

Falë natyrës dhe edukatës që mori, i ndjeri Prof Latif Berisha nuk ishte prej atyre që shpërthejnë me impulse të pakontrolluara ose që bien në konflikte të pamenduara mirë. Prandaj, njerëz si ai, me butësinë dhe tolerancën e tyre, nganjëherë, sidomos në kohë të egra dhe arbitrare, mund të krijojnë te të tjerët iluzionin e një vullneti të dobët ose të një ç’interesimi radikal. Sigurisht, Kosova ka pasur disa momente kulmore shpërthimi, kur edhe njeriu më i ekuilibruar mund të dilte prej “ natyrës së vetë “ e t’i jepej rrymës. Por i ndjeri tashmë e kishte rrënjosur në tru misionin e vet: ai, si një pjesë e shquar e intelektualëve tanë, përgatiste plejadën e verimtarëve, të cilët, me energjinë dhe shpirtin e admirueshëm të sakrifices, do të përgatisnin e realizonin përmbysjen e ardhshme. Mendojmë se këto raporte delikate midis veprimtareve dhe frymëzuesve të tyre të heshtur kanë nevojë për një ndriçim te gjithanshëm, në mënyrë që të dal në pah ajo bazë e gjerë rezistence kosovare që siguroi mbijetesën tonë. Këtej buron dhe misioni historik që luajti Universiteti i Prishtines, ku Profesor Latifi për vite e vite mbajti ligjerata. Ashtu sikunder në kopshtin e letërsisë shqipe, zëri i tij do të mbetet përherë kumbues e tërheqës.

Por, erdh një moment, kur edhe karaktere të tilla duhej të hynin në politiken e drejtpërdrejt. Vendosja e pluralizmit në Lindje, pas rënies së Murit të Berlinit, për shqiptarët e Kosovës kishte një kuptim të dyfisht: për ta qe thyer, kishte dështuar, jo vetëm një ideologji e huaj, por edhe qendra vitale e sllavizmit, Rusia. Ajo përfundimisht kishte humbur peshën e vet historike. Ndaj, pavarësisht nga shfaqiet e jashtme brutale, bashkë me Rusinë kishte marrë teposhten edhe krijesa e saj, Serbia. Prandaj ishte kjo prerja ideale e një epoke, të cilën breza të tëre shqiptaresh, e kishin ëndëruar.

Profesor Latifi, me kulturën dhe intuitën që kishte, pa dyshim që e kishte kuptuar këtë gjë më mire se shumëkush. Mitrovica, ky avampost shqiptar, ashtu si e gjithë Kosova, po e ndjente hapjen e horizontit të ri. Duheshin vetëm njerëz që të administronin mire shansin historik dhe, në përputhje me kërkesat e formuluara në mënyrë plebishitare, të dilnin në ballë të punëve. Ndërkaq, filozofia e rezistencës paqësore, e përvetësuar aso kohe po ashtu pothuaj me plebishit, kishte kërkesat e saja specifike. Një proverb francez thotë: pesha, sado e lehtë, në një shtegtim të gjatë vjen e rëndohet. Prandaj, brezi i veprimtarëve të rinj, të vetëdijshëm për këtë frymë dhe imperativ, kërkoi me ngulm që në krye të tyre të vihej njeriu i pastër, largpamës, i urtë e kurajoz, njeriu me emrin Latif Berisha. Për këtë famë të vetvetishme të tij ai kishte investuar gjatë gjithë jetës. Eshtë fatlum ai vend, thotë logjika e historisë, kur masa i troket në derë liderit dhe jo lideri masës.

Në këtë kuptim ai i kishte të rrallë shoket. Dhe, kur ai pranoi të angazhohej, ishte e shkruar në ballë se atë nuk do ta smprapste prej qëllimit të tij asnjë kërcnim a dobësi. Parë në këtë optikë, ai zë një vend nderi, si pakkush, në plejadën e veprimtarëve të LDK–ës, të një LDK – je që e kishte perceptuar vërtetë si një lëvizje mbarëpopullore, e kursesi si kufizim partiak a ideologjik. Pikërisht në saje të këtij perceptimi, mendoj, ai i shpëtoi frymës së ngusht të grupit dhe ruajti qartësinë, edhe kur u shfaqen realitetet e reja dhe pejsazhi politik kosovar po ndryshonte. Njerëzit e Mitrovicës, ndoshta ndryshe nga qytetet e tjera te Kosoves, kishin gjetur në personin e tij elementin më koheziv, ngjashëm si çifutët Talmudin dhe filozofinë e mesiasë së premtuar, ndaj edhe kur ndodhen bifurkimet politike dhe u degjuan krismat e armeve per liri, ai vazhdonte te respektohej njesoj prej të gjitha palëve. Dhe, falë ketyre cilësive te tija, ai ishte bërë ndër njerëzit më të urryer të barbarëve serb.

Historia rrefen se në të gjitha përplasjet e armatorsura, kur pasioni gjakatar i pushtuesit nuk njeh kurrëfarë arsyeje, gjenden individ që bëjnë sfidën e madhe, ate të ruajtjes së pragut të shtëpisë. Eshtë kjo një qëndresë stoike që, nganjeherë, e tremb armikun më shumë se edhe vetë arma. Sepse superioriteti moral është shuplaka më e fuqishme që mund t’i jepet një tirani. Prandaj, kushdo që e ka njohur nga afër të ndjerin Latif Berisha, e ka çmuar shumë edhe për një veti tjetër, që te ne nuk është me aq bollëk: modestinë e tij.

Gjatë rezistencës paqësore dhe në prak të luftës, pati përpjekje të ndryshme për të inicuar dialogun midis shqiptarëve dhe serbëve. Pati dhe forume te ndryshme lokale e ndërkombëtare, ku rraheshin e trajtoheshin temat e nxehta të Kosovës. Të ndjerin Latif, jo për mungesë kapaciteti intelektual e politik, nuk e shohim të jetë i pranishëm. Janë të tjerë që mbahen më elokuent, më agresiv e më pretendues. Por u desh të vinte fushata e spastrimit etnik, e atyre masakrave të paimagjinueshme, që të dilte në dritë edhe njëherë thelbi i tij njerëzor e qytetar. Me qendrimin e tij në truallin e vet, ai sikur ridikulizonte çdo falsitet dhe shtirje patriotike a revolucionare. Ishte koha kur nuk mbahej më asnjë maskë. Dhe pikërisht atëhere doli madhështia e tij.

Serbët e dinin këtë gjë, ata e njihnin shumë mirë të ndjerin Latif. Duke qenë pengesë e pakapercyeshme për planet e tyre, ata zgjodhen si mjet te vetëm zhdukjen e tij fizike. Për Kosovën e mbashluftës, kur betejat zhvendoseshin në të tjera fusha okulte, njerëz si Profesor Latifi e Profesor Agani mund t’i paralizonin ato dhe të rienergjizonin çështjen kosovare. Ndaj ata duheshin çuar në atë botë, qoftë dhe si martir të një kombi martir. Ajo që na mbetet ne, është të provojmë se, megjithatë, ka kush i bënë ballë stratagjemës se re serbe. Për mua, njohja me te ka qenë më shumë se nderë e privilegjë: përvojë që nuk përsëritet kurrë më për gjeneratën e njejët. Dua të them se përveç Serbisë që mbetet e njejët, krejt tjetër ndryshon nga koha kur e njoha profesor Latifin.

(Autori është profesor i së Drejtës Ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës si dhe ish Kryetar i Gjykatës kushetuese në Republikën e Kosovës)

Përgatiti për botim: Flori Bruqi