Katër vjet pas përfundimit të lidhjes së gjatë dhe të trazuar me Violet Trefusis, poetja dhe novelistja angleze Vita Sackville-West ra në dashuri me Virginia Woolf, 10 vjet më e madhe në moshë. Lidhja e tyre ishte e vrullshme dhe me ulje-ngritje dhe ndryshime gjatë viteve që ato ishin bashkë.
Djali i Vitës, Nigel Nicolson, e ka përshkruar me ndjeshmëri marrëdhënien e tyre në një botim të vitit 1973, duke u bazuar në letrat e së ëmës për të hedhur dritë mbi ndjenjat e forta që këto dy gra ndanë për njëra-tjetrën që ditën e parë kur u njohën deri kur Vita mësoi për vdekjen e Virginias.
Lidhja e tyre e pazakontë nisi në dhjetor 1922, kur Virginia ishte 40 vjeçe. Katër ditë pas takimit të tyre të parë, Virginia e ftoi Vitën për darkë. Vita i shkroi të shoqit, diplomati Harold Nicolson, po ashtu homoseksual, në një letër:
“Unë e adhuroj Virginia Woolf, jam e sigurt që edhe ti do të jesh i të njëjtit mendim. Ajo është kaq e thjeshtë. Në fillim të duket sikur është thjesht e zakonshme, pastaj një lloj bukurie shpirtërore e saj të imponohet dhe të magjeps edhe vetëm kur e sheh. Mbi të gjitha është kaq e zgjuar dhe e artikuluar.
Rrallë mund të më tërheqë dikush në këtë mënyrë. Mendoj se të njëjtën gjë ndjen edhe ajo. Më kërkoi të shkoj në Richmond, ku ajo jeton. I dashur, më duket se kam humbur mendjen”.
Gjatë 5 viteve në vijim, Vita e humbi mendjen komplet dhe lidhja mes tyre u bë edhe më e fortë.
Vita u bë e dashura dhe muza e Virginias, që e frymëzoi shkrimtaren të shkruante romanin “Orlando”, që revolucionalizoi politikat mbi lidhjet homoseksuale dhe që Nicolson e quan letrën më të gjatë dhe të ndjerë të dashurisë në letërsi.
Përgatiti: E. Qose





