Akademik Prof.Dr. Esad Mekuli, themelues i letërsisë shqipe në Kosovë




Akademik Prof.Dr. Esad Mekuli në 100-vjetorin e lindjes është cilësuar si themelues i letërsisë shqipe në Kosovë. Këtë dhe vlerësime tjera janë dhënë për Mekulin si krijues të martën në tryezën shkencore “Esad Mekuli në 100-vjetorin e lindjes”, që është organizuar dhe mbajtur të martën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, institucion ky që për kryetar të parë kishte vetë letrarin e lindur më 1916 në Plavë të Malit të Zi.
Po në këtë ditë kryetari i AShAK-ut, Hivzi Islami, ia ka dorëzuar së bijës së Mekulit, Drita Mekuli, Dekoratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Letrarin e ka dekoruar post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave, e cila u jepet atyre që me punën e tyre kanë kontribuar në fusha të veçanta, si në arsim, shkencë, kulturë, rini, sport, siguri e shërbim civil.

Me këtë rast, kryetari i AShAK-ut, Hivzi Islami, e ka konsideruar poetin e shkrimtarin Mekuli si krijues të veçantë.

“Mekuli ishte në ballë të kulturës shqiptare në Kosovë për mbase 40 vjet”, ka thënë akademik Islami.

E bija e Esad Mekulit - i cili ka vdekur në Prishtinë më 1993 - ka thënë se gjatë jetës, babai i saj ka marrë shumë mirënjohje, medalje e dekorata. “Ashtu i dashur dhe i respektuar me një shpirt të mirë, humanist pa kufi, altruist, njeri i cili deri në fund të jetës ka punuar pa ndërprerë në ngritjen e nivelit kulturor të popullit të tij, ngritje e të cilit nivel ai ka qenë thellësisht i bindur se ua hapte të gjitha shtigjet tjera popullit të tij”, ka thënë Drita Mekuli. E ka konsideruar si të veçantë Medaljen Presidenciale të Meritave. “Sido që të jetë kjo medalje është e rëndësisë së veçantë për familjen e tij, se është e vetmja që jepet nga shteti i Kosovës. Shteti i Kosovës që në kohën e babës ka qenë një ëndërr e bukur, për të cilën vlen të sakrifikohet dhe të punohet vazhdimisht”, ka thënë Mekuli.

E studiuesit e veprës së këtij shkrimtari kanë paraqitur kumtesat e tyre që flasin për punën e Mekulit nga kënde të ndryshme.

Akademiku Mehmet Kraja krejt në fillim të kumtesës së tij, “Esad Mekuli dhe ‘Jeta e Re’” ka kritikuar studiuesit e letërsisë, përfshirë edhe veten, sa i përket mosshpërfaqjes së bindjeve ideologjike të shkrimtarëve. Ka thënë se ky trajtim jo i drejtë vazhdon edhe në kohën më të re, kur raportet e disa individëve-shkrimtarë me pushtetin përligjen, kurse raportet e disa të tjerëve konsiderohen të papranueshme.

“Esad Mekuli kishte qenë pjesëmarrës i Luftës Nacionalçlirimtare, ishte komunist me bindje, madje nga ata komunistët që zhgënjehen, por nuk zmbrapsen aq lehtë, siç kishte bërë miku i tij i afërt, Hivzi Sulejmani. Me revistën ‘Jeta e re’, Esad Mekuli u bë themelues i letërsisë shqipe në Kosovë”, ka thënë Kraja. Sipas tij, sa i përket kësaj letërsie, duhet të pranohet se Mekuli nuk e themeloi duke u mbështetur në parimet e realizmit socialist, siç bënë bashkëkohësit e tij në Shqipëri, as duke u mbështetur në letërsinë e traditës, por mbi parimet kërlezhiane të letërsisë jugosllave, që mund të quhet një variant jugosllav i realizimit socialist, siç ishte varianti jugosllav i socializmit. “Për të bërë një letërsi të këtillë në Kosovë, për t’ia vënë themelet një letërsie të këtillë, Esad Mekuli përballej me probleme të shumta. Mungesa e traditës letrare ishte një faktor kufizues. Prapambetja e përgjithshme, veçmas prapambetja kulturore gjithashtu”, ka thënë Kraja.

Sipas tij, Mekuli kishte kundër vetes, në njëfarë mënyre, edhe klasën politike kosovare, dogmatike dhe të paarsimuar, e cila nuk i pranonte dhe i refuzonte në mënyrë kategorike standardet jugosllave të socializmit liberal. “Për këtë klasë politike parimet krijuese që i kishte shpallur Kërlezha më 1956 ishin të largëta dhe të mjegullta dhe, po të zbatoheshin në Kosovë, në këndvështrimin e tyre ishin antiparti”, ka thënë Kraja. Sipas tij po në këto vite dhe në vitet më të vona ’60 dhe ’70, Mekuli filloi të kishte kundër vetes edhe idenë e socializmit si proces botëror. Ka thënë se së voni ai filloi të kishte kundër vetes lexuesin e Kosovës, që nisi të edukohet nga letërsia e realizmit social-romantik të Shqipërisë, madje filloi të kishte kundër edhe integralistët jugosllavë, midis tyre shkrimtarë të shquar të letërsisë të sapobërë të Kosovës, “të cilët ende flitnin serbisht në mbledhjet e partisë në ‘Rilindje’”. “Në pikëpamje të ideve dhe të praktikës letrare, Esad Mekuli mbeti i pandryshuar: një “kërlezhian” i vitit 1956”, ka thënë Kraja.


Image result for esat mekuli

Akademiku Sabri Hamiti, nëpërmjet kumtesës së tij, “Esad Mekuli: ‘Për ty” ka thënë se libri “Për ty” i Mekulit, që doli më 1955 në Prishtinë, u pa menjëherë si një ngjarje letrare, madje kulturore. Ka thënë se ishte libri i parë poetik i një autori vendës, i autorit që tashmë ishte bërë autoritet, si krijues e veprimtar kulturor. Sipas Hamitit për më tepër, libri i Mekulit, u bë libër-kult për brezin e mëpastajmë, dhe më e rëndësishmja, mbeti libri themelor i autorit.

“Libri përmbledh krijimtarinë poetike të Esad Mekulit të shkruar për dy decenie, rreth 30 poezi, dhe është i strukturuar me një ndërgjegje krijuese, kulturore e historike. Nis me poezinë programore ‘Popullit tim’, që është një eksplikim i titullit përkushtues ‘Për ty’ të librit”, ka thënë Hamiti, i cili ka analizuar disa vjersha të Mekulit.

Profesori universitar i letërsisë, Nysret Krasniqi, ka thënë se duke e parë poezinë si medium të emancipimit dhe të këndimit përparimtar, Esad Mekuli veproi fuqishëm në kulturimin e hapësirës letrare të Kosovës. Nëpërmjet kumtesës së tij “Esad Mekuli:Verbi poetik si burim socio-ideologjik”, Krasniqi ka thënë se veprimi i tij social e ideologjik i Mekulit ndikoi në jetësimin e poezisë së angazhuar të Kosovës, e cila u realizua fuqishëm nga autorët e tjerë sidomos në vitet ‘50 dhe ‘60. ”Tashmë krijuesit e rinj të asaj kohe kishin një model pajtimi apo mospajtimi, i cili ndikonte në rritën mendimtare për poezinë shqipe në Kosovë. Ata që e donin përshtatjen me vijën ideologjike nëpër udhën historike të Kosovës kishin model poezinë e Esad Mekulit, duke avancuar në poezinë e tyre vetëm në plotësime të ndjeshme motivore e stilistike”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij në nisjen vetmitare të Kosovës, Esad Mekuli ishte prijatar e zë i fuqishëm i përparimit.

Pikëpamjet e tyre për krijimtarinë e Mekulit i kanë paraqitur edhe akademik Ali Aliu, Bashkim Kuçuku, Kujtim Shala, Shaban Sinani, Ymer Çitaku, Kristaq Jorgo, Fadil Grajçevci e Nehat Sopaj. Para dhjetë ditësh familja e Mekulit ia ka dhuruar bibliotekën personale të poetit bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.


*******

Nga Agjencioni Floripress

Image result for esat mekuli

Esad Mekuli (1916 - 1993) poet dhe personalitet i shquar nga Kosova.

Esad Mekuli është poeti i parë dhe më i njohur i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë më 1993. Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga Nokshiqi. Babi i Esad Mekulit, edhepse ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar.

 Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm-gjimnazin e filloi në Pejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në Pejë në vitin 1936.

Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua në fakultetin e veterinarisë në Universitetin e Beogradit, të cilin e vazhdoi në pastaj në Zagreb e në Italia. Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959. Si nxënës i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës.

Image result for esat mekuli


Pikërisht për këtë ai ndërroi shumë shkolla të mesme dhe fakultete. Madje edhe mjaft shpesh u burgos. Tri herë është burgosur, dhe ka rënë në duar të famëkeqit Kosmajc-shef i policisë. Më së vështiri e ka pasë kur ka kundërshtuar traktin për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.

Esad Mekuli ishte aktivist i dalluar dhe bartës i jetës kulturore të studentëve. Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës Beogradski student. Në këtë sferë siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin Vendeta – hakmarrja, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve.

 Pastaj ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: Venac – Beograd, Mlladost – Zagreb, Podmladak jadranske Staze – Split, Granit – Podgoricë, Novi Behar – Sarajevë, Student – Beograd e të tjera.

 Në këto revista ka shkruar në gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për popullin e vet – shqiptarët, të cilët i ka mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar. Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq "Gllavinjaqa", prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941.

Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit.

Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Në fund të vitit 1943 ai i bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor i gazetës ilegale partizane Lirija.

Edhepse shkencëtar, Esad Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe Rilindja e pastaj themeloi revistën letrare Jeta e Re ku arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan bard të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjërë. Megjithatë, edhe vetë shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: Rilindja, Zëri i rinisë, Fjala, Pionieri, Përparimi, Shëndeti në Prishtinë, Flaka e vëllazërimit të Shkupit dhe me ato në gjuhën serbe: Jedinstvo e Stremljenje të Prishtinës, Borba, Politika, Književne novine, Mostovi të Beogradit, Pobjeda dhe Stvarenje të Pdgoricës, Bagdalla të Krushevcit, Republika dhe Forum të Zagrebit.

Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në ate serbe dhe anasjelltas.

Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare. Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane e të tjera.

Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore.

Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha. Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.

Tituj të veprave

Për ty  – Prishtinë, 1955
Dita e re – Prishtinë, 1966
Avsha Ada – 1971
Vjersha – 1973
Brigjet – 1981
Rini e kuqe – Prishtinë, 1984
Në mes të dashurisë dhe urrejtjes – Tiranë, 1986
Dita që nuk shuhet – Prishtinë, 1989