Besiana Xharra : Natasha Kandiq: Serbia mbron kriminelët e luftës

Aktivistja e të drejtave të njeriut nga Beogradi, Natasha Kandiq, ngre zërin sërish kundër shtetit serb. Ajo akuzon ashpër prokurorinë serbe, se po i lë të lirë kriminelët. Në intervistën ekskluzive për “Zërin“, Kandiq shpreh mllefin e saj duke thënë se edhe 14 vjet pas përfundimit të luftës po vazhdojnë të sillen të lirë numër i madh i oficerëve ushtarakë e policorë, përgjegjës për krimet në Kosovë.
Kandiq bënë me dije se kanë qenë më së paku 3 mijë policë, ushtarë e civilë serbë pjesëmarrës në krimet në Kosovë, prej të cilëve 150 kanë qenë në pozicione të larta policore e ushtarake, por prokuroria e shtetit sot dënon vetëm ata që kanë gjuajtur e jo ata që kanë dhënë urdhra.

Në intervistë për “Zërin”, themeluesja e fondit për të drejtat humanitare dhe koordinatore e procesit KOMRA, Natasha Kandiq, flet edhe për të zhdukurit, gjykimet në Beograd, komandantët serbë për të cilët vetë ka ngritur aktakuzë etj.

Serbia mbron fajtorët kryesorë të krimeve në Kosovë

Zëri: A është duke bërë sa duhet Prokuroria për krime luftë në Beograd?

Kandiq: Në krahasim me 7 mijë civilë shqiptarë të vrarë në periudhën nga 20 marsi deri më 9 korrik të vitit 1999, gjatë intervenimit të NATO-s, është një numër shumë i vogël i të dënuarve. Kryesisht gjykohen kryesit e drejtpërdrejtë të cilët e kanë të kaluarën kriminale, ndërsa vetëm një gjeneral policor është i akuzuar e i cili në fund është liruar. Hetimet zgjasin për një kohë të gjatë dhe rezultati është i njëjtë. Prokuroria i dënon individët të cilët kanë gjuajtur e rrallë atë që kanë dhënë urdhra.

Tanimë është ngritur akuzë për krime në luftë në fshatin Trnje, ku për herë të parë
janë akuzuar dy oficerë aktivë të ushtrisë së Serbisë. Por për vrasjen e fëmijëve, të grave dhe të moshuarve në atë fshat nuk janë përgjegjës vetëm dy oficerë. Ata kanë vepruar sipas urdhrave që kanë bërë thirrje të vriten shqiptarët, e ato urdhra i kanë dhënë gjeneralët, pa gjykimin e të cilëve nuk ka drejtësi.

Zëri: Deri ku ka arritur gjykata për krime lufte në Beograd?

Kandiq: Konsideroj që është e duhur që gjykatat në Serbi të gjykojnë policët dhe ushtarët, ashtu siç duhet të gjykojnë edhe gjykatat kosovare, anëtarët e UÇK-së të cilët kanë bërë krime në luftë. Por ajo që nuk pajtohem është se para gjykatave në Serbi kanë qenë disa raste të hetimit dhe të gjykimit të shqiptarëve, diçka që unë e konsideroj të gabuar. Në qoftë se Serbia ka dëshmi se dikush nga shqiptarët, që kanë kaluar në Serbi, kanë bërë krime nuk guxon ta mbajë nën kujdestari dhe ta dorëzojë në prokurori për krime të luftës, por duhet që ta dorëzojë në institucionet kosovare së bashku me dëshmitë që ka.

Zëri: Kryeprokurori për krime lufte në Serbi, Vladimir Vukiceviq, ka deklaruar se në Beograd janë rreth 300 persona që vazhdojnë të jenë të lirë e që janë të dyshuar për krime lufte në Kosovë? Pse ata nuk gjykohen?

Kandiq: Sipas vlerësimit tim, në krimet e bëra në Kosovë, në vrasje dhe plaçkitje kanë marrë pjesë së paku 3 mijë policë, ushtarë dhe civilë serbë, prej tyre së paku 150 kanë qenë në pozicione të larta policore e ushtarake. Është fakt që gati tërë udhëheqësia shtetërore e atëhershme është gjykuar në Hagë, por problemi është se përveç kësaj udhëheqësie shtetërore ekziston edhe një numër i madh i oficerëve ushtarakë dhe policorë që janë përgjegjës, dhe ata janë krejtësisht të mbrojtur, Serbia nuk do që t’i gjykojë.

Serbia ka rastin të dëshmohet me rastin e vëllezërve Bytyqi

Zëri: A është politika aktuale e Serbisë pengesë për gjykimin e tyre?

Kandiq: Politika aktuale është më e mirë në lidhje me Kosovën. Ka filluar t’i njohë institucionet e Kosovës, politikanët kosovarë, ka pranuar integrimin e serbëve në Kosovë, që është kusht për t’u ballafaquar me të kaluarën, pjesa e së cilës është edhe përpunimi i krimeve të bëra në luftë. Kjo qeverisja ka pushuar së mashtruari publikun në Serbi dhe serbët në Kosovë se Kosova është pjesë e Serbisë, kjo e bën ndryshe prej qeverive të mëhershme, Por kjo Qeveri ende duhet të tregojë se e përkrah përpunimin e krimeve në luftë. Testi është se si do të reagojë në lidhje me gjeneralin Groan Radosavleviq të quajtur Guri, i cili ka qenë drejtues i kampit më Petrovo sellë kur janë vrarë vëllezërit Bytyqi.

Zëri: Është aktualizuar rasti Bytyqi, por pse po zgjatet kaq shumë për t’u përfunduar?

Kandiq: Ky rast është aktualizuar, falë këmbënguljes së Fatos Bytyqit, vëllait më të vogël. Ai sapo ka qenë në Beograd, është takuar me kryeministrin dhe me zyrtarët tjerë të lartë shtetërorë, ua ka dorëzuar rezolutën e Kongresit Amerikan, i cili kërkon që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Por të gjitha udhët çojnë te gjenerali policor Guri, i cili gjatë luftës në Kosovë ka udhëhequr grupet operativo-ndjekëse me emër të keq.

Zëri: Edhe ju direkt keni ngritur akuza penale ndaj kriminelëve të luftës. Çfarë ka ndodhur me ato raste?

Kandiq: Fondi për të drejtat humanitare ka ngritur akuzë kundër gjeneralit policor Radosllav Mitroviq, i cili ka qenë komandant i 37 i Njësisë Speciale të Policisë. Hetimi ndaj tij është nisur, por edhe ai edhe disa të dyshuar të tjerë janë liruar. Kemi botuar një dosje të detajuar për shefin aktual në Shtabin e përgjithshëm, Lubisha Dikoviq, kundër komandantit 549 brigadave të motorizuara Bozhidar Deliqit, që në mënyrë dokumentuese tregojnë për përgjegjësitë komanduese, por nuk ka rezultate, gjeneralët janë të mbrojtur.

Zëri: Po për krimet e luftës për të cilat akuzohen se i kanë bërë shqiptarët ndaj serbëve. Si i vlerësoni gjykimet ndaj tyre?

Kandiq: Në Kosovë nuk flitet që gjatë viteve 1998 dhe 1999 e sidomos pas qershorit të vitit 1999 ka pasur rrëmbime dhe vrasje të serbëve dhe shqiptarëve, të cilat janë konsideruar tradhtarë ndaj komunitetit shqiptar. Në krahasim me numrin e civilëve shqiptarë të vrarë gjatë bombardimit të NATO-s, numri i civilëve serbë nga 10 qershori deri në fund të dhjetorit të vitit 1999, është i vogël, por prapëseprapë në pyetje është një krim. 724 serbë dhe 236 shqiptarë të cilët kanë bashkëpunuar me serbë, boshnjakë dhe romë... shumica e serbëve të vrarë pas ardhjes së KFOR-it janë civilë që kanë vendosur të rrinë në Kosovë. Ata kanë paguar për çmimin e krimeve të bëra nga policia e ushtria serbe.

Varrezat masive do të shpalosen me rregullimin e marrëdhënieve

Zëri: Tash sa vite ka nisur dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel, por çështja e të zhdukurve nuk diskutohet?

Kandiq: Varrezat masive ekzistojnë, por nuk është reale që hapja e tyre dhe fati i të zhdukurve të jetë kusht për nisjen dhe vazhdimin e negociatave. Kjo çështje do të rregullohet atëherë kur të ndryshojnë marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë në aspektin pozitiv. Duhet shikuar se a ka pasur djegie të trupave në furrat në Bor, Maçkatic dhe Obiliq, ku janë varrezat në Serbi, por gjithashtu institucionet kosovare duhet të japin përgjigje për varrezat sekrete të serbëve. Fati i 1300 shqiptarëve dhe 450 serbëve dhe romëve duhet të zgjidhet si çështje humanitare, t’u ndihmohet familjeve që t’i varrosin të afërmit ose të pajtohen me faktin se nuk ka eshtra.

Zëri: Vlerësoni se kanë mjaftueshëm të drejta serbët e Kosovës, e sidomos ata në veri?

Kandiq: Përshtypja ime është që Qeveria e Kosovës ka bërë më shumë për serbët dhe qëndrimin e tyre në Kosovë se sa shoqëria civile. Shqiptarët ende kanë frikë t’i mbështetin serbët, t’u ndihmojnë të jetojnë normalisht. Qeveria e Kosovës i ka rinovuar shtëpitë të cilat janë djegur në mars të vitit 2004, i mbështet të kthyerit, por ende ka pak solidaritet qytetërues mes serbëve dhe romëve.

Zëri: Por, të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Së fundi u morën dhunshëm edhe librat shkollorë në gjuhën shqipe?

Kandiq: Edukimi në gjuhën amtare është standardi, i cili duhet të respektohet. S’ka shkëmbim të territorit, s’ka ndarje të Kosovës, as ndarje të luginës së Preshevës – këtë gjë e kanë thënë qartë ndërkombëtarët. Kosova dhe Serbia nuk janë në pozitë të shtrojnë kushte për vazhdimin e negociatave, këto kushte i shtron BE, dhe qëllimi është i njohur – normalizimi i marrëdhënieve të cilin do ta ndjekë nënshkrimi i deklaratës për bashkëpunim institucional dhe të respektit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, e cila do të jetë parakusht për zgjidhjen e fatit të humburve dhe për ballafaqimin me të kaluarën. Kryeministrat e Serbisë dhe të Kosovës kanë treguar së po menaxhohen mirë. Kanë arritur që t’ua heqin mediave zakonin të shkruajnë vetëm në kuptim negativ. Nuk ka më Thaçi “keqbërësi“, por në shtypin serb për të flitet si për kryeministrin e Kosovës. Ky është një përparim i madh dhe pozitiv.

Zëri: Jo rrallëherë ju kanë kërcënuar, qoftë edhe nga vetë qeveria a Serbisë, duke ju cilësuar si tradhtare, si është situata juaj tani?

Natasha: Jetoj në paqe të plotë me punën time dhe me qëndrime politike. Kjo është mbrojtja ime.

Related Posts: