
Tiranë, 1 shkurt - Një raund të ri ndryshimi kufijsh do të kemi së shpejti në Ballkan. Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë ende dy vende politikisht dhe ekonomikisht të brishta, që jetojnë nën protektoratin e vendeve perëndimore, së bashku me Maqedoninë.
Në dy dekadat e fundit konfliktet territoriale në zonën e ish-Jugosllavisë janë zgjidhur me tërheqjen e kufijve, gjë që rrallë ka ndodhur pa dhunë, vlerëson analiza.
Sipas saj, vendi ku harta politike ka mundësi të rishikohet është trekëndëshi i përbërë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Kjo zonë dominohet kryesisht nga popullsia shqiptare, shumica e së cilës kërkon bashkimin në një shtet të vetëm. Kështu, nga një sondazh i kryer në vitin 2010 rezulton se:
81 për qind e popullsisë shqiptare në Kosovë kërkon një Shqipëri të Madhe, në Maqedoni të njëjtën gjë e kërkon 66 për qind e shqiptarëve dhe në Shqipëri 63 për qind.
Në vitin 2009, thuhet në ueb faqen e SWP, ambasadori amerikan në Tiranë u përpoq të bindte kryeministrin Sali Berisha që të largonte idenë e Shqipërisë së Madhe, transmeton Top Channel.
Por, lëvizja Vetëvendosje, forca e tretë parlamentare në Kosovë dhe që po përhapet me shpejtësi, ka ringjallur idenë në radhët e kombit shqiptar në Ballkan, duke e vendosur atë në majë të prioriteteve të saj.
Gjithashtu, edhe serbët e Kosovës refuzojnë të jenë pakicë në një shtet me shumicë shqiptare, gjë që, sipas SWP, bën më të fortë hipotezën për një rishikim të kufijve në Ballkan.
Shpërthimi i një konflikti të ri etnik-politik do të godiste në zemër Evropën juglindore dhe investimet që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Evropës perëndimore kanë bërë atje.
Vendet e Ballkanit perëndimor janë të kufizuara nga vendet anëtare të BE, kështu që çdo destabilitet në to do të kishte impakt edhe në vendet fqinje, kryesisht në formën e emigracionit.
Për rrjedhojë, qëndrimet e ndryshme politike mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore për Ballkanin me shumë mundësi do të ridalin në sipërfaqe.
Nga ana tjetër, pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës nuk po japin shenja për një ndryshim të qëndrimit të tyre.
Gjithashtu, përballjet e Kinës dhe Rusisë me Perëndimin për politikat e fundit në Ballkan, që nuk janë harruar, ka shumë mundësi që të rishfaqen në arenën ndërkombëtare, vlerëson më tej analiza.





