Cikël poetik nga Pjetër Jaku





DON KISHIOTI







Don Kishoti i mërguar  
Përsonazh


Përsonazh i Servantesit ka dalë në skenë
I ka hypur Rozinantit dhëmbërënë
Me shpatën e mprehur të luftoi me
karkalecat e lagjes;
Vetëm në emër të paqes!

Të gjithë i bëhën armiq,
Të gjithë i bëhën të ligj
Njeriut të lig,
Hajdutit me duar prej bebi
Që i futen çdo xhepi!

Medet për madhështinë e tij minore
Përulësisë së tij prej zagari të vogël
Me sytë si gogël!
Rozinantët shohin me sy nga qielli!


LUTJE  PRESIDENTIT 
atdhetar
I nderuar President i vendit tim
Dekoroi të gjithë ata që duan t’i mburren vetes
Medaljet t’i varin si brekët
E t’i veshin si thongs Kelvin Klein me emrin tënd!
Të gjithë bëj kalorës edhe pse gomarit si kanë hypur kurrë
Të lutem bëjë këtë për hatër të shkopit që mban flamurin,
he burrë
Mos i le të vuajn kandil-bishtukët që e bëjnë dritën terr,
patriotët frikacakë, veteranëve që nuk dinë ç’është lufta
mbushua gjoksin me dekorata, si ata i mbushin me deklarata!
Delirantëve që u duket vetja heronj e besojnë rrenat e veta
mos të dhimben bre burrë dhe, nëse janë të shtrenjta!
Paguan populli fukara i mësuar më kësi heronjësh,
Mburravecë të pashoq, të rrumbullakosur si dorëza kashte
Vlerësoje heroizmin e tyre të shtrirë si kaposhat në pjata
Sidomos, të atyre që vijnë nga mërgata!
Jepjau në emër të statukuosë shëndetësore,
të vuajtjeve që heqin për të ardhur deri tek ti,
Brilantizmit mendor e në emër të flamurit që e mbajnë
Në makinë, sa herë dëgjojnë këngëtarët grekë,
Muziken serbe dhe kushedi ça dreq bidonash të zhurmshëm
Jepjau të gjitha medaljet e mundshme!
Jepjau Urdhërin e Skenderbeut e sajoje atë të Sulltan Hamitit,
Se për kombin u digjet dhe terri i shpirtit!
Japjau kalorsin pa frena dhe kuajt e gjithë kontinentit më të vjetër, jepjau
Të betohem, në emër të Kryeshoqatës së Diasporës
Që ka mbetur ne tre qyqana
Nuk u duhen gjë pos varjes në xhaketa
Sa herë për kombin shtrojnë darka e dreka
Sa herë për nderin e japin jetën nëpër bërxolla e verëra!
Po vdesin duke shitur hamburger pa një meritë për t’u dukur
Duke lyer bodrume e duke bërë heroizma të mëdha për atdheun
Jepjau , t’i kenë të paktën për t’u mburrur!
Je bujar vërtetë e bëje veten dorëlëshuar, sa je ende në karrige
E , bash kur të vijë fundi, në fundin e mbramë
Për hatër edhe të portofolit tand
Jepu dekorata , medalje për festa e ditëlindje, për gjithëfarë lloj sebepi
Bëje këtë bre burrë, mos të dhimbet shteti!
Pleshti

Pleshti desh u bë gjeneral
Spaletat i vuri në hapsirë
I shihte në ëndrra të zgjuara!
Kohët e tij pleshtërore
U bënë  vite të mërguara!
Kërcen kot së koti
Si dëllenjat në zjarr.
Pleshti plesht do mbetet
Jo vetëm në të gjallë!


Metamorfozë

I pandryshuari s’ndryshon
Me hapat e tij brumbullor
Si kali i Don Kishiotit!
Deri sa të arrij majat e fitimtarit
I bien gradat ferrave
I bien “fuqia” e të fortit!


Këshillë

Nuk mund të jesh poet
Pa katër këshillat e Shkrelit,
As pesë këshillat e vetes,
Ndryshe do mbetësh
Një shtërzues i mendjes!
Kapsllëku mendor
është shumë më i keq
Se kapsi në bark,
Kur nuk je poet
Në asnjë fjalë,
Në asnjë varg!
Poezia është frymë
Nga një shpirt i mire, e dale
O njeriu shpirt e tru çalë!


Mars

Kur s’të bëri as Marsi poet
Ç’pret o shprtziu i vogël,
ç’pret?!
Mbyte  veten tënde
Me lapsin tënd!
Vetëm një…

Gjithë të bukurat të sillen
Nuk ka tjetër, vetëm një
Si vetima të na fshihen
Syri njërën do ta zë.

Sheh nga sheh e sillesh prapë
Nuk ka tjetër , vetëm një
Mendja jote mund të kapë
Çka ty syri nuk ta sheh.

Ka në botë vërtetë shumë
Por s’ka tjetër, vetëm një
Le të ngrihen dallgë e shkumë
S’ka stuhi t’a marrë atë.

S’ka në botë një të dytë
Bota ka vetëm një
Kur e sheh shpirti dhe sytë
Gjithë të tjerat janë asgjë.

Nuk ka tjetër kurrë , askurrë
Nuk ka tjetër, vetëm një
Që e mban në jetë një burrë
Të mos jetë një çast pa të!

Nuk ka tjetër , vetëm një
Që bën dritë  dhe është lule
Që e mban një mal të tërë
Veç në gjoks edhe në supe.

Asaj femër ne i themi
Por s’ka tjetër vetëm një
Shkojmë e vijmë , ngado që vemi
Një minut s’jetojmë pa të!

Nuk ka tjetër, vetëm një!

Dora është grua

Vetëm dorën ti më dhe
Rastësisht në rastësi
Syrin nuk munda ta zë
Strukur ishte si flori.

Si floriri aq i paktë
Që nuk  shihet aq kollaj
Në fytyrën e përflaktë
Ishte fshehur brenda saj!

Nuk u lodha të të thëm
Qoftë vetëm dhe një fjalë
Kur përdore ishim zënë
Më rëndoje sa një mal.

Vetëm tokën shihje ti,
Ndoshta udhën, ndoshta veten
Por, për mua nuk e di
Se ku sytë e mi u gjenden.

Kur padashur dorën time
E shtërngove pak më fort
Emocionet s’u bënë trime
Se poshtë syve ra një lot.

Ra një lot sa një ortek
Që bjen malit rrokullim
E rrëzon edhe një shkëmb
Aspak toka pa iu dhimb.

Veç ndalon aty në mes
Tek një rrafsh, tek një burim
Sa një  grusht  do ta gjeshë
Siç u bë  në fillim…

Vetëm dorën ti më dhe
Brenda saj ishte gjithë bota
Çdo ortek e dinte se
Do të shkrihej veç nga dora.

Vetëm dorën ti më dhe…

Kam një mike

( JP )

Kam një mike që e dua
Gjithësesi nuk është mëkat
Nëse n’kokë je mjegullua,
Nëse veten merr inat!

Herë më duket njëra motër
Që ma thotë një këshillë
Herë herë më duket nënë
Gjithësesi një grua e mirë!

Kam një mike, që në jetë
Se kam pasur  kurrë më parë
Të ka bir dhe n’mos të ketë
Vjen aq ëmbël si ujvarë.

Unë i thëmë mrekullia
Siç një femër duhet t’jetë
Në gjithë rruzullin dashuria
Është mrekulli e tetë…

Dashuria është femër
Si ajo në botë nuk ka
Ngjiz njeriun n’çdo vërteber
Globin mbi vete e mba!

Shkruaj hartime e bëj këngë
Bëj portrete e bëj art
N’çdo qelizë e mba një brëngë
Një planet leviz n’çdo hap!

Është ajo pra mrekullia
Femra-mrekulli e parë
Nuk vjen kurrë lumturia
Kur një femër s’të ka ardhë!

Që pa lindur gjer kur vdesim
Atë ne e kemi pranë
Shpirtit t’saj  borxh i mbesim
Kur dhe  fryma bëhët fjalë.

Le t’i duam dhe t’i duam
Ato janë për t’u dashur
Kur sëmuremi dhe vuajm
Dhe kur jemi zemërplasur.

Kërkojmë nënën, duam motrën
Me sy gruan e kërkojmë
Kam një mike sa gjithë botën
Dashuri asaj i thonë!
 Dashuria nuk është faj

Një lum vërshon prej meje tek ti
Të prek në këmbë, të zë padashur
Siç një rreze mengjesit të ndritur
Udhëton me ty!
Kur s’e ke pritur,
Të bëhët pjesë e mendimit
Uliks, Odise sa shkëmbi i Munellës
Gurë i rëndë në mendje
Si ai Sizifit
Që e shtyn sa mundet drejt majes
Më beso, nuk është faji im
Se unë nuk e di masen e faljes!

Të të thëm më fal se të ndesha
Me sytë e mesditës
Tërë zjarr!
Të të thëm më fal
Se të vrava me një ëndërr
Që kurrë s’ta thashë!
Unë jam ai që i dua dhe gurët
Dhe fjalët, gjithë hiret e botës
Veç për veten time!
Ndoshta, pa qënë i zoti t’i mbaj
Përsëri nuk është faji im
Se nuk di kur jam në faj!

Ritëm gjethesh

Si një gojë e zëzë  hapsira
Seç m’i ha mengjeset mua
Sytë në shtigje të vështira
Mi rrëmbeu veç një grua!
Përpiqem të shkruaj fjalë
Në rrebeshe të vështira
Kur  nga zemra nuk kanë dalë
Nuk janë fjalwë, janë vetëm shifra.

Ritëm gjethesh krejt të rëna
Në një heshtje që shumë flet
Nuk e di si i zgjon kënga
E i ngjit serish në degë.
Isha …

Isha një pikë kalimi
për të shkuar ti
atje ku duhej
Një Nostradamus gjenial
Parashikues i fundit që nuk thuhej
Isha një urë mendore që lidhte e zgjidhte fjalë
Në ndjekje shpirtërore te ngadaltë…
Isha në të djeshmen e ndjeshme
Gurë me rënje të menjëhershme……
brenda thellësisë tënde
të pa skajshme….
Burimeve tua të pashtershme!


Pjetër Jaku lindi në fshatin Mollë Kuqe të Mirditës është shkrimtar shqiptar.

Ka mbaruar studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në degën Gjuhë dhe letërsi shqipe.


 Ka punuar disa vite si mësues në rrethin e Lezhës, drejtues shkolle dhe kryetar i Degës së Librit për këtë rreth (mbas viteve 90-të). 

Ka botuar që në moshë të re në gazetat letrare të asaj periudhe, duke fituar edhe çmime në konkurse kombëtare. 

Në vitin 1994 ka krijuar Shoqërinë Botuese “Kuvendi”, në qytetin e Lezhës që, deri më sot ka afro 60 tituj të botuar. 

Është autor i dy librave poetik “Harrimi i vetes” dhe “Ankthe” dhe disa librave studimor e publicistik. Është autor i librit voluminoz "Shqiptarët në Detroit" dhe botues i Revistës së përmuajshme, informative dhe kulturore "Kuvendi", e cila del në Detroit që nga muaj Maj i vitit 2001.