Hajt medet , çka na ka gjetë ?!

Propozimi i Akademikut Rexhep Qosja: Veriu i Kosovës t’i jepet Serbisë për Preshevën

Propozimi i Akademikut Rexhep Qosja: 
Veriu i Kosovës t’i jepet Serbisë për Preshevën

Akademiku Rexhep Qosja ka propozuar shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. I ftuar në ‘Zona e Debatit’ në Klan Kosova, Qosja tha veriu i Kosovës duhet t’i jepet Serbisë në këmbim të Luginës së Preshevës, ndërsa është shprehur i gatshëm të bisedojë me serbët për çështjen e kufijve.

Qosja ka deklaruar se e vetmja rrugë për të arritur tek një zgjidhje e qëndrueshme është që të ketë shkëmbim territoresh me Serbinë.

“Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës, veriut, dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën. Kjo nuk është e lehtë dhe ne mund të mendojmë se Serbia nuk do të pajtohet lehtë. Por, është koncept të cilin ne duhet ta kemi përpara gjithnjë”- ka thënë ai.

Sipas tij, tani për tani pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve është utopik dhe i pamundshëm.

“Ata nuk e heqin mendjen nga një koncept i para 300-400 vjetëve. Serbia sundohet nga njerëz që jetojnë me mitologji”, ka thënë ai. “Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen. Si do të zgjidhet problemi i veriut dhe Luginës së Preshevës varet nga ne dhe këmbëngulja e mençuria jonë. Por, ne do të bashkohemi”- tha Qosja.



Nga Rexhep Qosja : Kritikëve të propozimit tim për shkëmbim territoresh me Serbinë


Kam këtë përgjigje për ju që po e kritikoni aq emocionalisht propozimin tim të botuar disa herë, edhe para 30 vjetësh, për shkëmbimin e Mitrovicës Veriore të banuar me serbë me Luginën e Preshevës – me Preshevën, Bujanocin, Medvegjën e fshatrat përreth të banuara me shqiptarë.

Me dallim prej meje që do të doja ta shpëtoja Kosovën prej shtetit të quajtur Bashkësi e Komunave Serbe, domethënë prej shteteve të vogla serbe nëpër Kosovë, dhe t’i jepet Serbisë një pjesë e vogël e Kosovës Veriore e banuar me serbë dhe e sunduar edhe tani prej Serbisë, të cilëve do të mund t’u bashkoheshin edhe serbët e viseve të tjera të Kosovës, e t’i jepeshin Kosovës Presheva, Bujanoci e Medvegja me fshatrat përreth të banuara me shqiptarë, ju në realitet do t’ia dhuroni Serbisë të dyja: Mitrovicën Veriore, e cila që tani po bëhet qendër administrative, ekonomike, arsimore e kulturore serbe nën sundimin e Serbisë dhe Luginën e Preshevës, e cila do të shpopullohet prej shqiptarëve e do të popullohet prej serbëve!

E këtillë, mjerisht, është e ardhmja e çështjes ende të pazgjidhur plotësisht shqiptaro-serbe, që na e dhurojnë mendjet që mendojnë vetëm sot për sot dhe që shohin vetëm deri te kthesa e parë: vetëm deri te muri i rrënuar buzë Ibrit dhe vetëm deri te treni i dekoruar i kthyer pas Beograd-Mitrovicë! Dhe të gatshëm – që të na pagëzoni kombi kosovar!

Nuk dua të mendoj që kjo politikë është e frymëzuar më parë prej propagandës së atyre që gëzojnë frytet e tregtisë së zezë të mafisë serbe dhe të mafisë shqiptare në Mitrovicën Veriore sesa të mendjepakësisë e të padijes.


Pandeli Majko e konsideron të gabuar propozimin e akademikut Rexhep Qosja për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës

Propozimi i Rexhep Qoses për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi, Majko: Pse gabon miku im


Deputeti Pandeli Majko e konsideron të gabuar propozimin e akademikut Rexhep Qosja për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, i cili u shpreh para pak ditësh në një emision televiziv se Serbisë duhet t’i jepet veriu i Kosovës në këmbim të Luginës së Preshevës, ndërsa bashkimi me Shqipërinë do të ndodhë. Përmes një statusi në Facebook, Majko shprehet se historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare, ndërsa hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm.

Postimi i Pandeli Majkos:


Rexhep Qosja padyshim është një cilësi e pandryshueshme kombëtare.
Propozimin e tij për shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë e konsideroj të gabuar.
Historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare. Ato janë dhe mbartin garancitë ndërkombëtare. Kufiri është serioziteti i cdo shteti për të respektuar fqinjin. Ai shpreh vullnetin për të respektuar rregullat ndërkombëtare që e bëjnë atë anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm. Tashmë ka një vullnet ndërkombëtar të shprehur për sovranitetin territorial të Kosovës. Dëshirat janë njerëzore. Shteti ka qëllime. Nuk është e nevojshme që, pikërisht tani, të ngrihet nga ata që i duan dhe nuk i duan shqiptarët pyetja “Cfarë duan shqiptarët!?”
Pasiguria në marrëdhëniet ndërkombëtare nxjerr të humbur palën që e nxit atë.
Me respektin maksimal për Rexhep Qosen, për një mik që koha nuk e ndryshon… Nga ai kam mësuar se serbët njohin vetëm ato kontrata që nuk e nxjerrin humbës.

Ish-ministri i Mbrojtjes për shkëmbimin e territorëve:Akademik rexhe  Qosja ka të drejtë, duhet parë si një mundësi



Ish-ministri i Mbrojtjes për shkëmbimin e territorëve: Qosja ka të drejtë, duhet parë si një mundësi
Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, mbështet tezën e akademikut Rexhep Qosja për shkëmbimet e territoreve me Serbinë duke argumentuar se ky mendim duhet parë me mençuri dhe objektivitet.

Brokaj thekson se faktori ndërkombëtar po toleron më shumë veprimet e serbëve në Kosovë, sesa vetë shqiptarët.

“Pa e analizuar, në shikim të parë të duket si një gjë e papranueshme. Por e thënë nga një mendimtar i thellë dhe një patriot i madh, siç është Rexhep Qosja, politika duhet ta mendojë mirë. Unë mendoj se ky propozim duhet të jetë në tavolinën e bisedimeve të politikës shqiptare”- thotë Brokaj për “Panorama”.

Duke analizuar përsenë e këtij qëndrimi, Brokaj akuzon ndërkombëtarët se po tolerojnë serbët, ndërkohë që “flitet dhe pranohet nga të gjithë se jemi për bashkimin e shqiptarëve në BE. Por ne shohim që sikur nuk po ecën integrimi europian”.

Në kushte të tilla, përballë një propozimi të një mendimtari si Qosja, “politika nuk duhet të ngutet dhe të kthejë përgjigje. Patjetër duhet parë si probabilitet i këtij realiteti se si vlerësohen shqiptarët”.

Ai kritikon qëndrimin e socialistit Pandeli Majko, duke thënë se ai po merret me slogane, në një kohë kur vendi sa i takon integrimit nuk po ecën.


Gazeta Express u përgjigjet akuzave
 të Rexhep Qoses

Qosja shndërrohet në revolucionar vetëm në momentin kur pushojnë se ekzistuari arsyet financiare. Është normale që të pikëllohesh nga vdekja e Astrit Deharit, por si është e mundur që nuk të kishte penguar vrasja e Xhemail Mustafës dhe dhjetëra zyrtarëve të tjerë të vrarë pas luftës?
Atëherë kur ishte koha për gjak, Rexhep Qosja e kishte rruar mjekrën dhe ishte përvjedhur me masën për të ikur deri në Maqedoni. Por fillimisht kishte qëndruar në llucën e Bllacës pa pikën e dinjitetit.

Nuk kishte vonuar shumë dhe çdo gjë kishte përfunduar. Falë ndërhyrjes së trupave të NATO-s, të nxitura nga lufta e UÇK-së, edhe Qosja, bashkë me gra e me fëmijë, ishte kthyer në shtëpinë e tij në Prishtinës, siç i thonë fjalës, pa therë në këmbë.

Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, sikur të mos kishte qenë ky i pari që e kishte braktisur vendin e tij, Qosja u kthye nga refugjatllëku më trim se kurrë.

Pas luftës, de fakto, erdhën në pushtet të dashurit e tij, krahu i luftës, që besonin që ideologu i “Revolucionit të vonuar demokratik” ishte shkrimtar i përmasave ndërkombëtare. Ata po e dëgjonin Qosen duke kërkuar koka. Po shpallte tradhtarë në të majtë dhe në të djathtë. Po miratonte vrasjet e shkrimtarëve. Po heshtte kur po vriteshin ata. Nuk po e drejtonte gishtin në asnjë drejtim. Kështu për shembull kur u vra Xhemail Mustafa as nuk e akuzoi shtetin e as pushtetin, siç po bën tash për Astrit Deharin. Nuk bëri kështu as kur u vranë me dhjetëra të tjerë zyrtarë të LDK-së. Përkundrazi, ai po e kërkonte kokën kryesore, atë që e la Qosen në margjina, kokën e Ibrahim Rugovës. Sepse Qosja mendonte që pushtetin duhet ta marrin, edhe de jure, ata që e fituan luftën.

Kush?

Forcat e KFOR-it?

I mundur në të gjitha drejtimet, Qosja u ngujua në shtëpinë e tij në “Kodër të Diellit”, duke e pritur momentin e tij politik. Jo të tijin, sepse ai kishte mbaruar, por të shokëve të tij, gjë e cila edhe ndodhi, për turpin e tij. Qosja pastaj u shndërrua në shkrimtar të oborrit, rol të cilin ai e kishte kryer edhe në kohën e Josip Broz Titos. Sikur në kohën e Titos, edhe në kohën e Thaçit, Qosja u shpërblye për shërbimin e tij. Për librat e tij ai mori qindra mijëra euro. Për çfarë librash? Ato që edhe më tutje synim të vetëm kanë vetëm një treg – atë shqiptar. Sigurisht që për tirazh nuk vlen të flitet.

Në këtë mënyrë, për disa vite me radhë, Qosja po kujdesej për reputacionin e Thaçit, kurse Thaçi për mirëqenien e Qoses. Në momentin e parë kur përfundoi tagjia, Qosja iu kthye revolucionit. Filloi ta godiste Qeverinë. Në fakt jo gjithë Qeverinë. Vetëm njërën pjesë, atë të LDK-së. Shih ironinë! Sulmon Isa Mustafën për kohën e Jugosllavisë. Në anën tjetër në gazetën “Rilindja” qëndron monumenti i tij i turpit, elozhi që ai i thur një diktatori, Josip Broz Titos, kur ky i fundit kishte vdekur.

Pra, Qosja është revolucionar vetëm në momentin kur nuk ka arsye financiare për të qenë me pushtetin. Nuk ka lidhje çfarë është pushteti. Ai u është përkulur të gjitha pushteteve. Tek e fundit, a keni dëgjuar që ndonjëherë Qosja është arrestuar, burgosur, ose keqtrajtuar, prej cilitdo pushtet?

Tash së fundmi, dje, sikur Veton Surroi pardje, Qosja, në mes tjerash, duke folur për vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit, kishte sulmuar “Gazetën Express”, që, sipas tij, është një medie e kriminalizuar, vegël e pushtetit, që vret.

Madje, çfarë qyqarllëku, Qosja në mënyrë të përveçme e përmend vetëm “Gazetën Express” si pjesëmarrëse në krim. Sepse ai nuk guxon, për arsye të kuptueshme, që të lëshohet me emra konkretë politikanësh, që mund të kanë përgjegjësi në këtë vrasje. A e ka dëgjuar dikush prej jush Qosen duke akuzuar në mënyrë konkrete Hashim Thaçin? Po Kadri Veselin? Po Xhavit Halitin? Nuk e keni dëgjuar pra! Sepse ndaj tyre ka borxhe të shumëfishta. Ai godet vetëm atje ku është më lehtë, dhe më pa pasoja.

Sido që të jetë, “Gazeta Express”, edhe po të donte, nuk do të mundë ta ndëshkonte Qosen më shumë dhe më rëndë sesa e ka ndëshkuar qytetari i Kosovës. Ai kurrë nuk kishte arritur që të merrte pëlqimin e më shumë se 2 për qind të tyre.

Po ashtu, “Gazeta Express” edhe po të donte nuk do të mundë t’ia nxinte jetën më shumë sesa çmimet në letërsi të Ismail Kadaresë. Këtë të fundit Kadare e ka shpallur rival në mënyrë të njëanshme.

“Gazeta Express”, duke e konsideruar Qosen shkrimtar të përmasave komunale, i dëshiron këtij të fundit pleqëri të lehtë dhe jetë të gjatë. Sigurisht në Shqipëri kanë ngelur edhe më tutje bashki, ose komuna, që do të mundë ta nderonin edhe më tutje shkrimtarin tonë të madh. Kanë ngelur edhe më tutje çmime që do të mundë t’i rrëmbejë, por asnjëherë përtej rajoneve ku nuk flitet shqip.


Fotografia e Skender Zogaj

Ideja e Rexhep Qosjes që rrezikon Kosovën!


“Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën. Kjo nuk është e lehtë dhe ne mund të mendojmë se Serbia nuk do të pajtohet lehtë. Por, është koncept të cilin ne duhet ta kemi përpara gjithnjë. Çështja serbe për shqiptarët për mendimin tim mund të zgjidhet vetëm në këtë mënyrë”, ka thënë Qosja, duke shtuan se kjo do ishte zgjidhja më e mirë e cështjes ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Por kjo ide e paraqitur nga Rexhep Qosja po konsiderohet e gabuar dhe po kritikohet ashpër.

Publicisti Skënder Zogaj, i ka quajtur të turpshme deklaratat e fundit të Rexhep Qosjes për shkëmbimin e territoreve.

“Rexhep Qosja i mirënjohur si krye kërmilli irritues, që sa herë që gjen rastin të nxjerrë kokën nga gëzhoja e tij, lëshon këlbazën kutërbuese që e fëlliq ambientin rreth rrotull tij, por edhe më gjërë sepse, ky mjeran flet gjëra të rrezikshme kundër interesit të popullit dhe të vendit të quajtur Kosovë, ku, ky mjeran është i importuar. Qosja nuk ka lënë të zezë pa bërë në Kosovës, kështu që, deklaratat e tij të fundit për këmbimin e territoreve shqiptare është një turp më shumë, një fëlliqje e tij e radhës, që kapërcen çdo kufi, sepse kësaj radhe, tyxhari nga Mali i Zi, shfaqet si një kriminel ordiner që i jep vetes të drejtë të tentojë, të bëjë pazare me tokat e Kosovës. Kjo dëshmon se Qosja në Kosovë ka ardhur me mision të caktuar, mirëpo, me gjasë është senilosur dhe, nuk është kah e kupton se, nuk është më komisari i kuq i titizmit, dhe se Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur, prandaj për fatin e saj vendosin kuadrot etnike, e jo çetnike të Jutbinës së Carnagorës!” ka thënë Zogaj.

Këto deklarata, publicistin Skënder Zogaj, e kanë bërë të dyshoj se Qosja mund të ketë hile edhe tek problemi i demarkacionit me Malin e zi.

“Hyrja në çështjen e Danjollit të Sherkës nëpër vrimën e bravës së derës, më bën të dyshoj se ka hile te problemi i Demarkacionit me Malin e Zi, që është problem krejtësisht tjetër, shumë e shumë më i lehtë se apetiti i Qosjes, i cili mbi 20 për qind të territorit të Kosovës është i gatshëm t’ia japë Serbisë, në këmbim me Luginën e Preshevës, që nuk është as 5-6 për qind i territorit të Kosovës. Emri i tij po na irriton dhe, nuk ka dyshim se edhe krijimtaria e tij ka helmin përbrenda, kështu që, shqiptarët e pastër të Kosovës, them se, duhet të qëndrojnë sa më larg këtij burimi infektues. Është për keqardhje që disa media, rrezikojnë reputacionin e tyre duke u marrë me këtë kërmill të zi, që terrin e ka ushqim të shpirtit dhe keq bërjen virtyt”, është shprehur Zogaj.

“Modeli i Qosjes, rrezikon Kosovën”

Edhe publicisti Fadil Lepaja, është shprehur për gazetën “Bota sot”, se modeli i propozuar i Qosjes rrezikon të gjitha komunat e banuara me serbë.

“Problemi me propozimin e vjetër të ri z.Qosja nuk është me përmbajtjen sa për formën. Në fakt, modeli i propozuar i zgjidhjes së "nyjey" të quajtur Kosovë, rrezikon jo vetëm veriun por edhe krejt komunat e banuara me serb në Kosovë. Problemi të cilin z. Qosja nuk e kupton, ose e kupton por e bën qëllimshëm, është se me këtë propozim thyhet parimi mbi të cilin është ndërtuar gjithçka pas rrënimit të ish-Jugosllavisë dhe ky është, parimi për kufijtë e pandryshueshëm të njësive federale në ish-Jigosllavi”, ka thënë Lepaja.

Sipas tij, nëse kufijtë, lëvizin, ata i rivendosë vetëm forca.

“Kjo është një përpjekje e ngjashme, për t’u arritur. Ajo që nuk u arrit me demarkacionin e kufirit me Malin e zi, ku qëllimshëm u vizatua një vijë e gabuar kufitare, e cila u aprovua, dhe pastaj lindën lëvizjet për t`a korrigjuar atë. Kjo, po ashtu ishte lojë e dizajnuar në kuzhinat luftënxitëse, të cilat përpos që vunë në dyshim kufijtë, po mbajnë peng edhe anëtarësinë e Malit të Zi në NATO. Lehtë mund të kuptohet se lojë e kujt ishte kjo”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, Artur Roshi nga Balli Kombëtar Demokrat, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se “atdheu nuk mund të jetë çështje biznesi siç e paraqitt Qosja”. “

Qosja e sheh si plaçkë atdheun dhe jo si një gjë që thotë shumë dhe përtej jetëve tona. Atdheu është i lënë nga të parët tanë për ne dhe ne duhet ta lëmë për brezat që vijnë ashtu si e morëm. Atdheu nuk mund të jetë çështje biznesi siç e paraqiti Qosja. Ai është e vetmja gjë që konstante që ngelet për pasardhësit tanë dhe ne kemi të drejtë vetëm ta zhvillojmë dhe ta bëjmë më të banueshëm për një cilësi jete më të lartë. Mendimi i Qoses njehsohet me mendimin e një marksisti pa fe dhe pa atdhe”, ka thënë ai.

“Vdekja më vjen prej pisllëkut tim”

Ndërkaq, analisti Xhevat Rexhaj, ka përmendur debatet e shumta që Qosja i ka pasur me disa nga figurat e njohura të politikës shqiptare.

“Rexhep Qosja, një akademik i mjerë i kohës së titizmit, një njeri që shkroi me lot në sy për vdekjen e Titos, që ujiti letrat e tija me lot kur i vdiq Enver Hoxha, që ngriti lart ish komunistët e Kosovës së Titos, eh ky Qosja që kudo dhe kurdo ndillte vrer kundër 90% të shqiptarëve të Kosovës, kundër Presidentit të Kosovës, kundër Ismail Kadares, kundër Sali Berishës, Ahmet Zogut e shumë të tjerëve që ishin, dhe mbesin krenaria shqiptare, por jo për Qosjen ata ishin po si tradhtar”, ka thënë Rexhaj.

Kështu, Rexhaj, ka përmendur edhe rivalitetin ndërmjet Qosjes dhe ish Presidentit Rugova.

“Virusi i shtytjes vëllavrasëse ndër shqiptarë ishte me dekada Qosja. Ai mbetët edhe sot virus, por me dobësim e rënie, ngase shumica shqiptare e konsideron një maskara intelektualiteti. Qosja ashtë më se e sigurta edhe sot ndihet i vdekur për së gjalli karshi Ibrahim Rugovës, sepse Rugova është i gjallë në zemrat e shumicës shqiptare. Dikur Qosja kishte shkruar librin” Vdekja më vjen prej syve të tillë”...në praktikë ai sot do duhej librit të tij të ia ndërroi titullin kështu: Vdekja më vjen prej pisllëkut tim”, ka përfunduar ai.


Në valle me Qosjen edhe Akademik Nexhat Daci ?


Akademik Prof.dr. Nexhat Daci, ish-kryetar i Kuvendit te Kosovës, thotë se ky lidership politik shqiptar nuk mund ta jetësojë ëndrrën e shqiptarëve për bashkim.

Daci, duke komentuar idenë e  Akademik Prof.Dr.Rexhep Qosjes, për shkëmbim të territoreve ka thënë se ky është një realitet i së kaluarës, “por kësaj radhe duhet parë më shumë relacionet mes Washingtonit e Moskës ngase Pekini veç ka depërtuar në Ballkan”.

Sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve ai ka thëne se nuk e din në detaje idenë e  Akademik Prof.Dr. Ibrahim Rugovës, por thotë se ai ka pasur një vullnet të tillë më herët, që t’i japë tri komunat e veriut për Luginën e Preshevës.

Sipas tij, opinioni shqiptar nuk është i përgatitur për një shkëmbim të tillë.

Daci këto komente i ka bërë në emisionin “Rrokum Roll” në Televizionin Rrokum.



*****