Kosova feston sot 9 vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe formimit të shtetit të ri.

Image

Ceremonitë zyrtare që nisën para tre ditësh, kulmojnë sot me homazhe në varret e komandantit legjendar të UÇk-së Adem Jashari dhe presidentit historik Ibrahim Rugova.

Të dy këto, personalitete me kontributin më të madh në rrugën e Kosovës drejt të qenit shtet, do të nderohen nga krerët më të lartë të institucioneve kosovare. Por në agjendën tri ditore mungon parakalimi tradicional i Forcës së Sigurisë së Kosovës.


Ndërsa seanca solemne e kuvendit u zhvillua dje, po ashtu edhe pritja shtetërore me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Hashim Thaçi, në fjalën e tij tha se Kosovën e kanë njohur 113 shtete.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në faqen e tij në Facebook ka publikuar një video urimi për nëntë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me titull “Kosova ime”.

Kjo video në mënyrë simbolike përshkruan gëzimin dhe optimizmin për rrugën e pavarësisë. Urime 9 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës!” ka shkruar Mustafa.

Si çdo vit dhe obelisku i pavarësisë NEWBORN, një ndër pikat më të vizituara në Kosovë, pritet të mbledhë shumë njerëz që do të shohin pamjen e re me mesazhin për një botë pa mure.


Po ashtu edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të uroj popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë suaj më 17 shkurt. Partneriteti mes dy shteteve tona mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në letrën e presidentit Trump dërguar Thaçit, bën të ditur Zyra e presidentit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në letrën e presidentit Trump “kremtuan së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës fitimin e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike në Brazil, si dhe debutimin e përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA)”.

“E mirëpresin vazhdimin e bashkëpunimit tonë të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në mbështetjen e rritjes së zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, si dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë”, thuhet në letrën e presidentit Trump.