Prof.Dr.Lisen Bashkurti
Këto ditë Ramush Haradinaj u ndalua në territorin e Francës. Ndalimi u bë mbi një urdhërarresti të lëshuar nga prokuroria e Serbisë qysh nga viti 2004. Ky problem ka ndodhur edhe në Slloveni. Gjithashtu ka ndodhur edhe për ndonjë personalitet tjetër të Kosovës.
Përse përsëritet i njëjti precedent prej kohesh? Përse edhe shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës pas 2008-s vijojnë të njohin kërkesat e prokurorisë serbe të vitit 2004? Sa standarde udhëheqin të drejtën penale në Evropë? Çfarë implikimesh kanë Interpoli, Europoli dhe policitë nacionale në zbatimin e urdhërarresteve të Prokurorisë serbe?
Këto pyetje kërkojnë jo vetëm përgjigje, por mbi të gjitha zgjidhje. Zgjidhjet janë tërësisht të mundshme. Por zgjidhjet kërkojnë tre mekanizma:
1. Angazhimin serioz të diplomacisë së Kosovës në nivele dypalëshe dhe shumëpalëshe;
2. Zgjidhjen juridike për shfuqizimin në të gjitha nivelet të vlefshmërisë së akteve juridike të Serbisë mbi Kosovën dhe qytetaret e saj;
3. Futja në agjendën e bisedimeve dypalëshe Kosovë-Serbi të shfuqizimit të veprimeve policore-penale përpara vitit 2008. Ne negociatat dypalëshe të shtrohen dy opsione: shfuqizim nga pala serbe ose vendosje reciprociteti nga pala kosovare.
Këto tri mekanizma lypet të aktivizohen menjëherë me qëllim që të gjendet një zgjidhje juridike e përhershme për shfuqizimin e urdhërarresteve të Prokurorisë serbe mbi territorin juridik sovran të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Ramushi do të lirohet. Problemi do të ngelet i hapur. Kërkohen zgjidhje juridike dhe jo retorik politike.