“SHBA: Nga sulmet ajrore janë vrarë së paku 80 militantët ë IS-it” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- SHBA: Nga sulmet ajrore janë vrarë së paku 80 militantët ë IS-it
- AI: Rusia të mos e dekriminalizoj dhunën në familje
- Trump: E përdori rrjetin Twitter pasi nuk u besoj mediave
- Pentagoni: Sulmet ajrore i kanë shkatërruar dy kampe të IS-it
- Pezullohen 21 OJQ "të rrezikshme"
- Shtatë të dënuar për vepra të terrorizmit
- Si pasojë e ortekut, humb jetën një person në Brezovicë
- Prokuroria Speciale “mollë sherri” për qeverinë e re
- Rusia thotë se nuk ka ndërhyrë kurrë në vendet e huaja
- Bisedimet për Sirinë do të fokusohen në armëpushim
- Rrëzimi i ndërtesës në Teheran: Raporte kundërthënëse për viktimat
- Një mësuese në Shqipëri arrestohet për “propagandë pro-IS”
- Prishtina dhe Beogradi ndajnë miliona euro për serbët e Kosovës
- "Kosova është Serbi" nga Pozhega në Kralevë
- Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e ambasadorit rus
- BE kritikon ashpër Afganistanin për sulmet ndaj gazetarëve
- Shembet ndërtesa në Tehran
- Deputetët pyesin qeverinë: Pse nuk u rrënua muri në Mitrovicë, siç u ndal treni?
- Tenisti uzbek, i 117-të në listë, mposht Gjokoviqin
- Dhjetëra të zhdukur nga orteku i borës në Itali
| SHBA: Nga sulmet ajrore janë vrarë së paku 80 militantët ë IS-it Posted: 19 Jan 2017 09:13 AM PST Pentagoni thotë se më se 80 luftëtarë të grupit militant, Shteti Islamik (IS), janë vrarë nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara në dy kampe terroriste në Libi. Sekretari i mbrojtes, Ashton Carter, tha sot se shumica prej këtyre militantëve në mënyrë aktive po planifikonin sulme terroriste. "Ata sigurisht se janë njerëz që në mënyrë shumë aktive bënin komplot për operacione në Evropë dhe mund të kenë qenë, po ashtu, të lidhur me disa sulme që tashmë kanë ndodhur në Evropë", tha sekretari Carter, duke shtuar se të dhënat ishin të bazuara në raportet e para. Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, tha se në shënjestër të sulmeve të ndërmarra gjatë natës, ishin militantët e Shtetit Islamik, që ishin larguar nga baza e tyre Sirte në vitin 2016, kur ky qytet ishte çliruar nga forcat e Libisë, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Peter Cook tha se militantët kishin ngritur kampe në shkretëtirë, afro 45 kilometra në jugperëndim të Sirtes, me qëllim që të organizoheshin atje dhe se ata "paraqisnin krcënim të sigurisë për Libinë, rajonin dhe interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| AI: Rusia të mos e dekriminalizoj dhunën në familje Posted: 19 Jan 2017 08:55 AM PST Organizata Amensty International (AI) ka kërkuar që Rusia më mos e miratoj legjilacionin me të cilin dekriminalizohen disa forma të sulmit në familje, duke e cilësuar si "përpjekje e neveritshme për trivializim të dhunës në familje", që do ta shkatërronte mbrojtjen edhe ashtu të dobët kundër abuzimit. "Pretendimet se me këtë në një mënyrë do të mbrohen familjet ose ruhet tradita, janë absurde", thuhet në deklaratën e sotme të organizatës, Amnesty Intertnational, me seli në Londër. Ky legjislacion do ta ulë sulmin brenda "njësisë tradicionale familjare" nga vepra penale në keqbërje, me ç'rast largohet dallimi që ka ekzistuar prej se disa raste të sulmeve rrugore ishin dekriminalizuar juridikisht në vitin 2016. AI tha se nëse ligjvënësit rusë "me të vërtetë janë të shqetësuar për mbrojtjen e familjeve, ata duhet t'i ndalin planet e këtilla dhe të hartojnë pako gjithpërfshirëse të masave...për shqyrtimin e shkallës së gjërë të dhunës në familje në Rusi". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump: E përdori rrjetin Twitter pasi nuk u besoj mediave Posted: 19 Jan 2017 08:27 AM PST Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili nesër inaugurohet në Shtëpinë e Bardhë, thotë se do të vazhdoj të postoj në rrjetin Twitter për të bërë shpallje zyrtare dhe komente personale, pasi ai nuk u beson organizatave të lajmeve për transmetim të mesazhit të tij. "Shikoni, mua nuk më pëlqen të postoj në Twitter, sepse kam gjëra të tjera për të bërë", i tha mbrëmë Trump rrjetit Fox News, dhe ka shtuar se "kam përvojë me media shumë të pandershme, me shtyp shumë të pandershëm, prandaj kjo është mënyra e vetme për mua që të kundërveproj". Donald Trump i ka më tepër se 20 milionë mbështetës në Twitter. Duke u shprehur për akreditimet e gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i zgjedhur theksoi se "ka shumë njerëz që dëshirojnë të jenë brenda, prandaj ne duhet t'i zgjedhim njerëzit", të cilët do të lejohen të marrin pjesë në konferencat për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë në të ardhmen. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pentagoni: Sulmet ajrore i kanë shkatërruar dy kampe të IS-it Posted: 19 Jan 2017 08:01 AM PST Pentagoni thotë se nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara janë shkatërruar dy kampe terroriste në Libi, që operohen nga grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS). Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, tha sot se në shënjestër të sulmeve të ndërmarra gjatë natës ishin militantët e Shtetit Islamik, që ishin larguar nga baza e tyre Sirte në vitin 2016, kur ky qytet ishte çliruar nga forcat e Libisë, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Peter Cook tha se militantët kishin ngritur kampe në shkretëtirë, afro 45 kilometra në jugperëndim të Sirtes, me qëllim që të organizoheshin atje dhe se ata "paraqisnin krcënim të sigurisë për Libinë, rajonin dhe interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara". Sulmet ajrore ishin autorizuar nga presidenti, Barack Obama, dhe ishin kryer në koordinim "me Qeverinë e marrëveshjes kombëtare të Libisë". Zëdhënësi Cook theksoi se vlerësimet e para të Pentagonit janë se sulmet ishin të suksesshme, por më tepër vlerësime të detajizuara do të bëhen publike gjatë ditës. Agjencia AFP e ka cituar jë zyrtar të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara që ka thënë se një duzinë e luftëtarëve të IS-it mendohet se janë vrarë nga bombarduesit e tipit B-2 dhe aeroplanët pa ekuipazh. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pezullohen 21 OJQ "të rrezikshme" Posted: 19 Jan 2017 07:26 AM PST Të paktën 21 organizatave jo qeveritare iu është pezulluar veprimtaria brenda vitit 2016, me vendim të autoriteteve të rendit në Kosovë për shkak të, siç thuhet, aktiviteteve të jashtëligjshme. Një liste prej 13 organizatash që u pezulluan në vitin 2015, i është shtuar edhe numri prej 8 organizatave të tjera, një vit më vonë (2016), duke rritur numrin e OJQ-ve të përfshira në veprimtari të paligjshme. Vendimi për pezullimin e aktiviteteve të këtyre organizatave, i marrë nga Ministria e Administratës Publike në Kosovë, është ripërsëritur vit pas viti që prej vitit 2014 me dyshimin "se kanë rënë ndesh me rendin Kushtetues të Kosovës dhe kanë cenuar sigurinë e përgjithshme". Zyrtarët e Ministrisë së Administratës Publike thanë për Radion Evropa e Lirë, se pezullimi i veprimtarive të OJQ-ve të caktuara, u "bazua në kërkesën e organeve kompetente dhe ai është ripërsëritur". Bajram Kosumi drejtor i Departamentit për Organizatat Joqeveritare në Ministrinë e Administratës Publike, tha se "janë gjithsej 21 organizata joqeveritare ndaj të cilave departamenti për OJQ ka marrë vendim për pezullim të veprimtarisë së tyre gjatë vitit të kaluar".. "Organizatat për të cilat është marrë vendimi që t'u pezullohet puna janë kryesisht ndërkombëtare", tha Kosumi. Sipas listës së Ministrisë së Administratës Publike, organizatat joqeveritare të cilave u është hequr e drejta për të punuar në Kosovë, kanë shtrirë veprimtarinë në gjithë territorin e vendit. Një pjesë e tyre kanë punuar në jug të Kosovës në qytetin e Prizrenit dhe një numër syresh të regjistruara në Prishtinë kanë shtrirë, thonë zyrtarë qeveritarë, aktivitetin në pjesën qendrore të vendit. Veprimtaria e paligjshme në fushën mikrofinanciare, ndërkaq, i kushtoi me mbyllje, pak kohë më parë, njërës organizatë joqeveritare, thanë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës. Një zyrtar i BQK-së, Besnik Kada, i tha Radios Evropa e Lirë se "në vitin 2014 kanë hasur në një institucion të dyshimtë mikrofinanciar, të cilit i është ndaluar veprimtaria". "Në këtë drejtim, theksohet rasti i vendimit të BQK-së i datës 25 shtator 2014, ndaj IMF Kosova Aid and Development të cilit i pezullohen të gjitha aktivitetet e lejuara me regjistrimin e datës 2 dhjetor 2015 të lëshuar nga BQK-ja me arsyetimin se: "Me datë 17 shtator 2014 Ministria e Administratës Publike, Departamenti për Organizata Jo-Qeveritare ka nxjerrë vendim përmes të cilit ka pezulluar veprimtarinë e Organizatës Joqeveritare "Kosova Aid and Development" pas kërkesës që i është bërë nga organet kompetente të sigurisë", ka thënë Kada në një përgjigje përmes postës elektronike. Ndërkohë, vendimi për pezullimin e punës së 21 OJQ-ve ndërkombëtare në Kosovë gjatë vitit 2016 u mor, siç i thanë Radios Evropa e Lirë mekanizmat e sigurisë në Kosovë, për faktin "e përkrahjes dhe shtytjes së ideve ekstremiste, mos arsyetimit të shpenzimeve të donatorëve si dhe mos raportimit në Ministrinë e Administratës Publike të aktiviteteve vjetore". Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, njëkohësisht koordinator nacional kundër terrorizmit, tha se mekanizmat e sigurisë në Kosovë po i përcjellin me kujdes aktivitetet dhe "organizimet e ndryshme që vlerësohen si të dyshimta dhe të kundërligjshme" dhe nënvizoi se përveç OJQ-ve këtu përfshihen edhe "individë të caktuar" "Është fjala për individë të cilët mund të kenë kaluar në OJQ-të e tjera, pas pezullimit të OJQ-ve në të cilat kanë vepruar e të cilat janë pezulluar nga MAP, për shkak të aktiviteteve të cilat bien ndesh me ligjin", tha zëvendësministri i brendshëm, Hoxha. Vazhdimin e veprimtarive të 'paligjshme të individëve', të cilëve u janë mbyllur OJQ-të me vendim të autoriteteve pak kohë më parë, e kanë pohuar edhe predikues të fesë. Imami i një xhamie në qytetin e Podujevës, Idriz Bilalli, i tha Radios Evropa e Lirë se 'individë të caktuar po vazhdojnë punën e tyre pavarësisht pezullimit' dhe, siç tha, "për këtë është në dijeni edhe vetë Bashkësia Islame". "Më e keqja është se një numër i madh i këtyre aktivistëve të cilët kanë themeluar dhe kanë udhëhequr këto OJQ, edhe vendore edhe të huaja, ndërkombëtare, janë punëtorë të BIK-ut dhe punëtorë të tjerë. Ata janë të njëjtit njerëz. Unë mendoj se BIK-u, gjegjësisht kryesia, duhet të merret me këta njerëz, të cilët thjesht me ato veprimtari të tyre kanë rënë ndesh me ligjin. BIK-u duhet të marrë masat e duhura sepse nëse eventualisht atyre iu është mbyllur zyrtarisht një zyrë ata veprojnë punojnë në forma të tjera sepse e kanë hapësirën dhe mundësin sepse janë të instaluar brenda BIK-ut qoftë në xhami qoftë në institucionet e tjera që janë nën menaxhimin e BIK-ut", tha Bilalli. Ndërkohë, Bashkësia Islame e Kosovës nuk e përjashtoi pohimin se "persona që kanë punuar në organizata të ndryshme joqeveritare e që janë mbyllur, janë ose mund të kenë qenë pjesë të tij". "Kemi pasur edhe raste kur imamët tanë kanë punuar me shoqata të ndryshme, të cilat kanë vepruar këtu deri tash në mënyrë legale. Por, pas ndalimit me ligj unë besoj se pushon veprimtaria dhe puna e tyre dhe këto gjëra do t'i rregullojmë të gjithë edhe ne si institucion", tha Ahmet Sadriu zëdhënës i BIK-ut, në një përgjgije për Radion Evropa e Lirë. Një numër organizatash joqeveritare, nga vende të ndryshme të botës, e kanë ndihmuar Kosovën në procesin e rimëkëmbjes së saj dhe në fazën e emergjencës, disa vite pas përfundimit të luftës. Autoritetet ndërkombëtare dhe më pas edhe autoritetet e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë më 2008, kanë ndaluar një numër syresh që të veprojnë në Kosovë, për shkak të siç thuhet, 'veprimtarisë së paligjshme dhe rënies ndesh me ligjin'. Zyrtarët në Kosovë thonë se një numër i OJQ-ve, patën shtrirë ndikimin e tyre dhe kanë "ndihmuar" në, siç thuhet, "rekrutimin e të rinjëve nga Kosova për në zonat e luftës në Lindjen e Mesme". (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shtatë të dënuar për vepra të terrorizmit Posted: 19 Jan 2017 07:03 AM PST Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar të enjten shtatë persona me akuzën për organizim dhe pjesëmarrje në terrorizëm si dhe për rekrutim për terrorizëm me mbi 20 vjet heqje lirie, gjithsej. Dënimet për shtatë të akuzuarit për vepra që ndërlidhen me terrorizëm sillen prej 2 vjet e gjysmë deri në 4 vjet e gjysmë heqje lire, për secilin veç e veç. Ndaj një të akuzuari është refuzuar aktakuza për veprën penale Organizim dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, për shkak se prokurori i shtetit është tërhequr nga aktakuza, thuhet në një kumtesë të Gjykatës Themelore në Prishtinë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Si pasojë e ortekut, humb jetën një person në Brezovicë Posted: 19 Jan 2017 06:58 AM PST Një person ka humbur jetën në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, si pasojë e një orteku i cili e ka nxjerrë atë jashtë pistës së skimit. Lajmin e ka konfirmuar, Milaim Kelmendi, kryetar i Federatës së Skitarëve të Kosovës, i cili tha se në kohën kur ka ndodhur kjo ngjarje, ishin katër persona në pistë, tre prej të cilëve kanë shpëtuar, kurse njëri është rrëmbyer nga orteku. Zëdhënës rajonal i policisë në komunën e Ferizajt, Agim Gashi ka konfirmuar po ashtu për Radion Evropa e Lirë se një person kishte rënë në humnerë si pasojë e ortekut. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Prokuroria Speciale “mollë sherri” për qeverinë e re Posted: 19 Jan 2017 06:17 AM PST Vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale dhe miratimi i disa zgjidhjeve ligjore që garantojnë punën e pa penguar të këtij institucioni, pritet të jenë pikat kryesore të negociatave për formimin e qeverisë së re mes VMRO-së dhe BDI-së, që edhe zyrtarisht kanë nisur të mërkurën me një takim mes liderëve të tyre, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, të mbajtur larg syve të opinionit publik. Dy partitë nuk kanë dhënë asnjë detaj nga ky takim, por jo zyrtarisht mospajtimet janë theksuar për rolin e Prokurorisë Speciale, me ç'rast Gruevski është shprehur edhe njëherë kundër vazhdimit të mandatit të këtij organi, për dallim nga Ahmeti, i cili është angazhuar për punën e pa penguar në hetimin e të gjitha rasteve ku të dyshuar janë zyrtarë të lartë shtetëror. Pozicioni i VMRO-së, u theksua edhe nga zyrtarë të tjerë të kësaj partie pas vendimit të Prokurorisë Speciale për të ndërprerë hetimet për rastin "Puçi", ku të dyshuar për aferën e spiunimit dhe përpjekjes si thuhej të marrjes së pushtetit me forcë ishin disa persona përfshirë edhe liderin opozitar, Zoran Zaev. "Tani më nuk kemi asnjë dilemë se Prokuroria Speciale është degë partiake e Lidhjes Social-Demokrate dhe se nuk ekziston asnjë arsyeje për ekzistencën e saj në sistemin juridik të vendit", ka deklaruar Trajko Veljanovski, kryetar i deritanishëm i Kuvendit të Maqedonisë Ndërkohë, përveç çështjes së Prokurorisë Speciale, dy partitë, siç bëhet e ditur, kanë biseduar edhe për aspekte tjera, që nga BDI-ja janë deklaruar si të pa negociueshme, ajo për ngritjen e statusit të gjuhës shqipes dhe integrimin euroatlantik të vendit. Analistët thotë se përveç për Prokurorinë Speciale, VMRO-ja mund të diskutoj për të gjitha çështjet tjera. "Nuk besoj se do të mundet që VMRO-ja të sjell një vendim që do të nënkuptonte vazhdimin me punë të Prokurorisë Speciale. Ndoshta për gjuhën mund të arrihet marrëveshje, por jo edhe Prokurorinë Speciale e cila nga VMRO-ja është kuptuar si një institucion që shihet si rrezik për të ardhmen e personave kyç të kësaj partie. Prandaj, nëse kemi dy pozicione ekstremisht të kundërta, atëherë logjikisht takimet janë sa për tu legalizuar dhe për të bërë një teatër", thotë Neziri. "Një mundësi tjetër është që të dyja partitë të luajnë një lojë të mëhershme me qëllim që të ngritin çështje të reja ndëretnike, që të rrisin mosdurimin ndëretnik që do tu sillte më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme të cilat do të mbaheshin në maj së bashku me zgjedhjet lokale", thotë Neziri. Ai nuk e përjashton as edhe mundësinë që në rast të dështimit të Gruevskit për formimin e qeverisë së re, presidenti Gjorgje Ivanov të mos i jap mandatin partisë së dytë, në këtë rast LSDM-së për formimin e qeverisë së re për shkak të paqartësive që krijon në këtë rast Kushtetuta aktuale, e cila qartë nuk saktëson se e drejta e nisjes së bisedimeve për formim të shumicës parlamentare i kalon partisë së dytë. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusia thotë se nuk ka ndërhyrë kurrë në vendet e huaja Posted: 19 Jan 2017 06:00 AM PST Rusia u është përgjigjur akuzave që kanë bërë Shtetet e Bashkuara në drejtim të saj. Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, ka reaguar ndaj deklaratave që ka bërë nënpresidenti amerikan, Joe Biden, të mërkurën në Forumin Botëror Ekobomik në Davos. Biden ka thënë se Rusia paraqet kërcënimin më të madh ndaj "rendit liberal ndërkombëtar" dhe ka paralajmëruar "përpjekje të mëtejshme të Rusisë" për të ndërhyrë në zgjedhjet në Perëndim. "Ne nuk pajtohemi me këtë deklaratë. Rusia kurrë nuk ka frikësuar askënd. Rusia ka qenë gjithmonë partner i besueshëm, partner i parashikueshëm", tha Peskov. "Rusia kurrë nuk ka ndëhyrë në vendet e huaja; Rusia kurrë nuk ka ndërmarrë shkatërrimin e plotë të vendeve dhe nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Përkundrazi, ne jemi të angazhuar në luftën kundër terrorizmit për të shpëtuar shumë rajone nga pasoja të mundshme të pakthyeshme", tha Peskov. Inteligjenca amerikane ka konstatuar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, duke pirateruar kompjuterët e Partisë Demokratike, në favor të republikanit Donald Trump. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Bisedimet për Sirinë do të fokusohen në armëpushim Posted: 19 Jan 2017 05:29 AM PST Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, tha se bisedimet për paqe, javën e ardhshme në Kazakistan, do të fokusohen në zbatimin e armëpushimit, me qëllim që agjencive të ndihmës t'iu mundësohet qasja në gjithë vendin. Është e paqartë nëse do të ketë dialog politik "sepse nuk është e qartë se kush do të marrë pjesë", tha Assad për një televizion të Japonisë. Copëza të intervistës janë publikuar të enjten nga zyra e tij. Bisedimet në Astana të Kazakistanit, të sponsorizuara nga Rusia, Irani dhe Turqia, do të nisin më 23 janar. Moska dhe Ankaraja kanë ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim midis forcave besnike të Assadit dhe grupeve rebele në fund të dhjetorit, por dhuna ka vazhduar sidomos përreth Damaskut. Grupet rebele që do të marrin pjesë në negociata, kanë thënë se do të diskutojnë vetëm për armëpushimin e brishtë dhe qasjen e ndihmave humanitare. Lexoni edhe këtë: Grupi i fuqishëm rebel bojkoton bisedimet për paqe në Siri This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rrëzimi i ndërtesës në Teheran: Raporte kundërthënëse për viktimat Posted: 19 Jan 2017 05:20 AM PST Një ndërtesë shumëkatëshe është rrëzuar në qendër të Teheranit, pasi është përfshirë nga zjarret. Raportet për viktimat janë kundërthënëse. Agjencia Associated Press ka cituar TV Press të Iranit të ketë thënë se 30 zjarrfikës janë vrarë. Një zëdhënës i brigadës së zjarrfikësve ka thënë se raportet e tilla janë të papërgjegjshme, pasi përpjekjet për shpëtim janë në vazhdim e sipër. Televizioni shtetëror raportoi se "së paku 38 njerëz janë plagosur dhe janë shtruar në spital, porse shumica prej tyre janë liruar". Sipas disa njoftimeve, ndërtesa 17-katëshe Plasco është evakuuar para se të shembej. Zjarrfikësit kanë luftuar me zjarre për disa orë përpara se të rrëzohej ndërtesa. Plasco daton nga fillimi i viteve 1960 dhe ka qenë një nga ndërtesat e para të larta në Teheran. Ajo ka përfshirë edhe një qendër tregtare. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Një mësuese në Shqipëri arrestohet për “propagandë pro-IS” Posted: 19 Jan 2017 04:46 AM PST Policia e Shqipërisë tha se ka arrestuar një mësuese, e cila dyshohet se ka bërë deklarata mbështetëse për grupin militant Shtetit Islamik (IS), raporton agjencia AP. Sipas burimit të njëjtë, mësuesja, emri i së cilës nuk është bërë publik, po merret në pyetje në zyrat kundër terrorizmit në Tiranë. Po sipas AP-së, stacioni privat televiziv TVKlan ka transmetuar mbrëmjen e kaluar pamje të mësueses, duke u thënë nxënësve në një shkollë myslimane në Shkodër se IS-i "ka njerëz të mirë, porse shteti do që t'i luftojë ata". Ajo e ka përshkruar IS-in si "organizatë myslimane që mbron popullsinë myslimane të Sirisë, apo atë të Palestinës, apo atë të Egjiptit". Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i cili mbikëqyr shkollën në Shkodër, ka reaguar menjëherë, duke thënë se "ajo çfarë ka thënë mësuesja, nuk përfaqëson linjën zyrtare të medresesë", transmeton AP. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Prishtina dhe Beogradi ndajnë miliona euro për serbët e Kosovës Posted: 19 Jan 2017 04:32 AM PST Qeveria e Kosovës, sipas të dhënave zyrtare, për tri vitet e fundit në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovica e veriut, ka investuar miliona euro. Nga viti 2014 deri në vitin 2016, investimet nga Qeveria e Kosovës në këto katër komuna janë mbi 15 milionë euro. Derisa, në vitin 2015 janë ndarë edhe 15 milionë euro shtesë për këto katër komuna të banuara me shumicë serbe. Investimet e Qeverisë së Kosovës, kryesisht janë bërë në ndërtimin e rrugëve, ndriçimin publik, renovimin e objekteve publike, në arsim, shëndetësi dhe fushat tjera. Të dhënat për investimet e Qeverisë së Kosovës për katër komunat e banuara me shumicë serbe i ka bërë të ditura për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj. Ai thekson se është punuar dhe investuar në integrimin e serbëve të Kosovës, por që ende mbetet punë për tu bërë, pasi që në komunat veriore ende ka struktura paralele. "Për herë të parë, në vitin 2013, janë organizuar zgjedhjet lokale në katër komunat veriore, të cilat deri atëherë nuk kanë qenë të integruara në sistemin tonë. Pra, ato komuna tani janë të integruara, por ende ka punë për tu bërë. Ne besojmë se është bërë punë e madhe, ne kemi në kontroll doganat e Kosovës, Policia e Kosovës është prezente në veriun e Kosovës dhe ata janë në zinxhirin komandues të Republikës së Kosovës", thotë Geacaj. Ndërkohë, investime në këto katër komuna të banuara me shumicë serbe janë bërë edhe nga Qeveria e Serbisë. Sipas disa dokumenteve të publikuara, përfshirë edhe ato në media, thuhet se në dy vitet e fundit në këto katër komuna, Serbia ka investuar mbi 200 milionë euro, derisa për vitin 2017 ka planifikuar të investojë mbi 100 milionë euro. Investimin më të madh, sipas deklaratave zyrtare, Serbia e ka bërë në përmirësimin e përgjithshëm të jetesës së serbëve në këto komuna dhe në procesin arsimor. Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur investime të shumta që janë bërë në katër komunat veriore, si nga institucionet e Kosovës ashtu edhe nga Qeveria e Serbisë. Megjithatë, ai thekson se në raste të caktuara ato investime edhe janë keqpërdoruar nga individë të caktuar dhe më së paku përfitime kanë pasur banorët e pjesën veriore të Kosovës. "Nëse e marrim vetëm periudhën prej vitit 1999 ose dhe 2000 e deri në shpalljen e pavarësisë, kur Kosova kishte institucionet e saj të përkohshme dhe njëkohësisht kishte edhe investime nga bashkësia ndërkombëtare, pjesa veriore e Kosovës kishte me siguri më shumë se 50 për qind të investimeve nga institucionet e Kosovës se sa kishte investime të përgjithshme në pjesën tjetër të Kosovës", ka theksuar Nojkiq. "Kishte mjete të mëdha të investuara dhe atëherë përfaqësuesit e serbëve në institucionet e atëhershme i morën ato mjete dhe ato jo gjithmonë janë shpenzuar si duhet", ka thënë Nojkiq. Këto mjete në raste të caktuara, shton Nojkiq janë keqpërdoruar. Siç thotë ai, ka "patur raste kur për të njëjtin projekt është investuar nga dy burime: njëri nga institucionet e Kosovës, në fakt nga bashkësia ndërkombëtare përmes institucioneve të Kosovës dhe burimi i dytë ishin institucionet e Serbisë". "Kjo është periudha që zgjati deri më 2015/2016, kur tani zyrtarët nga Beogradi provojnë që ato institucione që janë në veri të Kosovës t'i fusin nën ingerencat e tyre. Por edhe më tutje, institucionet nga Prishtina, kur bëhet fjalë për institucionet e vetëqeverisjes lokale, por edhe pjesërisht arsimi dhe shëndetësia, i financojnë", thekson Nojkiq. Ndërkohë, institucionet e Kosovës që nga viti 2013, në bazë të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë – Beograd ndajnë edhe një përqindje të të hyrave nga dy pikat doganore në veri, për Fondin Zhvillimor për Mirëbesim për komunat në veri. Ky fond ka për qëllim zhvillimin ekonomik dhe social dhe integrimi i serbëve të pjesës veriore në ekonomi, shoqëri dhe në përgjithësi përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve në atë pjesë. Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se deri më tash në këtë fond janë grumbulluar mbi 11 milionë euro. "Ato fonde që mblidhen në pikat doganore shkojnë në këtë fond dhe këto mjete pavarësisht a shpenzohen, mbesin si fonde të mirëbesimit dhe me Ligjin për buxhet përcaktohet një shumë që mund të shpenzohet. Në këtë vit, sipas Ligjit për buxhet nga këto 11 milionë euro mund të shpenzohen 4 milionë euro, por që në rast se i shpenzojnë mund të rritet kjo shumë në kohën kur bëhen rishikimi i buxhetit", ka sqaruar Krasniqi. Pjesa veriore e Kosovës, që nga pas lufta ka funksionuar mbi bazën e një sistemi paralel të organizuar nga Beogradi. Në kuadër të dialogut të Brukselit, Prishtina dhe Beogradi patën arritur marrëveshje për integrimin e kësaj pjese në kuadër të sistemit ligjor-kushtetues të Kosovës, ku investimet përbënin një element të rëndësishëm, krahas zgjedhjeve të lira, ndonëse ky proces integrues mbetet ende në vijim e sipër. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| "Kosova është Serbi" nga Pozhega në Kralevë Posted: 19 Jan 2017 04:16 AM PST Nga mëngjesi, më 19 janar, treni i cili para katër ditësh ishte nisur nga Beogradi për në Mitrovicë në Kosovë dhe i cili u kthye më pas në një skandal rajonal i cili ende nuk është qetësuar, ka filluar që rregullisht të qarkullojë në relacionet mes Kralevës dhe Pozhegës dhe siç është njoftuar, për dhjetë ditë do të vihet në qarkullim edhe në relacionet tjera në Serbi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e ambasadorit rus Posted: 19 Jan 2017 04:10 AM PST Autoritetet turke kanë arrestuar dy të dyshuar, përfshirë një zyrtar policor, në lidhje me vrasjen e ambasadorit rus, Andrei Karlov. Një gjykatë në Ankara urdhëroi sot arrestimin e policit Sercan Baser dhe të një shitësi të identifikuar si Enes Asim Silin. Dy të dyshuar të tjerë janë urdhëruar të mos lënë qytetin derisa hetimet vazhdojnë. Karlov është qëlluar për vdekje më 19 dhjetor në një galeri artesh në Ankara nga Mevlut Altintas, polic që në kohën e sulmit ka qenë jashtë detyrës. Altintas ka brohoritur "Mos e harroni Alepon" dhe fjalë të tjera që dukej se i referoheshin përfshirjes së Rusisë në luftën civile në Siri. Rusia dhe Turqia kanë mbështetur palë të kundërta në këtë luftë, por tani janë duke mbështetur bashkërisht bisedimet për paqe. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| BE kritikon ashpër Afganistanin për sulmet ndaj gazetarëve Posted: 19 Jan 2017 03:33 AM PST Bashkimi Evropian u bëri thirrje të gjitha palëve në konfliktin në Afganistan që "të bëjnë çmos" për të mbrojtur gazetarët. Thirrja vjen pasi një mbikëqyrës i mediave tha se 2016-ta ka qenë "viti më i përgjakshëm në histori" i këtij vendi për gazetarët dhe mediat. "Liria e mediave është kyçe për secilën demokraci. Media kritike mban qeverinë dhe administratën të përgjegjshme, siguron tarnsaprencë në shoqëri dhe u jep afganëve të rëndomtë një zë", tha përfaqësuesi special i BE-së për Afganistanin, Franz-Michael Mellbin. Të mërkurën, Komiteti për Sigurinë e Gazetarëve Afganë lëshoi një raport, ku thuhet se së paku 13 gazetarë janë vrarë në vitin 2016 dhe se talibanët qëndrojnë prapa së paku dhjetë vdekjeve. I njëjti mekanizëm tha po ashtu se "qeveria dhe forcat qeveritare janë përgjegjëse për shumicën e incidenteve që përfshijnë rrahje të gazetarëve". "Është alarmuese se si qeveria vazhdon të jetë përgjegjëse për kaq shumë raste", tha Mellbin. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Posted: 19 Jan 2017 03:32 AM PST Një ndërtesë e lartë është shembur në Tehran, pasi e morri flaka. Të paktën 38 persona të lënduar janë dërguar në spital. Zjarrëfikësit tentuan ta ndalin zjarrin, deri sa ndërtesa filloi të shembej. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Deputetët pyesin qeverinë: Pse nuk u rrënua muri në Mitrovicë, siç u ndal treni? Posted: 19 Jan 2017 03:22 AM PST Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës dhe implikimet e Serbisë në atë pjesë, kanë nxitur reagime e debate të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, gjatë seancës së rregullt plenare. Fillimisht kanë reaguar deputetët nga tabori opozitar, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ngjashëm me masat që u ndërmorrën për të mos e lejuar trenin me mbishkrime nacionaliste serbe të hynte nga Serbia në territorin e Kosovës, të veprohej edhe për rrënimin e murit të ndërtuar në pjesën veriore, i cili po shihet si një objekt ndarës. Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se gjendja në veri të Kosovës, ku mbizotërojnë strukturat paralele serbe të mbështetura nga Serbia, po tregon se është pasojë e mosveprimit të lidershipit dhe institucioneve qendrore të Kosovës. "Treni tregoi se mungesa e sundimit të ligjit dhe rendit në veri nuk paska qenë mungesë e gatishmërisë, e guximit apo e profesionalizimit të institucioneve tona të sigurisë e as nuk paska qenë pengesë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare". "Por, mungesa e jonë atje dhe prania e plotë e Serbisë në veri, po del se paska qenë më së shumti mungesë e vullnetit dhe e strategjisë nga ana e udhëheqësve të Kosovës", ka deklaruar Konjufca. Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, kërkoi që Qeveria e Kosovës të veprojë urgjentisht edhe për rrënimin e murit në Mitrovicë, i ndërtuar nga pushteti lokal i komunës së Mitrovicës veriore, që sipas bindjeve në Prishtinë, u ndërmorr pas kërkesave të Beogradit. Si i tillë, ky mur po shihet si objekt që ndanë qytetin e Mitrovicës dhe pengon lirinë e lëvizjes. "Siç vepruar, ta zëmë, me trenin, pse nuk po veproni njëjtë edhe me murin? – po që se dëshironi të jepni mesazhin se Kosova ka zot shtëpie gjë që deri më tani nuk e keni bërë", ka thënë Lekaj. Po ashtu, ai ka kërkuar që qeveria të ndërpres këtë formë të dialogut më Serbinë përderisa Beogradi të mos i shfuqizojë fletë-arrestet ndërkombëtare ndaj figurave të luftës dhe politikës nga Kosova dhe përderisa ky vend të mos e pushojë politikën e provokimeve, siç ishte rasti me trenin. Rritja e sfidave nga fusha e sigurisë dhe mbrojtjes, u adresua më pas nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi. Ai kërkoi që të procedohet në Kuvend sa më shpejt amandamentimi i Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë kompetenca shtesë. "Kosova duhet të sigurojë se ka kapacitete të nevojshme për të adresuar sfidat aktuale dhe përballet me kërcënimet në të ardhmen. Kosova duhet të ketë aftësi për të mbrojtur integritetin territorial të saj si dhe të zotojë mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve të saj dhe vlerat e përcaktuara kushtetuese", ka thënë Ibishi. Adresimi i çështjeve të sigurisë në Kosovë është aktualizuar dukshëm pas disa veprimeve që Serbia i ka ndërmarrë në katër komunat veriore, ku ka një përqendrim të popullatës shumicë serbe. Ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se me këto veprime, Serbia po provon të zbatojë skenarin e aneksimit të Krimesë, sipas modelit që kishte përdorë Rusia ndaj Ukrainës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Tenisti uzbek, i 117-të në listë, mposht Gjokoviqin Posted: 19 Jan 2017 02:18 AM PST Tenisti serb, Novak Gjokoviq, 12 herë fitues i grand slameve, është eliminuar në raundin e dytë të turneut Australian Open. Tenisti uzbek, Denis Istomin, e ka mundur atë në pesë sete, në arenën Rod Laver në Mellburn. Gjokoviq, tenisti numër 1 në botë, e ka fituar gjashtë herë turneun Australian Open, gjatë karrierës së tij. Ai e pranoi se nuk është i kënaqur me performancën e sotme. Tenisti uzbek, Istomin, 30 vjeç, radhitet i 117-ti në botë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Dhjetëra të zhdukur nga orteku i borës në Itali Posted: 19 Jan 2017 01:57 AM PST Autoritetet në Itali thanë se rreth 30 njerëz janë zhdukur, pasi një ortek bore ka goditur një hotel. Agjencia e lajmeve ANSA citoi një punëtor shpëtimi të ketë thënë se ka viktima, por nuk dha më shumë detaje. Media italiane citoi kreun e Departamentit të Mbrojtjes Civile të Italisë, Fabrizio Curcio, të ketë thënë se rreth 30 mysafirë dhe punëtorë në hotelin Rigopiano në Farindola, rajoni i Abruzos, janë zhdukur. Përpjekjet për shpëtim janë vështirësuar nga dendësia e borës që arrin në pesë metra. Nuk është e qartë nëse disa tërmete që kanë goditur zonën më 18 janar, kanë shkaktuar ortekun. Pjesa qendrore e Italisë është goditur nga disa tërmete në muajt e fundit. Një tërmet në muajin gusht ka lënë të vdekur afro 300 njerëz. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





