
Edmond Zhulali është kompozitor dhe autor tekstesh nga Shqipëria. Ai ka kompozuar këngë të ndryshme shqiptare për festivale të ndryshme si Kënga Magjike, Eurovizioni etj.
Shkruan Albert Zholi
Kohë më parë kompozitori i shquar Edmond Zhulali, për veprimtarinë e tij muzikore, për kompozimin e shumë këngëve për luftën e UÇK, u dekorua me titullin “Mirënjohje Presidenciale e Meritave”. Edmond Zhulali thekson: E vlerësoj këtë dekorim për arsye se Presidenti Thaçi ka qenë vetë luftëtar i UÇK dhe një lider i saj. Pra ndihem dy herë i vlerësuar që një ish- ushtar i UÇK, sot President të më jep mua një dekoratë.
Ju morët një dekoratë të veçantë nga Presidenti Kosovës Hashim Thaçi, cili ishte motivacioni i këtij dekorimi dhe cilat ishin emocionet tuaja?
Medalja ishte “Mirënjohje Presidenciale e Meritave” . Për mua ishte e befasishme. Ishte e papritur për sa i përket kohës së marrjes së dekoratës, pasi dihet kur fillojë procedurat, si zhvillohen ato, por jo kur jepen. Kjo dekoratë është e konsideroj të merituar për kontributin e madh që kam dhënë për kompozimet e luftës së Kosovës. Në ato vite unë kam bërë shumë këngë së bashku me shumë poetë dhe këngëtarë nga të gjitha trevat.
Cilat janë disa nga këngët dhe këngëtarët me të cilët keni bashkëpunuar për këto krijime patriotike?
Unë fillova krijimet menjëherë pas fillimit te represionit serb në Kosovë, duke parë dhunën e madhe që ushtri regjimi ushtarak i Milosheviçit ndaj vëllezërve kosovarë ku të gjithë shqiptarët patën një dashuri të madhe për vendin e tyre ndërsa ne u solidarizuam menjëherë me luftën e tyre. Natyrisht do të përjetohej nga artistët të cilët nëpërmjet veprave të tyre bënin thirrje për luftë, solidaritet, pra do ta shprehnin këtë urrejtje. Artistët e shprehnin këtë dhimbje me emocion shumë të fortë. Një ndër ata artistë që ishte indirekt pjesë e kësaj lufte isha dhe unë. Kënga e parë që unë kam shkruar për këtë luftë, ka qenë “Jam Kosova e shqiptarisë” me tekst të Gjok Becit dhe kënduar nga Arif Vladi, që bëri një jehonë shumë të madhe. Pas kësaj kam bërë një këngë tjetër “Marshi i UÇK” me tekst të Agim Doçit kënduar nga Arif Vladi. Më pas kam kompozuar këngën “Lufton Drenica si i ka hije” kënduar nga Manjola Nallbani me tekst të saj, pastaj këngën me tekst i Gjok Becit për Kastriot Tushën, “Tan Kosova është zemra jonë”, më pas “A vritet pafajësia” kënduar nga Leonora Jakupi me tekst të Agim Doçit. Këto këngë u bënë shumë të njohura dhe u kthyen ne lajtmotive shumë të dashura kudo në Kosovë, këndoheshin nga të gjithë, ditë e natë dhe jepnin forcë për këdo. Muzika ka fuqinë e Anteut për nxitje në luftë. Më pas ka rrjedhur një lumë i tërë këngësh të kompozuara nga unë me temë luftën e Kosovës. Po kam krijuar rreth 100 këngë në bashkëpunim me autorë të ndryshëm nga të gjitha trevat shqipfolëse. Më shumë bashkëpunim kam patur me poetët Agim Doçi, Gjok Beci, me këngëtarët Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Niman Mushkola, Sabri Fejzullau, Ledina Çelo, Aleksandër Gjoka, Dava Gjergji, Liri Rasha, Dionis Delia, Nikoll Nikprela, dhe shumë këngëtarë të tjerë që i kanë kënduar luftës së Kosovës dhe çlirimit të saj.
Kur ke shkuar për herë të parë në Kosovë?
Për herë të parë kam shkuar pas luftës, në një koncert, ku do përmblidheshin e gjithë krijimtaria ime, për Kosovën. Ishte viti 1999. Ky koncert i kushtohej djemve të Brigadës së “Atlantikut” për ata djem që lanë Amerikën dhe erdhën luftuan këtu në Kosovë për çlirimin e saj. Ishte një koncert e veçantë, pasi ato këngë i kisha kompozuar unë me tekst të Nexhat Ymeraj, një luftëtar që ishte në radhët e luftës dhe kishte parë me sytë e tij sakrificat e panumërta. Këto këngë ishin të gjitha të muzikës së lehtë dhe u kënduan nga Aleksandër Gjoka, Francesk Radi, Manjola Nallbani, Ledina Çelo, Denis Delia. Ky koncert la gjurmë të pashlyeshme. Më pas kam qenë pas një viti në stadiumin e Prizrenit, së bashku me Gjok Becin dhe Agim Doçin, ku organizuam një koncert me këngë për luftën e Kosovës dhe aty na dhanë nga një vlerësim Mirënjohjeje në emër të UÇK.
Si i ruani marrëdhëniet sot me Kosovën?
Në shtator të vitit 1998, pas një koncerti të dhënë në Tiranë, u organizua një turne i madh në 16 shtete të Evropës ku kemi dhënë 80 koncerte, humanitare në ndihmë të luftës së Kosovës. Në këto koncerte të organizuara në qytetet më të rëndësishme të Evropës ka pasur një numër shumë të madh shikuesish, të cilët kanë përjetuar emocione shumë të forta. Në këtë koncert të organizuar nga “Eurokoha” në bashkëpunim me shoqatat kosovare pro luftës kanë marrë pjesë këto artistë të mëdhenj: Mirush Kabashi, Çun Lajçi, Lirie Lushi, Arif Vladi, Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Eleonora Jakupi, Ledina Çelo, Niman Mushkola, Shkurte Fejza dhe Osman Kelmendi. Në këtë koncert pothuajse të gjitha këngët ishin kompozuar nga unë me tekste të Agim Doçit dhe Gjok Becit. Marrëdhëniet e mia me këngëtarët kosovarë nuk kanë reshtur asnjëherë pasi unë kontaktoj, shkruaj, kompozoj për Kosovën dhe këngëtarët kosovarë.
Sot ju keni dhe një gëzim tjetër, pasi ish-ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, Christopher Hill i cili kremton 25-vjetorin e ardhjes u dekorua nga Presidenti Nishani në 25-vjetorin e rihapjes së Ambasadës në Tiranë. Ai ka theksuar, se një ndër miqtë e tij ka qenë dhe vëllai juaj, ish-Ministri Mbrojtjes Safet Zhulali,. Si do ta komentonit këtë fakt?
Është një kënaqësi e madhe pasi SHBA janë miqtë më të mëdhenj të popullit shqiptar. Në momentet më të vështira SHBA i është gjendur pranë popullit tonë. Ndihem krenar që vëllai im Safet Zhulali ish-Ministër i Mbrojtjes ka qenë mik i ambasadorit të parë por edhe të dytë të SHBA në Tiranë, Rajerson. Safeti e kuptoi që në fillimet e demokracisë se SHBA ishte aleati më i madh i Shqipërisë dhe mbështetësi kryesor i saj. Siç treguan kohërat parandjenja e Safetit nuk gaboi, pasi Shqipëria shumë shpejt u bë pjesë e NATO.
Me këtë rast çfarë urimi do të japësh?
Jam ende i befasuar nga ky çmim dhe doja të falënderoja z. Hashim Thaçi i cili më dha këtë çmim. E vlerësoj këtë dekorim për arsye se Presidenti Thaçi ka qenë vetë luftëtar i UÇK dhe një lider i saj. Pra ndihem dy herë i vlerësuar që një ish-ushtar i UÇK, sot President të më akordojë dhe dorëzojë mua një dekoratë.
Kënga popullore, ajo e lehtë shqiptare dhe realiteti i sotëm
Kënga, muzika, është një zhanër arti që sjell aromë ndryshe, mjedis ndryshe. Kënga dhe muzika është një art që përmbledh një proces kompleks, tekst, kompozim, muzikë, këngëtar ku ky proces, që të zhvillohet me sukses, kërkon nga ana e e çdo krijuesi (në mënyrë individuale por edhe kolektive, sepse është art kolektiv) një akumulim të gjithanshëm vlerash shpirtërore, historike, botëkuptimore, informacionesh, gjetjesh, kërkesash etj. Muzika është një art-magji që përbën një punë të gjatë mbledhjesh dokumentesh (teksti dhe mospërsëritja, apo dhe mos patja e plagjiaturës) informacionesh të dhëna që më pas në mënyrë emocionale dhe artistike përcillen në skenë. Nga tërë ky proces, këngëtari ka rolin vendimtar të ka një veçanti të jashtëzakonshme me rëndësi në finalizimin e këngës (muzikës) Ai (ajo) e përpin intuitivisht sheshin e xhirimeve ( nëpërmjet klipeve) studion, skenën me imtësi atë, për të gjetur aty forcën dhe emblemën e natyrës që ka përbrenda muzika. Tërë ky proces sjell këtë vërtetësi, këngën e dalë në mënyrë muzikale nga këngëtari (këngëtarja) përpara spektatorit. Përgjegjësia është e madhe, emocionet në kësi rastesh janë po aq të mëdha. Dhe me të drejtë. Kënga e dalë nga këngëtari (këngëtarja) në skenë (klip) ku një figurë u mëkuar është formula e veçantisë së tij, përbën rezultatin. Vendi i përcjelljes së këngës na jep imazhet e para të rëndësisë dhe konvencionet e para të kuptimshmërisë së këngës dhe muzikës në tërësinë e saj. Në interpretimin muzikor, figura, plastika, mimika, lëvizjet, ambienti, veshja të gjetura bukur dhe saktë, të shoqëruara më një tekst elegant dhe të kulturuar, që rrjedh natyrshëm dhe si mendim i kthjellët, emocion, sjellin formën krijuese dhe përmbajtjen artistike, që do të thotë në vijim sukses. Kjo kështjellë e ngritur gur mbas guri nga çdo kompozitor dhe këngëtar materializon konkretisht frymëzimin, talentin dhe punën krijuese artistike të tij. Në pjesën dërrmuese të muzikës shqiptare (që një vesh i stërvitur e njeh menjëherë) të bie në sy frymëzimi dhe talenti, i harmonizuar artistikisht Nga kompozitorët shqiptarë Tish Daija, Çesk Zadeja, Preng Jakova, Kristo Kono, Thoma Nashi, Palok Kurti, Fan.S.Noli, Martin Gjoka, Jan Kukuzeli, Çesk Zadeja, Enver Shëngjergji, Agim Krajka, Agim Prodani, Akil Koci, Aleksandër, Lalo, Avni Mula, Aleksandër Peçi, Pjetër Gaci, Kujtim Laro, Limos Dizdari, etj, janë ruajtur elementë tradicionalë të muzikës shqiptare që ruajnë freski dhe origjinalitet. Më tej, puna e palodhur, vullneti për të konceptuar e strukturuar gjithë materialin jetësor të akumuluar në vite të jetës së tyre si kompozitorë ata kanë krijuar një vepër artistike që ka lënë gjumë në breza. Por paër në kohezion, zhvillimi i muzikës shqiptare, krahasuar me vende të tjera evropiane, ka pësuar edhe ndryshime jo cilësore në zhvillimet jolineare të saj. Studiuesit kanë bërë ç’është e mundur për ndriçimin e rrugës së zhvillimit muzikor të përshkruar, duke nxitur kështu që të flasë gjithë historia jonë muzikore pasi, thuhet se muzika, është një gjuhë universale, shfaqet tek popuj të ndryshëm, në mënyra të ndryshme, duke marrë formën e një arti muzikor të thjeshtë, por që kuptohet nga të gjithë. Që muzika të mbahet e gjallë, e freskët duhet të mbështetet tek Foklklori tek, lashtësia e tij.
Ja si shprehet kompozitori Aleksandër Lalo:
“Më kujtohet një shprehje që na ka thënë profesori ynë Çesk Zadeja, kur ishim studentë: Kur e ndjeni veten bosh dhe nuk gjeni se çfarë të thoni diçka të re në art, atëherë ktheni kokën prapa dhe shikoni folklorin. Vërtet ne kemi një folklor të shkëlqyer, si gjithë kombet e tjera. Nuk është fjala se unë e kam ndjerë veten bosh këto 20 vjet, por kam dashur të kërkoj pika referimi andej këtej, dhe e vetmja pikë ku mund të bazohesha tamam dhe që e ndjeja veten komod ishte folklori. Sipas mendimit tim, vlera kombëtare në muzikë nuk është thjesht mbështetja tek folklori. Nëse një autor, një muzikant, një shkrimtar, një piktor është i veçantë dhe i papërsëritshëm ai është vetvetiu kombëtar. Nëse nuk është i përsëritshëm në llojin e vet, nëse nuk dëgjohen tinguj të tjerë si këto që bën ky autor, atëherë vetvetiu kjo vepër është kombëtare, për arsye se vetë personi i takon një kombi të caktuar” – thotë ai. Kjo është një e vërtetë pasi Folklori po rishfaqet guximshëm, mes sfidash, ballafaqimesh e konkurrencash, por edhe mes miqësish, qokash e hatëresh. Ende Folklori, turbullohet nëpër llagëmet e “turbofolkut”. Dhe përsëri shfaqet i vërtetë, i qartë në dritë të diellit dhe në furtuna të vetëtimave. Folklori, në rrjedhat e kohës, pëson ndryshime, deri edhe transformime, por asnjëherë nuk mund të shkëputet prej traditës, kritereve të krijimit e të funksionimit të vetë Folklorit.
Çfarë i mungon sot muzikës shqiptare?
Brezi i ri i këngëtarëve ka shumë punë përpara. Ndoshta dhe unë bëj pjesë në këtë brez. Të gjithë duam të bëhemi të famshëm, të bëjmë bujë, të korrim vetëm suksese. Kjo ka bërë që të lemë mënjanë traditën, eksperiencën e të parëve, normat e kompozimit tradicional deh të të kënduarit shqip. Shumë herë teksti nuk mirret vesh, muzika është një miks e huazuar dhe këngëtarja vetëm një bukuroshe. Arti nuk të fal. Arti është zengjin dhe kryelartë. Nuk i duron thyerjet dhe shkarjet për famë dhe para. Arti të braktis kur ti mendon se ke arritur majat dhe nuk e respekton atë me kriteret dhe normat e tij. Superpozimi, këngët pa tekst, muzika amalgamë me shumë rryma dhe kopjime është e destinuar të dështojë. Ne të rinjtë, jemi një brez që kemi shumë informacion dhe dimë shumë gjëra që ndoshta brezi i mëparshëm nuk i di. E mira është që neve duhet të shkojmë në një të mesme që të marrim e të japim nga të dy palët. Nga ne së paku ata mund të marrin përvojën praktike moderne, sepse ne nuk kemi patur një fat të madh si ata që veprat i shkruanim dhe menjëherë ato luheshin në skenë. Ne sot kemi pak mbështetje për veprim dhe vendosje në skenë, pasi ka pak orkestrime dhe organizime masive. Tani kanë dalë kompjuteri dhe programe digjitale ku janë futur shumë të rinj që mbase nuk kanë dhunti për muzikë, dhe duhet të kuptojmë se tingulli dhe frymëzimi origjinal, nuk kanë të bëjnë me teknologjinë, por me zërin real. Prandaj ne autorët e rinj të krijojmë me dëshirë e pasion dhe jo me sforcot e mbijetesës. Brezit tonë i mungon eksperienca e brezit të mëparshëm, përgjegjësia dhe korrektësia e tyre, hapësirat për organizime masive. Le të shpresojmë tek e ardhmja.





