“Ramush Haradinaj është vetë LIRIA ”


Fotografia e Agim Dubova

Sot është mbajtur marsh protestues për lirimin e Ramush Haradinaj, ku pavarësisht temperaturave, mijëra qytetarë kanë dal në këtë marsh paqësor.


“Ramush Haradinaj është Kosova”, ishte motoja e marshit, përmes së cilës marshuesit kërkuan lirimin e liderit të AAK-së, që po mbahet në paraburgim në Francë.

Qytetarët, janë mbledhur përballë Pallatit të Rinisë në Prishtinë, dhe kanë marshuar qetë e dinjitetshëm deri të Ambasada e Francës në Prishtinë dhe anasjelltas.

Image

Pas këtij marshi, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka publikuar foto në llogarinë e saj në Facebook dhe përmes postimit thotë se Ramushi është Kosova.

“Qytetarë t? nderuar edhe pse në mot të v?shtir? ju përkrahët marshin paq?sor për lirimin e Ramush Haradinaj. Ramushi ashtë Kosova!”, ka shkruar ajo në Facebook.


Fotografia e Time Kadrijaj

Ndërsa, kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi, ka shkruar në Facebook se me deklaratën e shefit të prokurorisë serbe se "Haradinajn do ta luftojmë sa të jetë gjallë”, Serbia ka deklaruar se për ta Ramushi simbolizon Kosovën dhe shtetin e saj.

Fotografia e Time Kadrijaj

“Deklarata e shefit të prokurorisë serbe se "Haradinajn do ta luftojmë sa të jetë gjallë" është shumë domethënëse. Me këtë Serbia faktikisht deklaroj se për ta Ramushi simbolizon Kosovën dhe shtetin e saj. Çdo Shqipëtar e din se sa të jetoj Kosova, Serbia është armike e saj dhe gjithmonë e tillë do të mbetet. Por Kosova dhe Shqipëtarët do të jetojnë përgjithmonë”, ka shkruar Arifi.
Fotografia e Time Kadrijaj
Ndryshe, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është arrestuar të mërkurën në Francë, për shkak të një fletë arrestimim nga Serbia në vitin 2004.

******


Ndalimi i  përkohshëm i  Ramush Haradinajt në Francë ftoh marrëdhëniet e  Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë


Fletë-arrestet e Serbisë përmes INTERPOL-it, që çuan në ndalimin e disa figurave politike të Kosovës, së fundit edhe të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Bazel, kanë përkeqësuar edhe më shumë marrëdhëniet, edhe ashtu jo të mira, të Prishtinës me Beogradin.

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar masa reciprociteti në fusha të ndryshme në raport me Serbinë, pasi që ky vend në vazhdimësi, po vlerësohet se po provokon destabilizimin e Kosovës përmes veprimeve të ndryshme.


Duke u nisur nga rasti i fundit, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur shqetësimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e Haradinaj në Bazel, dhe procedurave që po zhvillohen atje, sipas fletë-arrestit dhe kërkesave shtesë të Serbisë.

Para kabinetit qeveritar, Mustafa ka deklaruar se Haradinaj është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një fletë-arresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi.

“Më lejoni që të ritheksoj qëndrimin e pa dilemë të Qeverisë së Republikës së Kosovës kundër këtyre fletë-arresteve të Serbisë, të cilat janë akte plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të provokuar tensione, konflikte dhe për të dëmtuar proceset evropiane në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Mustafa.

Ndalimi i Haradinajt mbi bazën e fletë-arrestit serb, sipas kryeministrit Mustafa, është i papranueshëm dhe ka rikujtuar se Haradinaj, tashmë e ka dëshmuar pafajësinë e tij dy herë në proceset gjyqësore në Tribunalin e Hagës.

“Aktet e ndalimit të Haradinajt, por dhe personaliteteve të tjera në Kosovë, i konsiderojmë se janë akte të palejueshme, duke pas parasysh edhe faktin se Haradinaj e ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare në dy raste pafajësinë e tij. Po ashtu, ai është përballur edhe me ndalesa të tjera të përkohshme të cilat e kanë konfirmuar se fletë-arrestet serbe nuk kanë asnjë bazë”, ka theksuar Mustafa.

Që nga ndalimi i Haradinajt nga policia franceze, Qeveria e Kosovës është përballur me presionet e shtuara të opozitës dhe shoqërisë civile për ndërprerjen e dialogut me Serbinë dhe vendosjen e masave të reciprocitetit në fushat ku Kosova ka mundësi ta bëj një gjë të tillë.

Si kundërpërgjigje e parë ndaj fletë-arresteve serbe, ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos i lejuar vizitën në Kosovë, presidentit serb, Tomosllav Nikoliq. Ai po planifikonte që të qëndronte në Kosovë për Krishtlindjet Ortodokse.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se autoritetet e Kosovës i janë nënshtruar një presioni të madh ndërkombëtar pas këtij vendimi.

“Reagimi ynë i parë ka qenë se si do të duhet të sillet Republika e Kosovës në këtë rast dhe me këtë të tregojmë një kulturë të mos dorëzimit në raport me Serbinë dhe njëri prej vendimeve ishte ai për të parandaluar vizitën e Nikoliqit në Kosovë. Është përtej imagjinatës tuaj presioni ndërkombëtar që ka qenë mbi mua, por vendimi ka qenë sovran”, ka deklaruar Hoxhaj.

Autoritetet në Prishtinë, u kanë drejtuar tashmë edhe letra zyrtarëve dhe vendeve të Bashkimit Evropian, ku, sipas tyre, sqarojnë obstruksionet që Serbia po u bën jo vetëm zbatimit të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit, por edhe ndërhyrje tjera, siç ishte rasti me ndërtimin e murit në Mitrovicën veriore.

Këto sjelle të Beogradit, sipas zyrtarëve në Prishtinë, duhet të marrin kundërpërgjigje adekuate nga Kosova.

Ndërkaq sa i përket dialogut, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk kanë ndryshuar pozicion dhe se bisedimet kanë mbetur ende në fuqi, me kërkesa të shtuara për ndryshimin e formatit, temave dhe përmbajtjes së tij në të ardhmen.



********


Serbia me notë proteste ndaj Shqipërisë për përdhosjen e flamurit para ambasadës


Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë i ka përcjellë një protestë verbale të ngarkuarit me punë në ambasadën e Shqipërisë në Beograd, Xhelal Fejzës, për shkeljen e flamurit shtetëror të Serbisë përpara ambasadës së Francës në Tiranë.

Serbia ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që ta kapin kryesin e veprës, që është identifikuar, dhe ta dënojnë në përputhje me ligjet shqiptare si dhe të njoftohet për masën e ndërmarrë

Fejza ka shprehur keqardhje për incidentin dhe ka thënë se reagimi i Serbisë do t’i përcillet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, raprton REL.

Një shqiptar ka shkelur flamurin e Serbisë përpara ndërtesës së ambasadës së Francës në Tiranë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të Ramush Haradinajt

Ngjarja ndodhi të enjten ndërkohë që në njoftim nuk u saktësua nëse policia kishte intervenuar.

Haradinaj u arrestua të mërkurën në aeroportin e Bazelit, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.