“Ferma e kafshëve, zookopshti human, komunizmi dhe kapitalizmi: 71 vjet kali, 40 vjet dele!” plus 2 more Telegrafi Opinione |
- Ferma e kafshëve, zookopshti human, komunizmi dhe kapitalizmi: 71 vjet kali, 40 vjet dele!
- Gazetari anglez që i dha kuptim gazetarisë dhe letërsisë botërore
- Demokracia duhet të durojë edhe ndonjë parti ekstremiste
Ferma e kafshëve, zookopshti human, komunizmi dhe kapitalizmi: 71 vjet kali, 40 vjet dele! Posted: 19 Jan 2017 03:39 AM PST Lufta e klasave është iluzion! Lufta e vërtetë është veç mes shtazëve e njerëzve. Por, sikur "gjâja" të ishte e vetëdijshme për forcën që ka, njeriu nuk do të kishte pushtet ndaj tyre! Kur vdiq, majtistë e djathtistë donin të përvetësonin emrin e një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX – të zërit më të sinqertë kundër padrejtësive dhe pabarazive sociale. Ai ishte besimtar, por jo në religjion. Ndaj, për dallim nga fetarët që besonin në botën e përtejme, në Parajsë – si shpërblim i vuajtjeve tokësore – ai besonte te demokracia socialiste si zgjidhja e vetme e problemeve të njerëzimit. ANTIKAPITALISTI ANTIKOMUNIST Eric Arthur Blair (1903-1950), i njohur si George Orwell, nuk ishte si hoxha shqiptar që ka thënë: "Bëj ç'të them unë, e jo çfarë bëj unë!" Ai ishte ndër të rrallët emra të njohur të kohës së tij që arsyetonte epitetin e intelektualit. Sepse, luftonte për atë që besonte. Madje, mund të konsiderohet si utopist, meqë, siç shkruante Paul Johnson tek "Intelektualët", "besonte që në fëmijëri se bota mund të ndryshohej me forcën e intelektit". Si socialist-utopist që i takonte shtresës së mesme të lartë, donte të njihte nga afër shtresën punëtore, për fatin e të cilëve shqetësohej. Ai punoi si pjatalarës, jetoi me të pastrehët, punoi si argat e banoi pranë familjeve të varfra në një qytezë industriale. Madje, kur më 1936 shpërtheu Lufta Civile në Spanjë, nuk jepte mbështetje morale si intelektualët tjerë, por shkoi aty ku duhej – për të luftuar për drejtësinë që u tha se po shkelej. Kështu, ai donte të zhvishej jo veç nga kapitalizmi, por edhe nga çdo formë e sundimit të njeriut mbi njeriun. "Doja të zbrisja mes të shtypurve, të prekja fundin, të isha një nga ta, të rreshtohesha përkrah tyre e kundër tiranëve", ka thënë Orwell. Si intelektual i sinqertë që ishte, besonte se bota do t'ia dalë të shndërrohet në një shoqëri të mirë socialiste, por nuk besonte assesi te dogma komuniste që përfaqësohej nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike – totalitarizmi dhe ekonomia e centralizuar. Kështu, nga një antikapitalist i madh, pas zhgënjimeve që përjetoi në Spanjë – ku me gruan iu bashkua palës republikane (që luftonte regjimin fashist të Francisco Francos) – u bë antikomunist dhe kritikuesi më i madh i gënjeshtrave të komunizmit rus, të diktaturës, të kultit të personalitetit, të kufizimit të lirisë e të kontrollit të mendjes nga propaganda e këtij sistemi. Përderisa sot të dy krahët politikë duan pra ta përvetësojnë si të tyrin, ai gjatë tërë jetës së tij – pos problemeve me mushkëritë që ia sollën vdekjen – kishte probleme me kapitalizmin dhe komunizmin, e edhe me botuesit kalkulantë që hezitonin të publikonin veprën e tij antistaliniste, "Ferma e kafshëve"! Kjo vepër ishte refuzuar më 1944 nga shumë shtëpi botuese, sepse në atë kohë – pra gjatë Luftës së Dytë Botërore – lideri sovjetik, Josif Stalin, ishte aleat i anglezëve dhe i amerikanëve. Atëherë interesi politik qëndronte mbi artin dhe mbi të vërtetën! Dhe, meqë e njëjta vlente edhe gjatë Luftës së Ftohtë – kur Stalini nuk ishte më aleat i Perëndimit – gjërat shpejt ndryshuan: vepra u shndërrua në propagandë (diçka që nuk do të donte) kundër Lindjes – kundër komunizmit. Madje CIA, më 1954, e financon realizimin e filmit të animuar, bazuar në këtë vepër, për të indoktrinuar shtresat e reja me bindje antikomuniste. I PAARSIMUARI NUK DUHET TË KETË PUSHTET Më 1924, fituesi i çmimit Nobel për Letërsi, polaku Wladyslaw Reymont, publikon veprën "Revolta" që ishte një metaforë e zhvillimeve në BRSS. Aty flitej për revoltën e shtazëve që në një fermë imponojnë rendin e ri të "barazisë", por ku gjithçka degradon në terror. Nuk dihet nëse Orwelli e njihte këtë vepër. Por, njëjtë si Reymont (pjesëtar i popullit që kishte vuajtur gjatë e rëndë shtypjen nga rusët), ai kishte aversion ndaj brutalitetit të komunizmit sovjetik – pra rus! Në fakt, aversion për rusët kishte edhe Majori Plak – Karl Marx. Marxi i urrente personat që donin të nisnin revolucion pa doktrinë dhe pa kulturën e duhur filozofike. Pa këto virtyte ai kishte thënë se revolucioni mund të kishte sukses veç në Rusinë barbare, ku “është e mundur të krijohet organizata efikase me të rinj injorantë dhe ndonjë apostull". Por, kjo nuk do të ndodhte në një komb të qytetëruar – siç janë gjermanët. Revolucioni, sipas tij, përbëhej nga dy elemente: truri i emancipimit ishte filozofia, e zemra e tij ishte proletariati. Intelektualëve u takonte detyra të formonin elitën – gjeneralët; ndërsa, proletarët ta përbënin këmbësorinë. Kështu, kur me bashkëpunëtorin dhe financierin e tij Friedrich Engels e formoi Ligën Komuniste, Marxi u kujdes që pjesëtarët e klasës punëtore, pa edukimin dhe arsimimin e duhur, të mos kishin fare detyra të rëndësishme. Kjo vlente sidomos për sllavët (që nuk i donte shumë)! Këtë injorancë të rrezikshme, Orwelli e kishte parë gjatë Luftës Civile në Spanjë, ku shkuan edhe dhjetëra shqiptarë (nga Kosova, Shqipëria, Çamëria… krahas pjesëtarëve të 53 kombeve tjera të botës). Aty luftoi edhe zyrtari i lartë i Shqipërisë komuniste, Mehmet Shehu, për të cilin shërbimet britanike – pas Luftës së Dytë Botërore – do të thonin se në Spanjë u stërvit për tortura dhe vrasje. Këto tortura i kishte parë vetë Orwelli. Dhe, këta njerëz të torturave krijonin rendin e ri shoqëror në shumë shtete të botës! POPULLI SI GJÂJA… Në parathënien e veprës "Ferma e kafshëve", në botimin në gjuhën ukrainase, Orwelli shpjegon rrugëtimin e tij deri te kjo vepër. Aty ai tregon se ndonëse është shkolluar në kolegjin prestigjioz Eton, në vitet '30 ka jetuar në mjerim, i uritur e afër elementeve gjysmë-kriminale të lagjeve të varfra, ku ose është dashur të vjedhësh ose të kërkosh lëmoshë (pra, ka pasur shanse të bënte jetë të mirë, por nuk ishte konformist). Më 1936 ishte në Spanjë. Por, kur më 1937 komunistët marrin kontroll në disa rajone të vendit, nis spastrimi i elementeve trockistë, njëjtë si në BRSS (Leon Trotsky – revolucionar bolshevik, armik i Stalinit). Orwelli iku, i gjallë e pa vuajtur shumë nga ky kaos, fat të cilin nuk e kishin shumë shokë të tij. "Kjo më bindi se propaganda totalitare lehtë mundet ta kontrollojë opinionin e njerëzve të ngritur në shoqëritë demokratike", ka thënë ai, duke shtuar se ndjente se duhej të fliste se çfarë nënkuptonte regjimi sovjetik – që s'ka lidhje me socializmin – ku sundimtarët e këtij sistemi nuk duan të heqin dorë nga pushteti e ku asgjë nuk ka ndryshuar nga viti 1917 (Revolucioni i Tetorit kur përmbyset sistemi monarkist). Ndonëse thoshte se Anglia nuk ishte demokratike, meqë është vend kapitalist me ndarje e privilegje klasore, ky për të megjithatë ishte shtet ku me qindra vite njerëzit jetonin pa konflikt, ku ligjet ishin të drejta, ku lajmeve mund t'ju besosh e ku nuk rrezikohesh nëse mbron pakicën – të dobëtit, të shkelurit. "Pas kthimit nga Spanja, thashë ta tregoja mitin sovjetik me një rrëfim që kuptohet nga secili e që mund të përkthehet lehtë në shumë gjuhë. Por, detajet aktuale të rrëfimit nuk më vinin, derisa një ditë (kur jetoja në një fshat të vogël), e pashë një djalë të vogël, ndoshta 10 vjeç, që drejtonte një karrocë kali në një rrugë të ngushtë, duke e fshikulluar kalin sa herë që përpiqej të kthehej. Thashë me vete se sikur shtaza të ishte e vetëdijshme për forcën që ka, ne nuk do të kishim pushtet ndaj tyre", ka thënë ai. Pra, ndasitë shoqërore, mes shtresës sunduese e popullit janë siç i ka përshkruar mbreti Nikolla i Malit të Zi: "Populli jêm – forca jême; populli jêm – gjâja jême"! KALI DHE PROPAGANDA… Pushteti korrupton, vartësit e pushtetit janë naivë. Ndaj, "Ferma e kafshëve" është simbol i paaftësisë së "gjâve" (popullit) për të luftuar për të drejtat e veta e për ta barazuar veten me klasën sunduese. Te "Ferma…", Majori Plak, një derr "urtak" (Marxi), sheh një ëndërr dhe fton në kryengritje kafshët e Fermës "Manor", pronë kjo e një pijaneci. Por, problemi lind shpejt pasi askush nuk e kishte diturinë e ideatorit të revolucionit. Shtazët marrin pushtetin në fermë, largojnë njerëzit me maksimën se "të gjitha kafshët janë të barabarta", mirëpo shpejt del se – sipas ideologjisë së re të animalizmit – "disa shtazë janë më të barabarta se të tjerat". Dhe, këto shtazë "më të barabarta" janë derrat, brenda të cilit soj po ashtu lind lufta për supremaci: mes Napoleonit (Stalinit) dhe Topthit (Trockyt). Kali, gomari, delja, pula apo dhia janë viktimat e rendit të ri; qentë janë forca e pushtetit; sorra është spiuni; macja linja e mesme neutrale… Dhe, në fund, të gjitha këto shtazë shërbëtore nuk e dinë se kush është derr (sundimtar i ri) e kush njeri (sundimtar i vjetër)! Personazhi më i veçantë i propagandës në këtë rast është kali i quajtur Bokser. Ai është personifikim i Alexey Grigoryevich Stakhanovit, rusit që u shndërrua në model të punës dhe prodhimtarisë së sistemit komunist. Ai ishte hero i klasës punëtore, pasi më 31 gusht 1935, në media u raportua se ka nxjerrë 102 tonelata thëngjill – për pesë orë e 45 minuta (14 herë më shumë se kuota e kërkuar). Më 19 shtator u raportua se ka nxjerrë 227 tonelata – për një ndërrim. Kështu, fytyra e tij u shtyp në posterë dhe u shpërnda anekënd vendit. Por, gjithçka ishte gënjeshtër (diçka që nuk ndodhte në Anglinë e Orwellit). Stakhanovi ishte Wlateusz Birkut, personazhi i Andrzej Wajdas te filmi "Njeriu i mermertë". Birkuti, si murator model që tejkalonte normat e shtrimit të tullave, dërgohej në vende të ndryshme për të "ligjëruar teknikën revolucionare" të muratorisë. Por, si pjesë e dredhisë së pushtetit, "normat" e tij i vuanin punëtorët tjerë. Ndaj, Bokseri është punëtori që kishte ndihmuar në përmbytjen e një sistemi, por që me naivitetin dhe besimin e verbër nuk e ndryshon gjendjen e tij në sistemin e ri. Ai është i fortë, i durueshëm, por i cekët në mendje. Bokseri është sherri i vetes dhe i të tjerëve: shfrytëzohet për të ndërtuar Mullirin e Erës – simbolin e ëndrrave të parealizuara që është opium i masave; vritet dhe bëhet "udhërrëfyes" që duhet ndjekur, pa marrë parasysh se cila parti e cili sistem sundon. DERRAT, QENTË DHE DELET E KAPITALIZMIT "Ferma e kafshëve" botimin e parë e ka më 17 gusht 1945. Gati tri dekada pas vdekjes së Orwellit, inspiruar nga vepra e tij, më 23 janar 1977, rock-grupi Pink Floyd nxjerr në shitje albumin "Animals" (Gjâja): një kritikë për rrethanat politike dhe sociale të Britanisë së Madhe të viteve '70 të shekullit të kaluar. Përderisa Orwelli i drejtohej komunizmit me kritikat e tij, Pink Floyd kritikonte kapitalizmin – një ideologji po aq mashtruese sa komunizmi. Për këtë grup muzikor, shoqëria përbëhej nga derrat despotikë (sundimtarët), nga qentë e egër (forca e pushtetit), dhe nga delet budallaqe (gjâja). Derrat udhëzojnë qentë të shkelin delet – injorantët që nuk mund ta rregullojnë pozicionin e të shtypurit që e vuajnë. Dhe, çfarë bëjnë delet? Ndjekin trendet, ideologjinë, humbin individualitetin dhe besojnë se derrat mendojnë për ta. E, qentë bëjnë gjithçka që duhet bërë për ta ruajtur pozitën e tyre në shoqëri. Qentë janë pragmatistë të pamëshirshëm që udhëheqin biznese dhe që përmes kurtheve dhe intrigave ushtrojnë ndikim në politikë. Derrat janë politikanët e korruptuar, moralistët e rrejshëm që i japin të drejtë vetes për gjithçka dhe që kanë në pronësi koncernet dhe korporatat e mëdha. Ndërsa, delet janë ëndërrimtarët që ndjekin ideologjinë dhe urdhrat e të tjerëve, pa menduar për veten; janë kopetë, roli i vetëm i të cilave është të bien viktimë e qenve dhe e derrave e të përfundojnë në thertore. Albumi "Gjâja" flet edhe për revolucionin në shoqërinë kapitaliste, sepse qentë ngordhin! Por, çfarë mund të ndodhë në një sistemi ku gjithmonë do të ketë "gjâ"? Asgjë, pos që disa dele marrin rolet e shkelësve – të qenve dhe të derrave. Kjo është fytyra e shoqërisë moderne në Evropë, që nuk ndryshon nga profecitë e Orwellit – qoftë për Vëllain e Madh ("1984") apo zookopshtin human ku "çdo gjeneratë e paramendon veten të jetë më e zgjuar se ajo që ka qenë më parë dhe më e zgjuar se ajo që po vjen"! Dhe, ku "gjuha politike… është stisur për t'i bërë gënjeshtrat të tingëllojnë si të vërteta, vrasjen të ndershme dhe për ta bërë erën e pastër të duket e ngurtë"! Për Orwellin, shfrytëzimi i kafshëve nga njerëzit është si eksploatimi i proletariatit nga të pasurit, ndaj shtonte se lufta e klasave është iluzion meqë lufta e vërtetë është veç mes shtazëve e njerëzve. Në rrethana të tilla, kur pushtetet veç ndërrohen, propaganda nuk ndalet e fytyra e mashtrimit mbetet e njëjtë, ma kali se delja s'ka! /Telegrafi/ The post Ferma e kafshëve, zookopshti human, komunizmi dhe kapitalizmi: 71 vjet kali, 40 vjet dele! appeared first on Telegrafi. |
Gazetari anglez që i dha kuptim gazetarisë dhe letërsisë botërore Posted: 19 Jan 2017 03:18 AM PST Recenzion: Bernard Crick: George Orwell – A Life (George Orwell – Një Jetë); Botoi: Penguin Books, London 1992. Nga shumica e kritikëve letrarë kjo biografi e George Orwell-it, e shkruar nga Bernard Cirick, konsiderohet ndër më të kompletuarat dhe më të mirat. Jeta e Orwell-it, e paraqitur që nga fëmijëria e hershme e deri te vdekja, shtrihet në XVII kapituj që shpalosen në 675 faqe. Sivjet shënohet 114-vjetori i lindjes dhe 67-vjetori i vdekjes së këtij shkrimtari të madh, i cili e ndryshoi botën nëpërmjet gazetarisë, letërsisë dhe politikës. Goerge Orwell (emri i vërtetë Eric Blair) ka lindur në Indi në vitin 1903, ku babai i tij ishte shërbyes civil në administratën e Perandorisë Britanike. Pas një viti ai u soll për t'u rritur dhe arsimuar në Angli. Pasi që e kreu shkollimin në "Eton College", duhet theksuar se ishte i pajisur me shkollim të cilësisë sipëror. Për shkak të mungesës së parave nuk pati mundësi t'i vazhdonte studimet universitare. Pas kryerjes së kolegjit shkoi në Birmani, ku u punësua në Policinë Imperiale të Indisë. Pas disa vitesh u kthye sërish në Angli, pastaj shkoi në Spanjë, së bashku me Eileen, gruan e tij të parë, për të marrë pjesë në luftën civile në anën e republikanëve antifrankoist. Me 20 maj 1937 u plagos në qafë, një ngjarje që e shpjegoi në esenë "Wounded by a Fascist Sniper" (I plagosur nga një snajperist fashist) dhe në novelën "Homage to Catalonia" (Homazh Katalonisë). Pas kësaj ngjarjeje kthehet në Angli, në atë kohë me ndryshim të madh në pikëpamjet e tija politike, por edhe në intensifikimin e krijimtarisë letrare. Sa i përket veprimtarisë së tij, nga kjo biografi marrim vesh se shkrimtari dhe gazetari anglez, George Orwell, ka shkruar nëntë libra, dy përmbledhje me ese të shkurtra dhe disa qindra recensione, letra dhe shkrime të tjera që përbëjnë artikuj të gazetarisë. Në disa raste janë publikuar të gjitha veprat e tij, që përfshijnë 20 vëllime. Për një shkrimtar gjigant dhe gjenial si Orwell-i, i cili e vulosi letërsinë me stilin e tij, mund të thuhet se ky numër i veprave nuk është i vogël as nga kuantiteti. Arsyeja që sot nuk kemi më shumë vepra të tij, është jeta e shkurtër dhe sëmundja nga e cila ai vuajti një kohë të gjatë. George Orwell-i jetoi vetëm 46 vjet. Por, jeta që ka bërë ai deri në piedestal ka qenë e vështirë. Deri vonë varfëria i rrinte mbi qafë, gjë që i shkaktoi edhe shëndet të ligë, nga i cili vdiq relativisht i ri. Për të mbijetuar iu desh të shkruante në shumë gazeta dhe, madje, të argumentonte për të njëjtën dukuri nga pozita të ndryshme. Sasi të madhe të kohës i mori edhe pasioni që kishte për jetën në fshat, kopshtarinë, kujdesin për kafshët shtëpiake, peshkimin dhe zdrukthëtarinë. Bernard Crick në këtë libër biografik e njofton lexuesin me të arriturat dhe karakterin e Orwell-it si njeri dhe si shkrimtar. Ai e sheh Orwell-in si një njeri të madh, i cili ishte shumë i suksesshëm edhe pse pati jetë të shkurtër. Brenda kësaj kohe të shkurtër Orwell-i u ngrit nga një shkrimtar dhe gazetar i panjohur në një personalitet shumë të rëndësishëm në Angli, kurse pas vdekjes u bë edhe figurë qendrore në letërsinë botërore. Popullariteti i tij pas vdekjes ka qenë gjithmonë në rritje. Në këtë horizont kaq të madh të shtrirjes së tij, e tillë është edhe influenca që ushtroi në Angli dhe në botë. Influenca e tij, që ndodhi pas vdekjes, është shfaqur në domenin e politikës, në të cilën ai ka ndikuar me anë të zhvillimit të nocionit të lirisë dhe tolerancës si kategori dhe koncepte jo vetëm të kuptimit politik, por edhe të atij filozofik. Siç shihet në kapitullin XI të këtij libri, kjo e bëri Orwell-in shkrimtar politik. Orwell-i ushtroi ndikim edhe nga fakti që ishte në gjendje të pranonte ose refuzonte ndonjë risi letrare ose artistike, që tentonte të hynte në rrjedhat kryesore të lëmenjve përkatës. Orwell-i ishte i pari që e kuptoi "Uliksin" e James Joyece-it dhe e çmoi lart këtë vepër dhe autorin irlandez. Kjo ndodhi atëherë kur gazetat angleze dhe "intelektualët" e këtij vendi "Uliksin" dhe Joyce-in i quanin fëlliqësirë. Ai e lavdëroi artin e Henry Miller-it, por e shau për shkak që ai shfaqte një cinizëm të qëllimshëm jopolitik. E përkrahu shpërblimin që iu dha Ezra Pound-it për vepër artistike, edhe pse e urrente publikisht si person, të cilin e quante fashist, kriminel lufte, etj. Pra, Orwell-i bëri me dije që personaliteti dhe vepra janë dy njësi, të cilat, për të, shkonin ndaras. Në lidhje me përkatësinë kombëtare, ai e quante veten anglez dhe nuk dëshironte t'i thoshin se ishte britanik. Në këtë vepër, Bernard Crick-u thotë se Orwell-i në veprat e tij e ka paraqitur karakterin anglez. Këtë thënie të tij ai e bazon në dy studimet që i ka bërë Orwell-i, të cilat janë: "Lion and the Unicorn" (Luani dhe Njëbrirëshi) dhe "The English People" (Populli Anglez). Bernard Crick-u, si biograf me renome i Orwell-it, insiston që këto dy vepra janë ndër studimet më serioze në lidhje me karakterin kombëtar të anglezëve. Ai thotë se Orwell-i është superior ndaj mendimeve dhe veprave të Arthur Bryant-it dhe Winston Churchill-it, që kanë shkruar për këtë çështje. Orwell-i ishte edhe mendimtar politik i llojit të vet. Crick-u vërteton se një gjë të tillë Orwell-i e ka paraqitur në veprën e tij "1984", ku ai themelon një model për historianët e ekonomisë dhe për shkencëtarët shoqëror, duke i sfiduar këto dy lëmi për krahasim. Një gjë e këtillë paraqet një logjikë ironike dhe një vazhdimësi të brendshme me 'Leviathan-in' e Thomas Hobbes-it, e cila është kryevepra e filozofisë politike angleze. Para se të shkonte në luftën e Spanjës, George Orwell-i e themeloi konceptin e totalitarianizmit duke i pasur parasysh politikat diktatoriale të Hitlerit dhe Stalinit. Më vonë, pas dy dekadave, për totalitarianizmin folën dhe shkruan edhe Hanna Arendt, Carl Friederich dhe Zbigniev Bzhezhinski, por nuk treguan kurrë nga ku e kishin marrë termin dhe domethënien e tij. Ndikimi i tij në të gjitha format e të shkruarit ishte aq i madh sa që shpjegimet e situatave politike të komplikuara, të veçanta, të paimagjinueshme ose joreale, që bëhen nën regjinë e shtetit, morën emrin e tij – orwelliane. Një term i tillë gjeti përdorim edhe në rastin e Kosovës. Mund të na kujtohet që tendencën e Millosheviqit që të zhdukte identitetet individuale (ndoshta edhe kolektive) dhe zhdukjen fizike të shqiptarëve, zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, e quajti orwelliane. The post Gazetari anglez që i dha kuptim gazetarisë dhe letërsisë botërore appeared first on Telegrafi. |
Demokracia duhet të durojë edhe ndonjë parti ekstremiste Posted: 19 Jan 2017 03:00 AM PST Dështimi i ri i politikës për ta ndaluar Partinë Nacional Demokrate, NPD, me anë të Gjykatës Kushtetuese nuk është ndonjë katastrofë. Më tepër është turpëruese për Këshillin Federal, i cili kërkoi për herë të dytë shumë duke pasur pak fakte. Këtu u qëllua me topa kundër harabelave. Si në vitin 2003, kur Bundestagu, Dhoma e Landeve dhe Qeveria gjermane dështuan së bashku para gjykatës më të lartë gjermane. Askush nuk e kundërshton që NPD përdor një program antihuman dhe racist. Por vetëm kjo nuk mjafton për një ndalim. Ndalimi i një partie është arma më e fortë e kushtetutës gjermane. Kjo armë bën efekt vetëm atëherë, kur rrezikohet rendi i lirë demokratik – me fjalë të tjera, kur ai duhet të mënjanohet, të largohet me puç. Dhe një gjë e tillë duhet dëshmuar qartë. Për të folur me sinqeritet: a duhet të kemi ne frikë nga një partiçkë, e cila nuk përfaqësohet në asnjë parlament landi, që nuk ka dërguar kurrë deputetë në Parlamentin Federal, Bundestag? Frikë nuk duhet të kemi. NPD është thjesht një kod për kompleksin tonë gjerman ndaj nacionalsocializmit. Kjo është e kuptueshme dhe konfirmon përpjekjen tonë shumëvjeçare për t'u mbrojtur nga fillimet (Kurrë më fashizëm, kurrë më luftë!). Por, një ndjenjë e tillë mbrojtjeje historike dhe psikologjike kundër të djeshmëve të përjetshëm e të pashijshëm është krejtësisht e papërshtatshme, kur bëhet fjalë për shpatën juridike të ndalimit. Gjykatësit e Karlsruhes ia thanë këtë sërish politikës njëherë e përgjithmonë. Pra, NPD do të lejohet të vazhdojë punën dhe të jetë edhe më tej e parëndësishme. Dhe kjo nuk duhet të shqetësojë askënd. NPD është një grup shumë i vogël dhe tërheq vëmendjen për ndonjë lajm e shumta kur bëhet fjalë për gjendjen e saj të trishtë të organizimit dhe financave. Përpjekja juridike vjen gjithsesi disa dekada me vonesë. Në vitet 1960 një proces gjyqësor për ta ndaluar këtë parti do të kishte pasur ndoshta më shumë gjasa për sukses dhe do të kishte qenë më i nevojshëm. Atëherë NPD ndodhej në disa parlamente landesh, kishte fituar në disa parlamente gati dhjetë për qind të votave. Edhe më shumë se liberalët e FDP. Por, atëherë, në një situatë të njëjtë kushtetuese, askush nuk e mori iniciativën. Shumë nazistë ende punonin, klima shoqërore qe e ndryshme. Nëse ekzistonte ndonjëherë rreziku teorik që NPD mund të dëmtonte Republikën Federale, kjo ishte atëherë. Por shansi që ekzistonte atëherë nuk u shfrytëzua. Vetëm në epokën e Willy Brandtit (1969-1974) u margjinalizua NPD-ja. Dhe pse? Sepse me Brandtin (Të guxojmë më shumë demokraci!) e gjithë shoqëria gjermane lëvizi në drejtim të mesit të majtë, duke e katandisur në xhuxhe të djathtën ekstreme – fare pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa kërkesë për ndalim të kësaj partie. Pra, demokracia jonë duhet ta durojë NPD. Me kufizime, një mini-parti e kthen në shoqatë martirësh, e cila krijon diku tjetër një organizatë të dytë. Në fakt, Gjermania, peizazhi partiak dhe e gjithë shoqëria kanë prej kohësh një problem tjetër. NPD e paraqitur si gjoja gjigante e ka kaluar historikisht kohën e saj. Konsensusi i shoqërisë, balanca aktualisht rrezikohet prej të tjerëve: janë AFD-ja, Pegida dhe populizmi i ri, të cilët kërkojnë aleatë me anë të mendimeve të thjeshtëzuara. Dhe pjesërisht i kanë gjetur, siç tregojnë sukseset në zgjedhjet në parlamentet e landeve. Edhe këtu vlen: ndalimi ndalohet. Ajo që nevojitet është përballja me dashamirësit e pamjes së thjeshtëzuar të botës. The post Demokracia duhet të durojë edhe ndonjë parti ekstremiste appeared first on Telegrafi. |
You are subscribed to email updates from Opinione – Telegrafi. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |