“Ministri Gjiknuri në Singapor: Pse duhet investuar në Shqipëri” plus 9 more - Gazeta Dita

“Ministri Gjiknuri në Singapor: Pse duhet investuar në Shqipëri” plus 9 more - Gazeta Dita


Ministri Gjiknuri në Singapor: Pse duhet investuar në Shqipëri

Posted: 19 Jan 2017 02:25 AM PST

 

Gjatë vizitës që po zhvillon në Singapor në kuadër të delegacionit të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri mbajti një fjalë rasti para investitorëve në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve Singapor-Shqipëri.

Duke u ndalur tek fusha e energjitikës, Ministri Gjiknuri tha se Shqipëria vazhdon ende të jetë vend importues neto dhe konsumi vjen gjithnjë e në rritje.

"Gjithësesi, ne kemi shumë potenciale për tu shfrytëzuar edhe në shtimin e burimeve të reja hidro. Kemi gjetur format e duhura për të nxitur edhe investimet në këtë fushë. Por, duke qenë se jemi 100% të varur nga burimet hidrike, ne po promovojmë edhe burimet e tjera alternative të energjisë. Kemi miratuar tashmë një plan për të incentivuar investimet për gjenerim energjie nga dielli dhe nga era", theksoi ministri Gjiknuri.

Gjiknuri tha se në pak vite Shqipëria do mund të kthehet në një vend eksportues të energjisë elektrike.

"Për këtë qëllim ne jemi duke investuar në fushën e interkonjeksioneve me vendet fqinje. Kemi funksionale një linjë me Greqinë dhe me Malin e Zi. Kemi përfunduar linjën me Kosovën dhe po fillojmë ndërtimin e linjës 400 kV me Maqedoninë. Pra, çdo energji e prodhuer në Shqipëri mund të tregtohet në rajon por edhe më tej në Evropë", u shpreh ai ndërsa ju referua më tej edhe reformave në kuadër të efiçencës së energjisë.

Sipas tij, Shqipëria ka potenciale edhe në fushën e naftës dhe gazit.

Gjiknuri tha se në fushën kryesore të naftës në vend po ushtron aktivitetin e saj tanimë kompania kineze Jeojade Petroleum ndërsa me rëndësi është prezenca e kompanisë prestigjoze SHELL e cila gjithashtu ka zgjeruar aktivitetin në Shqipëri në kërkimin e naftës.

"Rritja e sasisë së naftës së nxjerrë në vend dhe konkretizimi i projektit të gazsjellësit TAP që ofron dhe mundësinë e përdorimit të gazit, krijojnë kushtet për zhvillimin më të madh të industrive, përfshirë rafinimin", tha ai ndërsa njoftoi se Shqipëria po përfundon masterplanin e gazit që do të jetë një udhërrëfyes për gazifikimin e vendit.

Ministri Gjiknuri u ndal më pas edhe tek fusha e industrisë minerare ndërsa tha se ekzistojnë mundësi investimi pavarësisht rënies së çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare.

Me interes sipas tij është kërkimi i mineralit të nikelit ku vlerësohet se ka rezerva të konsiderueshme.

Franca nuk do të dërgojë delegacion në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump

Posted: 19 Jan 2017 02:19 AM PST

 

Në 20 janar 2017, Republikani do të emërohet zyrtarisht presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara. I pranishëm do të jetë vetëm ambasadori francez në Uashington. Personalitete të shumta kanë refuzuar të marrin pjesë në ceremoninë tradicionale.

Nga korrespondenti i Figaro në Uashington

Asnjë politikan francez nuk do të jetë i pranishëm në tribunën zyrtare të ceremonisë së Inaugurimit  të Donald Trump këtë të premte në Uashington.

Kështu e do tradita e një evenimenti kryesisht kombëtar – duke nxjerrë nga situata, padyshim jo e favorshme, qeverinë socialiste të Francois Hollande, nisur nga qëndrimet e mbajtura më parë gjatë fushatës së Presidentit të zgjedhur.

Ftesat e ceremonisë së betimit janë shpërndarë nga rrethi i presidentit të zgjedhur, nga administrata që po largohet dhe nga të zgjedhurit e Kongresit. Deri në një milion bileta të shpërndara, në pesë ngjyra të ndryshme (jeshile, portokalli, të verdhë, blu dhe argjendi), që i korrespondojnë një pozicioni në Kapitol. Pjesa më e madhe e të ftuarve përbëhet nga militantët republikanë te 50 shtetet.

Ambasadorët e 180 vendeve të përfaqësuara në Uashington janë të ftuar, por jo udhëheqësit e tyre, me përjashtim të dy fqinjëve, Kanadasë dhe Meksikës.

Këtë vit, Kryeministri Justin Trudeau ka njoftuar se do të ishte i angazhuar diku tjetër. Gjithashtu nuk është vërtetuar ende nëse Presidenti Enrique Peña Nieto do të jetë aty për të duartrokitur njeriun që dëshiron ti faturojë një mur 10 miliardë $ në kufirin e vendit të tij.

Ambasadori i Francës, Gérard Araud, i cili personalisht do të jetë i pranishëm, mori një kërkesë në javët e fundit nga një politikan francez ku i kërkonte të jetë edhe ai i pranishëm.  Jo pa vështirësi, ambasadori arriti t'i gjejë një vend pranë një përfaqësuesi amerikan, gruaja e të cilit nuk mund të marrë pjesë në ceremoni, por i interesuar (të cilit ambasadori refuzon t'i japë emerin) së fundi ndryshoi mendje.  Ambasadori Araud, që pati reaguar pas fitores së Trump me anë të një Tëeet, tashmë të fshirë, ku shkruante – «Një botë po shembet  përpara syve tanë» – iu kërkua me ngulm nga komiteti i ceremonisë së Inaugurimit të organizojë një «festë» ne rezidencën e tij, festë e cila do të organizohet sot, më 19 Janar.

A mori ftesë Maréchal-Le Pen, deputete e partisë Fronti Nacional, mbesa e themeluesit të kësaj partie, e cila mburrej për lidhjet e saj me këshilltarin strategjik të Trump, Steve Bannon? Miku i saj, lideri i Partisë së Pavarur Angleze «UK Indipendant Party» Nigel Farage, goxha i afërt me Donald Trump, iu desh të përdorte lidhjet e tij me Qeverinë e Mississippi-t me anë të Guvernatorit Phil Bryant, për të siguruar një vend në tribunë. Disa media thonë me siguri se Jared Kushner, dhëndri i presidentit, po bën cmos që të gjejë një vend për  kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu[1].

Nuk është e pazakontë për personalitetet të huaja të mburren për pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni. Zakonisht bëhet fjalë për një ngjarje private të organizuar rreth ceremonisë – dhe ku sigurisht pjesëmarrësit janë planifikuar  paraprakisht. Milorad Dodik, presidenti i Republikes Serbe të Bosnjes, shfaqi një ftesë në një platformë televizive, duke thënë se ishte lideri i vetëm në Ballkan që ka nderin e pjesëmarrjes në një ceremoni të tillë. Fatkeqësisht bëhej fjalë për një ballo private të orkestruar nga militanet e «Tea Part» (lëvizje amerikane që mbështet idetë konservatore republikane) gjë që nuk i mundësoi të drejtën e një vize diplomatike./Monitor

Çmimet e restoranteve: Shqipëria, e 24-ta më e lira në botë

Posted: 19 Jan 2017 02:13 AM PST

Çmimet e lira dhe ushqimet, që ende vijojnë të ruajnë shijen, mbeten një nga tërheqjet kryesore për turistët në Shqipëri, e evidentuar dhe në mediat e huaja, që së fundmi po shkruajnë shumë për vendin e shqiponjave.

Nomadexpress në një artikull të publikuar në vitin 2016, me titull " 1 javë në Shqipëri" rendit arsyet kryesore përse Shqipëria duhet të jetë një destinacion 'must" për t'u vizituar, ku mes tyre edhe ushqimin e shijshëm dhe me kosto të lirë.

Ja se çfarë shkruan: " Gjithçka është shumë e lirë, Për shembull: Një birrë 50 cl në restorant kushton rreth 1.5 euro; vakti kryesor i shijshëm nga 3-5 euro; akomodimi rreth 15 euro, Transporti është gjithashtu shumë i lirë".

Në një renditje të fundit të Numbeo.com, Shqipëria renditet e 24-a më e lirë në botë në Indeksin e Çmimeve të Restoranteve, me të dhënat e fundit të përditësuara në janar 2017.

Renditja i mat çmimet në vlerë absolute dhe jo në raport me të ardhurat, por gjithsesi, për të tërhequr turistët çmimet e lira të ushqimeve përbëjnë avantazh.

Në Shqipëri, sipas indeksit, mund të konsumosh një dreke normale për 2 persona në një restorant mesatar (me tre pjata), me një çmim prej rreth 17 euro. Pavarësisht se është ndër më të lirat në botë, ka dy shtete në rajon ku ushqimi kushton më lirë, Maqedonia (rreth 14 euro) dhe Bosnja (rreth 16 euro).

Gjithsesi, nga vendet bregdetare në rajon, Shqipëria është më e lira. Në Mal të Zi, një drekë (normale, pa prodhime deti) për dy persona shkon mesatarisht 25 euro, në Kroaci 27 euro, për të mos folur pastaj për Greqinë e Italinë, me përkatësisht 32 euro dhe 53 euro.

Në Shqipëri, ajo që i habit më shumë turistët e huaj janë prodhimet e detit që janë të freskëta dhe me çmime shumë të lira. Durrësi dhe Saranda janë dy qytet që veçohen më shumë nga turistët për të konsumuar prodhimet e detit. 2driftingcoconuts është një nga blogjet e shumta që ka veçuar Shqipërinë si destinacion ushqimin.

Drejtuesit e këtij blogu kanë realizuar një udhëtim tre javor në Shqipëri vetëm për t'u njohur me veçantitë kulinare. Në artikullin e tyre " Hungry Planet", një vendi i veçantë i dedikohet edhe Shqipërisë.

" Të hash në Shqipëri është një aventurë e vërtetë shijesh. Të konstatoje se veçantinë e ushqimit shqiptar ishte më shumë e vështirë nga sa mund të mendohej. Ka ngjashmëri me vendet e tjera të Mesdheut, si Greqia apo Italia. Prodhimet e detit të bollshme dhe të përballueshme ishin një nga surprizat më të këndshme për ne. Çdo ditë për drekë ne porosisnim fruta deti dhe peshk në skare dhe sallata. Dhe së bashku me pijet nuk na kushtonin më shumë se 15 usd për person".

Restorantet më të lira në botë

Shtetet me restorantet më të lira në botë, ku një drekë për dy persona kushton më pak se 10 euro janë Nepali, India, Pakistani dhe Sri Lanka. Të lira janë edhe Indonezia, Malajzia, Bangladeshi.

Në Europë, shteti më i lirë për të ngrënë jashtë është Moldavia, më pas renditet Maqedonia, Bosnja, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria.

Edhe Tajlanda, një vend ekzotik, që po bëhet i preferuar për aventurierët shqiptarë, ka ushqim të lirë, ku një drekë për dy persona shkon rreth 17 euro.

Shtetet, ku një drekë kushton rreth 100 euro

Ishujt Bermuda renditen si shteti më i shtrenjtë në botë, ku për një drekë duhet të matesh mirë, pasi kushton mesatarisht 120 euro. Edhe në Islandë, fatura nuk vjen më pak se 100 euro. Edhe në Zvicër e Norvegji, duhet të shpenzoni gati 100 euro.

Në përgjithësi vendet nordike si Danimarka, Suedia, Finlanda kanë restorante të shtrenjta, por këto vende kanë dhe standarde të larta jetese dhe të ardhura mbi mesataren. Në Luksemburg, shteti me të ardhurat më të larta për frymë në BE./Monitor

indeksi-i-restoranteve

Operacion antiterrorizëm në Turqi, 5 të arrestuar, njëri kamikaz

Posted: 19 Jan 2017 02:05 AM PST

Autoritetet turke kanë arrestuar 5 persona gjatë operacionit antiterrorizëm në rajonin Okmeydanı të Stambollit.

Sipas informacioneve të marra, mësohet se ekipet e Drejtorisë së Antiterrorizmit, forcat e operacioneve speciale dhe të sigurisë publike në orët e mbrëmjes kanë kryer operacion në ndërtesën e quajtur Federacioni Rinor e cila operon nën drejtimin e organizatës terroriste DHKP/C, raporton Anadolu Agency.

Forcat e sigurisë kanë hyrë në ndërtesë duke thyer dyert e çelikta dhe kanë ndaluar 5 persona. Ndërsa njoftohet se ka dyshime se njëri prej personave të dyshuar mund të jetë kamikaz. Nga kontrolli i ushtruar u sekuestruan një sërë materialesh.

Personat e dyshuar të cilët janë ndaluar u dërguan në Spitalin Haseki për kontrollin mjekësor.

Në tri vjet e gjysëm SHQUP-i ka djegur vetëm një maket bunkeri!

Posted: 19 Jan 2017 01:56 AM PST

Dhe në opozitë,
SHQUP-i tregoi vlerë,
në tri vjet e gjysëm,
dogji një bunker!

Jo bunker tamam,
po më shumë një klon,
ky ka qenë-në fakt,
i vetmi aksion!

I vetmi aksion,
me një rezultat,
aksionet e tjera,
kanë qenë gallatë.

Një muaj me radhë,
se ç’na hapën barkun,
që lart tek liqeni,
të bllokonin parkun!

Bënë trimërira,
trimat e kazanit,
dhe ndënë kujdesin,
e Bujo Nishanit!

Te gardhi i parkut,
Bujua vajti vetë,
tok me Strazimirin,
trim me pistoletë!

Protesta madhore,
një muaj s’ndaloi,
po Eri në kohë,
parkun e mbaroi!

Mbas këtij aksioni,
s’kemi aksion tjetër,
protestat e Lulit,
mbetën veç në letër!

Në shkallë sipërore,
e kish fantazinë,
se në këmbë do ngrinte,
gjithë Shqipërinë!

Protestat madhore,
qenë nami i namit,
po mbetën në kokën,
e Arben Ristanit!

Tani që afroi,
dita për votim,
asnjë lloj aksioni,
nuk ka më kuptim!

Ndaj Lulash i gjorë,
ka të drejtë të stepet,
se s’e ka idenë,
SHQUP-i sa mbështetet?!

Lulashi i gjorë,
është në hall vërtet,
se s’e ka idenë,
se kush e mbështet?!

Kuptohet për zgjedhjet,
Lulashi s’është gati,
ndaj do një sebep,
t’i shtyjë malukati!

Një sebep vërtet,
e gjete-or mik,
kur kërkon votimin,
krejt elektronik!

Them-elektroniku,
do jetë mrekulli,
po nëse ka kohë,
as Luli s’e di!

Kërkon të shtyjë zgjedhjet,
Lulashi i ndritur,
se i duhet kohë,
për t’u përgatitur!

Duket-që për zgjedhjet,
SHQUP-i nuk është gati,
ndonjë mrekulli,
s’i premton afati!

Ndaj elektronikun,
kërkon nga I Gjati,
sa të vihen veglat,
Luli bëhet gati!

Gjersa nuk është gati,
nuk ka ndonjë faj,
po zgjedhjet-moj Lule,
nuk shtyhen kollaj!

Po nëse do shtyhen,
për elektronike,
Luli do kërkojë,
Qeveri Teknike!

Qeveri Teknike,
dhe gjëra të tjera,
tash SHQUP-i mendon,
vetëm për hilera!

Hilerat e SHQUP-it,
botërisht dihen,
ndaj me asnjë orë,
zgjedhjet s’mund të shtyhen!

Në një gjendje lufte,
po të jetë Vatani,
zgjedhjet krejt natyrshëm,
mund t’i shtyjë Nishani!

Në normalitet,
askush s’i shtyn dot,
edhe sikur SHQUP-i,
të na bëjë bojkot!

SHQUP-i s’ka ndryshuar,
duket qartësisht,
ai edhe Diellit,
mund t’i ngjiti bisht!

Albin Kurti: Marrëdhënia ime me Ramën dhe pse kemi nostalgji për Enverin

Posted: 19 Jan 2017 01:52 AM PST

Intervistoi Andrea Danglli

Deputeti i lëvizjes "Vetëvendosje" Albin Kurti, tregon në një intervistë për gazetën "TemA" gjykimin e tij për një sërë temash të nxehta si ajo e tensioneve Kosovë-Serbi, bashkimi-kombëtar, vdekja e mistershme e aktivist Astrit Dehari por edhe marrëdhëniet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

I pyetur në lidhje me fajtorët e vdekjes së aktivistit Dehari muaj më parë, deputeti liston një sërë emrash konkretë për të cilët thotë se do të japin llogari shumë shpejt para drejtësisë.

Kurti sjell në vëmendje edhe njëherë tezën e bashkimit kombëtar ku shpreson se mes një referendumi mbarë popullor do të bëhet i mundurbashkimi demokratik dhe paqësor mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai iu përgjigjet edhe akuzave pse Vetëvendosje shpesh konsiderohet si një parti komuniste dhe që mbështetet në islamin radikal.

Kush është Albin Kurti, nga mund të fillojmë?

Mund të fillohet me fëmijërinë, ku prindërit nga klasa e mesme ngadhënjejnë mbi lojën me çunat e lagjes, ose nga studimet dhe protestat ku matematikës dhe politikës iu duhet të bashkohen, ose nga lufta dhe burgu, ku vuajtjes dhe mendimit iu duhet të ndahen, ose nga ky shekulli i ri ku njëherë si protestues zëvendësoj deputetin e pastaj si deputet protestues zëvendësoj popullin që duhet të vetëvendosë. Deputet do të thotë zë-vendës. Me fjalë të tjera, mund të fillojmë kudo sepse betejat më të rëndësishme janë ato që ende nuk kanë ndodhur.

Në bazë të një sondazhi mes të rinjve, jeni shpallur si lideri më i preferuar në Kosovë. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Andrea, bota rritet nën këmbët e të rinjve.Të rinjtë e duan të ndryshmen dhe ndryshimin. Pyetja që e ka degraduar këtë gjë më kërkesën për emër të përveçëm njeriu, ka rezultuar me mua si përgjigje.

A ekziston ndonjë mundësi që ju të mund të jeni sërish lideri  i "Lëvizjes Vetëvendosje"? Nëse do ta kërkojë anëtarësia do të riktheheshit?

Nuk ia vlen ta mendoj. Jemi me fat që e kemi Visarin. Gjithmonë duhet ta shohim se kush, ku e sa i kontribuon të mirës dhe dobisë së përgjithshme në organizatë. Besoj që jam produktiv në punën që bëj nga pozita që kam.

Analistët politikë gjykojnë se Vetëvendosje mund të ishte edhe më e fortë nëse ju do kishit vazhduar të qëndronit në krye të saj. Ju vetë si gjykoni, a do të ishte Vetëvendosje edhe më e fortë me ju në krye të saj?

Jo, Vetëvendosje do të ishte njësoj e fortë, sepse gjithnjë e fortë. Në njërën anë, sigurisht se duhet të rritet numri i aktivistëve që prijnë, që organizojnë dhe që përfaqësojnë. Në anën tjetër, para çdo prijësi e mbi çdo prijës, karakteri i subjektit tonë si Lëvizje dhe orientimi ynë kombëtar e shoqëror e mban të fortë Lëvizjen tonë.

Zgjedhjet po afrohen më shpejt se duket. Çfarë po pritni, pse nuk e krijoni qeverinë (kushtimisht nën hije) alternative dhe përmes saj t'i paraqitni alternativat qeverisëse për të gjitha resorët?

Programi ynë i miratuar qysh në gusht të vitit 2013 quhet pikërisht ashtu: Alternativë Qeverisëse. 20 kapituj janë të përfshirë në tri shtylla: Shteti i së Drejtës, Shteti Zhvillimor dhe Shteti Social. Ka ende kohë për emra të posaçëm për ministrat e ardhshëm. Duam të afirmojmë shumë më tepër çështjet dhe idetë. Sepse duam që popullin ta angazhojmë në kauzë para se t'ia testojmë shijet me personalitete.

Disa forca politike apo analistë mediatikë, e konsiderojnë Vetëvendosjen si parti komuniste, pse e bëjnë këtë? Çfarë lidhje keni me këto rryma?

Mbase nga ndonjë pozicion fashist edhe dukemi ca si komunistë. Nuk kemi faj ne. Lëvizja VETËVENDOSJE! e do shtetin republikan për drejtësi e bashkim. Dhe, socialdemokracinë për barazi e zhvillim.

Si e gjykoni revanshin e populistëve në Evropë? A është Vetëvendosje një parti e tillë?

Jo. Populistët në Evropë janë ekstremi i djathtë që konsiston te nacionalizmi autoritar për liri hegjemonikee i cili shpie në fashizëm. Nacionalizmi ynë është çlirimtar për barazi e që shpie në socialdemokracinë e shtetit të mirëqenies. Pra, liri përmes çlirimit drejt barazisëmidis popujve dhe njerëzve e jo liri për dominim mbi të tjerët. Fundja, pa barazi, s'ka as liri. E thoshte Sami Frashëri:"Jeta e një shteti dhe lumturia e një kombi sigurohet vetëm me bashkim dhe barazi. Zhdukja e barazisë shkakton humbjen e lirisë. Privilegjet janë shokë të tiranisë."

Mendoni se Vetëvendosje është duke u kopjuar si forcë politike nga partitë në Tiranë? Ju keni vërejtur ndonjë ngjashmëri?

Nuk e di. Ndoshta kemi frymëzuar dikë nganjëherë. Mirëpo, mënyrat dhe mjetet e Lëvizjes sonë janë të lidhura me qëllimet dhe synimet tona. Po u shkëputën nga to, dalin imitime efemere që nuk mbijetojnë mirë as të tashmen.

Disa media e akuzojnë Vetëvendosjen si një levizje që po mbështetet tek islami radikal. Sa e vërtetë është?

E thanë ashtu sepse vetëm edhe ajo akuzë u kishte ngelur ende pa e provuar. Natyrisht se nuk është e vërtetë.

Sondazhet e kryera së fundmi tregojnë një nostalgji të madhe për diktatorin shqiptar Enver Hoxha. Ju si mendoni, pse gjithë kjo nostalgji për ish-liderin komunist?

Në diktaturë njerëzit ishin lodhur nga barazia pa liri (që ta kujton burgun) e tash në demokraci janë lodhur nga liria pa barazi (që i ngjan xhunglës). Aq më tepër që kjo liri për një çerek shekulli na doli të jetë shumë më tepër liri e tregut dhe e kapitalit sesa liri e njeriut dhe e qytetarit. Shqiptari e ka kombin historikisht si përkatësi kulturore e shpirtërore, por shqiptari nuk e ka shtetin aktualisht si garantues të drejtësisë dhe sigurisë. Prandaj edhe nostalgjia…

Flitet shumë për korrupsionin në Kosovë dhe ju e keni pasur disa herë në fokus gjatë fjalimeve tuaja në parlament. Si do ta luftoni nëse vini në pushtet?

Para se moszhvillimi të jetë pasojë e korrupsionit, fillimisht është korrupsioni pasojë e moszhvillimit. Dhe, korrupsioni është sistem qeverisjeje e jo kulturë popullsie. Me privatizime të egra të industrisë, pa mbështetje për prodhimin vendës e me iluzione për investimet e jashtme, u pamundësua zhvillimi ekonomik i vendit dhe u zhvillua korrupsioni nga tenderët e kurdisur shumëmilionësh deri te ryshfeti i imët nëpër sportele. Nëse shiten ndërmarrjet publike pse të mos shiten edhe postet publike?! Korrupsioni duhet të luftohet me zhvillim ekonomik të bazuar në prodhimtari dhe me drejtësi të pavarur tëçliruar nga ekzekutivi. Mund të ketë zhvillim pa drejtësi, por s'mund të ketë drejtësi pa zhvillim. Në parim e përgjithësisht, drejtësia gjyqësore pa drejtësinë sociale është ajo qëMichelFoucault e përshkruante si fabrikim të delikuencës. Shteti i së Drejtës pa Shtetin Social mund të jetë shtet por jo edhe i drejtë. Drejtësi duhet patur jo vetëm në salla gjyqi, por edhe në jetë e shoqëri. Drejtësia sociale vjen nga sigurimi shoqëror dhe tatimi progresiv. Në Kosovë nuk i kemi asnjërën.

Po kërkoni të vendoset drejtësi mbi vdekjen e Astrit Deharit, duke thënë se e vrau shteti kriminal. Nëse Vetëvendosje vjen në pushtet, cilët emra do të çonte konkretisht para drejtësisë pasi fjala "shtet" është shumë e gjerë?

Vdekja e Astrit Deharit është humbje e madhe për Kosovën dhe popullin shqiptar. Aktivist i palodhshëm, patriot i pa epur e student i shkëlqyeshëm. Ende nuk e kemi marrë veten, nuk e dimë nëse jemi më shumë të tronditur, të pikëlluar apo të zemëruar. Na e kanë goditur shembullin e brezit të ri të Lëvizjes sonë. Kosova është bërë shtet i kapur ku të rinjtë opozitarë që arrestohen padrejtësisht edhe mund të mos dalin të gjallë prej andej. Duket se ky ishte mesazhi i pushtetit. Por ne nuk ndalemi në kërkimin e drejtësisë për Astritin. Nevojitet një hetim i pavarur e i paanshëm. Familja e Astrit Deharit, shoqëria civile dhe Lëvizja jonë kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe të ministrit të brendshëm, Skënder Hyseni. Dhe, pastaj, edhe të hierarkisë sipas përgjegjësisë: drejtorit të Policisë, Shpend Maxhuni, drejtorit të Njësisë Kundër Terrorizëm, Fatos Makolli, drejtorit të përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, redaktorit në RTK Ridvan Berisha, zëvendësdrejtorit të Njësitit Kundër Terrorizmit, Luan Keka, prokurorit të Prokurorisë  Speciale, Abdyrrahim Islami, gjyqtarit të procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva, Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, prokurorit, Metush Biraj, Komandantit të Policisë Rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi. Të gjithë fajtorët do t'i zbardhte vetëm një hetim i pavarur në të ardhmen.

A mendoni se qeveria e Kosovës, që në krye të bisedimeve në Bruksel me Serbinë duhet ta kishte zgjidhur çështjen e urdhër-arresteve? Ku qëndron përgjegjësia e klasës politike për arrestimin e Haradinajt?

Me Serbinë në Bruksel Qeveria e Kosovës ka negociuar pa asnjë kusht për Serbinë dhe gjithnjë për çështjet e brendshme të Kosovës. Prandaj, Kosova në ato bisedime ishte shumë më tepër temëe bisedimeve sesa palë në bisedime. Serbia e ka të kaluarën kriminale në Kosovë kurse të tashmen armiqësore ndaj Kosovës. Duke biseduar pa kushte për Serbinëështë biseduar sipas kushteve të Serbisë: të mos diskutohet për të kaluarën thua se jemi të barabartë aty, dhe, të diskutohet vetëm për çështjet e brendshme të Kosovës thua se nuk e kemi shpallur shtetin e pavarur. Me premisa të gabuara nuk mund të arrish konkluzione të drejta.

Cila është sot pozita e Kosovës në agjendat ndërkombëtare?

Kosova e pavarur vazhdon të jetë protektorat ndërkombëtar. Shpallja e pavarësisë na ka zhvendosur nga administrimi ndërkombëtar i UNMIK-ut te protektorati ndërkombëtar i EULEX-it me KFOR-in dhe ambasadat e Quintit (SHBA, Gjermani, Britani, Francë, Itali) si konstantë. Prandaj, agjendat ndërkombëtare për Kosovën nuk janë thjesht ndërkombëtare por edhe vendëse. Brukseli dëshiron të tregohet si lojtar global në menaxhimin e krizave përmes dialogut Kosovë-Serbi duke i dhënë Serbisë gjëra të Kosovës për ta mbajtur Serbinë sa më larg Rusisë. Kjo situatë nuk është më e qëndrueshme. Rusia refuzon të mbahet larg Ballkanit, Serbia e do Rusinë tradicionalisht e aktualisht kurse populli i Kosovës nuk duron më që qeveria e Kosovës t'i bëjëkoncesione Serbisë. Në aspektin ekonomik, investimet e huaja në Kosovë janë veçse në asfalt autostradash super të shtrenjta e në banka që na rjepin porsi fajdexhinjtë më mizorë.

Cilat parakushte do të duheshin plotësuar që të pranoheshin bisedat me Serbinë?

Serbia duhet të ndryshojë. Të kërkojë falje për krimet nga e kaluara, të tregohet e gatshme që ta pranojë pavarësinë e Kosovës e ta paguajë dëmshpërblimin për vuajtjet e humbjet që na i ka shkaktuar. Paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkan arrihet vetëm atëherë kur të kemi një Serbi të DimitrijeTucoviqit e kurrsesi me këso Serbie të NikolaPashiqit.

A ka menduar ndonjëherë Vetëvendosje për shkëmbim territoresh me Serbinë, ta zëmë Leposaviqi dhe Zubin Potoku t'i jepen Serbisë në mënyrë që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t'i kthehen Kosovës? Ka pasur ndonjë ide të kësaj natyre në tryezën e Vetëvendosjes?

Jo. Serbia dëshiron që ne të dëshirojmë diçka të atillë. Sepse automatikisht kjo do të nënkuptonte që ne hoqëm dorë nga veriu i Kosovës teksa Serbia nuk ta jep Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.

Ju e keni çuar më tej tezën e bashkimit kombëtar, të Kosovës me Shqipërinë. Nëse do vini në pushtet si keni menduar ta realizoni? Cili do të ishte çmimi?

Çmimin jemi duke paguar tashmë që jemi të ndarë. Bashkimi është shpagim. Ndarja e Kosovës nga Shqipëria është bërë prej lart dhe jashtë, pa demokraci dhe paqe. Bashkimin do ta bënim në mënyrë demokratike dhe paqësore nëpërmjet referendumit. Vullneti i popullit është për bashkim, interesi i tij është për bashkim, si interesi ekonomik po ashtu edhe ai i sigurisë. Nëse liderët politikë i prijnë popullit për shumëçështje, për bashkimin kombëtar liderët duhen veçse ta ndjekin popullin

Çfarë marrëdhënie keni sot me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kundër të cilit gjatë dhe pas vizitës së tij të fundit në Beograd, në Kosovë u hodh shumë "baltë" ?

Kemi marrëdhënie të mira me kryeministrin Rama dhe Partinë Socialiste. Jo gjithnjë pajtohemi andaj jo rrallë edhe kritikohemi. Por, besojmë në kritikën si thelb të progresit.

Nëse do vini në pushtet, jeni i gatshëm të bashkëpunoni me të për të realizuar bashkimin kombëtar?

Pa dyshim dhe patjetër.

Ekskluzive / Kujtimet e Hito Çakos për Luftën e Gjormit, në 75-vjetorin e saj

Posted: 19 Jan 2017 01:50 AM PST

 

Nga Dragush GJOKA

 

Kujtimet e tij për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Heroi i Popullit Hito Çako nuk mundi t'i shikonte të botuara. Në prag të filtrimit të tyre redaksional, ai pati fatin e hidhur, që në dhjetor 1974, të arrestohet së bashku me kupolën drejtuese të Ushtrisë, me akuzën e rëndë për deviacion të hapur të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Kjo akuzë, pas disa muajve procesi hetimor e gjyqësor, do ta çonte drejt pushkatimit  krahas  Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes.

Pavarësisht se jeta e Hito Çakos u shua  në kulmin e moshës dhe të  karrierës  ushtarake e politike, emri i tij nuk iu zvenit kurrë  nga ata me të cilët e lidhi lufta dhe puna për  mbi tre dekada. Politika  mund  të të burgosë, mund të të marrë edhe jetën, por historia e burrave që bëjnë histori, nuk mbyllet dot në qelira, as në kasaforta zyrash dhe as në dosje arkivore.  Ajo mund të "flejë" për një farë kohe, por kur "zgjohet", vërshon si ujëvarë për të  kthjelluar çdo gjë të myshkëzuar në shtratin ku ajo shkarkohet.

Në këtë  optikë edhe kujtimet e Hito Çakos u sekuestruan, por nuk nuk u bënë pluhur e hi. Ato u administruan nga strukturat përkatëse për të përfunduar në Arkivin e Shtetit, në fondin e PPSH. Tashmë ato janë në dispozicion të  familjarëve, studiuesve dhe lexuesve.

Në këto shënime të tij, që po botojmë sot, lexuesi do njihet  me atmosferën në prag të Luftës së Gjormit në fund   të dhjetorit 1942.  Pothuajse gjatë tërë vitit 1942, Vlora mbante në shkallë vendi rekordin e turbullirave me sfond të pastër antifashist. Kjo situatë elektrizuese e shqetësoi qeverinë kuislinge të Mustafa Merlikës, prandaj ajo gjykoi, se Vlorës duhej t'i jepej një mësim i mirë nëpërmjet dhunës shtetërore me forca të kombinuara ushtarake e militare vendëse dhe ato pushtuese.  Sipas qeverisë, tre ishin pikësynimet kryesore të intervenimit policoro-ushtarak drejt Vlorës:

  • Të kryhej çarmatimi i plotë dhe e i përpikshëm ndaj popullsisë vendëse
  • Me kap elementët e rrezikshëm e me arrestuar ndihmësit e tyre
  • Me siguruar bashkëpunimin e popullatës nëpërmjet garancisë   të parisë  së vjetër për qetësinë e zonës.

Për të qenë sa më efikas në këtë  operacion ndëshkues, qeveria gjykoi se në mbështetje të forcave pushtuese do të ishin edhe bandat militare të hurit dhe litarit të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit nga Dibra. Pa humbur kohë,  në fillim të dhjetëditëshit të tretë të muajit dhjetor ato zbarkuan në Vlorë, për të qenë në dispozicion të Qazim Koculit, Ministër Shteti e Komisar i Jashtëzakonshëm për qarkun e Vlorës.  Ardhja e tyre   në qytetin e Vlorës, paralajmëroi situatë të elektrizuar e cila nga çasti në çast do shpërthente. Me qëllim që  populli të ishte i përgatitur për këtë situatë, qarkori i PKSh në Vlorë nuk ndenji duarkryq.

 

Kujtimet e Hito Çakos

"Shokët kryesorë të Qarkorit të PKSH lëviznin natë e ditë nga një fshat në tjetrin, nga njëra krahinë në tjetrën, për të sqaruar popullin për situatën, për ta organizuar e përgatitur për rezistencë. Me këtë mision,  me urdhër të Qarkorit u dërguan edhe shokë të tjerë nga qyteti  në krahina të ndryshme. Një  nga këta isha edhe unë. Këtë urdhër ma komunikoi "Ylli"(Ymer Veshi), me të cilin bashkërisht punonim në komitin qarkor të RKSH.

Do nisesh sa më parë në Mesaplik "Çoban", – më tha ai. Do të vihesh në dispozicion të "Zeqos", përgjegjësit krahinor, për të forcuar punën e partisë atje, në prag të fillimit të operacionit. Në Tërbaç, nga Qazim Nanua, do vihesh në lidhje me "Zeqon".  Qazimi është në dijeni të vendndodhjes dhe të lëvizjeve të "Zeqos". Ki kujdes. Nderona njësitin gueril të qytetit, nderona organizatën e rinisë komuniste. Vdekje –fashizmit e mirëupafshim.

U nisa drejt Tërbaçit pa humbur kohë, i shoqëruar nga shoku Hydai Bejo. Nën muzgun e natës, në shi e breshërin që filloi me suferinë, mezi mbërritëm në rrëzë të malit mbi Tërbaç. Duke lëvizur drejt fshatit nëpër shkëmbinjtë e gurët e thepisur, na stepi një thirrje e fortë: "Ndal", që lëshuan dy-tre njerëz, që bënin roje, jo shumë larg vendndodhjes tonë.  Ata na kërkuan parullën. Ne nuk dinim si t'ju përgjigjeshim dhe u thamë që jemi fshatarë dhe duam të hyjmë në Tërbaç për t'u takuar me njerëzit tanë.

  • Cilët njihni juve, – na pyetën ata, duke zënë pozicion pas një bige.
  • Njohim Vehbi Hoxhën. Duam të takohemi me të.
  • Si e ka emrin tjetër Vehbiu?!
  • Cilin emër? Ne nuk i dimë emër tjetër Vehbiut.
  • Po, po, ai ka edhe emër tjetër, atë që i ka vënë partia!

Ishte e mëse e qartë se kishim të bënim me njerëzit tanë, prandaj edhe ju dhamë të njohur. U thamë se vijmë nga qyteti dhe duam të takojmë "Zeqon", krahinorin e partisë në Mesaplik. Pas kësaj, ata brofën nga pozicioni dhe u lëshuan në drejtimin tonë. Si u afruan, na përshëndetën"Vdekje-Fashizmit" dhe na shoqëruan për në shtëpinë e "Zeqos". Këtu, atë natë, celula e partisë në fshat zhvillonte mbledhjen e saj me rend dite: "Si të përgatisim popullin më mirë për të thyer operacionin që po përgatitet kundër Mesaplikut nga okupatorët dhe mercenarët".  "Zequa" më prezantoi si kuadër të organizatës së partisë në qytetin e Vlorës. Të gjithë shokët e celulës më pritën me shumë përzemërsi. Gjatë kohës që celula zhvillonte mbledhjen, në qendër të fshatit u dha alarmi për t'u mbledhur vullnetarët e popullit. Plani ishte të zihej Qafa e Shëngjergjit, pse italianët dhe mercenarët kishin dalë në Tragjas dhe nëpërmjet Dukatit mund të tentonin të sulmonin Tërbaçin.

Pasi mbaroi mbaroi mbledhja e celulës, të gjithë ne pjesëmarrësit, me në krye "Zeqon", u drejtuam te vendi i grumbullimit të vullnetarëve të popullit, te shkolla, në bregun në mes të fshatit. Popullit të mbledhur në këtë miting, në natë të errët dhe me shi, do t'i bëhëj e ditur situata. Shokët e celulës  insistuan që në mitingun e ndriçuar nga pishat e ndezura, që gjithësecili mbante në dorë, t'u flisja unë, si komunist i ardhur kastile nga qyteti. E kisha të zorshme. Më vinte turp. Kurrë nuk kisha folur përpara një turme kaq të madhe luftëtarësh. Bëja përpjekje në trurin tim  për t'i lidhur ato fjalë që situata kërkonte për të thënë dhe megjithatë, atë fillin e tyre nuk e lidhja dot. Insistova të fliste Vehbiu. Por Adem Xhaka, me dy tre shokë, më morën e më hypën në një mur baçeje për të parë  më mirë midis dritës së zbetë që lëshonin degët e pishave të ndezura fytyrat e pjesëmarrësve. Desha s'desha, aty për aty i rregullova dhe i thashë ato fjalë, duke e vënë theksin te demaskimi i propagandës që kishte filluar Balli Kombëtar i sapokrijuar të bënte sipas porosive të Qazim Koculit për të sabotuar rezistencën e armatosur të popullit të Vlorës ndaj trupave ndëshkues italiane e mercenare, që ishin në prag të fillimit të operacionit.

Pas mitingut, rreth 80-90 burra të armatosur, që përbënin çetën vullnetare të fshatit, dolën më vete. Ishte hera e parë që unë shikoja një repart ushtarak kaq të madh të armatosur. Ishte e para herë që shikoja një fshat të tërë të bashkuar me partinë. Isha mësuar deri atëherë me tre-katër luftëtarë, pjesëtarë të njësiteve guerile të qytetit, me të cilët unë njifesha dhe  bashkëpunonim për të kryer aksione. Nga kjo gjendje, zemra m'u bë mal, mal më i lartë se ai i Çikës.

hito-cako-c1200x600Më dhanë edhe mua një dyfek italian dhe u ndamë në dy grupe secili 35-40 veta. Njëri do të zinte Qafën e Shëngjergjit dhe tjetri do të nisej për te ura e Gjormit. Mua më caktuan me grupin e Qafës së Shëngjergjit. Para nisjes së grupeve, do caktoheshin  edhe përgjegjësit e tyre. Grupi i vullnetarëve që do nisej drejt Gjormit do të vihej nën komandën e Vehbiut, që njihej e gëzonte autoritet të madh në krahinë. Për grupin tonë të Qafës së Shëngjergjit u propozua Beqir Selimi, një nga luftëtarët  tërbaçiotë më të shquar në Luftën e Vlorës, por ai nuk pranoi. Ai vuri kandidaturën time, duke thënë se "këtë luftë e udhëheq partia dhe për deri sa ne kemi komunistë në grupin tonë të ardhur kastile nga qyteti për të na ndihmuar, të caktojmë këtë djalin. Ky ka mësuar që të luftojë në pazar dhe të shtiesh në mes të pazarit, nuk është e kollajtë".

U habita. U hutova nga ky propozim i xha Beqirit. Mua më mbulonin emocionet si luftëtar i thjeshtë e si komunist i dërguar nga qyteti për ndeshjen që pritej të zhvillonim me italianët e mercenarët dhe jo më tashti të mbaje në qafë edhe "byqen" që kërkonte të më varte në qafë xha Beqiri. Tërbaçiotët nuk u tërhoqën. Aprovuan propozimin e xha Beqirit.

Tashti mua më duhej të mendoja jo vetëm për detyrën e për vete, siç mendoja në qytet në radhët e njësitit gueril, por si komandant më duhej të mendoja  edhe për 35 pjestarët e grupit . Shumë i tronditur nga përgjegjësia që më ngarkuan tërbaçiotët, nisëm rrugën  natën me shi e suferinë në drejtim të Qafës së Shëngjergjit, portës më të rëndësishme të hyrjes në shpatull të krahinës së Mesaplikut.

Duke ecur, përfytyroja gjithë të kaluarën time  19-të  vjeçare. Aty-këtu ndalesha dhe bëja krahasime ku isha e ku jam. Mundohesha për të gjetur sekretin e gjithë këtij transformimi. Kujtoja vegjëlinë në fshat, kur unë dhe të shtatë motrat e vëllezërit e tjerë mbasi hanim shpesh herë vetëm nga një copë bukë misri të përzier me hithra ose shtërpakë, binim për gjumë ashtu siç ishim veshur copë e çikë mbi stromën, që Dadija kishte mbushur me kashtë dhe për mbulesë të gjithë së bashku hidhnim një rrobë të vetme që kishim në shtëpi të pregatitur në tezgja nga leshi i gjashtë dhive cangadhe.

Përfytyroja veten  në vitet 1937-1938 kur ika nga fshati  duke hyrë shërbëtor te agai delvinjot Hamit  Çine. Punoja e punoja nga 16-të  e nganjëherë dhe 18-të orë në ditë, e përse?!  Vetëm për bukën e gojës.

Ashtu i përgjumur e duke  zvarritur me lodhje të madhe këmbët drejt Qafës së Shëngjergjit, si në ëndërr shikoja veten  në vitet 1939-1941 kur u futa garson në kafene në Tiranë dhe pastaj zëvendës letër-shpërndarës në postë-telegrafin e Skelës së Vlorës. Si është e mundur,- thosha me vete,- të kem qenë kaq i shtypur, kaq i poshtëruar, sa puna ime të shpërblehej nga agai delvinjot vetëm aq sa të mbushja barkun me bukë dhe të kem heshtur, të mos kem protestuar, të mos jem revoltuar?!  Ku ka qenë  fshehur guximi, burrëria e trimëria ime?!

Po sikur të takoja ata burrat e Kërme apo Qëne, që kur isha në fshat, rrinin e loznin gjithë ditën kumar në dyqan të Shehe, pinin e hanin meze dhe unë mblidhja mbetyrinat e të ngrënave të tyre, çdo të thoshnin po të më shikonin me dyfek në sup në krye të vullnetarëve të Tërbaçit që shkojnë për luftë?! Ata me habi do shpreheshin që këtë djalë ne në fshat nuk e pranojmë të jetë bekshi, jo ta caktojmë drejtues për të udhëhequr në luftë.

Duke i bluajtur të gjitha këto në mendje, në ndërgjegje m'u krijua një pështjellim. Më dukej se karshi këtyre burrave të Tërbaçit, që më zgjodhën për komandant, unë nuk isha korrekt. Nuk u kisha treguar biografinë dhe ndofta  këta,  komandant të grupit tonë do të caktonin në mos xha Beqirin, një bashkëfshatar të tyre, por jo mua. Duke patur këtë preokupim, në një pushim që bëmë në të ngjitur te shtëpia e Shiroke, xha Beqiri më nxorri nga sikleti,  kur  më pyeti nga isha dhe kë kisha në shtëpi. U mundova që atij dhe gjithë vullnetarëve tërbaçiotë t'ua bëja sa më të njohur familjen dhe të kaluarën time.  Tashti atyre u dilja nga borxhi. Ata mund ta ndryshonin vendimin që kishin marrë për mua.

Për çudi vura re se atyre nuk u bëri asnjë përshtypje të veçantë rrëfimi im. Ato që tregoja unë, i kishte secili damka në kurriz. Vet ata kishin qenë njësoj të shtypur e përbuzur, e ndofta ndonjë edhe më keq se unë.

gjormPo djalo,-tha xha Beqiri. Ashtu kemi hequr e po heqim të gjithë. Na kanë thithur gjakun shushunjat e vendit. Na kanë dërrmuar kurrizin zgjedha e armiqve. Na merrej erëzi nga kryeplaku, xhandari, taksidari e dhekatari. Na ishte mpirë edhe  guximi për luftë. Por tashti që ka dalë Partia Komuniste jemi gjallëruar. Kush ecën në rrugën  e saj, ai është edhe i zgjuar, edhe  trim, edhe i respektuar. Vehbiu , që kemi drejtues të luftës së popullit të krahinës sonë Mesaplikut, këtu ka qenë edhe më parë se të ishte komunist, por nuk e dëgjonte njeri dhe nuk i shkonte njeri pas në Tërbaç. Ndërsa tashti i vete prapa i gjithë Mesapliku. Pra djalo,  zotësitë dhe aftësitë që ne populli i dallojmë te ju komunistët dhe besimi që kemi te ju, ne i shikojmë te partia juaj, që është edhe partia jonë, prandaj  sa të jeni  që punoni me partinë e për partinë, u kemi  dhe do t'u kemi gjithnjë në ballë.

Nga kjo natë që unë jetova midis tërbaçiotëve, pashë sa e madhe ishte Partia jonë. Ajo kishte hedhur rrënjë të thella në popull. Aty në Tërbaç unë pashë për herë të parë Partinë tonë Komuniste në fuqi".

PAS GJURMËVE TË HISTORISË

Qëllimi final i planit operacional i forcave të kombinuara fashiste në Vlorë ishte të bënte "zap" krahinën e Mesaplikut  si epiqendrën rrebeluese ndaj regjimit. Por sulmi i natës së  26 dhjetorit 1942, që kreu   çeta "Plakë" e Vlorës,  formacioni i parë partizan i qarkut, mbi depot e municioneve armike në Radhimë, prishi skemën e mësymjes drejt destinacionit.  Pas  aksionit të Radhimës, çeta "Plakë"  u tërhoq drejt Tragjasit. Duke marrë shkas nga kjo goditje e befasishme dhe e guximshme e çetës partizane, forcat militare të Hali Alisë dhe Selim Kaloshin u vunë në ndjekje të saj. Me mbëritjen në Tragjas, në pamundësi të asgjesimit të çetës partizane, ato filluan të flasin me gjuhën e terrorit ndaj popullsisë vendase. Duke qënë në dijeni të planit operacional fashist, çeta partizane tërhiqet për në Gjorm , i cili në atë periudhë ishte bastioni më i flaktë i rezistencës antifashiste. Jo rastësisht në atë fshat u krijua çeta "Plakë" dhe jo rastëisht komandanti i saj qe Neki Ymeri, një nga djemtë më trima dhe intelektualë të qarkut të Vlorës. Kjo situatë bëri që  forcat fashiste e miltare  të niseshin drejt Gjormit më 31 dhjetor nga dy drejtime. Një nëpërmjet rrugës automobilistike Vlorë-Gjorm-Kuç dhe pjesa tjetër që gjendej në Tragjas të zbarkonte prej andej nëpërmjet malit të Gjormit.

Fashistët  mbase kishin menduar, se meqenëse ishte nata e vitit të ri, popullin e Mesaplikut dhe çetën partizane do t'i kapnin në befasi dhe do ta kishin udhën e lirë për të treguar fuqinë e tyre shtypëse. Por ishin gabuar rëndë. Jo vetëm populli i krahinës së Mesaplikut, Kurveleshit të Poshtëm, por edhe i krahinës së Kudhësit  ishte aty gati, në këmbë, me syrin pishë e dyfekun e vaisur.

Për tre ditë rresht, qysh nga data 31 dhjetor 1942 si dhe në datat 1 dhe 2 janar 1943 në Gjorm u zhvillua një nga betejat më të lavdishme në historinë e luftës antifashiste të popullit shqiptar. Forcat fashiste pësuan humbje të konsiderueshme njerëzore, duke përfshirë komandantin e operacionit Kolonel Franko Kelmendi si edhe dy nipa dhe një kushëri të Halil Alisë. Gjithashtu nga radhët e frontit popullor ranë në fushën e nderit për t'u mbuluar me lavdi tërë jetën Beqir Selimi nga Tërbaçi, Qamil Asllani nga Vranishti, Bako Tafili nga Gjormi, Hano Rexhepi nga Lepenica dhe Bajram Xhebrua nga Brataj. Ishin gjokset e këtyre trimave dhe qindra djemve e burrave patriotë të tjerë që iu dhanë mesazhin fashistëve dhe mercenarëve: "Këtej nuk kaloni", duke na kujtuar shprehjen e famshme të luftës së Spanjës: "NO PASARAN".

Në mëngjesin e datës 3 janar forcat operacionale  u larguan drejt Vlorës si qenër të rrahur. Disfatën e Gjormit banditët e Halil Alisë dhe Selim Kaloshit  e çfrynë mbi qytetarët vlonjatë duke kryer poshtërsi nga më të rëndat për ta finalizuar me pushkatimin e Qazim Koculit, emisarit të Qeverisë kuislinge në Vlorë dhe prefektit Lele Koçit, si njerëz  që i kishin futur "në qorrsokak".

Gjormi iu kishte dhënë leksionin më  të mirë jo vetëm pushtuesve, por edhe bashkëpuntorëve të tyre. Idealet e lirisë ishin të shenjta për popullin.

Paradoksi qëndron se në vitet e demokracisë, në emër të antikomunizmit, nuk kanë reshtur përpjekjet për të rehabilituar edhe fytyra të pastra kolaboracioniste dhe kriminale si ajo e Halil Alisë, duke i cilësuar  viktima të regjimit diktatorial.

Po a mund të nderohen me të njëjtin veneracion Beqir Selimi dhe Halil Alia, vrarë të dy gjatë Luftës së Dytë Botërore, njëri si antifashist e tjetri si kasap i pushtuesve?! Kurrën e kurrës! Le t'u rikthemi kujtimeve të Hito Çakos. Këtë e befason burrëria dhe qartësia politike e Beqir Selimit kur marrin rrugën së bashku drejt Qafës së Shëngjergjit për të bllokuar penetrimin e forcave të Halil Alisë që gjendeshin në Tragjas, në rast se ato do vinin në Tërbaç.  Por nga largësia e viteve kur Hito Çakua i ka shkruar kujtimet, nuk jep detaje më të hollsishme për jetën dhe fatin e Beqir Selimit. Menjëherë pas Konferencës së Pezës, krahas ngritjes së këshillave nacionalçlirimtare, u krijuan edhe çetat territoriale në çdo fshat. Jo rastësisht populli i Tërbaçit në krye të këtij formacioni luftarak zgjodhi Beqir Selim Skëndaj. Ai jo vetëm që ishte shquar në Luftën e Vlorës si luftëtar trim, por edhe gjatë regjimit të Zogut kishte provuar burgun dhe internimin honeve të Pukës, pse kishte strehuar në shtëpinë e tij Halim Xhelo Skëndaj, djalin e xhaxhait, një nga mendjet më revolucionare të vendit, i cili kishte ardhur ilegalisht më 1932 nga Perëndimi në Tërbaç. Duhet të lexosh librin "Halimi" të Petro Markos për të njohur realisht jetën e Beqir Selimit. Nga Qafa e Shëngjergjit, Beqir Selimi nuk mund të kthehej në shtëpi. Niset drejt Gjormit dhe në krye të burrave të Tërbaçit, qysh ditën e parë të luftimeve bie heroikisht si komandant i sprovuar.  Për ironi të fatit, në vend që  t'iu lartësohej një  monument në Gjorm Beqir Selimit, së bashku me ata që u vranë krahas tij, në mes të Peshkopisë i ngrihet Halil Alisë. E djathta ndjehet krenare për Halil Alitë, ndërsa e majta  super e motivuar për të  dëmshpërblyer kokërr më kokër të lekut  këtë kategori të fëlliqur kuislinge.

Epopeja  e Gjormit ka një mesazh madh: Ata që kanë nxitur mercenarizmin kundra Vlorës, të nxitur për interesa antikombëtare, si Ahmet Zogu me bandat e Taf Kaziut; Mustafa Kruja me mercenarët e Halil Alisë apo Sali Berisha me policët e Agim Shehut, ajo iu ka treguar vendin. Vlora njeh edhe kodin e faljes, por gjakun e dëshmorëve nuk ta fal kurrë.

“Trump do të bashkëpunojë ngushtë me Shqipërinë”

Posted: 19 Jan 2017 01:37 AM PST

 

Donald Trump do të bashkëpunojë ngushtë për t'i forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

Kështu është shprehur kreu i komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan, Pete Sessions gjatë takimit me kreun e Kuvendit Ilir Meta.

"Donald Trump do të bashkëpunojë ngushtë për t'i forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Jam i bindur se 2017-ta do të jetë një vit i suksesshëm", është shprehur Sessions.

Kongresmeni vlerësoi miratimin konsensual të reformës në drejtësi dhe vendosmërinë e kreut të Kuvendit Meta për konsensus të plotë.

"SHBA mbështet angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një Amerikë më e fortë kërkon një Shqipëri të fortë. SHBA, e bindur se bashkëpunimi me shqiptarët forcon Shqipërinë dhe rajonin. Krenar që jeni sërish për vizitë në SHBA për të riafirmuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe për t'i çuar ato më përpara", tha ai.

Ndërsa kreu i Kuvendit shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për implementimin e reformës në drejtësi përmes Vettingut, si dhe mbështetjen tek SHBA për të punuar dhe më tej në marrëdhëniet mes dy vendeve.

"Shqipëria e vendosur në implementimin e reformës në drejtësi përmes Vetting-ut. Ne mbështetemi te SHBA-të dhe do të punojmë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Vizita juaj e ardhshme në Shqipëri do të shërbejë për të përforcuar partneritetin strategjik midis SHBA-ve dhe Shqipërisë", tha Meta.

Përse nuk çuditet askush nga BËMAT e Berishajve

Posted: 19 Jan 2017 01:33 AM PST

 

Nga Bedri Islami

Afera e CEZ-it, njëra më të rëndat në historinë e viteve të fundit të politikës shqiptare tashmë ka një emër të njohur, i cili është ditur prej kohe dhe, pavarësisht se nuk është thënë haptas, ka qenë krejt i qartë: Familja Berisha.

Kushdo e ka pasur të qartë, edhe ata që nuk kanë dashur të ia thonë vetes, se njeriu, i cili, përgojon deri në brezin e tretë familjet e kundërshtarëve, që di se çfarë gjelle u është servirur në tryezë disa njerëzve që po rrinë për qejfin e tyre, që  ka informatorë kamarierë dhe në vartësi të së cilit ishte një makineri e tërë përgjimi, ishte pjesë e botës së krimit financiar që lidhet pikërisht me emrin CEZ, ashtu si e dinin edhe se pas tij, apo më saktë, para tij, ishte i biri, peshkaqen në gllabwrimin e çdo gjëje që vinte erë para, vogëlushi me çantë që u kallte datën botës së biznesit.

Çështja CEZ është njëra ndër ato që kanë një emër pas vetes dhe një dëm qindra milionësh para vetes. I detajuar deri në sekuencën e fundit se si do të rridhte vazhdimi i kësaj masakre financiare, pra që nga momenti i parë dhe deri tek momenti i fundit, kur milicët e një farë Muli ministër hynin me kamera për të regjistruar përdhunimin e kësaj shoqërie, si dëshmi e dhunës së shtetit, që gjyqet të kishin fakte për të njomur edhe një herë botën e tyre të krimit.

Çështja CEZ sapo ka filluar të hapë fijet e saj. Është e përbindshme ajo që ka ndodhur, por çuditërisht nuk habit askënd që pas saj, si edhe është pritur, qëndron familja Berisha.

Do të kishte qenë një faj po aq i rëndë, nëse e gjithë kjo aferë e stërrëndë të shfaqet kështu thjeshtë se jemi në vitin elektoral dhe se pushtetit i duhet një kokë turku për të larë hesapet edhe një herë me njërin ndër pushtetarët më ogurzinj që ka pasur ky vend. Nëse edhe një herë pushteti i sotëm, si mos më keq, kërkon të përsëritë "marrëveshjet" e famshme për uljen e tensionit dhe pas qershorit të mbyllë dosjen CEZ, atëherë faji më i ndjeshëm do të bjerë mbi të, sepse, jo vetëm që nuk do të kenë mësuar asgjë nga e kaluara, por vetë ta do të bëhen pjesë e së keqes.

Një aferë e tillë, e cila është shtrirë në përmasa të pallogaritshme dhe ku familja, përmes një Nueli, edhe një herë mik i familjes, përfiton miliona euro, përsëri me çanta, nuk është më vetëm çështja e pushtetit dhe e drejtësisë; ajo është shumë më tepër se kaq dhe para vetes ka dy mundësi: ose të denoncohen, gjykohen e dënohen fajtorët; ose, nga e kundërta: ata që ngritën gjithë këtë tallaz të kenë të njëjtën rrugë, denoncimin, gjykimin e dënimin.

Përse nuk u habitën njerëzit:

Mos habia e parë:

Që nga viti 2005, kur Berisha rierdhi në pushtet dhe fëmijët e tij ishin të rritur tashmë, lakmia dhe kapja e shtetit u bë pjesë e familjes. Nëse deri në vitin 1997 shumë njerëz mendonin se "Berisha ishte i poshtër, por i ndershëm", çka nuk mund ta mendoja se mund të përshtateshin me njëri-tjetrin dy nocione të tilla, pas vitit 2005 askush nuk e mendon më një të tillë.

Berisha dhe fëmijët e tij u gjendën, jo rastësisht, pjesë të shumë aferave financiare, edhe politike, nga më të rëndat. Nëse në fillim ishte habia, pastaj mosbesimi, tani është siguria se gjërat kanë ndodhur.

Një vazhdë e një pas njëshme e grabitjes së shtetit u bënë të pranishme dhe, dashje pa dashje, nga heshtja e sistemit të drejtësisë, ata morën të drejtën e qytetarisë.

I biri i Berishës deklaron pa të keq një fitim vjetor prej 300 mijë eurosh si sekser, ndërmjetës dhe askush nuk e di se cilat ishin ndërmjetësit e tij, por të gjithë e dinin se shifra e paraqitur ishte vetëm maja e ajsbergut të grabitjes së bërë.

Mos-habia e dytë:

Që nga viti 2005 Familja e ka vënë poshtë shtetin. Pra, e ka kthyer pushtetin ekzekutiv në një shtojcë të vetvetes dhe të grabitjeve që kanë bërë. Në të gjitha rastet kur ata kanë qenë të pranishëm, shteti është vënë nën këmbët e tyre. Vëreni rastin e Gërdecit. Ministri i Mbrojtjes ishte bërë sklllavi politik i djalit Berisha. Ai, biri, hynte e dilte në zyrat e ministrisë së mbrojtjes jo si mik, por si zot shtëpie. Përmes tij merreshin urdhërat, hidheshin telegrame, bëheshin kontrata, jepeshin urdhëra. Megjithëse dihej rreziku që ishte varur mbi Gërdec urdhrat ishin të një pas njëshme dhe moszbatimi i tyre do të kishte pasoja të rënda. Të gjithë e dinin se " sy peshkaqeni" ishte në këtë aferë. E dinte ministri, që priste pjesën e tij, e dinte shefi i shtabit të përgjithshëm, që nuk dinte se vartës i kujt ishte; e dinin shefat e ndryshëm të ushtrisë, e dinin njerëzit që punonin në varrtoren e Gërdecit, e dinte opozita që u dëshmua "zemërgjerë" , duke rrahur krahët e njeriut që sapo kishte fshehur vrasjet.

Merrni rastin e biznesmenit që donte të investonte në Durrës, një park të madh energjetik. Nuk ishte e mjaftueshme firma e babait kryeministër, duhej edhe hisja e vajzës që ishte , në këtë botë, mbi kryeministrin.

Familja lëvizte gjithçka donte, ministra, shefa, qeveritarë, hipotekistë, avokatë, gjyqtarë, ushtarakë.

Edhe në rastin CEZ ndodh e njëjta gjë. Pa asnjë fantazi, si njerëz që ishin mësuar të vinin shtetin nën këmbët e tyre, pavarësisht se mund të linin gjurmët e tyre.

Njerëzit u mësuan me kapjen e shtetit nga Familja. Dikush hungëroi, dikush protestoi, dikush tha se qenkan të zotët, por askush nuk gjykoi. Gjykimi mungoi dhe si duket do të mungojë.

Vila e vajzës Berisha në Lalëz kushton disa milionë, aq më tepër se është ngritur dy herë. Nuk mjaftoi vila e parë, u shemb, u rindërtua, më e madhe, më e larta në plazhin e njohur, dhe, si ndodh rëndom, asksush nuk pyeti se me cilat para u ndërtua.

Kur nuk pyetet për të tjerët, afër ose anash saj, kujt dreqin ia mbante të[ pyeste vajzën e shefit të qeverisë.

Mos habia e tretë:

Kapja e sistemit të drejtësisë. Askush më parë nuk e ka kapur sistemin e drejtësisë si ndodh me Familjen. Si një oktopod i stërmadh, tentakulat e të cilit kanë kapur gjithçka. Gjingjonizmi u bë lejtmotiv i shërbimit duke përfituar,  i heshtjes përballë krimit, por ajo ishte vetm maja që dukej. Përmes kapjes së drejtësisë do të ndodhte mos ndëshkimi. I askujt. Në të gjithë këto vite të rënda korrupsioni u gjet vetëm një ministër , gjysmë grek, i cili përmes disa aferave të cekta, krahasuar me të tjerët, u dëshmua se nuk e kishte pasur mike familjen. Si duket minoritarët i shërbejnë familjes për afera më të mëdha, si shitja e detit.

Në sistemin e drejtësisë Familja bëri gjithë të zezat e mundshme dhe ishte tejet e sigurtë se nuk do i ndodhte asgjë, ashtu si edhe nuk po i ndodh.

Le t'i kthehemi Gërdecit. Askush nuk kishte guximin të merrte në pyetje Berishën e vockël për telefonatën 25 minutëshe me Delijorgjin, menjëherë pas shpërthimit vrastar. Edhe ata që u mendua se mund të kishin një fillesë guximi u anatemuan në sallën e parlamentit nga shefi i qeverisë, Plaku i familjes, sikur të ishin njerëz të krimit dhe vetë ata të kishin bërë masakrën e Gërdecit.

Kthehemi në 21 janar. Shteti e përkuli drejtësinë deri në përqeshjen e saj. Drejtësia iu përul familjes deri në gjunjë. Në fakt kishte qenë e përulur edhe më herët, por tani përmasat ishin galopante.

Të mos e ndryshosh këtë sistem drejtësie, e cila, edhe për një rrudhje vetullash të Familjes , e rroitullon ligjin sipas oreksit të djalit ose bijës ish kryeministrore, do të thotë të jesh palë e krimit.

Të lësh këtë president edhe një mandat tjetër do të thotë t'i bësh "naftën" postit presidencial.

Të gjithë nën këmbët e familjes.

Mos habia e katërt:

Rruga që kanë ndjekur në aferën CEZ është e njëjtë me shumë nga aferat e tjera. Në aferën e tashme është gjetur një Nuel. Në aferën Gërdec është gjetur një baxhanak dhe një shok i Zenit. Në tokat e bregdetit është gjetur një dhëndër. Në aferën e Rrugës së Kombit është gjetur një Lul. Në vrasjet e 21 janarit është gjetur një Ndue. Në aferën e zgjedhjeve vendore është gjetur një Ristan.

Pas Gërdecit është gjendur i "vetvdekur" një Trebicka. Në mbetjen e aferave brenda familjes është "aksidentuar" një Olldash.  Të dy me aksidentë automobilistikë. Nuk e kanë vrarë mendjen për një gjetje tjetër. Tani paralajmërojnë se do të ketë një vetvrasje, sepse denoncuesi i parë i CEZ paska qenë i çmendur. Dy rrugë ka për të: ose të vrasë veten ose tzë shkojë në çmendinë.

Kjo është " meritë" e familjes, e cila, që më parë, të përcaktonm se ku do të përfundosh.

Një herë ia parathënë edhe edi Ramës, duke i premtuar fjalimin mortor më të bukur në histori.

Tani nuk habitet askush. Rruga është e njohur, përfundimi, po ashtu.

Mos-habia e fundit:

Njeriu me çantë.

Në të gjitha aferat është shfaqur një njeri me çantë. "Sy peshkaqeni" ishte njeriu me çantë. Tani është Nueli njeriu me çantë, i cili merr kesh 7 milionë euro dhe zhduket. Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur me ato 7 milionë të shkreta. Sa njerëz me çantë janë shfaqur tek familja? Askush nuk e di! Taçi, njeriu fantazmë dhe i krimit, kur Berisha ishte në pushtet, u bë burrë i mirë dhe biznesmen i fortë kur çanta e tij trokiti tek Familja.

Të paktë janë biznesmenët që nuk kanë parë çantën para vetes ose nuk e kanë dorëzuar çantën e tyre tek të tjerët.

Të habitesh me Familjen nuk është njerëzore.

Në fakt edhe ata nuk janë njerëz.

Ambasadorja e Trump në OKB: Rusisë nuk mund t’i besohet

Posted: 19 Jan 2017 01:30 AM PST

 

E nominuara e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për ambasadore të SHBA-së në OKB, ka thënë se Rusia nuk është vend që mund t'i besosh dhe se ky vend duhet të ndërmarrë "veprime pozitive" para se Uashingtoni të heq sanksionet kundër Moskës.

Guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley i ka thënë një komisioni të Senatit amerikan gjatë seancës dëgjimore për emërimin e saj ambasadore në OKB më 18 janar se Rusia po bënë përpjekje që të "shfaqë muskujt".

"Unë nuk mendoj se mund t'iu besojmë atyre" ka thënë 44 vjeçarja Haley komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan.

Haley, e cila e ka kritikuar Trumpin gjatë fushatës zgjedhore, ka pak përvojë në çështjet ndërkombëtare dhe se nuk ka folur shpesh publikisht rreth qëndrimeve të saj për politikën e jashtme.

Trump ka thënë se dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale me Rusinë të cilat janë përkeqësuar si pasojë e veprimeve të Moskës në Ukrainë dhe Siri.

Kjo ka nxitur kritikët që thonë se Trump është shumë i butë ndaj politikës së jashtme agresive të Moskës.

Senaca dëgjimore për konfirmimin e Haleyt po ndodhë derisa agjencitë amerikane të inteligjencës kanë thënë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane përmes sulmeve kibernetike që janë urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Nëse konfirmohet nga Senati, Haley do e pasojë Samantha Power, një kritike e ashpër e aneksimit që Rusia ia ka bërë gadishullit ukrainas të Krimesë dhe përkrahjes që Moska iu ka dhënë separatistëve në Ukrainën lindore dhe presidentit sirian, Bashar al Assad./REL