Libër i një moshe me autorin
Që në fillim të kësaj parathënieje të shkurtër, dua të theksoj se nuk marr përsipër ta vlerësoj si specialist historie librin “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, me autor Rasim Bebon. Mendoj se kjo detyrë është kryer nga redaktorët e gazetave dhe të shtypit periodik, ku janë botuar më parë materialet.

Nëpër faqet e librit kupton se historia e Ballkanit është shpesh sa e padrejtë aq dhe e dhimbshme, por gjithësesi këto padrejtësi i janë bërë më shumë se kujtdo tjetër Atdheut tonë, Shqipërisë, dhe popullit të kësaj treve të banuar nga pellazgët prej të cilëve rrodhën më pas ilirët apo shqiptarët e sotëm. I njëjti gjak në epoka të ndryshme.
Dyndjet barbare lindore, që më vonë u bënë banorë të përhershëm dhe fqinjët tanë në trojet ilire, shpërthyen vandalizmin dhe përpjekjet me egërsi shtazarake për asimilim e racës dhe gjakut tonë. I lodhur nga luftërat e vazhdueshme, populli ynë u detyrua të bëhet pre i sundimeve të gjata perandorake, fillimisht i Romës dhe më vonë i Turqisë. Ashpërsia e turqëve ka qenë e pashembullt për kohën e saj. Atdheu u gjymtua, ndërsa populli përjetoi thundrën e egër aziatike si asnjë popull tjetër ballkanas.
Megjithatë jo më pak të egra dhe të pabesa kanë qenë edhe goditjet që na kanë dhënë fqinjët, gjithmonë pas shpine. Fqinjët sllavo-serbo-grekë. Kanë dashur të na shkatërrojnë me fund. Dhe shkatërrimet deri në themel të një kombi të çojnë në asimilim. Këtë kanë synuar e synojnë armiqtë tanë gjatë gjithë kohërave. Pikërisht këtë sprovë të jashtëzakonshme e përballoi me stoicizëm raca jonë, gjaku ynë.
Pse janë përpjekur të na shkatërrojnë me kaq urrejtje?! S’ka asnjë shkak kjo urretje, vetëm se nga ky vend, nga ky popull kanë dalë njerëz që kanë bërë epokë. Pra, urrejtjen e vandalëve ndaj nesh e ka shtyrë xhelozia. Një xhelozi e çuditshme, e pashpresë ndaj vitalitetit të shqiptarëve.
Gjuhës shqipe, si gjuha më e vjetër e Ballkanit, gjuhët armike ia prenë të gjitha shtigjet për të mos jetuar. Qëllimi i vetëm ishte zhdukja e saj dhe e popullit që e flet. Duke kryer akte të tilla barbare, duke u vjedhur më parë kulturën dhe historinë, për brezat në vazhdim bëhet i pa mundur kuptimi i historisë së etnisë së vet në thellësi të së kaluarës. Kjo i ka detyruar studjuesit tanë që për pasqyrimin e së kaluarës historike të botës shqiptare, t’u referohen studiuesve të huaj ose, më saktë, arshivave perëndimore dhe aziatike. Kështu vepron edhe autori i këtij libri, Rasim Bebua.
Rrjedha historike shqiptare kaloi nëpër prapaskenat më të rrezikshme edhe në fillimet e shekullit të kaluar, kur po formoheshin e kristalizoheshin shtetet ballkanike, sikur të mos mjaftonte dhuna nëpër muzgjet e shekujve të të Mesjetës dhe Antikitetit. Europa, që i shpëtoi vërshimit, shkatërrimit dhe rrënimit turkoman prej luftërave e qëndresës së Skënderbeut, ia shpërbleu Shqipërisë atë ndihmesë, duke i prerë trupin në pesë pjesë, duke ua dhuruar trojet e saj fqinjëve shovinistë. Diplomatët europianë, sa miopë aq dhe të shitur për interesa të errta, në Konferencën Famëkeqe të Londrës, më 1913, kryen aktin më të rëndë e më të shëmtuar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke ligjëruar copëtimin që lakmonin dhe e lakmojnë fqinjët tanë të pabesë.
Qeveria e Ahmet Zogut për herë të parë mbas gjithë atyre rrënimeve dhe shkatërrimeve që pësoi nëpër shekuj Shqipëria, bëri një sërë përpjekjesh për të ndërtuar shtetin ligjor shqiptar dhe për të vendosur një raport të drejtë me qeveritë fqinje dhe me ato europiane, megjithëse ende kishin synime pushtuese ndaj trojeve dhe popullit shqiptar. Ajo arriti t’i frenonte lakmitë e tyre dhe e meriton të përgëzohet për ato mundësi që kishte dhe për përpjekjet që bëri për ndërtimin e strukturave të shtetit shqiptar. E lavdëruar qoftë!…
E kundërta ndodhi me regjimin komunist që u instalua në Tiranë, më 1944. U cilësuan armiq dhe morën plumbin të gjithë atdhetarët e vërtetë, ata zëra që guxuan e përmendën Kosovën a Çamërinë, që ishin mbështetës të zjarrtë të çështjes kombëtare. Regjimi komunist ishte një katastrofë më shumë, një dyndje e re barbare, që e shndërroi në një diktaturë mizore shtetin demokratik shqiptar, të cilin mezi e ngritën atdhetarët prej rrënojave të dikurshme perandorake… Mallkuar qoftë në jetë të jetëve ish regjimi komunist!…
Në këtë periudhë që po jetojmë ka ardhur koha që të zgjidhen padrejtësitë që thuri Europa kundër Shqipërisë. Mendo, janë derdhur lumenj gjaku dhe problemi ynë kombëtar ende s’ka marrë zgjidhje. Përsëri presim nga Europa dhe diplomacitë perëndimore që të zgjidhin problemin tonë, problem që çdo ditë bëhet më i mprehtë nga rrethanat dhe zhvillimet e ngjarjeve në botë…
Libri “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, i autorit Rasim Bebo, u bën jehonë pikërisht këtyre problemeve që kanë shqetësuar e vazhdojnë të shqetësojnë trevat shqiptare. Është një libër i ndërtuar me materiale të botuara më parë në shtypin shqiptar dhe të diasporës dhe trajton problemin e etnisë shqiptare. Autori i librit për të gjitha materialet ruan autorësinë dhe për materialet origjinale ruan referencat.
Pjesën më të madhe të materialeve të librit, profesor Rasim Bebo i ka përpunuar në mënyrë krijuese, aq sa i ka bërë më të prekshme për lexuesin. Duke qenë çam, nga Konispoli, ai ka patur rastin dhe fatin të takojë muhaxhirë çamë, që i shpëtuan thikës dhe plumbit grek, dëshmitarë okularë të masakrës më çnjerëzore që pësoi krahu jugor shqiptar…
Libri ka skena sa të bukura nga lashtësia, aq dhe rrënqethëse të kohëve moderne në Ballkanin e përgjakur e të gjymtuar nga dyndjet barbare, në Ballkanin e copëtuar në dëm të Shqipërisë.
Historia e shqiptarëve dhe e grekëve ka qenë sa tragjike aq dhe e fshehtë për Europën. Urretja shovene greke e ngritur në politikë, qeveri dhe institucione të tjera, e bekuar dhe nga kisha ortodokse, sot më tepër se kurrë ndërton rrugë dhe forma të reja për të shprehur dhe realizuar synimet e saj aneksioniste. Të ulur në mes të Tiranës, zotër të një pjese të ekonomisë sonë, pjesëtarë në pushtetin politik, përfaqësuesit e lobit famëkeq grek vazhdojnë të sundojnë shqiptarët në dy drejtime: shfrytëzimi i rezervave të brendshme të ekonomisë shqiptare për interesat e Athinës dhe keqtrajtimi i më se gjatëqindmijë emigrantëve shqiptarë aktivë në Greqi, duke i konsideruar si qytetarë të dorës së dytë, provë tjetër kjo sesi e përdor si armë politika shovene greke urrejtjen ndaj shqiptarëve.
Lojrat e qeverisë greke mbi gjendjen e luftës me Shqipërinë, politika e Vorio-Epirit apo deklaratat se rruga e Shqipërisë për në Europë kalon nëpër Athinë, janë vazhdimi i melodramës më të rrezikshme që po luajnë aktorët grekë në skenën shqiptare. Duke gjetur një truall të mbarë, të përgatitur nga grupe të caktuara me influenca djallëzore, politika greke përmjerr hundëve të pushtetarëve shqiptarë.
Megjithatë kanë kaluar kohët që dinakëria greke u rrëshqiste fqinjëve nën rrogoz, pasi u kishte helmuar gjellën në zjarr. Popujt janë zgjuar. Edhe populli shqiptar, i cili për vet natyrën e tij të pamposhtshme, për vet aftësitë që ka zhvilluar për të mbijetuar në përplasjet e panumërta me dyndjet barbare të atyre që s’ia kanë dashur kurrë të mirën, do të ngrihet e do të dijë si të mbrohet nga invazionet moderne të armiqve tradicionalë, pavarësisht nga politikat servile të qeverive dhe diplomacisë shqiptare.
Krimet greke ndaj shqiptarëve janë dokumentuar nga tërë ata që mundën t’i shpëtojnë genocidit. Këto krime janë përshkruar dhe i janë bërë të njohura opinionit botëror edhe nga pena me peshë e autoritet e shumë studiueseve të kësaj çështjeje. Greku po e ndien se çështja çame po rritet dhe po shkon drejt zgjidhjes. Çamëria e përgjakur, e torturuar dhe e harruar po troket dyerve të Europës dhe të diplomacive perëndimore, ndaj çdo ditë që kalon ata bëhen më agresivë e më të rafinuar ndaj shqiptarëve.
Për fat të keq problemi çam ende nuk e ka përkrahjen e shtetit dhe diplomacisë shqiptare, ndaj mbetet të ndiqet një rrugë më e vështirë, por e realizueshme: Rruga e ndërgjegjësimit të politikës Amerikane. Popullit çam gjithmonë i kanë rënë në pjesë humbjet, tradhëtitë dhe pabesitë në të dy krahët. Prandaj djemtë e Çamërisë, tashmë të shkolluar e të kulturuar, me ekonomi disi më të mirë, duhet të mësojnë të lëvizin vetë për të përballuar sfidat e së ardhmes, siç i përballuan edhe djemtë e Kosovës. Pra duhet të organizohen dhe të drejtojnë vetë fatet e Çamërisë. Toka e tyre më e vjetër se ullinjtë, më e vjetër se dhe vetë historia e njerëzimit, ka folur shqip dhe duhet të flasë shqip!
Tirana komuniste qëndron në atë instikam që kanë qendruar paraardhësit e tyre. Prej këtij qendrimi mohues ngrihet nga varri Isa Boletini e Mic Sokoli, brof i tmerruar Adem Jashari, turpërohet dhe ul kokën Ismail Qemali, ndërsa në mërgim pena trime e Agim Shehut s’pushon së thëni të vërtetën me aq patriotizëm dhe dashuri kombëtare sa të tërheq të rreshtohesh përbri tij. Po kështu edhe qendrimi i Shoqërisë “Vatra” është po ai i Konicës dhe i Nolit, paçka se kërkojnë ta turbullojnë ca rrjedha të nëndheshme të fëlliqura. Vatranët janë vazhdues të denjë të plejadës së tyre. Duhet t’i kemi përkrah në çështjen tonë kombëtare…
Mendoj se libri “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, i autorit Rasim Bebo, është kompletuar me materiale që përfshijnë të gjitha etapat historike, kryesisht të shekullit të fundit. Ky studiues e ka thënë tanimë denjësisht fjalën e vet. Megjithatë koha evolon, brezat e rinj do të sjellin prurje të reja, për ta pasuruar dhe pasqyruar edhe më tej dhe në mënyrë më të plotë historinë shqiptare dhe të krahinave të saj, Kosovës e Çamërisë.
Studiuesi Rasim Bebo, me gjak shqiptar, patriot i kudondodhur, pavarësisht nga rrethanat e jetës së tij, me guxim e durim, me ndershmëri e dinjitet, me besë e urtësi, me përpjekje e sinqeritet, me sakrificë e dashuri, del ballëlartë para detyrës, si bir besnik i Çamërisë martire.
Duke lexuar këtë libër kupton se studiuesi Rasim Bebo është i pajisur me një kulturë të përgjithshme e profesionale dhe është njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja që në rini. Mbledhja, përzgjedhja dhe përpunimi i tërë këtij materiali të rrallë e tepër të vlefshëm prej tij, është një punë që meriton të lavdërohet dhe që më tepër do e çmojnë lexuesit.
Çdo libër ka një peshë të caktuar specifike (nëse mund ta quajmë kështu), me të cilën ndikon në periudhën kur ngjizet dhe së cilës i shërben. Edhe libri “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, botim dokumentaro-historik, mozaik me fakte sa të larmishme aq dhe të dhimbshme, sa i vërtetë aq i dashur, plotëson atë boshllëk që ka literatura dokumentare e Krahut Jugor të Atdheut, Çamërisë martire.
Dalan Luzaj