Çështja kombëtare gjatë Luftës II Botërore

Pëllumb Xhufi lindi në vitin 1951, në Durrës, Shqipëri. Përfundoi studimet në vitin 1977 në fushën e gjuhëve klasike, të historisë e arkeologjisë, në Universitetin e Romës. Në vitet 1991-1992, zhvilloi studime të thelluara në Universitetin e Këlnit (Gjermani) si bursist i Fondacionit "Humboldt". Pasi punoi në Institutin e Historisë për 15 vjet, në vitin 1997, u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si Drejtor i Departamentit të Ballkanit, më pas zëvendësministër i Punëve të Jashtme, dhe më në fund Ambasador i Shqipërisë në Romë. Ka botuar shume vepra brenda dhe jashtë vendit në fushën e historisë së Shqipërisë dhe asaj ballkanike.

Botime

Dilemat e Arbërit - 2006
Ikje nga Bizanti - 2009
Nga Paleologët te Muzakajt - 2009
Shekulli i Voskopojës : (1669-1769) - 2010








Prof.Dr.Pëllumb Xhufi


Kjo luftë vuri në diskutim të paktën tre çështje me rëndësi ekzistenciale për të ardhmen e kombit e të shtetit shqiptar: çështjen e rifitimit...

Ashtu si Luftrat Ballkanike dhe Lufta I Botërore, në fillim të shek. XX, edhe Lufta II Botërore ishte një provë e madhe dhe e vështirë për kombin shqiptar. Kjo luftë vuri në diskutim të paktën tre çështje me rëndësi ekzistenciale për të ardhmen e kombit e të shtetit shqiptar: çështjen e rifitimit të pavarësisë, atë të mbrojtjes së integritetit territorial e të mos rrudhjes së mëtejshme të kufijve shtetërorë dhe, së fundi, çështjen e shlyerjes së padrejtësive historike që i ishin bërë kombit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve (Londër, 1913) dhe në Konferencën e Paqes së Versajës (1919).

Karta e Atlantikut e nënshkruar nga Presidenti amerikan Roosevelt dhe nga Kryeministri britanik Churchill (gusht 1941), dhe më vonë takimet e Moskës e të Teheranit, konfirmuan vullnetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Sovjetik e të Britanisë së Madhe për të mbështetur luftën çlirimtare të popujve të shtypur të Evropës dhe për të njohur, pas luftës, të drejtën e tyre për të vendosur për të ardhmen e tyre. Një gjë e tillë i hapte një perspektivë të re e pozitive çështjes kombëtare shqiptare, e cila kishte në themel bashkimin me Shqipërinë të territoreve të cunguara të Kosovës e Çamërisë. Por, nga ana tjetër, gjatë Luftës II Botërore u rishfaq edhe rreziku i coptimit të mëtejshëm të Shqipërisë pas luftës.

Në dhjetor të vitit 1942, Ministri i Jashtëm Britanik, Antony Eden, deklaroi në Dhomën e Komuneve se Konferenca e Paqes që do të mblidhej pas përfundimit të Luftës, do të rimerrte në shqyrtim çështjen e kufijve të Shqipërisë. Kjo deklaratë u përforcua në nëntor 1943 nga vetë Kryeministri Churchill. Dokumentet britanike vërtetojnë se pas kësaj deklarate, që alarmoi rrethet patriotike shqiptare, qëndronte vendimi i qeverisë britanike dhe i vetë Churchillit për të mbështetur pretendimet territoriale të Greqisë ndaj Shqipërisë së Jugut. Në këtë mënyrë, zgjidhja e këtyre dy çështjeve, e asaj të ruajtjes së integritetit territorial të shtetit shqiptar dhe, eventualisht, e bashkimit me Shqipërinë të krahinave të aneksuara të Kosovës e të Çamërisë, varej kryekëput nga qëndrimi që do të mbanin gjatë luftës populli shqiptar dhe grupimet e ndryshme politike.pellumb-xhufi

Në momentet kthesë të historisë moderne të popullit shqiptar, thuajse gjithmonë, në gjirin e elitave intelektuale e politike janë evidentuar qëndrime të ndryshme, shpesh edhe të kundërta, lidhur me drejtimin që duhet të merrnin fatet e vendit. Kështu ndodhi, psh., pas revolucionit xhonturk të vitit 1908, kur përfaqësues të klasës së vjetër feudale, si Ferid, Syrja e Eqerrem bej Vlora, por edhe intelektualë e patriotë si Faik Konica e Mithat Frashëri, predikonin se ende nuk kishte ardhur koha për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane.

Ndërkohë, intelektualë e patriotë, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Dervish Hima, Luigj Gurakuqi, ishin të bindur se nuk duhej humbur kohë, por duhej ngritur populli në këmbë për të fituar lirinë e për të ndërtuar shtetin e pavarur shqiptar, përpara se Perandoria Osmane të shembej e monarkitë shoviniste ballkanike t’u turreshin trojeve shqiptare. Përplasja e këtyre dy qëndrimeve i vonoi proceset historike dhe u hapi shtegun ndërhyrjeve të fuqive të huaja, monarkive evropiane e atyre ballkanike, të cilat me ndihmën e elitave të vjetra e të korruptuara shqiptare, e vendosën çështjen shqiptare në funksion të interesave të tyre nacionale.

Për fat të keq, edhe në vitet e Luftës II Botërore, shpura e elitës së vjetër të bejlerëve, pashallarëve, bajraktarëve, klerikëve, intelektualëve turkoshakë e liberalo-konservatorë, nuk deshën ta kuptojnë drejt mesazhin që lëshonte momenti historik. Një pjesë e mirë e tyre mbushi radhët e qeverive dhe të forcave kuislinge që pushtuesit italianë e gjermanë ngritën për t’i përdorur shqiptarët si mish për top për interesat e tyre. Kësaj kategorie kolaboracionistësh të neveritshëm i përkisnin Shefqet Verlaci, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Nuredin bej Vlora, Vizhdan Risilia, Bektash e Kadri Cakrani, Xhafer Deva, Selim Kaloshi, Halil Alia e Taf Kazazi, Mehdi Frashëri, Kolë Bib Mirakaj, Preng Previzi, Lef Nosi, Hysni Dema, Rexhep Mitrovica e të tjerë.

Një tjetër grupim, i organizuar përreth Balli Kombëtar e Legalitetit, i përfaqësuar me figura si Mithat Frashëri, Ali bej Këlcyra, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Skënder Muço, Abaz Ermenji etj., zgjodhi rrugën e neutralitetit, në fakt të një bashkëpunimi të fshehtë me pushtuesit. Përpara aleatëve anglo-amerikanë, që i nxisnin të luftonin me armë pushtuesit nazifashistë, këta justifikoheshin duke thënë se donin t’i ruanin forcat e tyre të paprekura, në mënyrë që kur të iknin gjermanët, ballisto-zogistët të ishin në gjendje të përballonin luftën civile me forcat e Frontit Antifashist, të cilat, sipas llogarive të tyre, do të dilnin të dobësuara nga përleshjet me nazistët.

Dokumentet e fundit të zbuluara në arkivat britanike e amerikane tregojnë sot një të vërtetë, që historiografia shqiptare e periudhës së komunizmit nuk kishte arritur ta zbulonte: ashtu si në Greqinë fqinje, lufta civile ishte një projekt i forcave të ashtuquajtura “nacionaliste”, me anë të të cilës ato llogarisnin të rrëmbenin pushtetin pas largimit të gjermanëve. Duhet thënë, se projekti i luftës civile nuk gëzoi mbështetjen e amerikanëve, por gëzoi mbështetjen e disa ushtarakëve britanikë që vepronin në Shqipëri. Fjala është për ushtarakë si B. McLean, D. Smiley e J. Amery, të cilët, përveç axhendës ushtarake, zbatonin edhe një axhendë politike për pasluftën, e cila synonte mënjanimin nga pushteti të Partisë Komuniste e të Frontit Antifashist Nac. Çl.

Për këtë arsye, ata përkrahën deri në fund Abaz Kupin e krerët e tjerë të ashtuquajtur nacionalistë, duke shpresuar se këta do eliminonin rrezikun e ardhjes së komunistëve në pushtet. Sipas oficerit britanik, J. Naar, “Julian Amery me kompani kishin axhendën e tyre anti-partizane e anti-komuniste, dhe prandaj zbatuan në Shqipëri një politikë tejet përçarëse”. Amery, Smiley, McLean përfaqësonin linjën e politikës së jashtme britanike, e cila shpesh herë kontrastonte me vlerësimet e ushtarakëve britanikë, që vepronin në terrenin shqiptar. Kështu, në kundërshtim me vlerësimet e dikasterit të jashtëm britanik e të vetë Churchillit, Shefi i misionit ushtarak britanik në Shqipëri, gjenerali Davies, i sugjeronte në dhjetor 1943 Shtabit Aleat në Kajro, që të mbështeste vetëm forcat partizane, që po gjakoseshin me trupat naziste, dhe të hiqte përfundimisht dorë nga çdo iluzion se mund të tërhiqte në luftën çlirimtare njësitë e Ballit Kombëtar, të cilat haptaz po bashkëpunonin me pushtuesin gjerman. Sipas R. Hibbert, stafi i oficerëve britanikë në Bari ishte shumë i irrituar me përpjekjet e McLean e Amery për të mbajtur gjallë deri në fund të luftës fantazmën e Kupit e të Zogistëve, të diskredituar për qëndrimin pritës e shpesh herë edhe kolaboracionist të tyre. Por, siç duket, ndërsa një grup oficerësh britanikë që vepronin në Shqipëri ishin të motivuar për të fituar luftën mbi Gjermanët, grupi i përfaqsuar nga McLean, Amery e Smiley, punonin për të fituar luftën mbi komunistët.

Burime dokumentare nga arkivat britanike, që kanë dalë në dritë vetëm kohët e fundit, provojnë se tek këta oficerë britanikë që ishin atashuar pranë krerëve të Veriut, ekzistonte tashmë një projekt i koordinuar me ballisto-zogistët për provokimin e një lufte civile menjëherë pas tërheqjes së trupave gjermane. Në prill 1944, majori Philippe Leake, Shef i Zyrës SOE për Shqipërinë në Kajro, ndërsa e pranonte se roli i ushtrisë partizane ishte vendimtar në zbatimin e detyrave të SOE, nuk harronte të rekomandonte se nuk duheshin prerë, gjithsesi, lidhjet me BK e Zogistët, pa të cilët, siç shprehej ai, “do të shuheshin shpresat për organizimin e kryengritjes së përgjithshme në fund të luftës”. Në mjedise të caktuara të politikës britanike kishte, pra, një projekt për të shmangur ardhjen në pushtet të Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar e të Partisë Komuniste, duke përgatitur shpërthimin e një lufte civile, e cila, nga ana e saj, do të mundësonte edhe një ndërhyrje eventuale nga jashtë. Plani mbështetej në angazhimin e krerëve “nacionalistë”, si Muharrem Bajraktari, Selim Kaloshi e sigurisht Abaz Kupi. Në fakt, qysh në 26 mars 1944, pas një takimi të parë me Abaz Kupin, kapiteni britanik Seymour, që ushqente simpati për formacionet partizane, raportonte për ekzistencën e “një pakt-mossulmimi midis Kupit dhe gjermanëve”, duke shtuar se qëllimi i Abaz Kupit ishte që të qëndronte inaktiv, të ruante forcat e tij e të priste konsumimin në betejë të Ushtrisë Nac. Çl., në mënyrë që të ndërhynte e të rrëmbente pushtetin pasi të largoheshin gjermanët. Pas takimit të dytë me Kupin, më 19 prill 1944, Seymour e përforcon akoma më fort këtë konkluzion të tij. Abaz Kupi, deklaronte ai, “është duke u përgatitur për luftën civile, që mendon ta fillojë pas largimit të Gjermanëve” (He is preparing for Civil War after the Germans leave). Të njëjtin shqetësim shprehte pas ndonjë muaji edhe oficeri tjetër britanik i zbulimit, majori E. Watrous, i cili më 7 qershor, paralajmëronte Shtabin Aleat në Kajro, se “përpjekjet e mëtejshme për të mbështetur lëvizjen e Abaz Kupit, do të çonin drejt një lufte civile”. Watrous nuk e dinte, se kolegë të tjerë të tij të atashuar pranë Abaz Kupit e krerëve të tjerë të Veriut dhe të cilët gëzonin mbështetjen e vetë qareve drejtuese politike të Londrës, punonin për një axhendë tjetër, që planifikonte përdorimin e forcave të krerëve “nacionalistë” kundër formacioneve partizane pikërisht në fund të luftës. Të njëjtin qëndrim pritës, e herë-herë bashkëpunues me Gjermanët, ia pohoi majorit britanik Antony Quayle edhe eksponenti i Ballit Kombëtar, Skënder Muço, gjatë një takimi me të, më 15 shkurt 1944. Sipas Quayle, Skënder Muço “i foli atij hapur për politikën e Ballit, duke e pranuar se ballistët ishin rreshtuar me Gjermanët për të shpartalluar ndikimin në rritje të komunistëve e të FNÇl”. “Gjermanët”, vazhdoi arsyetimin e tij Skënder Muço, “një ditë do dëbohen me siguri nga Shqipëria, por dikush duhet të jetë gati për të dëbuar komunistët”.partizane-1

Sigurisht, zhvillimi i ngjarjeve në terren i bëri hi e pluhur planet britanike për të promovuar me çdo kusht grupimet e ashtuquajtura nacionaliste në funksion të ardhjes së tyre në pushtet. Uragani i luftës çlirimtare i fshiu sa hap e mbyll sytë mbeturinat kuislinge e kolaboracioniste të Shqipërisë së vjetër, të cilat treguan se nuk ishin në gjendje të përballonin qoftë edhe një betejë të vetme me Ushtrinë Nac. Çl., e jo më të përballonin një luftë të gjatë e të ashpër civile. Për këtë disproporcion kolosal forcash u bindën edhe vetë Anglezët, të cilët, më në fund, në shtator 1944 i braktisën definitivisht benjaminët e tyre të deriathershëm, krerët e ashtuquajtur nacionalistë si dhe idenë e një lufte civile, që përkundrazi, u zbatua me sukses e në mënyrë të përgjakshme në Greqi. Parë nga perspektiva historike, epërsia e padiskutueshme strategjike që formacionet e Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare fituan në fushën e betejës, përveçse solli fitoren historike të çlirimit e të rikthimit të pavarësisë, i kurseu Shqipërisë edhe shkatërrimet e viktimat e panumërta, që do të kishte shkaktuar një luftë civile, e projektuar nga segmente të caktuara të politikës britanike me mbështetjen e disa krerëve të Lëvizjes zogiste dhe të BK.

Të diskredituara në atë që ishte prova e zjarrit e momentit historik, d.m.th. lufta pa kompromis kundër pushtuesve nazi-fashistë, organizatat e Ballit Kombëtar e të Legalitetit u përpoqën të mbeteshin faktorë në jetën politike shqiptare duke deklamuar një antikomunizëm patetik, me anë të të cilit synonin të tërhiqnin simpatitë e anglo-amerikanëve, dhe po ashtu u përpoqën të hynin në marrëveshje tërësisht antikombëtare me qarqet e djathta shoviniste të vendeve fqinje. Qysh në vitin 1942, eksponentë të lëvizjes zogiste, si Muharrem Bajraktari e Musa Juka, vendosën kontakte me gjeneralin serb, Drazhe Mihajlloviç, të cilit i kërkuan arritjen e një marrëveshjeje, sipas së cilës ky do të ndihmonte për një “rilindje” zogiste, pra për rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet pas luftës, kundrejt premtimit të krijimit të lidhjeve të ngushta mes Shqipërisë e Jugosllavisë. Por me kohë, duke e parë se Drazha Mihajlloviçi nuk kishte më shanse për të ardhur në pushtet, Muharrem Bajraktari mendoi t’i kthehej “kartës greke”. Në mars të vitit 1944, ai i shkruante Sekretarit të Jashtëm britanik, A. Eden, të cilit i propozonte krijimin e një aleance “pellazgjike” greko-shqiptare, e cila, sipas tij, do të frenonte përparimin e komunizmit në atë krah të Evropës. Vetëm një muaj më vonë, kreu i Ballit Kombëtar, Mithat Frashëri, inicioi bisedime sekrete me përfaqësuesit e të djathtës nacionaliste greke, të cilëve u propozoi krijimin e një federate greko-shqiptare, ku Shqipëria do të hynte me kufijtë e paraluftës dhe ku forcat ushtarake dhe politika e jashtme do të komandoheshin nga Greqia. Të njëjtin propozim, që e kthente Shqipërinë në një provincë vasale të Greqisë, Mithat Frashëri dhe krerë të tjerë të emigracionit politik shqiptar, si Eqerrem Libohova, Eqerrem Vlora, Ernest Koliqi, Ismail Verlaci, Gjon Marka Gjoni e Nuredin Vlora ia paraqitën edhe pas luftës, më 10-12 prill 1948, Ministrit grek në Romë, Kapsalis. Edhe në atë rast, ata rilançuan idenë e një federate greko-shqiptare, përmbajtjen e së cilës Eqerrem Libohova ia shpjegonte me këto fjalë diplomatit grek: “Ne jemi gati për lidhje ushtarake e ekonomiko-politike të tilla që të lejojnë ruajtjen e integritetit e të indipendencës sonë, por t’ju lejojnë edhe juve, që me akordet ushtarake, nga pikëpamja strategjike, t’i keni efektivisht kufijtë të zgjeruar”. Pra, Shqipërinë do ta mbronte nga komunizmi ushtria greke, e cila do të dislokohej deri në kufijtë veriore të Shqipërisë, duke i siguruar Greqisë një “shtrirje maksimale strategjike”. Kjo ndodhte në një kohë kur edhe vetë Departamenti i Shtetit, në maj 1949, e hidhte poshtë me vendosmëri një plan grek të kryediplomatit grek Pippinelis, i cili parashikonte aneksimin e tokave shqiptare apo krijimin e një konfederate greko-shqiptare. Duhet shtuar këtu, se pas krizës që shpërtheu në marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, pas vitit 1948, shumë nga emrat e emigracionit ballisto-zogist, i drejtuan shpresat e tyre tek Titua dhe tek një ndërhyrje e armatosur jugosllave në Shqipëri. Atë kohë lulëzuan përsëri projektet për krijimin e një federate jugosllavo-shqiptare, apo edhe për realizimin e një unioni personal të Shqipërisë me Jugosllavinë. Ky projekt i fundit jo rastësisht vinte nga mjediset e mbretit Zog, i cili e kishte pranuar çështjen e unionit personal në marrëveshjen e fshehtë të nënshkruar me Pashiçin, më 1924. Kuptohet, që në të gjitha këto projekte për lidhje federale apo për union personal midis Shqipërisë e Greqisë apo midis Shqipërisë e Jugosllavisë, Shqipëria do të hynte me kufijtë e vitit 1913, duke lënë jashtë Kosovën dhe Çamërinë, gjë që provon qartë falsitetin e kartës së nacionalizmit e të “Shqipërisë Etnike”, që Balli Kombëtar dhe Legaliteti luajtën gjatë viteve të Luftës II Botërore dhe më pas.

Ndryshe nga fantazmat e “Shqipërisë së Vjetër”, të përfaqësuara nga grupimet e Ballit e të Legalitetit, forcat e grumbulluara në Frontin Antifashist, të udhëhequr nga Partia Komuniste, e kuptuan drejt mesazhin e dhënë nga Fuqitë Aleate në Kartën e Atlantikut apo në takimet e Moskës e të Teheranit. Ato përcaktuan luftën e armatosur e pa kompromis kundër pushtuesit nazifashist si të vetmen mënyrë për të fituar lirinë e pavarësinë e vendit, për të ruajtur të paprekur kufijtë e shtetit shqiptar dhe për të bashkuar me shtetin amë viset e Kosovës e të Çamërisë, të shkëputura pas luftrave ballkanike të viteve 1912-1913. Në letrën e Komitetit Qendror të PKSH për Komitetin Qarkor të PKSH për Vlorën, 17 gusht 1943, thuhej se “në respekt të Kartës së Atlantikut, e në përputhje me të, çështja e Kosovës dhe e Çamërisë do të zgjidhet pas luftës, dhe vetë popujt e Kosovës e të Çamërisë sipas dëshirës së tyre, do të vendosin për fatin e tyre. Ne do t’i japim atyre të gjitha mundësitë që të krijohet një situatë e tillë, që çështja të zgjidhet me drejtësinë e plotë…Detyra jonë kryesore patriotike është të frymëzojmë e të ndihmojmë që popujt e Kosovës e të Çamërisë të hyjnë në luftë kundër okupatorit dhe shërbëtorëve të tij, se vetëm në këtë mënyrë ata do të sigurojnë jetën e tyre dhe të drejtën e vetvendosjes”. Edhe direktiva e KQ të PKSH lidhur me gjendjen pas kapitullimit të Italisë fashiste, më 10 shtator 1943, nënvizonte se “në konformitet me luftën e përbashkët të popujve liridashës, duke u mbështetur në Kartën e Atlantikut, kërkojmë të pranohet politika e vetvendosjes së popujve: çështja e Kosovës do të zgjidhet sipas dëshirës së popujve të Kosovës”.

Në këtë frymë shprehej edhe Rezoluta e Konferencës së Bujanit, 1-2 janar 1944, Konferencë, që sipas Fadil Hoxhës, u ideua dhe u përgatit nga Enver Hoxha dhe ai vetë: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit”, thuhej në atë Rezolutë, “është një krahinë ku shumica e banorëve janë shqiptarë, të cilët sot, ashtu si edhe në të shkuarën, dëshirojnë të bashkohen me Shqipërinë…E vetmja rrugë që duhet të ndjekë populli shqiptar i Kosovës e i Rrafshit të Dukagjinit për t’u bashkuar me Shqipërinë është që bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë t’i bashkohet luftës kundër pushtuesit gjakatar nazist e lakejve të tij të paguar, pasi kjo është mënyra e vetme për të fituar lirinë, në të cilën të gjithë popujt, përfshirë edhe atë shqiptar, do mundin të përcaktojnë fatin e tyre nëpërmjet së drejtës së vetvendosjes deri në shkëputje. Garanci për këtë është Ushtria Nacional Çlirimtare e Jugosllavisë dhe Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë. Përveç tyre, këtë të drejtë e garantojnë aleatët tanë të mëdhenj, BRSS, Britania e Madhe dhe SHBA, Karta e Atlantikut e Konferencat e Moskës e të Teheranit”. Partia Komuniste Shqiptare dhe Fronti Antifashist Nac. Çl. ju përmbajtën me konsekuencë kësaj linje për t’i hapur rrugë zgjidhjes së çështjes kombëtare, posaçërisht asaj të Kosovës, duke punuar për të ndërgjegjësuar shqiptarët jashtë Shqipërisë për t’iu bashkuar në masë luftës çlirimtare, duke bashkëpunuar për këtë qëllim edhe me forcat e majta, të cilat si në Jugosllavi, ashtu edhe në Greqi, drejtonin qëndresën e armatosur kundër pushtuesve nazi-fashistë. Nuk ka dyshim, që këto të fundit, ofronin shumë më tepër shanse për një zgjidhje të çështjes shqiptare, se ç’kishin bërë grupimet e djathta të gjeneralëve Drazha Mihajlloviç e Napoleon Zerva, të cilët, përkundrazi, kishin dhënë prova se ishin armiq të betuar të saj. Në fakt, nën presionin e PKSH, Titua u detyrua të pranojë se Kosova ishte shqiptare dhe pas luftës ajo do të duhej të bashkohej me Shqipërinë. Gjithashtu me insistim të PKSH, në vjeshtën e vitit 1944, udhëheqja e EAM-it grek u angazhua të mbështesë riatdhesimin në Çamëri të popullsisë shqiptare të dëbuar prej andej nga trupat e gjeneralit Napoleon Zerva. Të njëjtën gjë, në emër të Frontit Antifashist Nac. Çl. e në emër të qeverisë së përkohshme, E. Hoxha ua kërkoi në mars 1945 përfaqësuesve të Aleatëve në Tiranë. Me mbështetjen e qeverisë shqiptare, Këshilli Antifashist Çam zhvilloi në Shqipëri e jashtë saj një veprimtari të dendur për të denoncuar politikën e genocidit të zbatuar nga qeveritë shoviniste greke të pasluftës.

Nëse çështja e ribashkimit të Kosovës e të Çamërisë me Shqipërinë u vështirësua nga vetë zhvillimet në Jugosllavi e Greqi, nga konjuktura ndërkombëtare dhe nga fillimi i luftës së ftohtë, Fronti Antifashist tregoi një vendosmëri e koherencë të palëkundur në mbrojtjen e integritetit territorial të shtetit shqiptar. Të mirinformuar për përkrahjen që Churchill i jepte rivendikimeve territoriale të Greqisë mbi Shqipërinë, udhëheqja e Frontit Nac. Çl. tregohej e vëmendshme ndaj lëvizjeve që britanikët kryenin në Jugun e Shqipërisë. Ndonëse bashkëpunuan me ekspeditat britanike të kryera në Himarë e Sarandë gjatë verës së vitit 1944, udhëheqja e Frontit iu kundërvu me vendosmëri dëshirës së britanikëve për të mbajtur për një kohë të gjatë njësitë e tyre në territorin shqiptar, si dhe për ta kthyer Jugun shqiptar në një zonë operacionale në ata muaj të fundit të Luftës. Ekzistonte frika se prania e trupave britanike mund të parathonte kalimin e të ashtuquajturit “Vorio-Epir” në favor të Greqisë. Në fakt, këtë frikë të palës shqiptare e gjenin të justifikuar vetë ushtarakët britanik. Më 10 nëntor 1944, në një raport të Forcës 399, thuhej: “Fronti Nac. Çl. u alarmua nga operacioni britanik i Sarandës, të cilin shqiptarët e morën padyshim si përpjekje për të instaluar një forcë politike që do të vendoste kontrollin britanik në një zonë që është në diskutim. Ky aksion u krye në kushtet kur nga ana jonë nuk janë kundërshtuar pretendimet e vjetra greke për territorin në diskutim dhe padyshim e shtyu udhëheqjen e Frontit që të besonte, se ne në fakt kishim vendosur tashmë të ardhmen e Shqipërisë së Jugut ose “Epirit të Veriut” në favor të Greqisë”.

Shqetësimi i palës shqiptare u forcua kur, pas dy aksioneve britanike, u regjistruan edhe disa tentativa të forcave të Zervës për të kaluar vijën e kufirit. Në këto kushte, më 30 tetor 1944, Komanda e Ushtrisë Nac. Çl. urdhëronte brigadat e XII e XIX Sulmuese të dislokoheshin në vijën e kufirit tokësor e detar me Greqinë, prej fshatit Peshkëpi të Gjirokastrës e deri në Gjirin e Vlorës me detyrë ruajtjen e kufirit. Rrezikun e një konflagracioni të ri, kësaj radhe me Greqinë, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj minoritetit shqiptar çam dhe për shkak të provokacioneve të forcave nacionaliste të gjeneralit Zerva, Enver Hoxha e paralajmëroi në fjalimin e mbajtur në 28 Nëntor 1944 me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe të mbërritjes së qeverisë demokratike në Tiranë, duke shprehur njëherësh edhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të mos t’i toleruar akte të tilla. “Bandat shoviniste dhe reaksionare të Zervës”, deklaroi ai me atë rast, “po martirizojnë minoritetin shqiptar, u grabitin atyre pasurinë dhe i nxjerrin jashtë truallit të tyre. Elementë të Zervës tinëz kalojnë kufirin tonë dhe na vrasin e gjakosin partizanët tanë. Akte të tilla ne nuk do t’i tolerojmë. Kryeministri grek Papandreu ka shfaqur pretendime aneksimi mbi krahinat tona të Gjirokastrës dhe të Korçës, mbi Vorio-Epirin si i pëlqen ta quajë ai. Pretendime të tilla natyrisht nuk lehtësojnë marrëdhëniet e mira me fqinjët e Jugut. Kufijtë tanë janë të padiskutueshëm, sepse brenda tyre s’ka përveçse toka tona, toka që na i kanë lenë stërgjyshërit dhe që i kemi vaditur me gjakun tonë. Askush nuk do të guxojë të na i prekë, sepse ne do të dijmë t’i mbrojmë”.