Aleanca Veri atlantike, NATO, i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit “që të përmbahen dhe të angazhohen në dialog”.

Image result for Oana Lungescu
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, tha se “KFOR-i është i gatshëm që të ndihmojë, nëse kërkohet dhe si një reagues i tretë, pas EULEX-it dhe Policisë së Kosovës”

Deklaratat e zëdhënëses së NATO-s, pasuan tensionet e krijuara pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të ndalojë, të shtunën, një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrime nacionaliste.

Kthimi prapa I trenit shkaktoi një ‘luftë fjalësh’ ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë që presidenti serb tha se “ishte I gatshëm të dërgonte trupa në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë, nëse kjo është e nevojshme".
Policia e Kosovës në pikën kufitare Jarinë, 14 janar 2017

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, tha  se problemi me trenin është “çështje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.
“Ne po e vëzhgojmë situatën nga afër. Kjo është një çështje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ju bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe të angazhohen në dialog. Kjo është në interes të stabilitetit rajonal dhe të sigurisë. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon ta kryej rolin e tij, të mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit OKB-së të vitit 1999. KFOR-i është i gatshëm që të ndihmojë, nëse kërkohet dhe si një reagues i tretë, pas EULEX-it dhe Policisë së Kosovës”, tha Lungescu në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Prishtina ndal trenin serb,premieri serb Aleksandër Vuçiqi akuzon Prishtinën se po bën “lojëra lufte”

Në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, institucionet qendrore në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar kanë marrë vendim që të mos lejojnë hyrjen e trenit të nisur nga Serbia për në Kosovë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Këto komente, ai i bëri gjatë një adresimi të veçantë për mediat dhe opinionin.


“Së bashku me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe në bashkëpunim me presidentin Hashim Thaçi kemi ndërmarrë të gjitha masat”, tha Mustafa duke veçuar këtu kontaktet me përfaqësuesit ndërkombëtar dhe organet gjegjëse vendore.

“Mendoj se kthimi prapa i këtij treni është vendim i duhur dhe se hyrja e tij nuk do të lejohej”, ka theksuar Mustafa.

Isa Mustafa

Kosova, shtoi ai, mbështet lirinë e lëvizjes, “por nuk lejon provokime të tilla që si synim kanë kthimin në vitet e mëparshme me pasoja të paparashikueshme”.

Kryeministri Mustafa tha se “dita e sotme kaloi nën shqetësime të mëdha, për shkak të lojërave të rrezikshme të Serbisë”.

***
Aleksandar Vuçiq

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë, se ka marrë vendim që ta ndalë trenin me qëllim të, siç tha, “shmangies së konfliktit”.


"Vendimi im ishte, dhe krenohem me të, që ta ndaloj trenin në Rashkë me qëllim të ruajtjes së lirisë së njerëzve tanë dhe të ruaj paqen e të shmang konfliktet”, tha Vuçiq.

Kryeministri Vuçiq, tha pas një takimi emergjent me shërbimet serbe të sigurimit se “Prishtina ka provuar të shkaktojë konflikt”.
Treni i nisur nga Serbia për në Kosovë, që u ndal në Rashkë
Ai u bëri thirrje, siç tha, shqiptarëve të Kosovës që të “mos provojnë të sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë”

“Drejt Mitrovicës është nisur një tren udhëtarësh dhe jo një tank, por po ndodhin gjëra të pabesueshme. E kam njoftuar Mogherinin se jam i zhgënjyer me reagimin e BE-së ndaj këtyre zhvillimeve. Gjatë natës do ta njoftojmë Rusinë, nesër Kinën dhe nënpresidentin e SHBA-së dhe t’i njoftoj se “Prishtina po luan lojëra lufte”, tha Vuçiq.

Vuçiq, që foli në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë tha se Serbia do paqe:

“U bëj thirrje serbëve që të ruajnë qetësinë dhe vërejtja ime e fundit për shqiptarët dhe edhe lutja për ta në Kosovë është që të mos tentojnë t’i sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë".

* * *



Ministri Hyseni jep urdhër 
për ndalimin e trenit

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka dhënë urdhër për ndalimin e trenit.

“Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet, duke përfshirë edhe ato alternative që treni të ndalohet. Ka urdhër të prerë nga unë si ministër i Punëve të Brendshme që të veprojë në pajtim me ligjin. Dhe, në pajtim me ligjin do të thotë të ndalohet hyrja e atij trenit të paligjshëm në territorin e Kosovës”, ka thënë Hyseni.

Mediat serbe njoftojnë se treni me ngjyrat e flamurit të Serbisë, që sot u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës, ka ndaluar në qytetin e Rashkës në Serbi, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Mediat serbe citojnë zyrtarët serbë që po udhëtojnë me trenin se po presin paraqitjen publike të kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, i cili ka mbajtur një mbledhje të shërbimeve serbe të sigurisë.

Sipas njoftimeve, kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vënë nën kontroll të forcave të shtuara të Policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur mediat serbe.

Ndërkohë, i shqetësuar me gjendjen aktuale, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka reaguar nëpërmjet rrjetit social Twitter.

"Të shqetësuar për çështjen e trenit. Bëjmë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët. Nevojitet normalizimin jo konfrontim", është postimi i ambasadorit Delawie në Twitter.