
Sami Repishti është shkrimtar, humanist dhe historian shqiptar. Ka shërbyer shumë për njohjen e çështjes shqiptare në perëndim.
Leu në gjirin e familjes së Hafiz Ibrahimit dhe Hava Bushatit në lagjen Dudas në Shkodër më 6 prill 1925, i ati figurë me autoritet në shoqërinë shkodrane të asaj kohe dhe më pas deputet në Kuvendin Kombëtar.
Në vendlindje kreu mësimet fillore në shkollën "Oso Kuka" dhe të mesmen pranë gjimnazit të Shkodrës ku ra në kontakt edhe me lëvizjen komuniste që lëvrinte ngahera në mjediset rinore të qytetit por sidomos pas 7 prillit 1939.
I rritur në një familje me traditë muslimane s'e ndjen veten të joshur nga ide aq të largëta për mendësinë njëmend autentike shqiptare.
Më 1942 mbaron maturën. Niset në Tiranë për të marrë pjesë në një konkurs, për shkollën e lartë jashtë shtetit. 112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme.
Mbas 2 ditëve, ai merr vesht se ka fituar bursë nga ministria e Arsimit për në Fakultetin e Historisë së Firences.
Me mbërritjen në atdhe më 1943 shkon të verojë në Repisht, prej ku kishte origjinën familja e tij.
Prejse strehoi një nip të tijin që kishte ide komuniste, autoritetet fashiste e arrestojnë të atin dhe e torturojnë duke vdekur kësodore prej hemoragjisë më dt. 29 shtator 1943.
Duke qenë kështu i pari i shtëpisë detyrohet t'i sigurojë bukën familjes.
Punon në Sektorin e Rindërtimit me të hyrë në pushtet regjimi i ri. Themelon me shoqërinë e tij një Organizatë të Rinisë Demokratike, shpërndanë trakte dhe i dorezuan një Memorandum një deputeti anglez që vizitoi Shkodrën dhe ndihmonin familjet e të arratisurve.
Në maj të 1946 mori pjesë në proçesionin e varrimit të Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçi. Ishte data 22 tetor 1946, kur në vendin e punës mbërrijnë forcat e Sigurimit dhe marrin nën pranga të riun me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”.
Për 14 muaj, Samiu iu nënshtrua hetimeve intensive ku takon dhe prof. Kolë Prelën. Dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie, në burg do shoqërohej me P. Çiprian Nikën dhe vëllanë e prof. Kolës, Markun. Më 28 nëntor 1947 dërgohet në Burgun e Madh, dhe më tej në kampin e Vloçishtit, në Beden të Kavajës më 1948. Mbas kampit të punës së detyruar në Orman Pojan të Korçës, Samiu rikthehet në burgun e Shkodrës, në fund të muajit nëntor.
Mbas daljes nga burgu më 1956 punoi javën e parë si pastrues i barit të keq në stadium, javën e dytë e caktojnë të punojë në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike.
Kështu e gjeti edhe viti 1956. Më vonë si ndihmës karpentier në vendlindje deri në ditën e arratisjes, 22 gusht 1959. Në Jugosllavi izolohet dhe mandej lirohet nga ky izolim në prill 1961
dhe punësohet përkohësisht (ndërkohë studion serbokroatishten dhe anglishten.) Por shumë shpejt (qershor 1961), përfundon në kampin e refugjatëve të Gerovës, Kroaci.
Më 1 shtator 1961, arratiset nga kampi i Gerovës dhe vendoset në Itali. Qëndroi në Trieste, në kampin e refugjatëve San Sabba, ku në tri javë fitoi të drejtën e azilit politik. Mbas një qëndrimi gjashtëmujor në kampet e Capua-s dhe Latina-s, pranë Napolit dhe Romës, mbas shumë vuajtjesh, më 9 prill 1962, emigroi për në ShBA. Merr pjesë në takimin e pesëdhjetë vjetorit të "Vatrës", ku dhe takon mikun e të atit në periudhën e opozitarizmit, Imzot Nolin. Fitoi qytetarinë (citizenship) amerikane më 1968. Doktoroi pranë Departamentit të Frëngjishtës në City University of New York (1977).
Për 25 vjet me rradhë, ka dhënë mësim në college-t amerikane. Ka qenë kryetar i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për shkollat e qytetit Malverne, New York, Koordinator i programit për studime të avancuara, Lice-University, Adelphy, Garden City, NY, 1976-1991, dhe po aty pedagog i jashtëm. Udhëtimin e vetëm në Kosovën e shliruar e bëri në prillin e 2000.
Angazhimi intelektual dhe atdhetar
Eshtë autor i më shumë se 100 studimeve e artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut. Tematika e tyre, përfshin kryesisht vuajtjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e çamët, të botuar në shtypin amerikan dhe shqiptar. I
ntelektuali erudit Prof. Repishti, ka qenë koordinator për ish-Jugosllavinë e Shqipërinë pranë Amnesty International në ShBA, për periudhën e vitëve 1979-1982. Është i pari shqiptaro-amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve kongresiane e qendrave studimore amerikane, kryesisht për problemin kosovar.
Ne vitin 1968, formoi organizaten “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë”. Në nëntor 1982, me Arshi Pipën organizuan Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën me pjesëmarrjen e 14 profesorëve evropianë dhe amerikanë, duke i bërë edhe peticion Pjesëtarit të Parlamentit Evropian Otto von Habsburg.
Punimet e Konferencës janë botuar në librin “Studies on Kosova” (C.U.P.1984). Në vitin 1978, shoqërinë “Kosova Relief Fund, USA, Inc.” për ndihmë financiare familjeve të persekutuara në Kosovë, fondacion të cilit i qëndroi në krye gjer më 2000. Për më se dhjetë vjet ka mbajtur rubrikën mbi Kosovën për gazetën Dielli.
Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë kosovar në Washington, që u aprovua nga Presidenti i 46-të i ShBA-së Mr. William Jeferson Clinton (1993).
Është bashkthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutiv (1989-1992), bashkthemelues i American Friends of Albania e sekretar/arkëtar i saj (1992-1996), bashkthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC 1996) dhe president i parë (1996-1998) - grupi i lobimit më me ndikim në Washington D.C.
Vazhdon të merret me studime shqiptare dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Është i martuar me Dianën e ka dy fëmijë: një djalë Daren me profesion mjek, e vajzën Ava avokate, me nipa e mbesa. Banon në Ridgefield, CT ShBA.
Burime
^ Repishti S., Shënime Personale, letër dërguar studjuesit shkodran Islam Dizdarit më dt. 20 prill 2008 nga Baldwin, New York, ShBA.
^ Repishti S., “Pika loti” tregime burgu, Bot. “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 1997.
^ Repishti S., Si asht e mundun që ish-komunistët drejtuen Lëvijen Demokratike në Shqipni (I & II), Intervistë e Ajet Nuro për Tribunën Shqiptare, 21 & 29 maj 2014.
^ Kapinova K., Repishti: Shqipëria, sot jeton në pellgun e padrejtësisë, Republika. - Nr. 250, 24 tetor, 2008, f. 14 - 15.
Nga Prof.Dr.Sami Repishti, PH.D : 38 Martirë: Ata kurrë mos u harrofshin!
Simbas njoftimit formal të Argjipeshkvisë ShkodërPult sot, në qytetin e Shkodrës mbahet ceremonia e Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar, viktima të pafajshme të terrorit komunist në Shqipëri. I përjetëshëm qoftë kujtimi dhe mirënjohja e jonë! Sot, nga Amerika e lirë, unë bashkëfestoj simbolikisht këte ceremoni që çmon vlerën e sakrificës supreme.
Sot, bashkëfestoj fitoren mbi të Keqën, hirin e këtyne 38 martirëve, pjesëtarë të bashkësisë dinjitoze të vuejtjes së pameritueme, dëshmitarë të mesazhit çlirimtar, të qëndisun me duer sot të palëvizëshme e të shueme nga kryqëzimi i pakufishëm, “martirë” që kthyen dinjitetin për ne, të gjithë ne, në atdheun tonë të përbashkët shqiptar, tue premtue shpresën e pavdekshme të demokracisë e të lirisë së plotë për të gjithë familjen njerëzore… nji dhe të pandame!
“Ata kurrë mos o harrojshin!” (Atë Gjergj Fishta, O.F.M.) * * * “Nuk ndërtohet mbi boshllek!” shkruen nji shkrimtar françez. Duhen themele të shëndosha për nji ndertesë të fortë e permanente siç ashtë Kisha Katolike Apostolike Romane Shqiptare. Sot, themi se këto themele janë të vadituna me gjak dëshmorësh e martirësh të pa faj për ma shumë se 45 vjet me rradhë. “Nuk ndërtohet parrizi me muratorët e ferrit!” shkruen nji shkrimtar shqiptar. Duhen duer të pastra dhe të dedikueme për nji “mision”, ashtu siç ishin duert e martirëve të Klerit Katolik Shqiptar!
Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, e pasunueme me ngjarjet tragjike të periudhës së diktaturës së kuqe ka trasformue tragjedinë në nji “angazhim” solemn e koshient të ruejtjes dhe përparimit të pranisë katolike në Shqipëri me sensin e përgjegjsisë së plotë. Plagët akoma të hapuna e kërkojnë; na duhet të respektojmë! Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, si feja e parë në vendin tonë, buron nga dy drejtime: nga Roma në formën e ritit katolik apostolik roman, dhe nga Konstantipoli në formën e ritit bizantin. Shqipëria u bekue nga shenjtët Pal dhe Andre. Megjithëse nuk dimë datën e saktë, krishtënimi hyni në Shqipëri para Koncilit të Sardikës (343-344), sepse në Sinodin Shenjtë morën pjesë edhe ipeshkvijtë e Epirus Nova dhe Dardanisë (Kosovës).
Me ardhjen e invazioneve sllave e barbare, e ma vonë atyne otomane, gjithçka u shkatërrue! Shqiptarët e Veriut i u veshën maleve ku ruejtën të gjallë katolicizmin e Romës; ata të Jugut vershuen Greqinë, dhe ma vonë Italinë e Jugut. Me 1089, u formue qendra metropolitane e Tivarit, dhe në shekullin XIII , gjatë sundimit venecian,u formue Argjipeshkvia e Durrësit. Që në vitin 1220, kur Shën Françesku i Asizit themeloi qendrën e parë të Urdhënit të tij, e për shekuj me rradhë, kujdesi i katolikëve shqiptarë u la në duert e fretënve françeskanë. Katoliçizmi mori hov me Gjergj KastriotinSkenderbeu dhe me lidhjet e tia të ngushta me Vatikanin. Me 1457, Papa Kalisti III i shkruente heroit shqiptar: “Nuk ka njeri në botë që të mos dij ndërmarrjet e jueja heroike, dhe që me fjalët ma të nalta nuk ju ngren në qiell, dhe nuk flet për ju si kampioni dhe mbrojtësi bujar i krishtënimit”.
Struktura e “shtetit” të Skënderbeut ka qenë efektivisht struktura e Kishës katolike në Shqipëri: çdo kishë ka qenë nji qendër mbledhjesh, organizimi dhe përkrahje; çdo famullltar ka qenë nji udhëheqës lokal dhe nji propagandist i rezistencës. Çdo ipeshkëv ka qenë nji drejtues krahinor dhe Argjipeshkvi Pal Engjëlli i Durrësit ka kryesue veprimtaritë diplomatike të kohës, shkruen Imzot Fan S.Noli. Papa Klementi XI (1700-1721) me origjinë arbëreshe, u tregue i gatshëm me ndihmue katolikët shqiptarë. Me kërkesën e tij, Sinodi i parë kishtar shqiptar u mbajt afër Lezhës, në vitin 1703.
Në vitin 1856, u hap Kolegji Papnor, dhe ma vonë Seminari i Jezuitëve në Shkodër; u themelue nji shtëpi botuese. Po në këte datë, u rrit puna e organizueme e klerikëve katolikë për faljen e gjaqeve në Malësitë tona,dhe zhdukjen e vesit të mbrapshtë të hakmarrjes. Me Kongresin e Berlinit (1878) qyteti i Tivarit u okupue nga malazezët (që formuen shtetin e tyne!) dhe Argjipeshkvia e Tivarit, që deri në atë kohë ishte kryeqendra edhe për katolikët e Shqipërisë së Veriut, në mbështetje të nji Konkordati me Malin e Zi (1886), hoqi dorë nga drejtimi i punëve kishtare në Shqipëri.
Po atë vit, Selia e Shenjtë, caktoi Shkodrën si kryeqendër, me ipeshkvitë tjera si degë (me përjashtim të Durrësit). Nji veprim i këtill i Vatikanit tregonte sensibilitetin e kësaj Qendre Ndërkombëtare për ndjenjat kombëtare të shqiptarëve- shembull që shohim sot të përsëritun këtu në Shqipëri, me emnimin e argjipeshkvit dhe tre ipeshkvijve (1993). Nji seri klerikësh shqiptarë u emnuen barij të besimtarëve katolikë shqiptarë. Kjo konfirmoi gjithashtu në mënyrë simbolike, njohjen e bashkësisë katolike si nji entitet kombëtar i dalluem. Që nga viti 1938, Shqipëria e Veriut ka qenë nën juridiksionin e Propaganda Fide-s; Shqipëria e Jugur nën atë të Kongregacionit Oriental. Që nga fillimi deri në ditët tona, kleri dhe besimtarët katolikë shqiptarë kanë vazhdue traditën e tynë të lavdishme të përpjekjeve për çlirim kombëtar.
Në luftën me armë, ata janë gjetë gjithmonë në ball të ma shumë se 48 kryengritjeve të mëdha kundër perandorisë otomane. Në luftën me penë, ata kanë qenë për afër katër shekuj dritëdhanësit e vetëm në natën e errët e të gjatë të pushtimit otoman.
Që nga Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi e Gjeçovi me shokë, e deri te “shkolla e Shkodrës” me shoqënitë Agimi, Përparimi, Hylli i Dritës, Leka etj. me Fishtën, Mjedën, Koliqin e me plejaden e madhe të shokëve të tyne, vëllaznit e motrat tona katolike shqiptare kanë qenë ndër mendjet ma të ndrituna të kombit tonë, pararoja e zhvillimit tonë kulturor të vonuem nga rrethana jashtë kontrollit tonë, dhe themeluesët e shoqënive të para kulturore, artistike, qendrave arsimore e bamirëse në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe Kosovën – zona të popullueme nga ata.
Tue folë për Shkodrën, Madre Superiore e Urdhënit të Motrave Stigmatine shkruente: “… U vendos të hapet nji shkollë dhe nji konvikt në Shkodër. Kur u hap shkolla, në vjetin 1920, vajzat ortodokse, myslimane, hebreje e katolikët erdhën nga Korça, Tirana, Elbasani, Tivari, Cetinja, Shkodra për rregjistrim. Ishte fillimi i nji pune ma intensive për përgatitjen e mësueseve të kualifikueme shqiptare…”.
Në malet e egra të Shqipërisë veriore, kleri katolik zbuti pezmin që grumullonte hakmarrja, u pajtuen gjaqet u afruen miqt, u shpëtuen familje të tana. Në qytetet e vorfëna të Shqipërisë u hapën klinika, u mbushën spitalet me “Motra”, u themeluen strehimoret për jetimë, për të vorfën, për pleq.
Kushdo që jetoi ato ditë dëshmon për besimin e madh që vuni populli i jonë në duert e “Motrave” të mëshirës së krishtenë. Kjo ishte e kaluemja e lavdishme! (Asht nji ironi e fatit të dhimbshëm kur mendon njeriu që në vitin 1944, Vatikani dërgoi ndihma për Shqipërinë, dhe vetë diktatori E.Hoxha falënderoi delegatin apostolik Msgr. Nigris.)
Në nandor 1944, papritmas, perdja e hekurtë ra; në Shqipëri filloi tragjedia që zgjati plot 45 vjet… pa mëshirë, pa pushim! * * * Sot, në këte ditë përkujtimore dhe kryenaltësie për Lumnimin e 38 Martirëve të Klerit Katolik Shqiptar, unë jam kredhë në mendime që më sjellin kujtimet e paharrueshme të së kaluemes së errët, dhe njikohësisht heroike e fisnike, nën terrorin komunist: emna, fytyra, gjeste që nuk harrohen! Natyrisht, diçka duhet ba! Duhet të përpiqemi të mos lejojmë ramjen në “gropën e zezë të harresës” që thithë viktimën pa shpresë dalje. Para së gjithash, duhet krijue atmosfera e pastër, vëllaznore e bashkëpunimit që pengon sulmet e ndërsjella në mes të viktimës së komunizmit e “mohuesve”– meturina toksike të komunizmit- që na ndajnë kaq shumë. Duhet gjetë fjalori i përbashkët që tragjedia e jonë meriton.
E sidomos, duhet çmue si meriton përpjekja e secilit, e sakrifica e çdonjenit nga ne, tue theksue sidomos rastin e sakrificës supreme. Këtu vlen të theksohet vendi i nderit që zen kleri katolik shqiptar. Kjo ashtë nji e dhanun që duhet pranue a priori nga të gjithë njerëzit vullnetmirë. Kjo ashtë bindja e ime sot, ka qenë dje dhe do të jetë edhe nesër! Duhet thye heshtja! Kjo heshtje e thellë më tmerron! Sepse, nuk gjej nji përgjigje që ngush- ëllon: si mund të luftohet ecja e këtij fenomeni që eventualisht lejon përsëritjen e konfliktit, e që reflekton imazhin e nji vendi në turbullim kercënues.
Fatmirësisht, sot, dokumenti i Vatikanit “Nostra Aetate” (Në ditët tona) flet për unitetin e njerëzimit. Sot, Vatikani flet “për nji bashkësi e cila përbahet nga të gjithë popujt”. “Katolik” don të thotë “universal”. Sot, Vatikani pranon se Shpirti Shenjtë “… punon efektivisht edhe jashtë strukturës që ne shohim e që na quejmë Kishë”. Koncili i II i Vatikanit pranon se besimet monoteisie (Judaizmi e Islamizmi) në botën tonë “janë sisteme adhurimi dhe sisteme etike njikohësisht, të cilat theksojnë randësinë e së mirës dhe damin e së keqes”.
Njikohësisht, Islamizmi thekson mësimet e Kuranit se besimtarët hebraikë dhe të krishtenë janë “popujt e Librit” dhe gëzojnë mëshirën e Zotit, dhe mbrojtjen e autoritetit islam. Kjo ashtë “fryma e re “ që duhet të na ushqejë të gjithëve sot. Në vitin 1984, në New York, SHBA, unë shkruejshe për Buletinin Katolik Shqiptar (San Francisco): “… si besimtar i lindun mysliman, jam i bindun se feja në Shqipëri, me përdorë nji metaforë të famëshme, mbetet si guri që mbijeton zhdukjen e muratorit që e gëdhen; dhe se do të vijë dita kur ky gur solid dhe i përherëshëm do të çfaqet përsëri, në mënyrë misterioze dhe të fuqishme, dhe do të paraqitet si mjeti udhëtues që transporton zemrat dhe shpirtët tonë të mbushun me devocion, drejt nji kahu të shpresës së pa shueme, nji besimi frymëzues, nji dashunie hyjnore të domosdoshme”. Ashtu ngjau! Ky duhet të jetë mesazhi i pa kompromis që popullsia e heshtun e Shqipërisë duhet të sjellë për popujt e botës sonë sot.
I ndjeri Imzot Rrok Mirdita, Argjipeshkëv Metropolitan i Tiranës dhe i Durrësit, shkruente, në 2010: “… të nxirrja nga harresa historinë e gjatë dhe për nji çast të kujtohesha se ajo që rregjimi ishte përpjekë me zhdukë, nuk ishte zhdukur, donte të thoshte se nuk bahej historia e re në Shqipëri pa i bërë llogaritë me dëshmitarët e gjallë. (Theksi im.SR) Takimi im me këto dëshmitarë ishte hir i madh, hir që bahej angazhim”.
(Për një Shqipëri me Zotin dhe për njeriun” Tiranë, 2010,v.1 ,f.39) Unë kam qenë nji nga legjoni i madh i viktimave të gjalla, dhe përvoja e ime më detyron me marrë nji “angazhim” cilë- si e vjetër që nga ditët e profetënve biblikë, dhe i ri aq sa edhe ditët tona që jetojmë në këte vend martir, e në këte kohë plot shqetësime, “angazhim” që transformohet në një imperativ kategorik moral. Bashkëvuejtësi i im Atë Zef Pllumi e përcaktoi: “Rrno, vetëm për me tregue”. Vetëm për me tregue! Me tregue vuejtjet e vështira të “hetuesisë” në qelitë e errëta te ish-Sigurimit të Shtetit, (“monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi shqiptar” I.Kadare) vitet e gjata në burgjet e errëta mesjetare, stinët e pandërpreme në punë të detyrueshme, dimën e verë, në moçale e në punime betoni nën kamxhikun e policëve idiotë dhe çizmen e ndytë të oficerëve kriminelë, sadistë për natyrë e specialistë për torturë të mësueme në kurset e nëndheshme, larg nga drita e diellit, larg nga sytë e botës…, që flinte gjumin e randë të frikës e të lodhjes së pakufishme…!
Vetëm me tregue! Unë shoh veten si dëshmitar okular i epokave që kam jetue. Si i këtill duhet të flas haptas sepse heshtja ashtë e pa pranueshme.
Me folë, don të thotë me thanë të vërtetën që, pa qenë absolute për arsye të kontekstit që e përmban, ashtë shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që ajo mund të ketë…. Zoti e deshi të njoh mjaft prej viktimave në burgje e kampe: “aristokratin” me sjellje e mendim, Dom Mikel Koliqin, kardinalin e ardhshëm, i heshtun, kryenaltë për vuejtjen që e mbuloi; Atë Frano Kirin, “burrë si motit”, i pa frikë, i pa përkulshëm; Atë Donat Kurtin, i përvuejtun, punëtor si bleta, që në msheftësi përkthente shqip Testamentin e Ri nga frëngjishtjae konsultohej me mue për gjetjen e fjalës ma të përshtatshme-, të gjithë kohën me libër ose me lutje; Atë Aleks Baçlin, gjithëherë buzëqeshun , ma të shumëten i vetëm, me nji biz në dorë tue gëdhenë bustin e nji fetari në dru të fortë, e jo ma të madhe se nji kokër gruni. Kur e pyetshe ai përgjigjej: “Ka qenë nji murg që skulptoi bustin e Papës në nji kokër orizi”.
E, natyrisht, At Çiprian Nikën që njoha shkurtimisht në qelitë e ish-Sigurimit, vetëm për pakë ditë…e që u pushkatue pa faj! Dom Ndoc Sumën, i plakun e i hutuem që u arrestue në mëngjez, u denue mbas dreke me 20 vjet burgim e që betohej: “Pasha Krishtin nuk di pse më kanë arrestue…!” Lista ashtë e gjatë.
Martirizimi i klerit shqiptar, e sidomos klerit katolik shqiptar, nuk mund të jetë i pa qellimshëm. Por, sakrificat e tyne do të njohin vlerë- simin e plotë, e mirënjohjen e përjetëshme vetëm atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyne do të pasunojnë mendimin tonë, dhe do të udhëheqin veprat e bashkatdhetarëve të tyne në të ardhmen.
Nga qelitë e errëta të torturës dhe nga kampet e vdekjes së rregjimit komunist në Shqipërinë time të martirizueme, nji botë e re përpiqet me lindë, nji brezni e re po rritet me i dhanë formë nji të ardhmje ma të mirë për vete dhe për fëmijtë e tyne, si dhe për prindët që sot vuejnë nga pesha e fajit të heshtjes…! Feja tradicionale po tregon se nuk ashtë “vjetrue” dhe se mendimi shkencor nuk ka pasë sukses me na kurue nga dëshprimi ekzistencial.
Nga forma elementare e besimit të njeriut të thjeshtë, nepërmjet vuejtjes, unë mendoj se vëllaznit e motrat shqiptare po hyjnë në fazën e “burrënimit shpirtënor”.
Nji hap cilësor në rrugën e drejtë ashtë hjedhë! Le të festojmë…!





