Tregim nga Perparim Hysi

"Ladenaku" në Elbasan   *
   
             Kujtimit të NJERIUT INSTITUCION:  VASIL  KAMANIT!
                              Tregim
Nga  Përparim  Hysi
Është muaj dhjetor dhe, gati tërë muajin, rroj me mbresat e shkollës NORMALE të Elbasanit që është hapur më 1 dhjetor 1909. Unë kam  qenë nxënës  i asaj shkolle dhe maturën e kam marrë në qershor të vitit 1959. Viti 1959, ishte viti i 50-vjetorit dhe shkolla, pikërisht atë vit, u kthye në një kantier me të vërtetë pune. Aq mobilizim pati atë vit, sa në shkollë u hoq përshëndetja: mirëmëngjes që shkëmbenin reciprokisht në raportin mësues- nxënës dhe kjo përshëndetje u shkëmbye me:- Nder punës! Nëse shkolla u kthye në "kantier" apo ziente si koshere bletësh, mos kujtoni  se prishej gjë rregulli  apo cënohej qoftë dhe një thërrime procesi mësimor- edukativ. As edhe pak. Personeli aq model (të gjithë qenë arsimuar jashtë shtetit), punonte si një  sahat "OMEGA" dhe, në krye të të gjithë punëve, drejtori ( më jetëgjati në krye të kësaj shkolle),VASIL KAMANI. Të gjithë profesorët tanë, prinin me sjelljen e tyre, me kërkesat aq rigoroze dhe me vlerësimet aq të sakta. Pse ishin të tillë, ata (profesorët tanë) kanë mbetur në kujtesë si njerëz modelë  që duhet t'i ndjekësh: në punë e në sjellje. Unë i kam dashur që të gjithë dhe, pse i kujtoj me mall, një për një, në 90-vjetorin e shkollës, për ta shkrova një poezi që po jua bëj të njohur dhe juve.
                                PROFESORË!
                                          Profesorëve të mi, të NORMALES  së Elbasanit
                 Nuk di kë të përmend nga ju më parë?
                 Se ju ishit të gjithë të mrekullueshëm
                 Nuk e mohoj: për të gjithë ju kam mall
                 Dhe bëhem krejt i parezistueshëm.
                 Dua të vij dhe t'jua puth ato duar të rreshkura
                 Se ju  qetë si shenjtorë që rrezatonit urtësi
                 Për mua ato duar,edhe sot, janë të shtrenjta
                 Ndaj vij dhe jua puth nji e nga nji.
                 Po ç'them kështu? Shumica prej jush kanë ikur
                 Por unë, ama, ju kujtoj  me përmallim
                 Tek shkruaj për ju, tak në zemër ndjej një të krisur
                 Dhe fare nuk e ndjej lotin që më shkimë.
                           
                               1 dhjetor  1999
                                    
                                           *    *   *  
Ladenaku që unë kam futur në thonjëza,  është perosnazhi i Hygoit nga romani i tij: "Viti '93". Kushdo që  e ka lexuar, nuk ka se si mos e mbaj mend. Në"vija të trasha", ju kujtoj se Ladenaku që ishte kundër republikës dhe pro monarkisë, tek udhëtonte ikonjito mbi një anije luftarake, vërejti që një top luftarak, lëvizi nga "pjacolla" ku qe vendosur dhe, nga lëvizjet kaotike të tij, qe rrezik të mbyste  anijen me gjithë ekuipazh. Topçiu "fajtor" gati u përlesh "trup me trup" me topin për ta kthyer në pozicionin e vet. Ladenaku e vërejti këtë "betejë" kaq luftarake dhe, mbasi topi u vendos në "pjacollën" e vet, urdhëroi që i gjithë ekuipazhi të rreshtohej. Me një ceremoni gati zyrtare, i vari mbi xhaketë topçiut një dekoratë. Ndërsa topçiu u mbush me emocione gëzimi, se e vlerësuan për guximin dhe të njëjta ishin dhe emcionet e ekuipazhit, Ladenaku gjëmoi:- ... dhe tani ky njeri të p u s h k a t o h e t!!! Natyrisht, gjesti duket si një thagmë, por Ladenaku foli:- Dekoratën për guximin, pushkatimin se nuk e ka kryer detyrën si ushtar . NJë pakujdesi e tillë, desh mbyti ekuipazhin dhe jo vetëm kaq: do dështonte misioni  që kemi mbi vete.
                                                *    *   *  
Dhe unë them se "Ladenakun" (por jo atë të Hygoit), jo vetëm e kam parë në Elbasan, por e kam njohur,besoj si unë,asnjë. Po. E kam parë dhe ai është ish-drejtori im, i shkollës, NJERIU INSTITUCION: VASIL KAMANI. Ishte në krye të punës si askush. Të paktën, në katër vjet të shkollës sime, shkolla jo vetëm qe nga më me emër në shkallë vendi, por ai, pothuaj, e kish kthyer në shtëpinë e vetë. Ngrysej e gdhihej në shkollë. Në shkollë e në konvikt. I rreptë si një spartan. I ditur  dhe i drejtë si një SOKRAT! Asnjë lëshim, por sa njerëzor dhe i bukur bëhej, kur shpjegonte. Të linte me gojëhapur dhe kurrë nuk mbaj mend që mos  u referohej shembujve, për ta rrënjosur në kokë,atë për të cilën fliste. Kur të ngrinte në mësim, bëhej sy e veshë dhe, nëse gaboje, tak dhe pyetja ndihmëse. Kurrë nuk sugjestionohej për shkaqe suvjektive dhe, kur të vinte notën, s'kishe pse hallakateshe dhe të hamendësoje: më dha a nuk më dha hakën?
                                                       *    *   * 
Unë që po shkruaj për të, e kam prekur, pothuaj, me të dy duarët: rreptësinë, por dhe drejtësinë dhe ndershmërinë.
Për tri vjet me radhë, kam qenë i ndëshkuar me notë  në sjellje, por kurrë,  në asnjë çast, nuk kam menduar se ka qenë i padrejtë. Përkundrazi. Në fund të fundit, ai, nëse mua, rebelit, ma uli hundën përdhe për sjellje, mbi të gjitha, më vlerësoi  për përparimin në  mësime.
Drejtori, sado qe i ngarkuar me punë, qe aq racional, sa gjente kohë për të ndjekur praktikën tonë pedagogjike. Në ato pak orë që vëzhgoi, siç duket, i kish pëlqyer puna ime. Këtë gjë e mora vesh, kur një ditë (fillim shkurti 1959) më thirri në drejtori dhe më kumtoi:- Hys ( gjithmonë më drejtohej me mbiemër), për muajin shkurt nuk do vesh në mësim, por do zëvendësosh mësuese Manushaqen, se është me raport një muajor.  Natyrisht, u bëra me "pendë palloi", se nuk i thoshin shaka: mësues për një muaj! Vetëm rroga më mungonte. Isha gati t'i hidhesha në kokë e ta pushtoja nga gëzimi. Fillova (  krejt rastësisht, klasa e katër qe ngjitur me zyrën e drejtorit) dhe"kush më mbante mua?!". Mirëpo, që të  nesërmen, gëzimi më doli nga hundët. U zura me kujdestarin e konviktit për orarin e veprimeve në konvikt. Pse si të tjerët isha unë që të ngrihesha në ora katër të mëngjesit? Dhe ku? Në atë të ftohtë që vinte nga Krasta që të rripte veshët? Shkurt:  jo vetëm u zura, por nuk iu binda. Kujdestari (qe mësues) më raportoi tek drejtori. Ky  ( oh, mos thoni që nuk ishte Ladenaku?!!!), jo vetëm më thirri dhe më bëri për ujë të ftohtë, por rreshtoi tërë nxënësit konviktorë(qenë mbi treqindë) dhe, kur doli, komunikoi:- Tani, këshilli pedagogjik ( asnjëherë nuk tha unë) vendosi:- Përparim Hysit t'i zbritet një notë në sjellje. Epo thoni se qe ngjallur Ladenaku dhe qe bërë drejtor!!!
Ma theu notën dhe, tek po  matesha të shkoja në klasë me shokët, më tha:- Ku  po shkon?
- Në klasë, se tani nuk jam më mësues. Jam me notën katër në sjellje.
- Jo, jo,- më tha,- pa e prishur gjakun, do vazhdosh mësues, por, nëse nuk zbaton rregullat në konvikt, mund që të përjashtojmë fare!!!
                                               *    *   *   
Po ku vihesha unë në fre. Gjithmonë do ta bëja ndonjë proçkë. Qe prill dhe ishte e dielë. Ne bënim studim në një nga klasat e shkollës. Mua më hanin  duarët për "sherr". Mësimet nuk i kisha fare problem dhe, tek e ndieva veten të sigurt për të tëra mësimet e ditës së nesërme, tak rrëmbeva një  shok dhe fillova të kërceja. Kujdestari (qe shoku ynë i klasës) bëri një syqorr e një vesh shurdh. Unë po kërceja, por "hija e Ladenakut" sikur më fanepsej pas derës. Se drejtori nuk njihte as të dielë dhe as festa, pa ardhur në shkollë. M'u bë se qe pas derës dhe... hamendësia ime nuk paskësh qenë e kotë. Dha ballë brenda dhe, së pari, mua më preu e zeza. Hyri, ashtu hijerëndë  siç ishte, dhe urdhëroi:- Përjashta dhe tërë konvikti të rreshtohet!
E dija seç më priste dhe ashtu si ai që tha: po ta dija se, kur do vdisja, varrin do të shkoja e ta hapja vet, dhe unë u nisa drejt këtij "varri". Qeshë me notë katër, tani nga katër do më bëhej tresh. Me tresh, duhet të mbathje opingat.
Vrapova në katin e tretë (atje qe dhoma ku flinim), hapa dollapin dhe mora valixhen time prej druri. Dola në koridor dhe me veshët bigë, po dëgjoja atë komunikim që aq mirë e njihja.
- Tani,- filloi komunikimin drejtori,- këshilli pedagogjik vendosi:
- Hiqmet Deliallisit ( kujdestari i shkretë) i zbritet një notë në sjellje!
-Demir Ajdinit ( partneri im që e mora në qafë. Ndjemë, or mik i mirë! Kam marrë vesh që ka ndërruar jetë), i zbritet një notë në sjellje!
- Përparim  Hysit ( në këtë moment, e shtrëngova valixhen edhe më)... një vërejtje!!! Sa "Ladenak" i mirë, herë e parë që i lëshoi zemra. E dinte mirë që shkaktari qeshë unë dhe, po kaq mirë, që, po të më zbriste dhe një notë, unë duhet të përcillesha me shkollën. Tek dëgjova këtë shpirtmadhësi të tij, qeshë gati të fluturoja dhe ta puthja, si një Baba të rreptë, por aq zemërmadh.
                                                               *    *   *
Do isha pak i njëanshëm, nëse nuk do të flisja për ish-drejtorin tim. Po vinte fundi  i mësimeve dhe po përgatiteshim të hynim në provimet e maturës. Ora e fundit që do bënim mësim me drejtorin. Kujdestari i klasës sonë, sado që ishte nxënës i mirë, në pedagogji (këtë lëndë jepte drejtori), sa herë që ngrihej merrte dysh ( sistemi i vlerësimit nga  1 deri në pesë: me njësh e dysh nuk kaloje). Ora e fundit dhe, për çudi, këtij, kujdestarit, pa ardhur ora, i filluan ethet e frikës. Se shaka e vogël nuk qe. Mbesje në një lëndë dhe duhet të vije në vjeshtë. Mua që më hanin brirët për sherr, i them:
- Do të kaloj unë!
- Po si mund të më kalosh? Ti e di që drejtori as që bën lëshim.
-Prit, - i them, - se e kam gjetur marifetin.
Do blemë një tufë me lule dhe, meqë është ora e fundit, do t'i them drejtorit që  të na japë kujtimet. Mbasi të mbarojë kujtimet, ti, në emër të klasës, do t'i japësh buqetën me lule. Kaq dhe, sipas "skenarit",  shfaqja do dalë me sukses.
Hyri drejtori. Na përshëndeti:- Nder punës dhe, mbasi ia kthyem përshëndetjen, u ul në katedër dhe hodhi sytë mbi regjistër. Hodha sytë nga kujdestari  dhe qe bërë limon i verdhë.
Unë pa marrë leje, fola:- Drejtor! Sot është ora e fundit. Duam kujtimet!
Pashë që, sikur e kish pritur, dhe filloi:
Kujtimet... Dhe ja tek pohoi: si gjithmonë, na la me gojëhapur! Ku u shkri si kripa në ujë gjithë ajo rreptësi?! Ndërkaq, kujdestari doli dhe ia dhuroi atë buqetën me lule. Qenë ballë për ballë. Ndërsa me një dorë mori buqetën me lule, me tjetrën e tërhoqi shokun tonë nga vetja dhe, tek e puthi në të dy faqet, pamë që i rrëshkitën dy lotë. Qaka drejtori!!! Gati u përlotëm të tërë. Mandej,  sa shoku ynë zuri vend, drejtori u ul në katedër dhe urdhëroi:- Çou në mësim!
Bobo!-bëra. Ndoshta, jo vetëm unë. U çua si ai viktima që shkon para "xhekatit". As që e hapi dot gojën. Ulu në vend.Do vish në vjeshtë,- tha.
Tani më thoni:- Ka qenë apo nuk ka qenë Ladenaku në Elbasan?
                                          Tiranë, 4 dhjetor 2016