RTSH: “Rrugët kombëtare përplasin ARRSH-në me Emergjencat” plus 9 more

RTSH: “Rrugët kombëtare përplasin ARRSH-në me Emergjencat” plus 9 more


Rrugët kombëtare përplasin ARRSH-në me Emergjencat

Posted: 09 Jan 2017 07:31 AM PST

Ndërsa Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi pretendon se disa prej kompanive të mirëmbajtjes së rrugëve, të kontraktuara nga ARRSH nuk i janë përgjigjur situatës emergjente në veri të vendit, Drejtori i mirëmbajtjes së rrugëve në ARRSH, pretendon të kundërtën,duke i kujtuar Prençit se rrugët e bllokuara nuk janë në juridiksionin e drejtorisë së rrugëve.

"Për të hapur segmentet më të vështira të shqipërisë pasi kompanitë nuk kanë qënë prezente. Në këto kushte ne kemi dhënë një apel që a ndiejnë përgjegjësi këto kompani të cilat kanë detyrime kontraktore të përmbushin detyrimet dhe përsa me sipër unë i kam bërë thirrje policisë dhe prokurorisë të hetojnë kryesisht këtë fenomën që ndodh me abuzimet e fondeve të shtetit" tha Shemsi Prenci, Drejtor përgjithshëm i emergjencave Civile.

Ndërsa Spartak Tarka, drejtori i mirëmbajtjes së rrugëve, ARRSH tha se "kontraktorët janë përgjigjur situatës dhe janë në zbatim të kontratave që ata që ata kanë lidhur dhe kushteve të kontratës. Në fazën e parë të rënies së dëborës ka gjithmonë vështirësi në kalueshmërinë në rrugë por ajo fazë kaloi dhe në atë shkresë që na ka dërguar edhe drejtoria e emergjencave janë përfshirë katër akse, një pjesë e mirë e ketyre akseve nuk janë nën administrimin e autoritetit rrugor shqiptar por janë nën administrimin e bashkive përkatëse".

Tarka thotë për RTSH-në, se deri më tani nuk rezulton që asnjë nga kompanitë e mirëmbajtjes së kontratës me ARRSH-në të mos ketë respektuar pikat e kontratës, edhe pse që prej muajit mars 2016 nuk janë paguar me një vlerë prej 1 miliard lekë.Tarka fton që ndjekjet administrative dhe penale të bëhet edhe për kompanitë e kontraktuara nga pushteti lokal, rrugët e së cilave janë të bllokuara.

" Rrugët janë të hapura në të gjitha këto akse që administrohen nga ana jonë por rrugët që ndodhen në veri dhe juglindje të vendit tonë një pjesë e mirë e tyre janë të kalueshme por me zinxhirë" tha Tarka.

"Përtej kapaciteteve që ka një kompani mund të marrin me qera edhe mjete të tjera nga kompani të tjera që nuk kanë detyrim të mirmbajnë rrugët sepse në kushtet e një emergjence ekstreme normalisht shteti mund ti përgjigjet edhe me fonde shtesë për të përballuar ditë të tilla" tha Prenci.

Por si Prençi dhe Tarka konfirmojnë se të gjitha asket e rrugëve kombëtare janë të kalueshme,edhe pse në shumë raste me zinxhirë.

Mbyllja e shkollave, MA: Orët do të zëvëndësohen

Posted: 09 Jan 2017 07:15 AM PST

Ministria e Arsimit njoftoi se ka marrë të gjitha masat për zëvëndësimin e orëve të mësimit të humbura për shkak të mbylljes së shkollave nga moti i keq dhe epidemia e gripit. Drejtoresha e Arsimit Parauniversitar Zamira Gjini, tha se sipas programit të punës të hartuar nga Ministria e Arsimit, parashikohet që për shkollat 9 vjeçare zëvëndësimi të bëhet me orë shtesë nga dita e hënë deri në të premten, ndërsa për shkollat e mesme zëvëndësimi i orëve do të kryehet edhe të shtunave.

Valentina Leskaj me çështjen e Haradinajt

Posted: 09 Jan 2017 07:02 AM PST

Nënkryetarja e Kuvendit Zj. Valentina Leskaj i është drejtuar me një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të KIE z. Pedro Agramundt lidhur me çështjen e ndalimit të kreut të Kryetarit të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj ku ndër të tjera shprehet se ndalimi i tij bazuar në një urdhër të vjetër arresti të Serbisë, është i paligjshëm dhe absurd, duke përbërë shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut. Kryetari i AAK-së bazuar në vendimet e të dy Dhomave të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, është liruar nga çdo akuzë e përpara vitit 2004. Prishtina dhe Beogradi, thekson ajo, janë angazhuar në një proces të vështirë dialogu, nën vëzhgimin e BE-së dhe një veprim i tillë nga një vend anëtar i BE-së dhe KiE-s dëmton këtë proces shumë të rëndësishëm për të dy vendet dhe për rajonin. Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë zj. Laskaj ka theksuar se mirëpret një reagim dhe qëndrim të KiE-s si dhe kontributin e saj për lirimin e menjëhershëm të z. Haradinaj dhe sensibilizimin e të gjitha vendeve anëtare për mos përsëritjen e precedentëve të tillë në të ardhmen.

Gruevski, 20 ditë afat për qeverinë e re

Posted: 09 Jan 2017 06:54 AM PST

Një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, presidenti i vendit Gjorge Ivanov i dorëzoi mandatin për krijimin e qeverisë së re Nikolla Gruevskit, kryetar i partisë politike VMRO-DPMNE, e cila ishte partia e parë fituese në zgjedhje. E hëna e sotme ishte dhe afati i fundit ligjor për këtë hap të zotit Ivanov.
Zoti Gruevski pritet të nisi bisedimet me partitë partnere për të bashkëqeverisur. Për të arritur synimin e tij ai ka kohë deri më 29 janar. Por në zgjedhjet e 11 dhjetorit, VMRO-DPMNE ka fituar 51 deputetë, dhe sipas ligjit për të formuar qeverinë duhen 61 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë. Në të kaluarën partnere e tij ka qenë partia e shqiptarëve BDI, e cila aktualisht ka 10 deputetë, numri i nevojshëm për të krijuar qeverinë. Por një marrëveshje e arritur mes partive shqiptare së fundi, duket se e bën të pamunduar që ato të futen në koalicion me partinë e zotit Gruevski. Dy ditë më parë, BDI, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët publikuan platformën e përbashkët për negociatat në krijimin e qeverisë. Kjo platformë ka kushte mjaftë të forta për partinë që do të ketë kryeministrin. Sipas ligjit, nëse zoti Gruevski nuk formon dot qeverinë, mandatin për krijimin e qeverisë e e merr partia e dytë në zgjedhje, që është LSDM  e Zoran Zaev e cila ka fituar 49 deputetë. Të gjitha partitë shqiptare kanë 20 deputetë shifër kjo e lakmueshme për çdo kryeministër.

Nis shpërndarja nga ajri e pakove ushqimore në fshatrat e Kukësit

Posted: 09 Jan 2017 06:41 AM PST

40 pakot e para me ndihma ushqimore do të shpërndahen nga ajri me helikopterët e ushtrisë në fshatarët të zonës së Kukësit. Drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, në një intervistë për RTSH-së, konfirmoi shpërndarjen për 40 familjet në Arren të Kukësit dhe më pas shtabet e emergjencave do të vlerësojnë çdo thirrje për ndihmë.

"Ndihmat do të shpërndahen me linja ajrore me mbështetjen e ministrisë së mbrojtjes me helikopterët e ushtrisë kryesisht në rajonin e Arrnit që është zona më e izoluar në rajonin e Kukësit dhe në zona të tjera ku do të konfirmojnë prefektët ku me të vërtetë kanë nevojë për ndihma emergjente banorët e izoluar" tha Shemsi Prençi, kreu i emergjencave Civile.

Prenci duke folur për banorët në situatë emergjence për ndihma, fton drejtuesit vendorë të tregojnë seriozitet me kërkesat që paraqesin. Ai e cilësoi si qesharake kërkesën e bashkisë së Kukësit për 500 pako me ndihma për familjet në qytete. "Nuk mund të konsiderohet zonë e izoluar qyteti i Kukësit ku gjithë rrugët janë të hapura dhe kërkohet 500 pako për 500 familje" tha Prençi.

E njëjta kërkesë vjen edhe nga bashkia e Poliçanit.Prençi shtoi se "Kemi patur një kërkesë absurde që bashkia e Poliçanit kërkon për 1000 familje ndihma që sështë serioze".

Pakot me ndihma ushqimore për banorët e izoluar në zonat veriore të vendit, përmbajnë pako ushqimore me 25 kg ushqime, por edhe veshje, batanije mjete të tjera për mbijetesë në kushtet kur temperaturat kanë shkuar deri në -24 gradë celcius. Prençi sqaron se rast pas rasti do të vlerësohet çdo thirrje për ndihmë apo për ushqime, veçanërisht për banorët e izoluar nga moti i acartë.

Gjiknuri; Shpërblim për punonjësit e OSSHE

Posted: 09 Jan 2017 06:23 AM PST

Situata e veshtirë e krijuar nga moti i ditëve të fundit është menaxhuar më së miri nga ana e OST dhe OSHEE-së. Për administratorin të falenderuar të gjithë punonjësit e angazhuar në riparimin e defekteve jo pak herë të vështira e në temperatura ekstremisht të ulëta, ishin sot në Kukës, Ministri i Energjitikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE­-së, Ardian Çela. Gjiknuri u shpreh: "OSHE ka parashikuar një shpërblim ekstra, të cilin, punonjësit e institucionit, realisht e meritojnë."Veç faktorit njerëzor, për administratorin Çela, përballimi i kësaj situate është dhe rezultat i reformave dhe investimeve në sektorin energjitik. Adrian Çela ndërkohë shprehet kështu: "Ky është tregues edhe një herë që investimet që kompania ka bërë gjatë këtyre dy viteve janë më të mirat e mundshme." Vetëm për vitin 2017-të OSHEE ka parashikuar afro 100 milionë dollarë investime.

PD: Rama mbron dhe inkurajon krimin

Posted: 09 Jan 2017 06:21 AM PST

Partia Demokratike më e madhja e opozitës së djathtë në Shqipëri, përmes drejtuesit te Departamentit te Rendit dhe Sigurisë Enkelejd Alibeaj, ish ministër i drejtësisë në qeverinë Berisha, akuzoi sërish të hënën qeverinë e kryeministrit socialist Edi Rama se po mbron dhe inkurajon krimin e në vend. “Me Edi Ramën, krimi ka mbrojtjen dhe mbështetjen qeveritare. Prej 9 muajsh ka një urdhër arrest ndërkombëtar për Klement Balilin që nuk është zbatuar ende. Klement Balili është ende i lirë dhe i pa shqetësuar nga policia. Shteti i Edi Ramës godet të pambrojturit si Estrefin 22-vjeçar, që vrau veten nga depresioni në burg pasi ishte arrestuar për 1 cigare hashash të dyshuar. Eskobari i Ballkanit nuk arrestohet sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës dhe leviz i lirë” tha zoti Alibeaj.
Ai ka përmendur edhe vrasjen aksidentale të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, pranë Tiranës, ku sipas opozitës autor është një zyrtar lokal i PS. “Edhe ai i pashqetësuar, madje merr pjesë në inaugurimet qeveritare sepse ka mbrojtjen politike të Edi Ramës” tha zoti Alibeaj. “Me Edi Ramën, krimi ka garancinë për t'i shpëtuar ligjit, për t'i ikur policisë. Me Edi Ramën, shteti është inkriminuar duke u kthyer në shërbyes të trafikantëve të drogës. Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është një ditë e keqe për ne dhe të ardhmen tonë. Le ta ndalim së bashku këtë të keqe. Le ta vëmë qeverinë në shërbim të njerëzve” bëri thirrje zyrtari lartë i PD ish ministri i drejtësisë Enkelejd Alibeaj.

Flekenstein: BE të çeli negociatat me Shqipërinë

Posted: 09 Jan 2017 06:18 AM PST

Një dite para mbylljes së amendimeve të mundshme të raportit vjetor të parlamentit europian për Shqipërinë, hartuesi i këtij raporti Knut Flekenstein i ka bërë thirrje BE-së të nxisë zgjerimin përmes një strategjie pjesë e së cilës duhet të bëhet dhe Ballkani Perëndimor. Në një shkrim për portalin New Europe, eurodeputeti gjerman e sheh Shqipërinë si shembull i një vendi kandidat, ku BE-ja ka pranuar të japë përkrahje të konsiderueshme për sjelljen e një reforme të plotë gjyqësore. Marrja shembull e Shqipërisë për shkak të reformes së saj në drejtësi që po kryen ende pa u çelur bisedimet për anëtarësim, është paralajmëruar si model për rajonin nga ministri i jashtëm gjerman Steinmeier gjatë vizites së tij në Tiranë në qershorin e kaluar. Duke e kuptuar këtë si një fjali jo më të rastësishme, duket se dhe ky stad reformash, ku ende po këmbëngulet të filloje zbatimi i asaj në drejtësi, do të kërkohet si standart i detyrueshëm nga BE për vendet e tjera të Ballkanit. Pikërisht mbi vlerësime të caktuara të këtyre reformave, Flekenstein ka hartuar në mocionin për rezolutë nga Parlamenti europian kërkesën për mbështetje të plotë për anëtarësimin e Shqipërisë dhe çeljen e negociatave sapo të arrihet një progres i besueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi. Në dokumentin me 21 pika paraqiten pak a shumë standartet e konstatuara në progres raport bashkë me vlerësimin për linjëzimin e politikës së vendit me atë të BE-së, ndërkohë që tërheq vëmendjen për rritjen artificiale të numrit të azilkërkuesve, aspekt ku qeveria duhet të ndërhyje.

Nis puna “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”

Posted: 09 Jan 2017 05:24 AM PST

Parlamenti shqiptar nis procedurat për ndërtimin e dy institucioneve të para dhe më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Ato janë Këshilli i lartë Gjyqësor që do të emërojë gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë që do të emërojë prokurorët e republikës.
Parlamenti publikoi të hënën njoftimin zyrtar bazuar në ligjin e ri "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", duke ftuar të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e interesuar të kandidojnë për pozicionin e anëtarit në këto dy institucione.
Sipas ligjit kandidatët kanë kohë deri të hënën e ardhshme të depozitojnë edhe pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar, një kopje të dokumentacionit që kërkohet për rivlerësimin. Ai është një formular që skanon në hollësi pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve aftësitë e tyre profesionale dhe vetëdeklarimin për lidhje të supozuara me botën e krimit.
Sipas paketës së Reformës në Drejtësi, KLGJ dhe KLP do të ngrihen brenda 8 muajsh. Kuvendi do të ketë në këtë proces, një rol të ndërlikuar teknik përzgjedhjeje, që garanton emërimin e më të mirëve.
Gjatë kësaj jave pritet edhe zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Fletoren Zyrtare, për "Vettingun", për t’i dhënë fuqi zbatuese ligjit të Rivlerësimit Kalimtar të njerëzve aktualë të drejtësisë.

Përkujtohet tragjedia e 9 Janarit 2004 në Vlorë

Posted: 09 Jan 2017 05:20 AM PST

Vitet kalojnë, por edhe sot pas 13 vitesh nga tragjedia e 9 Janarit në Vlorë, ku gjeten vdekjen 28 persona, familjarët e tyre ende i kanë të freskëta plagët. Në përkujtim të kësaj date, ata hodhën lule në det dhe ndezën qirinj për të dashurit e tyre të munguar. Ata apelojnë që të ndëshkohen përgjegjësit e vertetë të tragjedisë dhe shpresojnë që Reforma në Drejtësi të ndryshojë kursin që deri më sot është ndjekur për ndëshkimin e përgjegjësve të tragjedisë. Ngjarja e rëndë ndodhi në 9 janar të vitit 2004, ku 20 persona u gjeten të mbytur pasi udhëtonin me një gomone të nisur nga Porti i Vlorës, ndërsa 8 të tjerë edhe sot rezultojnë të zhdukur. Udhëtimi i shpresës për një jetë më të mirë, u mori jetën këtyre personave të moshës nga 15 deri në 33 vjeç të gjithë nga Shkodra. Ata kishin paguar 1500 euro për udhëtimin që përfundoi me mbytjen e tyre në ujrat e Jonit.

Related Posts: