“Gara presidenciale, Sadije Berisha propozon disa emra grash” plus 9 more - Gazeta Dita

“Gara presidenciale, Sadije Berisha propozon disa emra grash” plus 9 more - Gazeta Dita


Gara presidenciale, Sadije Berisha propozon disa emra grash

Posted: 11 Jan 2017 02:33 AM PST

 

Ish-­bashkëshortja e Shkëlzen Berishës, Sadije Berisha, ka bërë një listë me gratë politikane dhe personazhe publike, që mund të bëhen presidente të Shqipërisë.

Ne krye të listës se saj është deputetja e PDIU-së, Mesila Doda.

Me pas vijnë Majlinda Bregu, Jozefina Topalli, Iris Luarasi, Ajola Xoxa etj.

Ajo thotë se këto janë femrat qe kane energjinë e duhur për të drejtuar një dite vendin.

Madje, ajo bën thirrje se ka ardhur koha që gratë të qeverisin.

“Pse Ronaldo është më i mirë se Messi”

Posted: 11 Jan 2017 02:32 AM PST

"La Gazzetta dello Sport" ka publikuar një video në faqen e internetit, ku zbulon 10 arsyet pse Cristiano Ronaldo është më i mirë se Messi.

Ja 10 arsyet:

1. Loja e tij është më e kompletuar.

2. I përdor të dyja këmbët dhe ka një goditje të shkëlqyer me kokë.

3. Ka një fizik perfekt, për të cilin kujdeset jashtëzakonisht shumë.

4. Ka fituar në Angli dhe në Spanjë, duke treguar se është i aftë të fitojë në çdo ambient.

5. Ka arritur të fitojë edhe me kombëtaren, ndërsa Messi ka humbur një finale Botërori dhe dy finale të Kupës së Amerikës.

6. Ka shënuar 10 gola më shumë në Champions League (93 kundër 83).

7. Gjeneron më shumë të ardhura.

8. Është më aktiv në solidaritet. Nga donacioni për Chapecoensen e deri te iniciativat për fëmijët në Palestinë.

9. Është i vetmi që e ka fituar 4 herë Këpucën e Artë (3 herë Messi).

10. Është lojtari që ka shënuar më shumë dygolësha në historinë e Champions League.

Gjithsesi, "Gazzetta" nënvizon se kjo është situata aktuale, që mund të ndryshojë shumë shpejt nga magjitë e Messit.

Duhanpirja do vrasë më shumë se sa ka vrarë

Posted: 11 Jan 2017 02:28 AM PST

Duhanpirja dhe efektet anësore të shkaktura prej saj i kanë kushtuar ekonomisë globale më shumë se një trilion dollarë në vit, e deri në vitin 2030 do të vrasë dy milionë njerëz më shumë sesa tani.

Në këtë përfundim ka arritur një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe i Qendrës Kombëtare të Kancerit në SHBA. Kostoja tejkalon ndjeshëm të ardhurat globale nga taksat e duhanit, që sipas OBSH-së kapën vlerat e 269 miliardë dollarëve në vitet 2013-2014.

"Raporti është i rëndësishëm në të paktën dy drejtime. Ai nxjerr në pah se kostot ekonomike të duhanpirjes janë më shumë se një trilion dollarë çdo vit, ndërsa viktimat që aktualisht janë 6 milionë do të rriten në 8 milionë në vitin 2030", tha Jermiah Paul, përfaqësues i OBSH-së.

Raporti prej 688 faqesh thekson se kostot ekonomike pritet të rriten edhe më shumë, e pavarësisht faktit se qeveritë kanë mjetet për të reduktuar duhanpirjen dhe vdekjet e shkaktuara prej saj, nuk i kanë përdorur siç duhet ato.

Mes politikave të lira dhe efikase përfshihen rritja e taksave dhe çmimit të cigareve, ndalimi i kompanive të marketingut të duhanit dhe ilustrimi figurativ i dëmeve të shkaktura nga duhanpirja.

Sipas studimit, rreth 80 për qind e duhanpirësve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta e të mesme, e pavarësisht rënies së numrit të shitjeve në disa vende, duhanpirësit në botë janë shtuar.

Rusia: Nuk kemi material seksual kundër Donald Trump

Posted: 11 Jan 2017 02:17 AM PST

 

Kremlini ka reaguar pas furtunës në mediat amerikane se kanë një material seksual kundër presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

"Rusia nuk grumbullon materiale kompromentuese për askënd. As për Donald Trump, as për rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale amerikane, Hillary Clinton", deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Në këtë mënyrë, Kremlini zyrtar iu përgjigj pretendimit të disa mediave ndërkombëtare se Moska zotëron informacione kompromentuese me të cilat shantazhon Presidentin e zgjedhur.

"Kremlini nuk zotëron materiale kompromentuese të Donald Trump. Ky raportim është fals dhe nuk përputhet me realitetin dhe është hiç më shumë se një trillim. Është një bllof total, një fabrikim absolut dhe i pakuptimtë", tha Peskov.

Sipas raportimeve të mediave në SHBA dhe Britani, Rusia zotëron pamje me pullë të kuqe, ku Donald Trump është protagonist në "akte seksuale perverse" me prostituta.

Raportohet se materialet janë të siguruara nga një ish-agjent britanik dhe janë regjistruar në dhomën e një hoteli në Moskë.

Të gjitha këto raportime u hodhën poshtë më parë edhe nga vetë Presidenti i zgjedhur amerikan.

"Këto janë lajme të rreme dhe një gjueti politike shtrigash!", tha ai.

INTERVISTA / Birçe Hasko: Jam i lumtur që do vdes në një apartament dhomë e kuzhinë

Posted: 11 Jan 2017 02:16 AM PST

 

Birçe Hasko, i lindur në Dukat të Vlorës në 15 mars 1942, është aktor i njohur shqiptar. Mbas mbarimit të shkollës "Jani Minga" të Vlorës punoi si mësues në Memaliaj, ku angazhohet me trupën e Estradës amatore të qytetit. Në vitin 1965 fillon studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Mbas diplomimit Birçe Hasko mbahet pedagog pranë këtij Instituti, ku për disa dekada ka dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë "Shi në plazh", shkruar nga Teodor Laço. Një kontribut të çmuar ka dhënë në kinematografinë shqiptare, ku ka interpretuar me dhjetëra role. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971, ai i Sulo Ballistit në filmin "Kur zbardhi një ditë". Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Aliut tek filmi "Radiostacioni" në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin "Skëterrë 43", në vitin 1980, roli i mësuesit në filmin "Gurët e shtëpisë sime" në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit në filmin "Kronikë provinciale". Në vitin 1995 mori titullin Profesor. Është dekoruar me urdhrin "Naim Frashëri" të Klasit të Dytë. Në vitin 1988 Birçe Haskos iu dha titulli "Artist i Merituar". Bashkia e Orikumit e ka shpallur "Qytetar Nderi". Ai gëzon edhe titullin "Mjeshtër i Madh".

-Një pyetje disi "patriakale", Birçe. Familja juaj, Haskot, jeni të gjithë të kënduar, të arsimuar. Trashëgimi, genet, apo…?

-Jo, jo. Janë ca nga të gjitha. Ne kemi qenë 8 fëmijë, 6 vëllezër e dy motra. Shtatë nga këta morën arsim të lartë. Vetëm një motër mbeti me arsim të mesëm. Të tërë kemi qenë me nivel të lartë në mësime. E di pse? Sepse babai ynë, ndjesë pastë, ishte shumë arsimdashës. Ishim të varfër, nga më të pikurit në Dukat. I thoshte fshati babait: dërgoji djemtë tek filani për të ruajtur bagëtitë. Ishte fjala për të nxjerrë bukën e gojës. Ai kurrë nuk e bëri këtë. Mesa duket kishte vendosur të zhdukte injorancën në familje.

Është disi e pabesueshme, por unë do ta tregoj. Kishim disa prona në Llogora, pyje e kryesisht kullota. Atje në stan, ku edhe flinte, babait i kish dalë Fan Noli në ëndërr. I paskësh thënë: Ju Haskot do të përparoni, do të bëheni njerëz të kënduar, do shkolloheni.

-E vërtetë?

-Po, po, kjo është shumë e vërtetë. Babai ishte arsimdashës i thekur, por ajo ëndrra me Fan Nolin ia përforcoi dëshirën që të na dërgonte nëpër shkolla. Ai nuk të falte, ishte nopran i madh. Edhe 50 vjeç apo më shumë, njeriu duhet të mësojë, mbaj mend të na thoshte. Ka qenë vetëm ai që na nxiti për të vazhduar shkollat. Nuk të falte për këtë. Kunatën, Shanen, edhe pse ishte me fëmijë, e detyroi të mbaronte Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Ajo në fillim nguroi, nxori njëmijë e një yçkla, por ai një ditë iu hakërrye e i tha: Mos të të dëgjoj më nga këto që më thua, do të vesh në institut që ç'ke me të! Ka qenë i çuditshëm babai ynë.

-E veçanta tek ju Haskot është se, që të gjithë, kini mbaruar arsimin e lartë…

-Është e vërtetë. Për mësimet të gjithë jemi përgjigjur vetë. Që të gjithë, pa përjashtim. Vëllai i madh, Bilbili, mbaroi për inxhinier elektromekanik në Çekosllovaki. E mbaroi shkëlqyeshëm, mori medalje të artë. Skënderi, vëllai tjetër, mbaroi për gazetari. Edhe ai shkëlqeu në mësime e në punë. Edhe ju e dini që mbeti një ndër shkrimtarët më të mirë për fëmijë. Jo se e kam vëlla, por Skënderi ka lënë një emër të mirë si krijues, si shkrimtar dhe publicist. Edhe vëllai i tretë, Halili, mbaroi për inxhinier mekanik. Ishte i talentuar si inxhinier, por ai u mor më shumë me politikë. Ka punuar në Berat, Fier, Vlorë etj. Ka qenë edhe deputet në Kuvendin Popullor. Nga ne vëllezërit Halili mbetet si më i drejti, njeri që luftoi e lufton për ideale të pastra.

-Na thuaj diçka nga vetja, nga vështirësitë për shkollimin tënd…

-Dy vjet të shkollës fillore i kreva në Dukat. Mbaj mend edhe shokët e klasës. Kam patur Hasan Halilin, Ago Nezhën, Siri Allushin dhe Vexhi Nelon. Vexhinë e lash të fundit, por ai ishte i pari në mësime. Ishim në një bankë. Ai pati fatin e keq sepse nuk mundi të vazhdonte shkollën e lartë për arsye të biografisë.

Në shkurt të vitit 1951 u shpërngulëm përfundimisht në Radhimë. Nuk mund ta linim babanë vetëm. Aty rrinim në shtëpi me qira. Kemi bredhur të gjithë fshatin. Aty mbarova shkollën fillore.

Shtatëvjeçare nuk kishte Radhima, ishte në Tragjas. Të gjithë ne fëmijët, të tetë, shtatëvjeçaren e kemi kryer në Tragjas. Shkolla ishte larg, shumë larg, 12 kilometra vajtje-ardhje. Na duhej të bënim më shumë se tre orë udhëtim në ditë. Ngriheshim çdo mëngjes në orën 5 në mënyrë që në orën 6 të merrnim rrugën për në shkollë. Mbaj mend që ne nxënësit e Radhimës vinim 5-10 minuta më përpara se të tjerët, madje edhe ata që i kishin shtëpitë aty tek dera e shkollës. E mbarova shkollën shkëlqyeshëm, me të gjitha pesa.

Pastaj më doli e drejta e studimit për mësues, në shkollën "Jani Minga" të Vlorës. Sigurisht me bursë nga shteti sepse ne ishim familje e varfër, nuk mund ta përballonim dot pagesën. E kam mbaruar pedagogjiken me nota të larta, shumë të mira në të gjitha lëndët.

-Mban mend ndonjë detaj nga shkolla e mesme?

-Mbaj, si jo. Po tregoj diçka që nuk më ikën nga mendja edhe tani. Në klasë ishim 52 nxënës. Unë përgatitesha përditë, por për më shumë se një muaj nuk po më vinte radha që të ngrihesha në mësim. Mua më kish qëlluar që banka të ish afër dritares, e cila e kishte shikimin nga godina e Teatrit. Një ditë fillova të qaja. Isha i vogël, vetëm 14 vjeç dhe nuk kisha ikur ndonjëherë nga shtëpia. Më kishte marrë malli sidomos për nënën. Më pa mësuesja e matematikës, Bubulina Arapi, e motra e Fatos Arapit. Pa ngriu ti atje, tha, dhe drejtoi gishtin nga unë. Me sy të përlotur vajta tek dërrasa e zezë. Shkruaj, më tha, dhe po më jepte ca ushtrime për t'i zgjidhur. Nuk ka nevojë, ia ktheva, i them pa shkruar, i them me gojë. Uaaa, ia bëri e habitur mësuese Bubulina! Nga vjen ti?, më pyeti. Nga Tragjasi, mësuese. Cilin mësues ta ka dhënë matematikën? Shezai Radhima, iu përgjigja. Ajo e dinte, ia kish dëgjuar namin mësues Shezaiut. Më dha dy problema dhe unë fap-fap i zgjidha. Që atë ditë mua më doli nami si nxënës i mirë. Mësuese Bubulina kishte folur për mua në katedër dhe nga ajo ditë mua më zhdëpën me nota shumë të mira, në të gjitha lëndët.

-E pastaj?

-Pastaj vajta në Tepelenë, ç'të bëja. Dyqind mësues kishte atëherë i gjithë rrethi i Tepelenës. Shef arsimi ishte një Nase Guga nga Gjirokastra. Ishte burrë shumë i mirë, i shkëlqyer. Na mblodhën për të na caktuar shkollën ku do të punonim si mësues. Në debat e sipër dëgjova që do të më caktonin në një fshat ku do jepja mësim në katër klasa kolektive. U çudita. Si ishte e mundur të punoja njëherësh me katër klasa? Mora guximin dhe iu drejtova atij që bëri komunikimin, sekretarit të Komitetit Ekzekutiv: Ne, i thashë, kemi bërë praktikë me dy klasa kolektive, me katër më duket e pamundur, sot po e dëgjoj për herë të parë. Ç'bëri ai? Për të më trembur dha urdhër: Këtij djalit, tha, do t'i shkoni çdo javë për kontroll! Po unë isha më kokë mushkë se ai. Për kontroll dua që të më vish ti, por kam frikë se, po erdhe, do të grisen opingat. Ai i ra tavolinës në atë mënyrë sa u prish edhe mbledhja. Kot që e bëra edhe unë kërkesën. E kush më pyeste mua.

27518277075_8c576d66f5_b-E zbatove urdhrin, vendimin e seksionit të arsimit?

-Me një këmbë. Shkova aty ku më caktuan. Ishte një fshat i thellë, shumë larg, në Amarikaj. Binte mbi Qesarat. Sapo vajta, e di si u thash disa fshatarëve që luanin domino aty afër shkollës? E dini ju ç'do të thotë Amarikaj? Jo, thanë ata, dhe ngritën supet. Ja u thotë mësuesi juve. Amarikaj do të thotë "aman se ika". Qeshën ata, qesha edhe unë. Atje u ambientova, kalova shumë mirë. U jam mirënjohës edhe sot, që kanë kaluar më shumë se një gjysmë shekulli. Respektin e kishim reciprok, unë për ata dhe ata për mua.

-Po kontrolli, porosia që dha sekretari i Komitetit Ekzekutiv, u bë si tha ai?

-Jo, jo, asnjëherë. E kush mund të ngjitej deri në Amarikaj. Vetëm në fund të vitit më vijnë për inspektim nga seksioni i arsimit. Odise Zhupa e kish emrin inspektori, i ati i poetit Ilirian Zhupa. Ishte burrë shumë i mirë, por edhe metodist i shkëlqyer. Ishte mjeshtër, tepër korrekt. Këtu në karrigen tënde do të rri unë, më tha, pasi u përshëndet me nxënësit. Ti qëndro atje, në fund të klasës. Ashtu bëra. Ai i mori të gjithë nxënësit në provim, me shkrim e me gojë, nga klasa e parë deri tek e katërta. Qëndroi aty, me mua, plot një javë. Në fund më falënderoi. Ke bërë punë të shumë të mirë, më tha. I mori të gjitha fletët e provimit me vete. Kishin mbetur edhe tri ditë që të mbyllej viti shkollor. Më duhej të qëndroja aty por inspektori ato tri ditë mi dha pushim, si shpërblim për punën e mirë. Kështu m'u desh ta mbyllja shkollën dhe të shkoja bashkë me inspektorin në Tepelenë.

-Vitin tjetër, sigurisht, të duhej të vije përsëri në Amarikaj?

-Jo, nuk qe e thënë. Vitin tjetër më emëruan në Nivicë, mësues të shkollës 7-vjeçare. Aty jepja matematikë dhe rusisht. Drejtor kam patur Daut Gumenin. Mbaj mend që na erdhi për inspektim Xhevdet Pataj. Ka qëndruar aty të gjithë javën. I kontrolloi të gjithë me radhë. Diku, aty nga fundi inspektimit, përpara se të jepte konkluzionet, më ftoi për kafe Xhevdeti. Unë prisja të më thoshte ndonjë vërejtje rreth kontrollit, por ai më tha: "Ty Birçe do të transferojmë në Memaliaj". Unë kujtova se po bënte shaka. Ai e kuptoi që unë e mora për të tillë, pra shaka, m'u drejtua prapë: E kam seriozisht Birçe, nuk është çështje shakaje kjo punë more djalë. Një gjë po të porosis, më tha në kofidencë Xhevdeti: mos u thuaj gjë shokëve!

-Të duhej të prisje vendimin zyrtar?

-Fiks pas një jave erdhi zarfi. Ishte vendimi për transferimin tim në shkollën e mesme të qytetit të Memaliajt. Në zarf ishin edhe tre mijë lekë. Tre mijë lekë ishin shumë, gati sa gjysma e rrogës së një muaji. Në Memaliaj e mbylla atë vit, por qëndrova edhe vitin tjetër si mësues gjimnazi. Aty kam kaluar mirë. Nga klasa e parë deri tek e fundit ishin një mijë e njëqind nxënës. Mos kujton se është ai qytet i Memaliaj që është sot? Jo or jo! Memaliaj ishte qytet minatorësh, qytet me shumë gjallëri. Mbaj mend që ne arsimtarët, që nuk ishim vendas, trajtoheshim njësoj si të ishim minatorë, me një kompensim prej 25 për qind për ushqimet që merrnin.

-Aty fillove të punoje edhe si "artist", të merreshe me veprimtari kulturore?

-Unë, sapo vajta, angazhohesha me estradën amatore të qytetit. Kujtoj që sa dilja në skenë për të luajtur numrin e radhës, spektatorët më prisnin me duartrokitje. Bënim katër premiera në vit. Investimet i bënte shteti. Sigurisht, kjo bëhej për minatorët. Aty mori udhë jeta ime që më pas do të shkollohesha për aktor.

-E si ndodhi, ç'qe ky fat dhe nga të erdhi?

-Edhe tani kur e kujtoj ia bëj këtë pyetje vetes. Vjen një ditë zv/ministri i Energjetikës, Pupo Shyti e kish emrin. Ai nuk kishte ku ta kalonte pasditen dhe me disa drejtues të minierës vjen në shfaqjen tonë. Në fund të shfaqjes më thonë se më kërkonte i deleguari që kish ardhur nga Tirana, pra zv/ministri. Shkoj. Pash që mbante një komposto në dorë. Ishte komposto kumbulle. Merre, më tha, më ke kënaqur, qenke artist i vërtetë. E mora komposton. E di ç'ke ti, më tha, ti do të shkosh në shkollë për aktor. Unë nuk kisha haber fare nëse ekzistonte ndonjë shkollë për aktor. E dëgjoja për herë të parë. Aty mora vesh që kjo shkollë ishte hapur qysh në vitin 1959. Viti që e mora vesh unë, ishte 1962. Unë ngurova, por ai insistoi: Do të shkosh patjetër, dëgjomë mua. I thashë një "faleminderit" dhe ika, nuk ia vara fare kësaj pune. Do ti që ai erdhi prapë pas një muaji! Erdhi edhe në shfaqjen e radhës. Pas shfaqjes më thirri ta takoja. Vajta. Tani, më tha, dua prej teje një dopjo raki. Në vend, i thashë, dhe porosita të vinte gota e rakisë. Hë, vazhdoi zv/ministri, si vendose për atë që të kam thënë? Po lëre, i thashë, ta harrojmë këtë muhabet. O njeri, insistoi ai, pse nuk do, ç'do të humbasësh ti nga kjo punë? Unë jam artdashës, nuk kam lënë film apo teatër pa parë me tët vëlla në Çekosllovaki. Aty mora vesh që ai na ishte edhe shok i tim vëllai, Bilbilit. Mora pak siguri. Epo hajde, jepe llafin o Birçe, thashë me vete. Ashtu bëra. Vajta në Tiranë, konkurrova. Më thanë që kisha fituar. Nuk ma merrte mendja kurrë, nuk e mora për të vërtetë. U ktheva në Vlorë unë i ziu.

4cc8698b-4ff7-4ce9-a039-6eb76c2ad2f8-0-Fati të erdhi në dorë, të duhej që të shkoje në Institutin e Arteve në Tiranë apo jo?

-Jo. Konkurrimi që bëra unë nuk ishte i planifikuar nga rrethi. Kur erdha në shtëpi mora vesh që më kishin caktuar drejtor shkolle në Poro. Pra në Vlorë nuk e dinte kush që unë kisha konkurruar për aktor dhe që kisha fituar. Ua thashë këtë, por nuk më besonte njeri. Vajti puna deri tek sekretari i parë. Sekretar i parë për Vlorën ishte Mihallaq Gjinikasi, një burrë i shkëlqyer, shumë i drejtë. Më dha një kafe. Tani, më tha, u bëre i madh, të kemi bërë drejtor. Unë rezistova, por ai ma preu shkurt: O drejtor në Poro, o shko në shtëpi, në Radhimë. Zgjidh e merr. Nuk kisha nga t'ia mbaja. Dola tek Sheshi Flamurit për të gjetur ndonjë makinë për në Poro. Çudi! Përpara më doli një makinë "zis", e cila na paskësh qenë makina e kooperativës së Poros.

-Më në fund u harrua pasioni për të vazhduar shkollën për aktor?

-Jo ore, ku më linte "miza" mua. Vajta përsëri për të konkurruar për aktor. Konkurrova dhe përsëri fitova. Më thonë ata të komisionit: ore përse konkurron ti Birçe, të lënë apo nuk të lënë të fillosh akademinë ata të Vlorës? Jo, jo, këtë vit do të më japin lejë se s'bën, nuk kanë ç'të bëjnë, ua ktheva përgjigjen. Për dreq shokët më propozuan për të vajtur tek stadiumi "Qemal Stafa". Shkuam për t'u argëtuar pak, të kalonim disa orë duke luajtur futboll. Kur mbaruam lojën, thashë me vete: more, përse të mos shikoj, se ndoshta kanë dalë listat për të drejtat e studimit. Kur vajta tek Teatri, sepse aty afishoheshin listat, ç'të shihja? Birçe Haskos i kish dalë e drejta për të vazhduar Institutin e Arteve. Fluturova nga gëzimi. Kur vajta në shtëpi, në Radhimë, mora vesh se aty kishte mbërritur edhe telegrami që më njoftonte për tu paraqitur pranë shkollës së lartë "Aleksandër Moisiu" që të regjistrohesha për të filluar shkollën për aktor. Aty qëndrova vetëm një vit sepse në 1966 u krijua Instituti i Latë i Arteve ku u bashkuan Artet Figurative, Arti Skenik, Muzika dhe Kultura.

-Kur, në cilin vit u diplomua për aktor Birçe Hasko?

-U diplomova në vitin 1969. Diplomën ma ka dhënë ish-Ministri i Arsimit, Thoma Deljana. Atëherë kishte një vendim të posaçëm, i cili diktonte që 5 për qind e studentëve që kishin mbaruar shkëlqyeshëm, mbaheshin në Institut si pedagogë. Tek ky 5-përqindësh hyra edhe unë. Mirëpo Vlora insistoi të më merrte si regjisor të estradës, por ministri, Thoma Deljana, i vuri vulën kësaj pune. I jam mirënjohës!

-Sa është e rëndësishme shkolla për ju sepse kam dëgjuar të thuhet në shkollë mëson dhe pastaj testohesh, në jetë testohesh dhe pastaj mëson?

-Shkolla, sipas meje, është e rëndësishme, por nuk është ajo që të mund të shkëlqesh në jetë. Shkolla të jep një çelës kopil, pastaj varet nga ty nëse je i zoti të hapësh derën e suksesit. Kërkesa që ka jeta me ato që bën në shkollë janë ku e ku larg. Ka njerëz që nuk shkëlqejnë në shkollë, por bëhen të tillë në jetë, bëhen të zotët e vetes për të ngjitur maja. Sepse ka nga ata që e përfundojnë shkëlqyeshëm shkollën, por kur dalin në jetë as dinë të marrin e as dinë të japin. Mbeten shkollareskë.

-Mund ta konkretizoni këtë, mbasi ju kini ushtruar detyrën e profesorit plot 43 vjet në Akademinë e Arteve?

-Unë, në radhë të parë, me studentët kam qenë edhe prind edhe pedagog. Punën e kam bërë me ndershmëri maksimale. Kur shkoj në ndonjë rreth vijnë e më takojnë, më përqafojnë, më janë mirënjohës. Unë si mësimdhënës kam qenë nopran, kam qenë shumë kërkues. Madje studentët dëgjoja që thoshin "ky të fik derën, ky të merr shpirtin". Kur dilnin në jetë thoshin tjetër gjë: ke patur të drejtë profesor. Sepse jeta, profesioni që merr, nuk është e lehtë ta përballosh. Ajo të rrëzon, të jep grushte, të gjakos, të ngre përsëri, prapë të godet me grusht, e ti prapë ngrihesh. Ja, kështu është ndërtuar jeta.

Pastaj njeriu duhet të jetë modest. Anglezët kanë një thënie të shkëlqyer: njeriu shet mend aq sa i mungojnë. Mjerë ai njeri që stërmundohet për t'u treguar i madh, i ditur. Akademia e Arteve që nga viti 1963, kursi i parë, kur ka mbaruar Marjo Ashiku, Edi Lualasi, Bexhet Nelku etj.

-Ka ndonjë sekret këtu, profesor Hasko?

-Ka, si s'ka. Arti ka dy sekrete, shpjegimin dhe demonstrimin. Nëse studenti nuk të kupton kur ti shpjegon, vjen demonstrimi. Nëse nuk kupton edhe demonstrimin atëherë ai duhet të ikë, nuk është i aftë për këtë punë. Unë kam qenë i prerë që në momentin që bëhej konkurrimi. Kam një rast që nuk mund ta harroj. Kur erdhi Xhevdet Ferri për të konkurruar dikush nga komiteti i partisë më porositi që të mos e fusja për konkurrim. Për çështje biografie. I di si ia ktheva? Unë, i thashë, nuk punoj në komitetin e partisë, unë punoj në Institutin e Arteve. Një rast si ky më ka ndodhur me një konkurrues nga Pogradeci të cilit nuk ia mbaj mend emrin. Kishte nga ta që përuleshin, por unë nuk kam pyetur dhe nuk i kam marrë në konsideratë "porosi" që bënin me spërkla balte profesionin si artist.

-Sa rëndësi ka për pedagogun krijimtaria si artist?

-Shumë. Pedagogu duhet t'i tregojë studentit krijimtarinë. Me patjetër. Ndryshe ai, nën zë, të thotë "kush je ti?". Pastaj nëse luan një rol të caktuar, studenti të vlerëson, t'i rrit vlerat si mësimdhënës.

Më duhet të them se roli si artist është më i vlerësuar se ai i mësimdhënësit. Sepse atë e shikon dhe e shijon një masë shumë më e madhe njerëzish. Një filozof thotë: çdo punë i trembet mjeshtrit të vet. Kjo thënie më pëlqen shumë.

-E kini ndjerë veten të vlerësuar në sistemin e kaluar Profesor?

-Në atë kohë artistët nuk paguheshin, por moralisht ishin në majë. Populli i kishte idhuj. Tani është futur në mes leku. Nuk investohet siç investohej atëherë. Mirëpo dëgjoj të thonë: Atëherë shteti investonte për politikë. Mirë, more zotni, investo edhe ti për politikë! Në atë kohë ka patur regjisorë të shkëlqyer, mjeshtër. Dhe kështu do të mbeten. Ç'do brez ka "të mëdhenjtë" e tij. Problemi është që ky brez, sa është në gjendje të nxjerrë "të mëdhenj", ashtu si ne paraardhësit e tyre. Për mua, si Birçe, duhet kohë që artistët ta marrin veten. Janë bërë përmbysje epokale ndaj edhe punët e mira e duan një kohë të caktuar, nuk bëhen me vrap, o burra tutje. Arti është finesë, është edhe ideologji. Ashtu duhet të jetë edhe politika.

-Të bëjmë pak politikë. Çmendim ka profesor Birçja për zhvillimet në vend, për këtë tranzicion kaq të lodhshëm?

-Kam një mendim të hidhur. Ky vend është krimbur dhe nuk ka zot që e ç'krimb. Por kam mendimin se të gjithë ata që po e vjedhin këtë vend i hapin varrin e parakohshëm vetes së tyre. Unë për veten time jetoj në një apartament dhomë e kuzhinë. Mirë të ka gjetur, më thonë disa shokë, sepse ti je humbameno. Unë nuk fyhem, përkundrazi më bëjnë nder kur më thonë "humbameno". Në kohën time kishim mentalitet krejt tjetër. Edhe pse kam patur detyra partiake që mund të bëja si të më donte kokrra e qejfit, kurrë nuk e bëra këtë. Absolutisht kurrë. Edhe një frigorifer nuk ma thosh ndërgjegje ta merrja përpara shokëve. E di kush ma siguroi frigoriferin, meqë ra fjala? Pëllumb Kulla ma solli, nga Fieri. Kurrë nuk iu afrova "të mëdhenjve" për të përfituar. Unë kisha vëllanë Sekretar të Parë në disa rrethe të vendit, por asnjëherë nuk i kërkova të më bënte ndere të pamerituara. Nuk i kam dashur servilët, të përulurit që duan të përfitojnë padrejtësisht. Birçe Hasko ka qëndruar servil vetëm para punës. Në aspektin krijues. Në aspektin shpirtëror jam servil ndaj fëmijëve të mi. Sot, miku im, kanë ndryshuar shumë gjërat, janë përmbysur. Sot ka njerëz që po t'u thuash kafshë, ofendon kafshën. Megjithatë, për çka shikoj e dëgjoj, jam i aftë vetëm të dëshpërohem, nuk mund të urrej dot. Këtë ia dëshiroj edhe politikës. Ajo, pra politika, duhet të konkurrojë për të çuar vendin përpara, aty ku na kanë premtuar.

Megjithatë, si qytetar i thjeshtë i vendit tim e kam një dhimbje. Kam atë që po e trajtojnë Shqipërinë si vend pa zot. Është e dhimbshme dhe e frikshme. Nga e kaluara kemi mohuar gjithçka. Është njësoj sikur të mohosh prindërit. Po mirë, kopilë po na bëni more zotërinj që na mohoni gjithçka të kaluar? Këtë pyetje e bëj unë, nuk e di çmendim kanë të tjerët. E kam fjalën që nuk duhet fluturuar.

-Një fjalë të fundit?

-Unë Birçe Haskua, ndjehem i privilegjuar që kam jetuar me ndershmëri. Nuk kam frikë nga kurrkush. Unë, "Artisti i Merituar", " Mjeshtri i Madh", e plot dekorata të tjera si këto, do të përcillem në atë botë me një pension shumë të vogël dhe nga një banesë po kaq të vogël. Por kënaqësitë shpirtërore ama, i kam deri atje, në majë.

 

Intervistoi Bashkim Koçi – DITA

 

“11 Janari”/ Ylli Manjani, thumba qeverisë: Nuk ishin vetëm komunistët…

Posted: 11 Jan 2017 02:06 AM PST

 

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, me anë të një mesazhi në Tëitter ka shprehur habinë e tij për atë që e cilëson si "injorim" të 11 Janarit, Ditës së Republikës.

"Shumë i çuditshëm ky "injorimi" i vazhdueshëm i ditës së Republikës! Komunistët nuk ishin të vetmit themelues të saj…!", shkruan Manjani.

Në 11 janar 1946, Shqipëria, pas referendumit popullor, u shpall Republikë Popullore Socialiste.

“Boshti mysliman” shqiptaro-turk, Pëllumb Xhufi i përgjigjet ish-ministrit grek

Posted: 11 Jan 2017 02:00 AM PST

 

Historiani dhe diplomati i njohur Pëllumb Xhufi i cilëson antishqiptare qëndrimet e ish­ministrit grek Theodhoros Pangallos të frymëzuara nga "Megali Idea".

Xhufi jep arsyet pse Greqia nuk e heq Ligjin e Luftës me Shqipërinë, ndërsa i cilëson halucinacione senile pretendimet e Pangallosit i cili sheh rolin e Turqisë në kërkesat e kryeministrit Rama për çështjet që kërkojnë zgjidhje mes dy vendeve.

"Nipi i gjeneralit, Pangallosi i ri, identifikohet me një tjetër politikë, me politikën megalomane të "Megali Idesë", nga e cila edhe vetë zbatuesi më i flakët i saj, Eleutherios Venizelos, pas dështimeve spektakolare të politikës së jashtme greke, u detyrua të distancohet gjatë mandatit të tij të fundit kryeministror, më 1928-1934", thotë Xhufi për Panorama.

Sipas tij, zoti Pangallos bën një gabim të madh që nuk i lejohet, duke e konsideruar Shqipërinë si një faktor subaltern, si një variabël i Turqisë në kufijtë veriorë të Greqisë.

"Ky është një vlerësim i kahershëm i politikës greke në raportet e saj me Shqipërinë, vlerësim i bazuar mbi paragjykime të natyrës fetare. Sipas tij, si vend me shumicë myslimane, Shqipëria do të ishte fatalisht e destinuar të bënte lidhje të shkurtër me Turqinë, duke u bërë pika fundore e një të ashtuquajturi "bosht mysliman", që rrezikuaka vetë ekzistencën e Greqisë.

Ky obsesion grek, nuk është vërtetuar ndonjëherë në këta 100 vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar. Shumë më tepër se me Turqinë myslimane, Shqipëria ka njohur periudha "të arta" marrëdhëniesh me Italinë, Austro Hungarinë, Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik, Kinën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vetë Greqinë", thotë Xhufi.

Raporti sekret për Trumpin: Orgji në shtratin ku fjeti Obama dhe Michelle, ja pse është peng i Rusisë

Posted: 11 Jan 2017 01:46 AM PST

 

Raporti i shërbimeve amerikane të zbulimit, për ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet amerikane

Bota.al boton sot një pjesë të raportit që shërbimet amerikane të zbulimit, kanë hartuar në lidhje me kandidatin e atëhershëm për president (sot president i zgjedhur), Donald J. Trump.

Një raport bombë, që me siguri, nëse do të ishte vënë në dispozicion të publikut amerikan, shanset e Donald Trumpit për të hyrë si president në Shtëpinë e Bardhë do të kishin qenë shumë pranë zeros.

Sipas asaj që shkruan raporti që boton sot bota.al, prej pesë vitesh, Kremlini dhe shërbimet e fshehta ruse kanë punuar intensivisht për të "kultivuar" kandidatin republikan.

Si?

Pikësëpari nëpërmjet ofrimit të marrëveshjeve shumë fitimprurëse për ndërtime, sidomos në kuadër të veprave që do të realizohen në Rusi në kuadër të Kampionatit Botëror të Futbollit 2018.

Por më e rënda në ato që shkruan raporti, është se rusët e kanë "mbërthyer për topesh" presidentin amerikan, që pritet të bëjë betimin pas vetëm nëntë ditësh.

Duke shfrytëzuar pikërisht pikën e tij më të dobët, orekset seksuale.

Të cilët, si shkruan raporti që sjell sot në shqip bota.al, kanë arritur kulmin me orgjinë e Trumpit në Ritz-Carlton në Moskë, pikërisht në shtratin ku më parë kishin fjetur presidenti Obama dhe bashkëshortja.

BURIM KONFIDENCIAL/SENSITIV

RAPORTI I SHERBIMIT TE FSHEHTE 2016/080

ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NE SHBA: AKTIVITETET E KANDIDATIT REPUBLIKAN, DONALD TRUMP NE RUSI DHE MARREDHENIET KOMPROMENTUESE ME KREMLININ

PERMBLEDHJE

Regjimi rus ka kultivuar, mbështetur dhe ndihmuar TRUMPIN për të paktën 5 vite. Synimi, i mbshtetur nga PUTINI, ka qenë për të nxitur ndarje në aleancën perëndimore.

Deri tani, TRUMPI ka hedhur poshtë që të ketë patur marrëveshje të ndryshme biznesi për pasuri të patundshme, që mund t'i jenë ofruar në Rusi, me qëllim që të çojë përpara kultivimin e Kremlinit për të. Megjithatë, ai dhe rrethi i tij i brendshëm kanë pranuar se ka patur një rrjedhë të rregullt informacionesh të shërbimeve të fshehtë nga Kremlini, duke përfshirë edhe ndaj rivalëve të tij në Partinë Demokratike dhe rivalëve të tjerë.

Ish zyrtarë të lartë të shërbimit të fshehtë rus pretendojnë se FSB ka kompromentuar TRUMPIN, përmes veprimtarisë së tij në Moskë, mjaftueshëm sa për ta shantazhuar atë. Sipas burimeve të ndryshme që kanë njohuri, sjelljet e tij në Moskë kanë përfshirë akte seksuale perverse, të cilët janë porositur/monitoruar nga FSB.

Një dosje me materiale kompromentuese mbi Hillary CLINTONIN është përgatitur nga shërbimet e fshehtë rusë për shumë vite dhe ajo përfshin kryesisht biseda të përgjuara që ajo ka patur në vizita të ndryshme në Rusi, si dhe telefonata të përgjuara, por jo sjellje sikletosëse. Dosja kontrollohet nga zëdhënsi i Kremlinit, PESKOV, me urdhër të drejtpërdrejtë të PUTINIT. Megjithatë, ajo ende nuk është shpërndarë jashtë vendit, as edhe tek TRUMPI. Qëllimet e rusëve për shpërndarjen e saj janë të paqarta.

screen-shot-2017-01-11-at-10-25-02

DETAJE

Duke folur me burimet A dhe B, bashkatdhetarë të tij në qershor 2016, një figurë e lartë e Ministrisë së Jashtme të Rusisë dhe një ish oficer i lartë i shërbimit të fshehtë rus që është ende aktiv brenda Kremlinit, tha se autoritetet ruse kanë kultivuar dhe mbështetur kandidatin republikan për president të SHBA, Donald TRUMP për të paktën pesë vite. Burimi B pohoi se operacioni TRUMP ishte i mbështetur dhe drejtuar nga presidenti rus, Vladimir Putin. Qëllimi ishte që të mbillte mosmarrëveshje dhe përçarje brenda vetë SHBA, por sidomos brenda aleancës Transatlantike, e cila shihej si armiqësore ndaj interesave të Rusisë. Burimi C, një zyrtar i lartë financiar rus, tha se operacioni TRUMP duhet të shihet në kuadër të dëshirës së PUTINIT për të rikthyer politikën e fuqive të mëdha të shekullit të XIX, të bazuar në interesat e shteteve, dhe jo në rendin ndërkombëtar të vendosur pas Luftës së Dytë. Ai/ajo kishte dëgjuar Putinin të fliste në këtë mënyrë me ndihmësit e tij, në disa raste.

Më specifikisht, Burimi A tha se Kremlini kishte ushqyer TRUMPIN dhe ekipin e tij me informacione të vlefshëm zbulimi mbi kundërshtarët e tij, duke përfshirë edhe informacione mbi kandidaten demokrate, Hillary CLINTON. Kjo gjë u konfirmua nga burimi D, një ndihmëse shumë pranë TRUMPIT, që kishte organizuar dhe menaxhuar vizitat e tij të fundit në Moskë, dhe që raportoi, gjithashtu në qershor 2016, se këto informacione nga shërbimet e fshehta ruse kishin qenë "shumë të dobishme". Operacioni i Kremlinit në ndihmë të TRUMPIT përfshinte gjithashtu ofrimin e marrëveshjeve fitimprurëse të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në Rusi, sidomos në lidhje me ndërtimet që po kryhen në kuadër të Botërorit 2018. Megjithatë, deri tani, për arsye që nuk dihen, TRUMPI nuk ka kryer ndonjë prej këtyre.

Megjithatë, kishte aspekte të tjera të angazhimit të TRUMPIT me autoritetet ruse. Një që u kish sjellë frute, ishte që të shfrytëzonin fiksimet personale të TRUMPIT dhe perversitetin e tij seksual, me qëllim që të siguronin "kompromat"-e (materiale kompromentuese" të përshtatshme për të. Sipas burimit D, aty ku ai/ajo ka qenë i/e pranishme, sjellja perverse e TRUMPIT në Moskë, përfshinte marrjen e suitës presidenciale në Hotelin Ritz Carlton, ku ai e dinte se Presidenti dhe Znj. Obama (që ai e urrente) kishin qëndruar në një prej vizitave të tyre zyrtare në Rusi, si dhe ndotur shtratin ku ata të dy kishin fjetur, duke marë një numër prostitutash për të bërë shfaqje "dushi të artë" (urinimi) përpara syve të tij. Dihej se hoteli ishte nën kontrollin e FSB, me mikrofonë dhe kamera të fshehura në të gjithë dhomat kryesore, për të rregjistruar gjithçka që ata donin.

4221396001_5277487307001_5277449680001-vs

Episodi në Ritz Carlton të Moskës i raportuar më sipër, u konfirmua nga Burimi E (… e fshirë…) që tha se ai/ajo dhe shumë pjesëtarë të stafit të tij/saj ishin të vetëdijshëm në atë kohë dhe më pas. Ai/ajo besonin se kishte ndodhur në vitin 2013. Burimi E ofroi një prezantim me një punonjës/e të kompanisë me shtetësi ruse, Burimi F, një femër që punonte në hotel kur TRUMPI kishte qëndruar atje dhe që gjithashtu e konfirmoi këtë histori. Duke folur më vete në qershor 2016, Burimi B (ish oficeri i lartë i zbulimit rus) pohoi se sjellja jo-ortodokse e TRUMPIT në Rusi me kalimin e viteve, u ka ofruar autoriteteve materiale të mjaftueshme kompromentuese mbi kandidatin aktual për president, për të qenë në gjendje që ta shantazhojnë si të dëshirojnë.

I pyetur në lidhje me informacionet që Kremlini i ka ushqyer TRUMPIT gjatë viteve të fundit dhe zërave për një dosje ruse "kompromat"-i mbi Hillary Clintonin, Burimi B konfirmoi ekzistencën e dosjes. Ai/ajo konfirmoi se dosja ishte përgatitur nga Departamenti K i FSB për shumë vite me radhë, që në kohën e presidencës së bashkëshortit të saj Bill, dhe përfshinin kryesisht biseda të përgjuara të llojeve të ndryshme, dhe jo detaje/prova të një sjelljeje jo-ortodokse apo sikletosëse. Disa prej bisedave ishin nga komente të përgjuar që CLINTONI kishte bërë në vizitat e saj të ndryshme në Rusi, dhe fokusoheshin mbi gjëra që ajo kish thënë dhe që binin ndesh me pozicionin e saj aktual, për cështje të ndryshme. Të tjera ishin me shumë gjasë nga biseda telefonike të përgjuara.

Në vijim të kësaj teme, Burimi G, një zyrtar i lartë i Kremlinit, pohoi se dosja e CLINTONIT kontrollohej ekskluzivisht nga kryezëdhënësi i Kremlinit, Dmitry PESKOV, i cili ishte përgjegjës për përgatitjen e saj, me urdhër direkt të PUTINIT. Megjithatë, dosja ende nuk ishte shpërndarë jashtë vendit, as dhe tek ekipi i fushatës së TRUMPIT. Për momentin nuk është i qartë qëllimi i PUTINIT në lidhje me të.

/ Bota.al

Kapen 3 kg heroinë në tragetin e linjës Durrës-Bari, 38-vjeçarja e kishte fshehur në valixhe

Posted: 11 Jan 2017 01:35 AM PST

Policia ka sekuestruar një sasi prej 3 kg heroinë në portin e Durrësit.

Lënda narkotike u kap gjatë kontrollit në një automjet që pritej të ngarkohej në një prej trageteve të linjës Durrës-Bari dhe do trafikohej në Itali.

Policia ka arrestuar dy poseduesit e drogës.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Narkotikët në bashkëpunim me Policinë Kufitare sekuestrojnë 2 kg e 300 gr Heroinë.

Arrestohen në flagrancë dy shtetas.

Shpallet në kërkim një tjetër.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në  bashkëpunim me Policinë Kufitare, në vijim të punës së tyre për goditjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike, mbrëmjen e djeshme kanë sekuestruar rreth 2 kg e 330 gr Heroinë.

Janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

  • Laureta Lama 38 vjeçe, banuese në Tiranë;
  • Bashkim Hasani 67 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit:

  • E.Ç. 29 vjeç, banues në Tiranë.

Më datë 10.01.2017, në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës Durrës-Bari, në dhomën ku ishin akomoduar për udhëtim shtetasit e arrestuar, në valixhen e shtetases Laureta Lama, u gjet një çantë dore, në brendësi të së cilës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

  • 4 pako të mbështjella me celefon, me peshë rreth 2 kg e 300 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit Heroinë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve"në bashkëpunim, e mbetur në tentativë parashikuar në nenin  283/a/2, 22 të Kodit Penal.

Një rrëfim nga miku i ngushtë për Ndrenikën që jeton ende me mobiliet e Enverit

Posted: 11 Jan 2017 01:28 AM PST

 

Sido qofshin vlerat profesionale të një njeriu, nuk shkëlqejnë asnjëherë nëse nuk ecin bashkë me ato njerëzore dhe tiparet e një personaliteti të bukur nuk është fare e vështirë që t'i njohësh, me gjithë refuzimin e butë, por këmbëngulës, që mund të bëjë njeriu për t'i treguar!

Nëse për ndonjërin mund të duket e çuditshme se përse aktori Robert Ndrenika nuk është fare mediatik, nuk flet asnjëherë për veten, kemi lajme të këqija…

JO vetëm që nuk e bën për ju, për ne, për të gjithë të panjohurit që e vlerësojnë dhe respektojnë, por nuk e bën as me miqtë më të ngushtë! Asnjëri prej atyre që kalojnë pjesën më të madhe të ditës me të e të cilët kanë folur sot për "Panoramën" nuk kujtojnë që ta kenë dëgjuar ndonjëherë Robert Ndrenikën të flasë për veten.

Për asnjë rol, për asnjë çmim, për asnjë meritë! Beb Daliu është i afërm e mik i ngushtë i Ndrenikës prej një jete, ia njeh mirë të gjitha skutat e vjetruara të shtëpisë, problemet e shqetësimet që ka kaluar, por sot, në ditëlindjen e 75-të të mikut të tij, nuk mendon se është rasti për t'i treguar.

Kemi qëndruar në konturet e një portreti të bukur që do të donin ta njihnin të gjithë, por nuk do munden kurrë. Bashkë me rrëfimet e qesënditë e një miku tjetër të afërt, shkrimtarit Kiço Blushi, kemi njohur edhe anën shpotitëse të aktorit që e përdor humorin në jetë, po aq bukur e me masë sa rolet e komedisë që ka zgjedhur të luajë.

Për Robert Ndrenikën do të flasin e tregojnë gjithnjë të tjerët por, të ndodhte ndryshe, ai nuk do të ishte aktori e njeriu i jashtëzakonshëm që njohim të gjithë!

MIKU I NGUSHTË, BEB DALIU "ËSHTË NDËR TË VETMIT QË JETON NË NJË SHTËPI TË ENVERIT DHE S'KËRKON ASGJË"

Beb Deliu, ish-mësues i Edukimit Fizik, ka qenë një ndër djemtë simpatikë të Tiranës, nga ata që u dhanë famë xhirove të famshme të Rrugës së Dibrës, që u quajt "Broduej i Tiranës". Ishte nga ata djemtë që shëtisnin me motor, dëgjonin muzikë të huaj, visheshin sipas modës, admironte Alen Delon…

Ishte një nga arsyet pse vajzat bënin ecejake në xhiron e famshme të Rrugës së Dibrës. E thamë këtë që të kuptoni se me aktorin Robert Ndrenika, Beb Daliu duket krejt i kundërt, duke qenë se aktori vetëm në vëmendjen e xhirove nuk ka qenë ndonjëherë. Të dy, përveçse miq të ngushtë, janë edhe të afërm nga familjet.

Tani që temperaturat janë nën zero, sigurisht që nuk kanë më guximin e rinisë të dalin e shëtisin, por kur koha është e mirë, nuk e lënë asnjëherë shëtitjen e darkës! E thënë kështu, duket si çlodhëse, por vazhdimisht situata bëhet e mërzitshme për këdo që shoqëron nëpër rrugë Robert Ndrenikën! Burra, gra, të moshuar e të rinj e ndalojnë pas çdo hapi në rrugë! Kërkojnë të bëjnë fotografi, ta përshëndesin…

Beb Daliu pret deri në takimin e radhës…

Ju jeni njeri i afërt i përditshmërisë së Ndrenikës, na tregoni për jetën e tij të viteve të fundit…

"Përveçse mik e i afërm i imi, Robert Ndrenika është njeri i jashtëzakonshëm. Duhet të jenë të shumtë njerëzit që nuk kanë njohur njeri të tillë në jetën e tyre. Ka kaluar aq shumë situata të vështira dhe nuk është dëgjuar asnjëherë.

Rasti më i fundit është ai i sëmundjes që kaloi pak kohë më parë. Të gjithë miqtë këmbëngulën që t'i thoshte Edi Ramës, t'i shkruante që ta ndihmonin për operacionin që duhet të bënte, por ai nuk pranoi. E bëri me mundësitë e tij. Atje ku operohen të gjithë, te Spitali Ushtarak. Se u bë mirë, se u bë keq nuk e mori vesh njeri, por ai ndoqi procedurën e gjithë të tjerëve!

Pas operacionit, shkoi në Gjermani, te njëra nga vajzat, për t'u rehabilituar. Për këtë etapë më duket se shteti vendosi një shumë prej 5 mijë eurosh, por as ato nuk i ka marrë ende.

Nga këto që tregoni nuk duhet as të pyesim nëse është interesuar…Si jeton sot?

Sigurisht sepse nuk ka ndër mend të shkojë t'i kërkojë. Është ndoshta një nga të vetmit, e kam fjalën të vetmit midis të gjithëve, jo njerëzve të njohur, sepse ju e dini vetë se si jetojnë, që jeton ende me mobiliet e Enverit.

Ne dalim çdo mbrëmje për ecje, përveç këtyre ditëve të ftohta, që nuk kemi dalë. Është e pamundur të ecësh me të, sepse ndalojmë çdo minutë që e takojnë të gjithë. Ka një modesti të jashtëzakonshme dhe ajo që më bën përshtypje, është se nuk e kam dëgjuar kurrë që të flasë për veten, nuk e bën këtë gjë as me miqtë.

Nuk flet thuajse asnjëherë për punën e tij, por pa dyshim që bën biseda për aktorët e tjerë dhe filmat. Për kë? Kush janë të pëlqyerit e tij? Admiron aktorët e huaj, si Al Pacino-n apo De Niro-n, flet për skena të ndryshme që mund t'i bëjnë përshtypje a realizime të veçanta.

Nga aktorët shqiptarë ka konsideratë të veçantë për Sandër Prosin, ndërsa nga aktorët më të rinj përmend Arben Derhemin. Thotë se ka disa të talentuar, edhe për breza më të rinj se Derhemi.

Kohët e fundit ka qenë aktiv në film e teatër. A flet për rolet?

Është njeri i vështirë në komunikimin. Për shembull, mund t'ju them se ka qenë e jashtëzakonshme përpjekja e Leka Bungos për ta bindur që të bënte filmin e fundit që sapo u dha në kinema. I lexon një herë mirë skenarët, përpara se të bindet.

Për shfaqjen në teatër që është duke bërë prova aktualisht, i thashë pse e more se ndoshta ndihesh i lodhur. "Ishte e domosdoshme për ta", më tha. Edhe gjërat që bën, i bën më shumë për të ndihmuar të tjerët. E marrin në telefon përditë, por nuk pranon, thotë menjëherë mos më ngatërroni me këto gjëra.

Pak kohë më parë, kur u nda nga jeta aktori Bujar Lako me të cilin mund të gjejmë disa ngjashmëri të Ndrenikës nga mënyra si kanë vendosur të qëndrojnë të tërhequr…

Po, më tregoi që shkoi në shtëpinë e tij dhe se kishte jetuar në të njëjtën gjendje me të. Kanë qenë të ngjashëm në disa pikëpamje, asnjërit prej të dyve nuk u pëlqen fama, zhurma e fjalët e shumta.

Ishte vërtet i tronditur nga largimi nga jeta i mikut të tij, sepse e kishte takuar vetëm një ditë më parë dhe i kishte thënë se pse nuk e bën operacionin në zemër që mjekët ia patën këshilluar. Çfarë t'ju them më për Bertin, aq pak fjalë sa thotë, aq të mira ka!", tregon miku i tij i afërt, Daliu.

 

Related Posts: