

Nga Akademik Prof.Dr.Vasil S. Tole
(President i Këshillit të Muzikës Shqiptare,
Anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës (IMC)
U N E S C O
Anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës (IMC)
U N E S C O
Në prag të shek. XX, muzika që kultivohej në Shqipëri ishte ende e lidhur me muzikën e kultit. Të vërtiturit në të njëjtën lëmë dhe rreth të njëjtit strumbullar krijonte për muzikën sa një konvencion shumë të ngushtë, po aq edhe vështirësitë e ndërtimit të idiomës kombëtare të saj. I pari që e synoi shkëputjen e muzikës nga institucionet e kultit ishte prifti katolik dhe njëkohësisht kompozitori At Martin Gjoka. Së bashku me krijimtarinë muzikore të kompozitorit dhe priftit ortodoks Fan S. Noli , ata krijojnë precedentin e muzikës sonë: shkëputjen nga muzika e kultit duke u nisur nga brenda saj, i pari nga pozitat e muzikës kulte të kishës perëndimore dhe Noli të asaj lindore. Të qenurit i pari në kryerjen e “skizmës”, lidhet direkt me kapërcimin e pengesës më madhore, asaj të të parit përtej vetes, gjë që kërkonte profesionalizëm dhe kapacitet të mendimit intelektual muzikor. Në tërësi, rasti i krijimtarisë muzikore të Fan. S. Nolit është sa i ndryshëm aq dhe i veçantë, kjo për faktin se krijimtaria muzikore e tij i përket një etape të mëvonshme (pas vitit 1937 e në vazhdim); se në këtë krijimtari muzikore të Nolit gjejmë sa një pjesë të muzikës së re shqiptare, në përgjithësi, ashtu dhe faktin që ajo është katalizator i “skizmit” nga ana tjetër. E parë me sy të ftohtë, realisht konstatojmë tri faza graduale të “Skizmit” te veprimtaria e Nolit si kompozitor e muzikant.
Faza e parë e “skizmit” të Nolit, lidhet me futjen e gjuhës shqipe në meshën ortodokse. Si biri i një psalti të kishës ortodokse, që në vogëli bie në kontakt me muzikën bizantine dhe po në moshë të vogël mëson edhe flautin. Në moshën 25 -vjeçare dorëzohet prift dhe kryerja e meshës në gjuhën shqipe duket se ka qenë një preokupim i hershëm i tij. Ky hap jo i vlerësuar në këndvështrimin muzikor është përshëndetur nxehtësisht nga Faik Konica po atë ditë, më 22 Mars 1908, në “Knights of Honor Hall in Boston” me fjalët: …dita kur Fan Noli drejtoi liturgjinë e parë në gjuhën shqipe, është një pikë kthese në historinë e Rilindjes Shqiptare. Atë Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që arriti i pari, me hir të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të kllasi zyrtarisht gjuhën shqip në meshë. Ne nuk do ta harrojmë atë, dhe për më pak të lejojmë të tjerët ta harrojnë ! Po në këtë ditë është themeluar edhe Kisha e Shën Gjergjit, ku pranë saj Noli ngriti edhe korin që e drejtonte vetë, i cili i shërbeu si për shërbesat fetare edhe për ato laike. Më tej, në verën e vitit 1911 predikon shqip në kishat e shqiptarëve në Europë, përkatësisht në Rumani dhe në Bullgari kurse një mësonjëtore korale, Noli mendoi ta themelonte më 1923, kur u emërua mitropolit i Durrësit. Pasioni i tij për këndimin koral në gjuhën shqipe shfaqet shumë vite më vonë, ku në një fotografi të vitit 1942, jepet Theofan Stilian Noli me pjesëtarët e Korit të Kryekishës Shën Gjergji në Boston, të cilët këndojnë shqip në radio-programin “Zëri i Shqipërisë” i filluar më 12 Qershor 1938.
Së dyti, kemi përpjekjet e Nolit si deputet dhe më pas si Kryeministër për krijimin dhe zyrtarizimin e një jete muzikore në Shqipëri. Noli gjithmonë besonte se zgjimi artistik me anën e muzikës, hollësimi i shijes, krasitja e mendjes së lopësuar të shqiptarit të sotmë me harmoninë e tingujve, janë vepra që meritojnë lëvdatat më të mira. Njihet mbështetja e tij konkrete për veprimtarinë e bandës “Vatra” në Shqipëri në vitet 1920-1924 si dhe planet për krijimin e disa institucioneve muzikore në këtë periudhë. Vlen të përmendet kujtimi që sjell Thoma Nasi gjatë qeverisjes së shkurtër të Imzot Fan S. Nolit si kryeministër i Shqipërisë (16 qershor-24 dhjetor 1924). Ai thotë se Noli ëndërronte të themelonte një konservator muzike për të rinjtë shqiptarë dhe për këtë kërkonte që të sillte nga Italia një grup muziktarësh të klasit të parë, për të dhënë mësim dhe për të krijuar njëkohësisht edhe bërthamën e parë të një orkestre simfonike të Shqipërisë! Konica e përforcon atë kur thoshte se: Fan Noli jo vetëm është i ditur në muzikë, po ka zotësinë e rrallë të stërvitë të tjerë në atë mjeshtëri të bukur, dhe t’i stërvitë në pak kohë. Ç’humbje për Shqipërinë, që një njeriu të atillë nuk i jepet rasti të organizojë stërvitjen muzikale të popullit në shkolla të vendit !
Vetë Noli filloi të ushtrohej në veglën muzikore të kornos nën drejtimin e Nasit gjatë kohës që ai drejtoi qeverinë në Tiranë etj. Rrëzimi i qeverisë së Tij bëri që kjo ide të dështonte. Gjithsesi, gjatë qeverisjes së Nolit, Tirana po jepte shenjat e një kryeqyteti me jetë artistike, ku nuk duhet të tingëllojnë të çuditshme për veshët shkrime si ai për “Korin rus” (dedikuar koncerteve të një kori rus në shtatorin e vitit 1924), ku pjesëmarrja e publikut tiranas në të çmohej si një kurë e domosdoshme, një pastrim ! Ky rizgjim kulturor i kësaj periudhe sipas Ernest Koliqit kishte lidhje të drejtpërdrejtë me standardet e reja europiane të qeverisjes së Fan S. Nolit dhe të Luigj Gurakuqit. Sipas tij:… kur fati e solli Fan S. Nolin me u vu në krye të qeverisë shqiptare, vendi i ynë nisi menjëherë të ndërrojë fytyrë. Një frymëmarrje lirije qarkulloi në rendime shtetnore e në mbarë jetën e kombit. Ra ndryshku shekulluer lanë trashigim nga pushtimi azjatik; kultura zuni kryet e vendit tue zevendësue drejtime të maparshme qi spikatshin për mungesë pregatitjeje përkatëse në dega t’administratës qeveritare. Djelmënis s’arsimueme iu caktue tekembramja vendi qi i përkiste në jetë të kombit. Atdhetarët të lanun mbas dore, qi kishin shkri mundë e djersë e qi kishin ende të çiluna në shtat varrët e marruna në lufta të Rilindjes, gjetën kuptim e çmim . Kësaj periudhe të ndriçuar kulturalisht i kushtoi poezinë e tij “Inedite”, Sejfulla Malëshova :
Me fyell e xhura këndoi Naimi,
Sa duf e mall kishte ligjërimi.
Pastaj rrëmbeva me duf vigani,
Lahutë Fishtë-Lirë Theofani.
Pastaj me mandolina e me saze,
Dëgjoi Shqipëria ca avaze;
Mandolinën dhe sazet unë i theva
Dhe bririn e Dianës e rrëmbeva.
Së treti do të inkuadronim veprimtarinë konkrete të Nolit si kompozitor muzike e muzikolog, në favor të një përmase dhe orientimi evropian i krijimtarisë. Në vitet 30` të shek XX-të shmanget nga politika dhe merret sistematikisht me studime, muzikë dhe veprimtari të fesë. Më 1938 përfundon konservatorin e New Englandit për kompozim. Tek “Autobiografia” shprehet se: …kur u ktheva në Shtetet e Bashkuara më 1930 hoqa dorë nga politika ndërkombëtare dhe iu ktheva muzikës. Kam kompozuar një poemë muzikore -“Skënderbeu” dhe një rapsodi shqiptare për orkestër të plotë, një këngë për tenor e orkestër -“Gaspari i Varfër” dhe kam botuar dy himne të kishës ortodokse në gjuhën angleze. Kontributi im më i madh në këtë fushë është një libër: “Bethoveni dhe Revolucioni frëng”, që merret me ideologjinë politike të kompozitorit të madh. Ndër të tjera përmendim edhe “Psalmi 137”-Anës lumenjve të Babilonisë; “Sonatën në tri kohë”, për violinë e piano; “Uverturën bizantine” dhe kontributet e tij për liturgjinë ortodokse me “Hymnoren”, Boston, Mars 1936 etj. Veprat e tij për orkestër simfonike “Skënderbeg”,”Rapsodi Shqiptare” dhe “Gaspari i Varfër”, për tenor dhe orkestër, janë tipike për sa u përket përsiatjeve tona. Tek to do të hasim si shtratin e muzikës bizantine, prej nga ai nisi formimin muzikor, ashtu edhe shkëputjen prej saj. Kjo pasi si kërkues i gjendjeve të përveçme në çdo fushë të veprimtarisë artistike, Fan Noli e synoi këtë shkëputje me tendencë. Situata shfaqet më së miri në organizimin tematik të veprave, ku ai përshkruan pothuajse gjithë historinë e krijimtarisë muzikore. Rasti më tipik në krijimtarinë muzikore shfaqet te citimi i drejtpërdrejte melodik i “Marsejezës” dhe “Internacionales”, si dhe te punimet muzikologjike të cilat janë “kryepunë” shkencore dhe akoma më larg botës së fesë etj. Gjithashtu vërehet se baza e shprehjeve të tij muzikore përbëhet nga disa stilema dhe intonacione kombëtare që burojnë kryesisht nga vetëdija e tij.
Së fundi rëndësia e “skizmit” është shumë e madhe, pasi shënon aktin e parë të emancipimit dhe profesionalizmit të muzikës sonë të re, duke i paraprirë zhvillimit intensiv dhe cilësor të saj pas Luftës së Dytë Botërore, pra në gjysmën e dytë të shek.. XX.
Në datëlindjen e Fan Stilian Nolit
Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.
Më 9 shkurt 1908 , Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së. Fan Stilian Noli ka lindur më 6 janar 1882 – 13 mars 1965.
(Prof. Dr. Vasil S. Tole ka lindur më 22 nëntor 1963 Përmet, Shqipëri, është kompozitor dhe etnomuzikolog. Shkollën e mesme e ka kryer për violinë, në vitet 1978-1982 pranë shkollës artistike “Tefta Tashko Koço”, në Korçë. Në periudhën 1983-1987 përfundon Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë, në degën e Kompozicionit dhe pas diplomimit, deri më 1991, punon në qytetin e Përmetit pranë Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri”. Prej vitit 1991 është pedagog i Kompozicionit dhe Folklorit Muzikor Shqiptar në Fakultetin e Muzikës pranë Akademisë së Arteve, në Tiranë. Më 1994 mbron disertacionin për gradën e Doktorit të Shkencave Etnomuzikore me temë “Aspekte historike në evolucionin e muzikës popullore instrumentale të Shqipërisë së Jugut”. Në vitin 1994-1995 kryen specializimin pasuniversitar për Kompozicion në Folkwang Hochschule në Essen-Gjermani, nën drejtimin e Prof. Wolfgang Hufschmidt dhe, më 1996, bën studime të postdoktoranturës pranë Universitetit të Athinës. Në vitin 2000 fiton titullin e Mjeshtrit të Kerkimeve=Profesor i Asociuar.
Veprat muzikore
Opera:
“EUMENIDES”, për solist, kor, recitues, valltare dhe orkester . - {2004}
Veprat për Orkestër:
“Eumenides”, për solist, korr dhe orkestër të madhe - {2001}
“Suita” me tema popullore greke, I,II - {2000}
“A Psalmodie bono”, për orkestër harqesh. (Interpreton orkestra e muzikes se re AMRA, Tirane.) - {1999}
“Trias” për flaut dhe orkestër simfonike - {1996}
“Genotip” për orkestër të madhe - {1996}
“Rend, rend or Marathonomak” - {1991}
“Koncert” - {1990}
“Kontrast”, variacion simfonik. - {1989}
“Poemë simfonike” - {1987}
“Suitë” me 4 kohë. - {1986}
Muzikë dhome:
“Dikotomi” për kuintet fryme. (Fl, Ob, Cl in b, Horn, Fagot). - {2000}
“Hoax” për V.cello solo. - {1999}
“Ep-event” për violinë, violë dhe v.cello. - {1997}
“Shatra-Patra” për 3 daulle. - {1997}
“W” in memoriam, për Cl, Violinë, V.Cello, Piano dhe Drum I,II,III. - {1995}
“DdA”, kuartet harqesh. (Interpreton kuarteti i Akademise se Arteve, Tirane.) - {1995}
“Avaz II” për 3 Viola, 5 Violina, 2 Fl, Cl, Drum I,II. (Interpreton orkestra kontemporane e Sofies, Bullgari.) - {1994}
“Avaz” për kuartet fagotësh. - {1994}
“Pheromones” për Fl, Cl, V.cello dhe Piano. - {1993}
“Epitaf dhe Britmë”, për kuartet harqesh, Fl, Cl, Fagot dhe Piano. (Interpreton ansambli kontemporan i Akademise se Arteve, Tirane.) - {1993}
“Metamorfozë” për 24 instrumentistë harqesh. - {1992}
“Pesë skica” për kuartet harqesh. - {1991}
“Rondo” për orkestër harqesh. - {1988}
Piano:
“R.I.P”. (“Rest in Peace”) - {1997}
“88”. - {1994}
“Age of Cage”. - {1993}
“Portret simbolik dhe vdekja e tij”. - {1992}
“Rondo”. - {1988}
Violinë dhe Piano:
Suitë me 6 kohë.- {1990}
Sonatë me 3 kohë.- {1988}
Klarinetë dhe Piano
Skerco - {1990}
Zëra Solo
“Iso-Gjëma”, për 16 zëra vajzash. - {1995}
Zë dhe Piano:
“Lundërtarët e vjetër”, për sop dhe piano. Poezia Arian Leka. - (2001)
“Përjetësia”, për bariton dhe piano. Poezia nga Lasgush Poradeci. - (2000)
“Ç’u mbush mali” për korr vajzash dhe piano. Poezia nga L. Poradeci. - (2000)
“Erë e borzilokut” për soprano, v.ni, v.c dhe piano. Poezia popullore. - (1999)
“Këngëzë” për soprano dhe piano. Poezia popullore - (1998)
“Sarajevaljum” për bariton dhe piano. Poezia Ervin Hatibi. - (1996)
“Bizantine”, për bas dhe piano. - (1994)
“Kosova”, për bas dhe piano. Poezia Ali Podrimja - (1989)
“Këngët e Jutbinës”. Cikël romancash për bariton, tenor dhe piano. - (1987)
Veprat muzikore në C.D.
Tek C.D-“Sazet…”, vepra “Epitaf dhe britmë” për ansambël, nr. 22. Publikuar nga TEKNOTRADE. Tiranë 1998.
Tek C.D-“Memus disco 2”, vepra “Trias” për flaut dhe orkestër, nr.4, CD/2. Publikuar nga Regione Siciliana, Itali 1997.
Libra:
Muzika dhe letërsia
Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare
Odiseja dhe Sirenat
Folklori muzikor, isopolifonia & monodia
Sprovë për një fjalës të muzikës popullore homofonike të Shqipërisë së Veriut
Mirënjohjet
Muzikë
Fitues i çmimit MUZA të MKRS, për vepren me te mirë studimore në fushën e muzikës të botuar në vitin 2002. - (2003)
Fitues i cmimit MUZA të MKRS, për veprën më te mirë skenike për vitin 2001. - (2002)
Fitues i çmimit të pare në konkursin ndërkombëtar të kompozimit “Dimitri Mitropoulos”, Athinë nëntor 2001 me veprën “EUMENIDES”
Fitues i çmimit të tretë në festivalin e VI të “Romancës Shqiptare”-1999 me romancën “Erë e borzilokut”, poezia popullore. - 1999}
Fitues i konkursit për baletin me një akt të shpallur nga Ministria e Kulturës, me baletin “Stinët” me subjekt të Naim Frashërit. - 1998}
Fitues i çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar “Il mondo in musica”, Fivizzano -Itali me veprën për orkestër harqesh “Rondo”. - 1998}
Çmimin e G.M.E.M (Grupi i Muzikës Eksperimentale Marsejë) për veprën “Shatra-patra” të interpretuar në konkursin ndërkombëtar “Ton de Leeuw”, në “Ditët e Muzikës së Re 1997”. - 1997}
Çmimi i parë për pjesën vokale “Sarajevalium”, në festivalin e tretë të “Romancës Shqiptare” - Tiranë. - 1996}
Çmimi i parë për kuartetin e harqeve “DdA” në festivalin “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” - Tiranë. - 1995}
Çmimi i dytë për “Pheromones” në festivalin “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” - Tiranë. - 1994}
Çmimi i tretë për “Epitaf dhe Britmë”, në festivalin “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” - Tiranë. - 1993}
Çmimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për kompozitorin e ri më të mirë. Dhënë në “Konferencën Kombëtare të Talenteve të Reja” - Korçë. - 1990})
Përgatiti:Prof.Dr.Flori Bruqi,Ph.D
(Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteveve Shqiptaro Amerikane)





