Londër 2012 Në kërkim të “arit”

Londër 2012 Në kërkim të “arit”:

Mania e shteteve për medalje

Nëse dikur, beteja ishte për hapësirën apo për Hënën, tani supremacia matet me medaljet e fituara në olimpiada çdo katër vjet. “5 rrathët” janë “marka” botërore më e rëndësishme pas “Apple”. Vlejnë 47.6 miliardë dollarë, 134 herë më shumë se Banka e Greqisë
Nëse dikur beteja ishte për hapësirën apo për Hënën, tani supremacia matet me medaljet e fituara në Lojërat Olimpike çdo katër vjet. Koha e Olimpiadës vjen shpejt dhe asgjë nuk mund të barazohet me të për nga prestigji. Pritshmëritë dhe shpresat për atë çka do të ndodhë aty janë në mendjet e çdo atleti e të çdo shteti. Pikërisht aty duhet të shihen frytet e një pune të gjatë e të lodhshme. Por GDP e sportit nuk funksionon si ajo ekonomike, ka të tjera hierarki: ndodh që fuqitë e mëdha të “munden” nga ato më të dobëtat. Me pak fjalë, skllevërit që “rrëzojnë” padronët. Karaibet janë më të fortë se Gjermania, ndërsa Kenia në vrap ia kalon Amerikës, po ashtu si Etiopia, Zvicrës. Një olimpiadë është më efikase se 20 vjet politikë e jashtme, sepse në një çast të vetëm, kupton se vendi yt nuk është më në Mesjetë dhe se Afrika e Jugut, nga kombi i fundit për të drejtat civile, shndërrohet në farin e lirisë dhe njerëzve të ndryshëm, ku flamuri i saj do të ngrihet nga një hermafrodit, për të cilin do të vrapojë një burrë me proteza dhe do të notojë një vajzë pa këmbë. Kenia e njerëzve me ngjyrë, kësaj here ka vendosur që flamurin e saj ta ngrejë notari i bardhë, Jason Dunford. Për më tepër, për të siguruar që gjithçka të shkojë vaj, Britania e Madhe e ka pushtuar Londrën me 18.200 ushtarë, dyfishi i forcave të saj ushtarake të pranishme në Afganistan. Nuk duhet as Marksi dhe as Engelsi për të llogaritur se “malli” i sportit çdo katër vjet rrit çmimin e kapitalit të tij. “5 rrathët” janë “marka” botërore më e rëndësishme pas “Apple” dhe si produkt origjinal grek (lindën në Athinë në 1896) vlejnë 134 herë më shumë se Banka e Greqisë. Për këtë arsye, “pasanikët” e sportit, ata si Kobe Bryant shkojnë në stërvitje me helikopter. Ata duan t’i tregojnë botës që dinë ende të luajnë dhe këtë nuk e bëjnë për “para”. Këtë eveniment e quajnë ndryshe “Mania e medaljeve”. Dëshira për të qëndruar në krye, për të treguar që nuk je një pikë në hartën e botës, por një pjesë e rëndësishme e gjeografisë. Dikur mjaftonte një medalje ari për të qenë të lumtur, ndërsa sot, nëse fiton vetëm një, quhesh dështak. Duhen më shumë se pesë për t’u konsideruar i suksesshëm. Heronjtë nuk mjaftojnë më, tani duhen superheronjtë. “Peshkaqeni” Phelps, pas tetë medaljeve të arta të fituara në Pekin, kësaj here kërkon të marrë 7, por gjithsej ka 16 dhe me 3 të tjera do të bëhej atleti me më shumë medalje në histori. U deshën vetëm dhjetë orë për të “gdhendur” 412 gramët e medaljes olimpike të Londrës, por duhen vite për të “ndërtuar” një atlet. Amerika gjithmonë ka besuar te Lojërat Olimpike: 2302 medalje në historinë e saj, 1200 më shumë se “armikja” BRSS, që tashmë nuk ekziston më. Kina, edhe pse e ardhur me vonesë, po ecën shumë shpejt, por me 385 medaljet e fituara është ende shumë larg. Edhe pse në Pekin mundi SHBA-në për medalje të arta (51 me 36), në klasifikimin e përgjithshëm kishte dhjetë më pak. Luftohet në emër të sportit, por për të pasur sukses duhet të kesh besim, teknologji njerëzore, vullnet dhe forcë fizike. Por edhe muskujt, mushkëritë, këmbët, freskinë mendore. Nëse fiton në Lojërat Olimpike, bëhesh edhe më i famshëm se fituesit e “Nobel”-it. Të shohin dhe të njohin kudo. Ndoshta për këtë arsye, biznesmeni Gagik Tsarukyan, presidenti i Komitetit Olimpik Armen, ka ofruar një çmim prej 700 mijë dollarësh për medaljen e artë që mungon qysh prej 1996-s. Nuk mjafton pasuria. “Bota e tretë” në Lojërat Olimpike hakmerret gjithmonë ndaj më të mëdhenjve. Kush ka naftë, nuk ka kampionë, kush ka financa të fuqishme, ka këmbë të dobëta. Lojërat Olimpike kanë qenë gjithmonë arena ku të vegjlit mundin të mëdhenjtë, ku Xhamajka në vrap mban rekordin dhe e sheh Amerikën nga lart-poshtë, ku gjithçka mund të tregohet vetëm me punë, pavarësisht se kush je dhe se nga vjen. Londër 2012 po fillon!

Me më shumë medalje - Me 2302 medalje, SHBA qëndrojnë në krye të klasifikimit të vendeve më të vlerësuara në historinë e Lojërave Olimpike, 1200 më shumë se BRSS që tashmë nuk ekziston më
Kampionët e varfër - Kuba dhe Xhamajka janë fitimtare në raportin mes GDP-së dhe numrit të medaljeve të fituara
Përqendrimi i medaljeve - Mes vendeve me përqendrimin më të madh të medaljeve në milionë banorë, Bahamas qëndron në krye me 20, e ndjekur nga Australia me 7.5 dhe Kuba, 7
Ku lindin talentet -  Holanda, Xhamajka dhe Koreja e Jugut renditen të parat për medaljet e fituara për çdo milion kilometra katrorë
Më i shpejti - Xhamajka, me 2 milionë e 700 mijë banorë, në garat e shpejtësisë renditet e para, duke lënë pas edhe Amerikën, me 313 milionë banorë
Fari i lirisë - Afrika e Jugut, dikur e fundit për të drejtat civile, do të ketë si mbajtës flamuri hermafroditin Semenya, ndërsa do të garojë edhe Pistorius, atleti me proteza
Më “kokëforta” - 80 nga 204 vendet pjesëmarrëse nuk kanë fituar asnjëherë medalje olimpike në historinë e tyre. Bolivia merr pjesë që nga 1936-a
E para dhe vetmja - Togo ka fituar medaljen e parë dhe të vetme në Pekin 2008. Benjamin Kudrow Thomas Boukpeti u rendit i treti në garat me kanoe
Rekordi - Kina, në “Pekin 2008”, fitoi numrin më të lartë të medaljeve të arta, duke mundur SHBA 51 me 36, pavarësisht tërheqjes së Liu Xiang në 110 metra me pengesa
Sheiku në pod - E vetmja medalje e artë e Emirateve Arabe i takon vitit 2004 dhe sheikut qitës, Ahmed Al Maktoum

Rekordet për t’u mundur

Atletikë meshkuj
100 metra
9”58
2009
Usain Bolt

800 metra
1’41”01
2010
David Rudisha


Kërcim për së gjati
8.95 m
1991
Mike Powell

Kërcim së larti
2.45 m
1993
Javier Sotomayor

Kërcim me shkop
6.14 m
1991
Sergey Bubka

Hedhja e diskut
74.08 m
1986
Jurgen Schult

Atletikë femra
100 metra
10”49
1988
Florence Griffith-Joyner

800 metra
1’53”28
1983
Jarmila Kratochvilova


Kërcim për së gjati
7.52 m
1988
Galina Chistyakova


Kërcim së larti
2.09
1987
Stefka Kostadinova

Kërcim me shkop
5.06 m
2009
Ylena Isinbayeva

Hedhja e diskut
76.80 m
1998
Gabriele Reinsch
Londër 2012 Në kërkim të “arit” burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Related Posts: