Zoran Ferić, i lindur në vitin 1961 në Zagreb, ka studiuar në Faktuletin Filozofik. Aktualisht punon si mësues i gjuhës kroate në një gjimnaz. Ka pasur shumë publikime nëpër revista kroate, si Polet, Studentski list, Pitanja, Oko, Quorum, Plima, Evropski glasnik dhe Torpedo. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, ndër të tjera, në gjermanisht, anglisht, italisht, polonisht, spanjisht, sllovenisht, ukrainisht, malazezisht.
Ish-maturantët e një klase të një gjimnazi në Zagreb takohen pas shumë vitesh për të përsëritur udhëtimin e maturës. Tashmë gjashtëdhjetëvjeçarë, ata lundrojnë për të dytën herë me anijen „Tramuntana“ buzë bregut dalmatin. Në retrospektiva të shumta, personazhi kryesor, gjinekologu Tihomir Romar, i cili gjithashtu ndodhet në bord, rrëfen historinë e jetës së vet. Në qendër është dashuria fatale, që merr përmasa thuajse shkatërrimtare, me shoqen e klasës, Senkën, dhe që shndërrohet në ferr për tri persona.
Me ironi të mprehtë dhe humor të zi Zoran Ferić-i skicon tablonë morale të rinisë së artë në Jugosllavinë e kohës së Titos. Ferić-i i cek me lehtësi dhe humor të gjitha anët e jetës – lumturinë, dashurinë, vuajtjen, plakjen dhe vrapin e kohës.