Cikël poetik nga Irma Kurti


Irma Kurti ka lindur në 20 mars 1966 në Tiranë. Ka kryer studimet në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega anglisht në 1988.Ka punuar si mësuese e gjuhës angleze dhe më vonë gazetare në disa organe shtypi, gazeta “Mësuesi”, “Dita Informacion" etj.

Në shtator 1997 ndjek në Universitetin e Athinës, Greqi, kursin 1 vjecar për mësimin e gjuhës dhe kulturës greke.Ka kryer kurse të ndryshme specializimi e trajnimi për gazetari në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, SHBA, Francë, Itali, Zvicër etj.

 Për vite të tëra Irma Kurti ka lëvruar poezinë, kryesisht atë lirike.

Irma Kurti ka nisur të lëvrojë poezi në moshë të hershme. Në 1980 u nderua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 35-vjetorit të Revistës “Pionieri”.

Në 1989 nderohet me çmimin e dytë në Konkursin e organizuar nga Radio Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Në publikun e gjerë Irma Kurti njihet si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve të lehta. Është pjesëmarrëse në dhjetëra anketa muzikore, festivale kombëtare e koncerte pranvere.

Shumë prej këngëve me tekstet e saj janë nderuar me çmime e poezitë e tyre kanë mbetur ende tek dashamirësit e muzikës së lehtë. Spikasin bashkëpunimet me Ilir Dangëllinë e këngëtaren Ermira Babaliu: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “E njejta ëndërr”, po dhe të tjera si: “Një çast në kujtesën tënde”, “Trokite tek dera”, “Të jem për ty Number 1”, “Imazh i largët”, ”Nën dritën e qirinjve” etj.

Për auditorin e muzikës së lehtë në maj 1998 ajo lançoi kasetën e më vonë CD me disa nga këngët e saj më të mira nëpër vite: “E njëjta ëndërr”.

Irma Kurti është përfshirë në disa antologji të Librarisë Ndërkombëtare të Poezisë në Maryland, USA si: “Forever spoken” (Të thëna përgjithmonë), Antologjinë poetike: “The best poems and poets of 2007” (Poezitë dhe poetët më të mirë të 2007) etj.

Poezitë e saj janë përfshirë në antologjitë: “Il Federiciano” publikim i Shtëpisë Botuese Aletti Editore 2010, Antologjinë e Konkursit "Diffusione Autori” 2011 të "GDS Edizioni".

Eshte botuese e pese librave me poezi. Përvoja me muzikën e ka pasuruar dhe ridimensionuar vargun e saj të hapur, të sinqertë dhe dialogues.

Irma Kurti jeton prej vitesh në Bergamo, Itali.




Poezitë e Irma Kurtit janë të strukturura qartë, përshkohen nga një ritëm melodik, janë të rimuara për të krijuar maksimumin e një akustike të brëndshme të krejt figurave stilistike. Nga kjo pikëpamje, sinqeriteti i poetes është metafora e saj më autentike. Poezitë e Irma Kurtit lexohen me një frymë, sepse janë ndërtuar mbi motivet e dhembjes njerëzore. Kjo dhembje shpesh ështe e ankthshme dhe shqetësimndjellëse. Në të vërtetë është një monolog i dhembjes që kërkon të kthehet në dialog.Poezitë e saj janë një klithmë për dashuri dhe respekt të ndërsjelltë, një apel për mostjetërsimin e njerëzve në sende.

Veprat

Këtë natë me ty-poezi, 1999

Shihemi në një tjetër botë, poezi 2002

Qirinjtë janë fikur, poezi 2003

Bëj sikur fle-poezi, 2005

Puthja e fundit, poezi 2007

Midis dy brigjeve-libër autobiografik , 2010

Libra në gjuhën italiane

Tra le due rive (Midis dy brigjeve), botim i Shtëpisë Botuese Kimerik, 2011

Risvegliare un amore spento (Të rizgjosh një dashuri të shuar)-poezi, botim i Shtëpisë Botuese Aletti Editore, 2011

Un autunno senza ritorno (Një vjeshtë pa kthim) -përmbledhje me tregime, Kimerik, 2012

Çmime

Çmimi i tretë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2010 “Napoli Cultural Classic”, Itali, në kategorinë e autorëve te huaj.

Çmim special në Konkursin Ndërkombëtar “Coluccio Salutati”, Borgo a Buggiano, Pistoia.

Çmimi i parë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2011 “Napoli Cultural Classic”, në kategorinë e autorëve te huaj.

Çmimi i parë ne seksionin e prozës në Konkursin Ndërkombëtar “Lago Gerundo- Europa e Cultura” edicioni i 9-të, në Paullo, Milano për librin “Midis dy brigjeve”.

Çmim nderi në Konkursin Ndërkombëtar “Terre di Liguria 2011”(Tokat e Ligurias) në La Spezia për librin “Midis dy brigjeve”

Çmimi i kritikës në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë e Prozës 2011 “Integrimi kulturor për një botë më të mirë” në Milano me përmbledhjen poetike: “Të rizgjosh një dashuri të shuar”.


Në gjuhën amtare



Kur mbrëmja ulet mbi degë pemësh

dhe lodhja në trupin tim hedh rrënjë,

më ndodh aq shpesh në gjuhën time

të shqiptoj padashur një frazë të tërë.



Kur natën endem në botën e ëndrrave

e ankthi më merr frymën e më mbyt,

nuk kërkoj ndihmë në gjuhë të huaj,

më nxjerr “nga rreziku” një fjalë shqip.



Në ato çaste nuk mundem ta kuptoj,

ajo ç’kam thënë është në gjuhën time,

se aq natyrshëm nga shpirti më buron

siç rrjedh e qetë rrëkeja mes shkëmbinjve.



Dashuri e vështirë



Dashuria ime për këtë qytet të largët

është e fortë, oksigjen për mushkëritë,

por shpesh më heq dëshirën ta vizitoj,

e befas shndërrohet në mllef, zemërim.



Kujtimet e trishta zgjohen nga kllapia

-molat që shpirtin fillojnë të ma brejnë,

si ajrin dikur e ndotnin fjalë e skorie,

jetën time e spërkasin plot me helm.



Bota e fëminisë e kthjellët si kristal

krisej nga furia e thashethemeve pa fund.

Më vjen keq për vitet që në kalendarin

e zemrës, nuk lanë më të voglën gjurmë.



Kalon kohë e qyteti më tërheq si magnet,

më shkundin zëra e nota muzikore plot,

shoh veten me flokët e mbledhur gërshet,

tek këndoj në skenë e dridhem me emocion.



Në ëndrra më del parku i madh i qytetit,

ku me prindërit përdore shëtisnim bashkë,

nuk di pse parajsën e imagjinoj të tillë,

me ato lojëra të pakta që humbnin mbi bar.



Mllefi e trishtimi zbuten, s’i ndjej më,

dua ta vizitoj veç një çast tokën e tij,

të përulem, të mbaj në gishta e të puth

dheun ku shkelën përditë prindërit e mi.

Dashuria për këtë qytet është e vështirë…



Nuk shitet kjo shtëpi



Nuk shitet, as nuk blihet kjo shtëpi,

aty flenë e zgjohen miliona kujtime,

si thërrmija të bardha enden në ajër

bisedat që lamë atje dhe ëndërrimet.



Në korridorin e tkurrur nga vetmia

jehojnë ende hapat e prindërve të mi,

ecejaket e lehta të nënës e mbushnin

si simfoni hyjnore të gjithë shtëpinë.



Hyj në kuzhinë: divanët e lodhur –

njëri prej tyre ku mbështetej im atë,

mund të duket i vjetër, gati i rrënuar,

por ai praninë e tij ende e mban.



Në aneksin e vogël, dy hapa më tutje

ndihet aroma e kafesë së ngrohtë,

s’e krahasoj me parfumet më të mira

që shiten nëpër dyqanet pafund sot.



Ky kuadër me bojëra vaji mbi mur,

ku në ishull strehohet një shtëpi-vilë,

përmbledh dëshirën time për të jetuar

tok me familjen në një botë më të mirë.



Kujtimet i japin një vlerë që s’llogaritet,

e bëjnë shumë të shtrenjtë, jo si çmim –

po për shpirtin, zemrën, ndjesitë e mia.

Nuk shitet, as mund të blihet kjo shtëpi!



Dridhem si gjethe



Më ndodh shpesh, gati çdo ditë

që nostalgjia më troket në shpirt

e pas çdo zileje të celularit, Nënë,

më duket sikur do t’më flasësh ti:



“Shpirt i mamit vishu, bën ftohtë,

mos u lodh, kujdes për veten ki!”

Ndihem e mbrojtur e s’kam frikë,

më transformon në fëmijë zëri yt…



Nëna ime nuk mund të kthehet më

e ndihem e dobët, e vetme në botë,

s’më përkëdhel dot me vështrim,

dashuri e saj s’mund të më shpëtojë.



Ka ikur, ka ikur, ka ikur pa kthim,

askush në zemër s’ma zëvendëson,

s’mund të ndajmë së toku një gëzim,

as një dhimbje dhe as një pikë lot.



Përjetoj gjithnjë ndjesi të çuditshme,

dridhem si gjethe vjeshte dhe pres

që pas çdo zileje të telefonit, Nënë,

zëri yt t’më ledhatojë si fllad i lehtë.



Prag Krishtlindjeje



Ti këtë mbrëmje je duke i rënë kitarës

në një skenë të improvizuar me shokë,

gishtat e tu dridhen më shumë se telat

mbështjellë nga acari i dimrit të ftohtë.



Nuk munda të vij dhe pse jemi pranë,

të shëtisja atje këtë prag Krishtilindjeje,

më mirë të them, s’doja të shihja erën

teksa fytyrën tënde pa mëshirë e rrihte.



Ti pret kalimtarët të ndalin, të dëgjojnë,

shumë prej tyre ikin, zhduken në heshtje.

Si ndihesh tek shquan shpinat e tyre?

Indiferenca të godet si kamzhiku i erës.



Dikush ndalon, të hedh ndonjë romuz

e ti me siguri hesht o buzëqesh me zor.

Nipi im, zërin e butë e delikat të shpirtit,

ta dish, pak njerëz arrijnë që ta kuptojnë.



Njerëzit që do të dashurohen me tingujt,

ata që do ndalin hapat në atë shëtitore,

ata që do kuptojnë dridhjet e shpirtit tënd,

do të jenë aq të rrallë, sa gishtat e një dore.



Mos u trishto, kështu ndodh dhe në jetë,

do takosh njerëz meskinë e të vegjël plot,

të tjerë cinikë që do përpiqen me një fjalë

pasionin tënd për muzikën ta helmojnë.



Një ditë ti do interpretosh në një skenë

me drita verbuese e me publik elegant,

por kurrë mos e harro minikoncertin

në rrugën pa emër të qytetit, atë natë.



Sa do të doja këtë mbrëmje të isha atje,

por dije që megjithatë të mendoj shumë,

pak trishtim e mallëngjim më ngërthen,

teksa tingujt e kitarës mbërrijnë tek unë.