Shkruan : Shefki Hysa
Shënime për librin “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, e autorit Rasim Bebo
Thonë se dikur jetonte e Bukura e Dheut. Ndrinte ajo vetë, ndrinte dhe gjithçka përqark saj. Nuk kishte të krahasuar bukuria e saj, as ditën e as natën: Del o diell të dal, del o hënë të dal. Thonë se të Bukurën e Dheut fillimisht e quanin Pellazgji. Ishte aq madhështore, e hirshme dhe magjiplotë saqë u dashuruan marrëzisht pas saj tërë fqinjët dhe të largëtit që njiheshin me të, të qytetëruarit dhe barbarët. Po Pellazgjia rrinte krenare në jetën e vet. I nderonte dhe i respektonte tërë ata që i vinin rrotull, pa iu përulur askujt. Na u bënë ziliqarë barbarët për krenarinë, vlerat dhe thesaret e saj. Dhe dikur iu turrën për ta mposhtur me përdhunë. U kacafytën gjatë barbarët me të, i rrëmbyen aty-këtu edhe copa stolish e thesaresh, megjithatë Pellazgjia nuk u mposht…

Ajo që mbeti pas atyre betejave grabitqare u quajt Iliri. Barbarët u kacafytën edhe me Ilirinë, i rrëmbyen të tjera thesare, të tjera stoli, po ajo nuk u dha. Tashmë e quanin Arbëri dhe trashëgonte ende një pjesë nga hiret e së Bukurës së Dheut, Pellazgjisë. Ashtu e hijshme, si gjithë të Bukurat e Dheut nëpër përralla, megjithëse e lodhur nga kacafytjet e gjata përdhunuese, Arbëria e paepur rrezatonte në sytë e barabarëve që nuk e duronin dot dritën e qytetërimit të saj. Dhe ata vrisnin mendjen si ta mposhtnin. Dhe i turreshin përsëri e përsëri, ditëve e netëve, gjatë dimrave e beharëve, i grabisnin stolitë, e plagosnin, e gjakosnin, i këpusnin gjymtyrët, por ajo, megjithëse mpakej e mpakej prej dhunës, nuk jepej. Ashtu e mpakur dhe e paepur ngjante rishtas e bukur dhe rrezatonte qytetërim në sytë e armiqve barbarë që donin ta zhbënin me çdo kusht.
Tashmë ca e thërrisnin Albani e ca të tjerë Shqipëri. Armiqtë si gjithmonë e kishin halë në sy dhe i turreshin përbindshëm bukurisë së saj. Shipëria e vogël, për mendjen e mbrapshtë të barbarëve, ishte Pellazgjia e dikurshme që ende nuk ishte epur prej dhunës grabitëse, prandaj nuk duhej lënë rehat. Ajo duhej zhdukur…
Kjo farë Shqipërie ishte apo nuk ishte Pellazgjia e dikurshme?!… Debatonin e debatonin armiqtë e saj dhe i turreshin përsëri për ta zhbërë që të mos i mbetej as nami e as nishani Pellazgjisë së dikurshme që rronte ende në genet e Shqipërisë… Armiqtë e saj tashmë ishin jo vetëm barbarët, por edhe fqinjët e qytetëruar. Edhe ata i lakmonin ato pak thesare që trashëgonte Shqipëria prej Pellazgjisë së dikurshme… Ishte apo nuk ishte Pellazgjia?!… Tashmë gjithçka ishte shndërruar në legjendë. Pellazgjia, e Bukura e Dheut, tashmë ishte një përrallë që u rrëfehej netëve kalamajve…
Ndërkohë doli një trim që vendosi të eksploronte viset e legjendës. Trimi quhej Rasim Bebo. Dhe duke kërkuar nëpër udhët e vështira të meditimit muzgjeve të legjendës, trimi Rasim Bebo po zbulonte copëza stolish, gurë të çmuar, diamante e perla, që përbënin dikur thesaret e bizhuterive të Pellazgjisë…
Trimi Rasim Bebo, duke kërkuar, zbuluar dhe restauruar copëzat e bizhuve të grabitura nëpër shekuj nga trupi i Pellazgjisë arriti të rindërtonte profilin e saj prej të Bukure Dheu… Dalëngadalë legjenda po shdërrohet në realitet. Kërkojeni dhe do ta gjeni një pjesë të këtij realiteti në librin “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, të historianit Rasim Bebo…
I nderuar Profesor Bebo!
Ja, këto më vijnë shpesh ndërmend që në çastin që u njoha me vlerat e mëdha të librit tuaj… Dhe vazhdimisht kam menduar si e si t’i përpunoja sa më bukur fjalët, që ato të dilnin njëherësh prej trurit dhe shpirtit tim. Të ishin sa më të denja, sa më të arrira dhe ta vlerësonin siç e meriton librin “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”.
Kam besim se ky libër e meriton një vlerësim të rrallë, siç është edhe vetë me thesarin e vlerave shqiptare që përmbledh. Dhe besoj se i tillë do të jetë edhe vlerësimi i çdo lexuesi…
Me këtë libër tanimë ju jeni dhe mbeteni një ndër historianët që do të pëlqehet më shumë prej shqiptarëve atdhetarë, i nderuar Profesor Rasim Bebo…
Dhe, si miku juaj, po ju them me besim të madh se lexuesit ta gjykojnë si një thesar të rrallë veprën tuaj…
Zoti qoftë përherë me ju!
Shefki Hysa