Cikël poetik nga Përparim Hysi


Përparim Hysi ka lindur më 21 janar të vitit 1943, në fshatin Petovë të Fierit. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues në fshatrat e Fierit dhe ne vitet 1996-2000 inspektor arësimi për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Drejtorisë Arësimore në Fier. Ka kryer studimet pedagogjike në Elbasan dhe më vonë pa shkëputje nga puna ka përfunduar studimet e arësimit të lartë për gjuhë letërsi. Ka botuar katër libra me poezi: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”, ““Luftë” me dashurinë”. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë. Ka botuar librat në prozë: "Tregime","Faji" i Isakovskit, "Një meshë për "Rrobaqepsin" e Konti Monte Kristos", "Lotët e Kumurisë" dhe librat me poezi:"Eh,si qenka dashuria!","Kurthi i mallit","Kot s'jam i vdekshëm", "Njerëz që dua" dhe "Mbeta dashurive".Veç këtyre në "makzazinën" e tij krijuese janë në pritje për botim qindra poezi dhe dhjetra tregime. Në pritje për botim është një libër me esse dhe përshtypje të autorit për libra të autorëve shqiptarë. Në pirtmëni për një libër më vete, është dhe libri me përshtypjet e autorëve të tjerë për të.






Kohë pleqërie 


Ç’është ky vështrim?!



Ç’është ky vështrim mu në dritë të syve

E vërej atë dhe pak zë “dridhem”

Se humbas tutje hamendësive

Dhe nuk di në jam i saktë, tek jap përgjigjen:



Ky vështrim mu në ninëz të syve

Më bën apel dhe më fton për një flirt

Unë po sikur gati e kam përgjigjen:

Mos më thotë ky vështrim:- Më prit!



Është një ftesë që dot s’e refuzoj

I këndellur nga ftesa, vura krahë si zok

Zgjata krahët dhe nxehtë të përqafoj

Pastaj,”dëmin” e “paguam” të dy tok.



Pa titull



Majat e leshrave të tu më gudulisën

Dhe ndjeva sikur shkela mbi gjëmba

Mbajta një çast frymën; sytë m’u përpëlitën

Dhe, kur pashë që u largove, gati u shëmba…



Je e freskët



Je e freskët si freski mëngjesi

Faqet e trëndafilta freskia t’i skuqi

Mua, sa të pashë, më hipi nepsi

Dhe nuk pyeta fare nga turpi.



Se jam nga ata që turpin e ha me bukë

Dhe ato faqe të trëndafilta dua që t’i puth

Të them të drejtën:- Nuk duroj, nuk…

Ndaj zë e më ha imi trup.



Pra, tek të shoh, nuk ndihem rehat

Një e dy e sytë ngulur mbi ty

Kurrë nuk i kam thënë vetes:- Mjaft!

Dhe tani që jam pleqëri.



Kam “frikë” nga dashuria e grave



E di që do bëni buzën vesh më vesh

Tek ky titull i poezisë sime

Ndonjë dhe do zërë të më përqeshë:

-Përparim! Shkove… lajthite.



Miq e mikesha, fare nuk kam lajthitur

Por flas për një “fushë” që mirë e njoh

Mendoj se kam të drejtë: jam goxha burrë i thinjur

Dhe kam ç’të tregoj për to.



Ka prej tyre që të çojnë në shatë çesma

Dhe as tek njëra nuk të japin një pikë ujë

Natyrisht, jam aq i ndershëm që mos i lakoj me emra

Por dashuria e grave të bën pak “rrëmujë”.



Ta zëmë… ke flirtuar, por bën silkur s’të njeh

Ta zëmë… se ke mike për tërë jetën

Jo “vetëm nuk të njeh”, por bën sikur nuk të sheh

Se tani “mikja”, ndryshe e ka kthyer fletën.



Po.Kam “frikë” nga dashuria e grave…



Vështrimi i gruas që dashuron



Vështrimi i gruas që dashuron

Kurrë s’arrin i plotë që të përshkruhet

Është tamam si një jehonë

Që, sa bën “blic”, dhe zhduket.



Është si një psherëtimë që të hyn në zëmër

Dhe lë në shpirt gjurmë të rënda

Një vështrim i tillë, pothuajse ëndërr

Kujtdo që i drejtohet, bën që t’i dhëmb zëmra!



Tiranë, 5 janar 2016


Nëse...

Nëse e pësova si Timoni nga Athina *
Se me laçkë e plaçkë të gjitha i dhurova
Sikur në kurbet do të më prisnin me dafina
E them troç: si Timoni e pësova!

Po mirë m'u bë, se e pata nga koka
Koka ma bëri dhe ajo ta pësojë
Asgjë, asgjë nuk të fal bota
Mësim le t'u bëhet, kush vjershën do lexojë.

U ktheva në Shqipëri dhe çdo gjë nga e para
Askush nuk më fali, qoftë dhe "thërrime"
Penduar qeshë që plaçkat i fala
Dhe më shumë u thinj kjo koka ime.

U dogja nga qulli dhe zura t'i fryj kosit
Se për një thelë, pagova një pelë
Kurrë nuk mbijnë qime në kokë të qerosit
-Mos i falni plaçkat! Këto vargje si apel.

*Timoni nga Athina fali çdo gjë dhe, kur mbeti me gisht në gojë, u zhgënjye se askush nuk e ndihmoi (Shih "Timoni nga Athina" të Shekspirit).

10 maj 2016


Rrota e fatit

Rrota e fatit më ka shtypur; rrotë e fatit më ka"vrarë"
Kurrë me fatin nuk jam grindur,sado s'më mori për mbarë
Unë s'jam grindur kurrë me fatin, e pranova si më erdhi
Dhe aspak s'i kam inatin, se s'u bë, fundja, kiameti.

Rrota e fatit rrotullohet, sepse fati është rastësi
Ndoshta për mua vonohet, zë e vjen në pleqëri
Që të vijë në pleqëri, këtë fat ku ma gjen
Në u "vonua" deri tani, pse më duket sikur po vjen?

Se njeriu rron me shpresë (shpresa,- thonë,- vdes e fundit)
Nuk e shihni që po pres:-Mos kem vujatje në çast të fundit!

13 maj 2016



POETI

"Pushteti i njerëzve shfaqet me POETIN!" - G Ë T E

POET! Ke dalë pak jashtë kohe
Si në lojën e shahut ke rënë në "ceitnot" *
Mos u prpas, nëse pak lexohe
Unë e di mirë: nuk e meriton atë notë.

Se koha është e keqe,e ngarkuar me strese
Ku veç mashtrimi dhe paraja lozin "arushë"
Unë e di,Poet! Ti nuk ha "aso gjelle"
Dhe kjo kohë përverse me inat të mbushë

Mos u prpas dhe vargjet t'i bësh pushkë
Mbuhsur me fishekë për të vrarë prapësitë
Se dhe në kohë paqeje një POET është në luftë
Ndaj nuk i ndahen gjëmbat dhe e kryqëzojnë si Krisht!

* ceitnot - lëvizje brenda një kohe të caktuar.

Tiranë, 14 maj 2016


Peizazh dimri

Zhveshur nga gjethet pemët kanë trishtim
E ndjejnë lakuriqësinë deri në palcë
Nga oxhakët e shtëpive seç del tym
Për çudi, në valët e radios, ndjehet një valc.

Unë bie preh e gjithë këtij vëzhgimi
Dhe mëndja ikën e mbrrin diku
Aq e humbi, moj mike, Përparimi
Sa me mënjde, erdh andej nga ju.

Se dimër qe dhe ra dëborë e parë
Kur, sakaq, e mbi mua ra një top bore
Hodha sytë dhe ndjeva veç më fal
- Më fal, - the e skuqur, - më fal, jam fajtore!

E gjithë kjo ndodhi vjen e më pushton
Dhe kotem, tek rri vetëm, e çlodhem me nge
Trishtimi i pemëve dhe kjo borë që s'pushon
Ma morën mëndjen dhe ma sollën atje.

Fjollat e borës zënë e dëndësohen
Dhe rruga mbulohet me petkun e bardhë
E ndjej trishtimin e pemëve (duket sikur ankohen?!!!)
Dhe vuaj si ato... e në shpirt dhëmb një plagë.


Gjithmonë

Gjithmonë e kam dashur dëborën
Siç duket, më thërret fëmijëria
Zë e sjell ndërmënd kohën
Kur, si fëmijë, na pushtonte kënaqësia.

E dua ngjyrën e saj të bardhë
E dua dhe, sakaq, bëhem si fëmijë
Sado që mbi trup kam mardhë
Mardhë se dimër është tani.

Ndërsa shtresa e bardhë pushton mjedisin
Dhe zogjtë zënë e cicërojnë trisht
Për çudi, ky peizazh ma ngroh shpirtin
Ndaj bëj tutje, fëmijërisë.

Kur luanim me topa prej bore
A me dëborë ngrinim portret
Kapem pazgjidhmërisht nga çastet prore
Dhe përtërihem me të vërtetë.

Dëbora zë e bie me fjolla
Unë fjollat i ndjek që pas xhamit
Oh, sa më kënaq kur bie dëbora
Dhe rihem e vijnë çastet e noksanit. . .


Dimër

Nga supet e muzgut, ndihet një refren kënge
Ndërsa dimri ka shkelur me putra ariu
Motivin e këngës e sjell në mëndje
Dhe ndjej peizazhin kur gjithçka ngriu.

Gjethet janë zhdukur;vranësirë ka në qiell
Dimri zë e shfryn si gjyryk kovaçi
Një shpirt më hyn, një tjetër më del
Por motivi i këngës, ke parë që më kënaqi.

Kujtesa ime si një parcelë e mbjellë
Ku rritet një pyll përherë i gjelbër
Kujtesë, moj kujtesë, tani çfarë më sjell?
Motivet e një kënge ku s'ndihem i vjetër.

Fragmentet e këngës i mbledh. Kënga vjen e plotë
Për dimrin e ftohtë, më as që nuk pyes.
Thoshin që më 21 dhjetor, do merrje fund, moj botë?!!!!
As besoj në fundbote dhe më duket se kurrë s'do vdes.

Se besoj tek jeta... dhe tek dashuria
Dimrin e acartë me vargje unë e mund
Monument për jetën sot është poezia
Jetë! Je e bukur! Botë nuk ke fund!


Më kulloi shpirti

Ja: më kulloi mua shpirti
Është si ujërat e borës në prill
Nodhka që dhe në ditëdimri
Unë, kokëbardhi, u ktheva bandill.

Kështu ndodhi me mua sot
Ja që humba pas një syri
Në djall! Përmbysu, o moj botë!
Se ika pas një panje-prilli.

Dhe i lashë unë flokët e bardha
(a nuk thonë që do përmbyset bota ???)
As pyes më sot nga mardha
Ika nga më thërret magjiplota.

Dimri vu majat nga thëmbrat
Tani rreth e qark ka behar
Jo. Për asgjë nuk pyesin zëmrat
Zëmrat ku reciprokisht ka mall.

Kështu ndodhi me mua sot
Kështu ndodhi dhe me "atë"
Nuk ka përmbysje. Më e bukur je, o botë!
Dashuria do të jetojë për gjithnjë.

* Shkruar këtë funddhjetori
29 dhjetor 2012


MMos më thoni

Mos më thoni: - Je i mbajtur! Gjasme fare s'paskam rënë?!!!
E, si qenkam unë i mbajtur, kur më duhen një palë dhëmbë?!
Kur më duhen një palë dhëmbë, kur më duhen një palë këmbë,
Kur ca zoga kanakare, kakarisin dhe s'më lënë.

Se më shohin që s'kam këmbë, se më shohin të pa dhëmbë
Më ngacmojnë dhe nuk më lënë, se s'i ndjek se nuk kam këmbë.
E më rroftë e "mbajtura" mua: shih me sy e bëj sehir
Se më gjetë si qenin mua: hyr në derë e tund peshqir...
8 tetor 2001


Në...

Në u dergjsha unë në shtrat, si të gjithë: se do vijë fundi?!
Do të shihni: çohem "fap", në ardhtë vajza gushëpëllumbi.
E kam dashur qysh i ri; po s'desh fati, nuk desh fati?!
Dhe kam qarë me oi: sa kam hequr unë, i ngrati!

Se s'harrohet malli i vjetër; pas e ke atë si rrodhe
Malli i vjetër, plagë e vjetër; oh, moj plagë që rrodhe-rrodhe.
Do të ngrihem unë nga shtrati, do t'ju them: - Prisni pak!
Se tani më mbërriti "fati", që të çmallem, unë kam hak...
8 tetor 2001


Pres e nuk lëviz

Dy gropëza në faqe
Ja dhe një nën mjekërr
Sikur qenkan shumë
Nëma një, patjetër.

Ti mba kë të duash
Unë një begenis
Dhe s'ngutem, avash...
Pres dhe nuk lëviz.
13 tetor 2001


Në shullë

Në shullë ku ngroh lëkurën siç bën në verë gjarpëri
Jap e marrë kujtoj qëkurën; përsiatem unë, i varfëri.
Pala-pala vijnë kujtimet, dhe më mbushin nostalgji
Dhe s'më ndahen regëtimat, për një kohë që s'vjen përsëri.

Ishtrij këmbët gjer e gjatë; zë e kthehem në anë tjetër
Një kujtim më mban më gjat (ku harrohet "bukë e vjetër")
"Bukë e vjetër", malli i vjetër seç më hapin plagë të re
Dhe, sado që jam i vjetër, "fluturoi një çast në re?!".
29 shtator 2001


Ke parë?

Ke parë ti që s'heq dot dorë, nga gjësend që t'u bë ves
Plevitosur, je me "kollë" që të ngau në një mëngjes
Dhe tani që, ngarkuar thinja, elbete je babagjysh
Thuaj tek mija qinda: sheh një vajzë; përkulesh dysh...
8 tetor 2001


Çuditem me veten time

Unë çuditem pak me veten, ndërsa kotem për së largu
Më vijnë çastet që paçë sefte, kur dhe valë më ishte gjaku.
Kur dhe valë më ishte gjaku, por dhe zëmra më qe valë
Miken të zënë meraku, e përrlaja si një ngjalë.

Tash dihet, m'u ftoh gjaku, edhe zëmra po m'u ftoh
Dhe rënkoj me derte plaku, aq sa zëmra më bën "oh!"
Se kujtimi më merr "osh" dhe ma sjellë miken tek pragu
O moj mike mbetshë shëndosh (vallaha, a "pret sojaku?!").
29 shtator 2001


Aq më bën

Aq më bën që tash u plaka, aq më bën dhe në u zbardha
Tek i zoti ardhka haka, siç vjen pas ditës, nata.
Dua të jem prapë i ri, që të dalë e të dëfrej
Që të madhen dashuri, unë prej zverku ta rrëmbej.

Që të endem, hallakatem: pa një brengë e pa një hall
Ta lë tutje një çast plakjen; pleqëri, të veshë në djall!
Jak, këtu, rini e bukur! Moj çapkënia që s'njeh fre
Pleqëri të kam mundur: me rininë tani jam, de!...
29 shtator 2001


O moj lule manushaqe

O moj lule manushaqe!
Ç'më kënaqe! Ç'më kënaqe!
Kur t'i putha gushë e faqe
Kur t'i putha aq e aqe!

Sy e vetulla seç t'iputha
Mjalti qe aty, tek buza
Dhe u ndeza, dhe u dogja
O moj lule, nga të poqa?!...
29 shtator 2001


Ç'do të gjente?

Ç'do të gjente, po t'ma jepje (po t'ma jepje atë buzë?)
Moj të hëngshin njëmijë dreqe! Pse u bëre zjarr e shpuzë?
Zë e dridhesh si me ethe (nga t'u qepa, më rëntë pika!)
Apo s'je e hollë si gjethe (mos po dridhesh vallë nga frika?!)

Mos ki frikë e mos u dridh, sepse gjurmë unë nuk do lë
Se nuk jam unë aq i "lig?!" (pse ke frikë? Më thuaj, hë?!)
Buza është si puna e hënës (hëna rihet, bëhet prapë)
Ndaj t'u qepa këmba këmbës, veç për buzën tënde-mjaltë...
10 tetor 2001


Në takim

Pispillosur, kollarosur se po vija në takim
Se keq më ke plagosur (ah, ta dish, o shpirti im!)
Edhe prita zëmërngrirë; pothuaj ngriva unë kallkan.
Erdhe ti dhe më ke shkrirë, kur më puthe, o moj xhan.
10 tetor 2001


Vjen një zonjë

Vjen një zonjë symëshqerrë, edhe dang mua isharet
Por nuk jam si të "tjerë", që aq shpejt të bie në "rrjetë?!"
Se jam burrë "namuzëli"; oh,sa herë kam rënë nga fiku!
Nuk jam "gruri halëzi" dhe lezet s'më ka ashiku.

Mirëpo zonja është aty dhe mbi mua syrin kllap
Se më njeh për "qejfëli" (qejfi im ka shkuar me vakt?!)
Po dhe kështu nuk shkon fare; nuk duroj të më vërë "brirë?!"
Tash u futa unë në "valle"; këtë "valle" e luaj mirë...
15 tetor 2002


Një vajzë që vjen me vrap

Një vajzë që vjen me vrap
Mu tek unë ndalet pak.
As e njoh dhe as më njeh
Mirëmëngjes, më thotë, de!

Mirëmëngjes, dhe unë ia kthej
Por më tej si do vejë?
Se anglishten unë s'e flas
(që s'e flas, sa nuk pëllcas!)

Më sheh drejt e mu në sy
(ah, më plaçin që të dy!)
Për të parë dhe unë e shoh
Për t'i folur? Lëre,oh!...

Eh, ç'më gjeti, mua, të shkretin!
Moj anglishte, bëfsh lanetin!
Më "la" tjetra në klasë
Kur e pa që s'di të flas...
3 gusht 2001


Më je nisur

Më je nisur dhe ormisur: terezi m'i ke të tëra!
Syri im i çakërdisur: sa tek buza, aq tek llëra!
Sa tek buza, aq tek llëra; tutje-t'hu gjezdis noksani
Opopo se si u bëra! Plasa-plasa mikexhani

Mbeta-mbeta i nemitur; m'u pre goja dhe s'kam zë
Si rrufe më ke goditur! Moj e mira si asnjë!
Dhe, ashtu, i nemitur; sulem-turrem nëpër tym
Se jam bërë si i lajthitur; ndalu, moj, të mbushem frymë.
11 shtator 2001



Është nëntor (poezi malli) - Nga Përparim Hysi

Është nëntor
(Kur ika nga Atdheu...dhe...)

Është nëntor e po del vjeshta; dimri, gati, po troket
Unë po digjem porsi eshka; eshkë po digjem me vërtet.
Nuk po digjem dashurisë, se më piku diku malli
Por po digjem nostalgjisë, se po lë vëndin nga halli.

Halli i madh që qenka ikja, veç kush ikën, më jep hak
Se nga mëndja sa s'ndërliqa, se në zëmër kam farmak.
Jam farmak e shkuar pelinit, i pi grahamt me filxhan
Zëmra e vrarë e Përparimit, si duron e nuk bën bam?!...

3 nëntor 2000


Këtu qeshë e këtu rrojta

GJysh stërgjyshi këtu qeshë; këtu qeshë e këtu rrojta
Rrugën nuk e pata shesh; herë përpjetë e herë me gropa.
GJysh stërgjyshi s'rrojta mirë, porse rrojtja më "pëlqeu?!"
Se është vëndi im i mirë; me kërkënd nuk e këmbej.

E, që thoni, mor zotërinj! Thatë apo nuk thatë gjëkafshë
Po lë vëndin e florinjtë, një copëherë do vete jashtë
Unë e di se ku do vete, ka gradaçela e pallate
Vendin tim unë s'e ndërroj: me flori të mbushur kate!

Në s'kam qenë bir Oxhaku, në s'kam patur unë çifligje
Për Shqipëri më rreh gjaku, jam mburojë prej çdo të lige
Për flamur të kuq të saj, e, për zhgabën mu në mes,
Do më zërë sa herë vaj dhe nga malli, për të, vdes.

3 nëntor 2000


Kur do nisem

Kur do nisem që të shkoj, gjer andej, në Amerikë
Më ka mbetur veç një javë; vij vërdall si rakitik!
Do lë miq e do lë shokë që i dua dhe më duan
Zëmra ime sa s'bie copë, gati lotët më shpëtuan.

Ca më thonë që të gëzohem, e të nisem sa më parë!
Unë sa vij e ligështohem, për çdo gjë unë kam mall.
Se më janë të gjithë të shtrenjta: edhe vënde, edhe rrugë
Dhe, sado që janë të shkreta, mua më shkojnë lotët çurgë.

3 nëntor 2000


Seç këlthet një zogë e gjorë

Seç këlthet një zogë e gjorë: thellë në pyll a s'di se ku?
Mua m'u bë zëmëra dëborë, po mbërdhij që ububu!
Se, siç dihet, humbi birin dhe s'e gjeti në fole
Mua më këputi shpirtin; nga kjo kltihmë më s'po fle.

Se kjo klithmë më vrau shpirtin, edhe unë si zogë e gjorë
Pak nga pak, thahem i gjithi: zëmra ime mbuluar borë.
Po marrë rrugët e kurbetit, tash që jam në vërsë të ikur
Sikur shkoj drejt "qametit": unikal dhe i goditur.

4 nëntor 2000


Hidhërim apo gëzim

Ditët numëroj me gishta: m'u shkurtua mua litari
9 nëntori është dita, kur do nisem për tek djali
Se është larg së këndejmi, mu në fund të Amerikës
Unë, fshatar e bir fshatari, do zë ballin e Floridës.

"U soll moti për së mbari", siç e thotë një këngë shkodrane
Nisem unë bashkë me Sikën, fluturojmë mbi oqeane
Ne që s'dilnim nga shtëpia; porse brënda, në "rrethim?!"
Tash do bëhemi aq të bredhur: hidhërim apo gëzim?!...

6 nëntor 2000


Tani

Tani, s'e mohoj: jam, tamam, derr i kënaqur
Notoj në mes të mirave e bollëkut
Po shpirtin, ama, e kam të mardhur
Me sy, si çapkëne, ma bën Shqipëria
Që më thotë: - Hë, sa do rrishë pa ardhur?!...

22 nëntor 2000


Në Orlando

- Do shkojmë në Orlando, - më thotë im bir.
Do të shohësh atje se ç'mrekulli?!
I hipëm makinës dhe sa sosëm në Orlando,
U befasova dhe thashë: - Jo. Është magji?!!!

Çudira që të luante çargu i kokës
Atje: gjithë mrekullitë e botës!!!
Po prapë se ç'ndjeva një "boshësi?!"
Thashë me vete: - Ku je,Shqipëri?!

22 nëntor 2000


Shtëpia ime

Shtëpia ime, e mbyllur me kyç
Dy javë që pret dikush ta hapë
Dua që andej të nisem yrysht
T'i them: - Më prit, se do kthehem prapë.

Shtëpia ime, e mbyllur me kyç
Ka mbetur si jetime
Një lot malli më bie sysh
Zëmra - copë e thërrime.

I them asaj të më presë
Se, pa u kthyer atje, nuk vdes.

22 nëntor 2000


Shokëve të mi

Ja, tek shkojnë një nga një te "Kashtorja"(1)
-Usta, na sill nga nje meze e raki!
Mungon dikush që i pëlqente faqorja
Mungon ai që raki klubi nuk pi.

Mungoj unë që s'pija raki klubi
- Mos e prisni! Humbi...humbi...
1.lokal ku pinim me shokët, ndonjëherë.

23 nëntor 2000


Më ka marrë malli për Fierin

Më ka marrë mali për Fierin ku punova kaq kohë
Edhe nisem me yrysht të takoj shokët që njoh
Do të ulem të pi kafe mu tek klubi i Kozma Gjatës
Dua të kthej me ta një godë, le të zgjat pas mezit të natës.

Më ka marrë malli për Fierin, e kua ka si ai qytet?!
Pse më ngjan aq shumë me diellin, se si diell më ngroh vërtet.
Dua të shkoj një çast atje; makari, të pi një kafe
S'më zë gjumi, më nuk fle: jam me Fierin kapurqafe...

24 nëntor 2000


Itaka ime

Sa vjet bëri Odiseu që u khtye në Itakë
Se e priste Penelopa dhe i biri Telemak?
Hoqi ç'hoqi, vet e di: det më det e sa kusur
Unë do nisem në Shqipëri; kam Itakë në Mbrostar-Urë (1)

Le t'më dalin mua Circe, le t'më dalin Polifemë
Unë e shoh që pret atje; më thotë: - Hajde, pse s'po vjen?!...
1.Mbrostar - Ura - fshati ku jetoj në Fier.

25 nëntor 2000


Në festën e pavarësisë

Shqipëri, të dua shumë: më je ulur shesh në zemër
Me oi po qaj unë; me oi siç qan një femër!
Në se ika unë nga halli, e lashë vëndin tim të mirë
Lotët çurgë më shkojnë nga malli, për ty shpirtin e bëj fir.

Në u mblodhëm sot së bashku: dhe Kosova, dhe Çamëria
Ne e ndjejmë që një është gjaku: zëmra për ne; Shqipëria.
Jemi mbledhur sot për festëm dhe njëzri brohorasim
Në t'u lipsishim Shqipëri, që të gjithë gjakun e falim.

26 nëntor 2000


Naim!

Thirrje Naim Frashërit
O Naim Poezia, ngreu nga varri veç për pak!
Se ç'ke shkruar për kurbetin, ma ke fjalën me kapak.
Këtu dita qenka tjetër, edhe nata tjatër natë
Edhe zogjët në cicërijnë, cicërimat, atje: mjaltë!

Ngreu nga varri, Bukurosh, edhe thirr me zë kushtrimi
Se kush shkoi në kurbet, nuk gjen fjalë ngushëllimi
E beson kush ra nga fiku, siç e tha dhe Nastradini
Po s'dëgjoi nga ai vesh, e pësoi dhe Përparimi

Tash që ra vet nga fiku, po bërtet sa shumë u "vrava"
Se kurbeti keq e piku, mezalla s'e mbyllet plaga.
Rri e hapur plagë e keqe, mezalla s'pranon ilaç
Shqipëri për ty po dergjem, veçëse ti më je ilaç.

28 nëntor 2000



Poezi Elegjiake - Nga Përparim Hysi


Shkruar përmjet lotësh...

Kujtim!...

Post mortum, Kujtim Spahivoglit
Ç'qe ajo dorë mizore që të vrau në gjumë,
Ty,shpirtbardhin, me zemër si pëllumb?
Vendim s'paska patur?!!! Të dënuan si qesim
Kë shkele në kallo, o i madhi Kujtim?!!!

Një gojë si gjeratore; e keqe, e ligë
Volli helmin e cmirës (një cmirë si shtrigë!)
Pëllumbin e bukur me shpirtin e madh
Befas, e degëdisën... nga Tirana, larg...

Të bënte beton e të hapte kanale
(ah gojë si zezonë, me gjuhë prej Kasandre!)
Dhe shpirti i bukur, u lodh, u cfilit
Të vretë pafajësia: nga pak dhe çdo ditë.

Dhe zemëra më s'duroi; befas u fal
Siç fiket qiriri që tretet ngadalë
Dhe iku pëllumbi diku në tëpakthim
Por ne që të duam, të presim Kujtim!

Skena të pretë dhe njerëzit të presin
Se njerëz si ti, nuk duhet të vdesin
Tek shkruaj këto vargje, më bëhet si i gjallë
Atje, tek poligoni, tek hapte një kanal (1)

Dhe them me veten time: (ndoshta e shoh prapë?!)
Ah, kjo shpresa ime, pse shpirtin ma bën plagë?!...
1. E internuan në Fier dhe, për çudi, punoi në fshatin tim Mbrostar-Ura në Fier.
13 tetor 2004


Lamtumirë, mik!...

Poetit, Spiro Sota
Një lajm i zi, i lig dhe i rëndë
Më shpon si me thikë e më lë pa mënd
Goja m'u pre, mendimet m'u mpinë
Jo. S'e mbaj dot helmin: qe si gjëmimë.

Gjëmimë që më tramaksi se erdhi papritur
E madhe befasia: më la si të goditur
Vdiq Spiro Sota! Poeti... fisniku
Zemëra m'u bë copa:më la vetëm miku.

Iku fsiniku me zemrën sa bota
Jo. S'është e mundur: nuk vdes Spiro Sota!
Se është duke pritur "anijen e bardhë..."
Aty, buzë detit, tek këlthet si pulëbardhë

"që kjo anije e bardhë të ndalet tek brigjet tona..."
Për këtë bën apel dhe lutet Spiro Sota
Jo të na kalojë afër dhe mos ndalet kurrë
Që ky, tranzicion, Shqipërinë mos sëmurë.
(Shënim: Ish nxënësi im, me profesion agronom, por qe Poeti i mirë dhe, njëkohësisht, piktor amator. Vargjet në thonjëza janë nga vëllimi i tretë poetik "Lutja")
17 tetor 2004


...çdo gjë është e mundur

Anita Bitrit, Siborës dhe nënës së Anitës...
Po ç'qe ai lajm i keq dhe i zi,
Që befas, aq befas, zemrat na shkallmoi?
Jo. Nuk është e mundur. Nuk ka se si?
Që kobëzarja vdekje ju t'ju gllabërojë?

Monoksidi i karbonit ju vrau në gjumë
JU vrau në gjumë; ju dërgoi në parajsë
Zëmrën sikur dikush ma qëlloi me plumb
Kam aq dhëmbje, sa gati po bërtas

Siç ishin në ngjallje, ashtu janë më pas
Sibora, e pafajshme, mu si lulebore
Sado që e di që kanë shkuar në parajsë,
S'rri pa të mallkuar, o vdekje mizore!
1: në thonjëza titulli diskut që la gjysëm...
20 tetor 2004


Sa vdekje e hidhur!

Sa vdekje e hidhur, e keqe, e zezë
Tri shpirtëra të ndritur u nisën për varrezë
Tinzare si gjarpëri, helmin si e volle?
Mirë nënë e bijë; Siborën si e more?!

I more që të trija: e pamëshirshme si një bishë
Më e ligë se kurrë, je, vdekje: ta dish!
Dhe kënga mbeti gjysëm ("çdo gjë është e mundur!")
Ma këpute shpirtin dhe qaj krejt i mundur...
20 tetor 2004


R I T A!...

Pas një ëndërre
Nuk di pse m'u shfaqe, pas vitesh, moj Rita?
Si një vegim i dhimbshëm që ma prishi gjumin
Zëmra zu të më dhëmbë si t'më ngulnin thika
M'u hap plagë e rëndë: mu si plagë plumbi

Se ja, m'u ravijëzove, tamam si një dritë
Dritë që mjegullën e kohës, befas e largon
Se ke kohë, kaq kohë që ke ikur, moj Ritë,
Po prapë je pranë nesh: ty askush s'të harron.

Si mund të harrojmë atë buzëqeshjen e pafaj
Mësuesen shëmbullore, bashkëshorten aq të mirë
Jo. Të harrosh ty, nuk është hiç kollaj
Dhe, pas këtij vegimi, veten s'e ndjej mirë.
(Shënim: Rita Guxo, ish nxënësja ime në vitet 1959-60 që u bë një mësuese emrekullueshme dhe bashkëshorte shëmbullore, por, mjerisht, vdiq para viteve 2000 nga një sëmundje e pashërueshme.)
29 tetor 2004


Pasunari

Dje nuk kishte brekë në bythë, sot paratë i ka me grushta
Se u mor me punë të pistë: sa me drogë, me prostituta
Elbete, ka ndryshuar "luk" dhe të hiqet si zotëri
Unë e di që është kopuk; di si vuri pasuri.

Pa zë fryhet si gjeldeti, sa të duket ka vënë krahë
Oratkëri me të pushteti, unë e shoh dhe sa s'bëj "ah!"
Jo i gjeti, ku i gjeti? Aha, iks a ypsilon
Mbështetje tek pushteti, si furrik në tranzicion

Po ç' të them për milionerët (të pabrekët në mëngjes)
Nuk e mbaj dot të vjellët (pulë e tyre, bën dy vezë!!!)
Dalëngadalë synojnë pushtetin se me të kot s'janë ortakë
Nëpërkëmbin veç të ndershmin (do na hipin mu në qafë)

Po qëndruam me sytë të mbyllur dhe po bëjmë sikur s'i shohim
Po e mbajtëm gojën lidhur dhe harrojmë se duhet folur
Nesër shtrenjtë do ta paguajmë: me "doganë" e me "të-vë")
Se kjo skortë do na "hajë" (është provuar,dorë me një)

Mafiozë! Ju jemi qepur pas!

Xhemsi Xhefri- ambasadori amerikan
Akuzë e rëndë. Po emrat ku janë?
Ç'është ky lakim? Vetëm i përgjithshëm.
Duket vërtet si një tramundanë

Sikur po i nxjerr një nga një: Ç'janë të rrezikshëm?
Mjerisht, veç fjalë. Fjalët i merr era
T'u vihem prangat. Të japin llogari.
Vetëm atëherë, themi: erdhi pranvera

Se po vendoset drejtësi në Shqipëri.
Vendi do marrë frymë e do çlirohen
Të dalë Shqipëria nga gërçi asfiksues.
Gjithë ç'kanë bërë krime, të prangosen
Nderim do kemi për të Madhin akuzues!

Pushteti

Nuk ka gjë që më frikëson më shumë se sa pushteti
NJësoj si provimi; ca më shumë lufta.
Ashtu si një besmitar i mirë që ka frikë nga Ferri
E provova në kurriz dhe nga pushteti më zë krupa.
Halle ka shumë sa pesha e elefantit
Mundësitë qesharake: vetmë fjalë e fjalë
Pushteti më fut ethet e alarmit
Sikur mbu kurriz të më ketë hipur një kalë.

Pushtetin e pëlqejnë vetëm sharlatanët
Që bëjnë dallavere nxjerrin fitime
Ata që jo vetëm ia shalojnë mirë kalit
Dhe nuk duan t'i zbresin, sa të dalin fryme.

DUA...

Dua si Likurgu t'i ngre një përmendore të qeshurës
Jo se jam gaztor dhe nuk rroj dot pa qeshur
Dua që nga Shqipëria të largoj mendësitë e mesjetës
Që kanë në kokë politikanët mendjetredhur.
E qeshura të zgjatë jetën dhe SHqipëria e meriton
Më në mes të Tiranës të ketë të tillë përmendore
Ah, se ç'popull bujar! Për bujari me askënd s'ngjason
Këta politikanë të keq, të sfidoj me këtë përmendore.

Se ia nxinë Shqipërisë faqen e saj të bardhë
Sikur ende Shqipëria bënë gjumë letargjik
Dua t'i përqesh të gjithë këta bastardë
Qëndrimi i tyre? Ma shpall e më bën nevrik.

* poezitë që të gjitha janë shkruar në Florida, në vitin 2003. I sjell enkas që lexuesi të shohë se sa janë "jashtë aktualitetit" këto poezi.
Tiranë, 18 janar 2015

Mbyllur brenda

Mbyllur brenda se është dimër
Por me mendje vij tek ti
Që më ishe aq e çiltër
Moj e bukura, dashuri!

Shumë gjatë jetës unë kam dashur
E veçanta ke qenë ti
Të kujtoj me zemërplasur
Të harroj? Nuk ka se si?!

Tek shoh dimrin fryn e shfryn
Dhe rigon,pandalur, shi
Zë dhe shpirti më mbërdhin
Po ku je, moj mike, ti?

Vite kemi pa u parë
Humbur pa nam e nishan
Ende- ende unë kam mall
Po ti "ison" vallë ma mban?!

Tek shoh fshatin *

Jam ngjitur lart mbi kodër
Vështrimin hedh mbi timin fshat!
Bobo! Sa qenka bërë i vogël!
Dhe mbushem me inat.

Dikur ka patur mbi tridhjetë shtëpi
Tani kanë mbetur veç tre!
A s'është për t'ia marrë me oi?
A s'është për të pyetur:-Pse?

Kjo pyetje e ka dhe një përgjigje
Dhe kujen unë nuk e vë kot
NJerëzit janë vënë në ikje
"Arratinë" kanë marrë nëpër botë.

Kjo ikje nga fshati nuk më pëlqen
Sikur:"Ik të ikim,se na zunë?!!!"
Nga mendja bëhem krejt ujem
Nga shpirti, më zë si me shkumë.

* Petova e re në Fier që nuk ekziston më.

Ninull për vete*

Mbrëmë, në mesnatë, shpëtova në fill
M'u shfaq një luvgat (mos qe xhebarai?)
Mend më iku gjuha, aq zura të dridhem
Epo, u pa puna:- Të iki, të pirdhem!

Doja që të flisja. Të linte "luvgati?!"
Dhe po përpëlitesha,sikur erdhi sahati!!!
Kokën vija nga këmbët dhe këmbët nga koka
Dhe më dridheshin dhëmbët, nga dridhje të forta.

Po ç'qe ky "kusur" që befas më gjeti?
Dhe bëj unë sikur, nuk trembem laneti.
Mirëpo nuk qe e lehtë (kishin marrë vendim:
-Rrojte sa dsh vet, pra:- Mbathja, Përparim!

Zura të ngul këmbë, nuk doja të ikja
Vete ha me dhëmbë,se mos zgjohej Sika?! **
Pa ndeza dhe dritën. Llamburiti drita
"Luvgati" me vrap ikën. -Ç'bën, më pyeti Sika.

As i dhashë shpjegim, ngrihem nga krevati
Tani jam bërë trim,se iku "luvgati"
Vij tutej-t'hu (ja shpëtova prapë)
Mos ju ndodhtë ju! Eh, ç'natë e praptë!

* më ka ndodhur në dhjetor 2011 dhe u përsërit këtë javë.
** Imeshoqe

"Xixa" në dimër

Mu si vadhëz e zbardhëlluar
Para sysh: portreti yt!
Sa e shoh! Më ke mrekulluar
Them me vete:- Ku je, shpirt?

Vij si zog e mbrrij tek ti
Dhe trokas me sqep mbi xham
Opopo! Ç'mrekulli!
Shpirt! O shpirt! Si nuk bën bam?!

Hapet dera dhe pastaj
Ç'janë këto britma lemerie?!!!
Përjetoj dhe s'e kam kollaj
Më mpive, mike! Më mpive!

Tiranë, 25 -30 dhjetor 2014


Përzgjedhur nga Flori Bruqi