Akademik Prof.Dr.Skendër Kodra,Ph.D
“Nga thellësia e shpirtit tim ju uroj Ditën e Pavarësisë dhe ju falënderoj secilin nga ju për sakrificat që keni bërë për lirinë e vendit tonë.
Data e 17 shkurtit 2008 do të mbetet përjetësisht në historinë e Kosovës, si kurorë e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi, demokraci dhe dinjitet njerëzor. Shpallja e Pavarësisë ishte akt historik, por të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë çlirimtar, i mbuluar me lavdi, me gjak e sakrifica të panumërta, i ka paraprirë një luftë titanike për jetë a vdekje, që simbolizohet me emrin emblemë të komandantit legjendar, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari,tribunëve tjerë të lirisë Akademik Prof.Dr.Ibrahim Rugova,Magjistër Ukshin Hoti, Sali Çeku,Zahir Pajaziti,Rrustem Bruqi,Shkelzën Haradinajt e mija dëshmorë tjerë.
Sot Kosova përulet me pietet para kujtimit dhe veprave të pashlyeshme të brezave të tërë që u shkrinë për atdheun e tyre, për lirinë dhe përparimin e tij.
Shpreh bindjen më të thellë, se kjo ditë e shenjtë për Kosovën dhe kosovarët shënon fillimin e ri për një të ardhme të ndritur për vendin tonë, me besimin e plotë se energjitë tona janë të orientuara drejt ndërtimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro -Amerikane
Akademik Prof.Dr.Skendër Kodra,Ph.D
New York, 16 shkurt 2017.





