Arti shqiptar këtë herë prek Strasburgun në një përzgjedhje të veçantë të veprave të ndryshme të artistëve shkodranë frymëzuar nga legjendat dhe qyteti i Shkodrës, në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur për një muaj, deri më 3 shkurt 2017.
Bëhet fjalë për ekspozitën “Legjenda e një kështjelle”, e cila përmban vepra nga artistë të njohur e emra të rinj me origjinë nga Shkodra, si Kol Idromeno, Danish Jukniu, Sytki Brahimaj, Edi Hila, Artan Draçini, Merita Selimi, Gjon Jon Kraja, Sidi Kanani, Eros Dibra, Pjerin Kolnikaj, etj.
Kjo ekspozitë mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe bën pjesë ne programin e Diplomacisë Kulturore.
Punimet e kësaj ekspozite janë pjesë e koleksionit privat të GALERIA KALO, e cila në njoftimin e saj shkruan se tashmë ‘legjendat janë bërë realitet” e do të qëndrojnë për një muaj në sallat e ekspozimit të Këshillit të Europës.
Ekspozita “Legjenda e një kështjellë” tregon ndikimin e historisë së qytetit dhe legjendës së kështjellës, e ndërtuar në sajë të sakrificës së gruas e nënës së re Rozafës- në formimin e artistëve që e kanë bërë këtë qytet të ketë një rol udhëheqës në mbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës, artit dhe sportit në të gjithë Shqipërinë. Përzgjedhja e veprave unike nën titullin “Legjenda e një kështjelle” është frymëzuar nga ideja se artistët që e kanë origjinën nga qytete e kështjella të rrethuara me mister dhe legjendë, e reflektojnë frymën e legjendave edhe në artin e tyre.
Shkodra ka një numër të madh heronjsh që janë në qendër të legjendave dhe historive, si Gjergj Elez Alia, Muji e Halili, Kostandini etj.