EPI I GILGAMESHIT-QENËSIA KUPTIMORE E TIJ

EPI I GILGAMESHIT-QENËSIA KUPTIMORE  E TIJ
(Epi i Gilgameshit,botimi i katërt,e përktheu nga gjermanishtja  dhe e plotësoi me shënime Anton Nikë Berisha)
   Isak Ahmeti
      Në botën e përkthimeve letrare të Anton Nikë Berishës bën pjesë edhe Epi i Gilgameshit (1),që është vlerësuar nga studiuesit  vepra më e vjetër e letërsisë ,e njohur deri më sot,rreth 4000 vjet e lashtë.Kjo vepër e letërsisë  së Mesopotamisë,të cilën nga gjermanishtja e përktheu,për herë të parë,në shqip, Anton Nikë Berisha, edhe sot e gjithë ditën ka vlerë dhe rëndësi të madhe dhe mahnit me aktualitetin e saj.Në Epin e Gilgameshit ,te dymbëdhjetë këngët ,shprehen e ballafaqohen tri botë:ajo hyjnore,njerëzore  dhe shtazore,që dëshmojnë ,sipas studiuesit dhe përkthyesit ,Anton Nikë Berisha,për një stad të lashtë të jetës që në ep paraqiten të njëjtësuara;ato janë në marrëdhënie  vepruese  dhe kushtëzuese të ndërsjellë.Prandaj si i këtillë,Epi i Gilgameshit, del, edhe në përkthimin e rrjedhshëm e të bukur, të Anton Nikë Berishës,si një vepër e pasur idesh e një sistem i ngritur kuptimor e shprehës ,që përkundër faktit  që vjen nga një periudhë e lashtë ,komunikon gjallërisht edhe me botën  tonë, me problemet qenësore  dhe me mëdyshjet që e cilësojnë  njeriun e sotëm  në procesin e gjallimit dhe të veprimit , pra për shumë veçori  vepra në fjalë  na pushton me aktualitetin  dhe modernitetin  në kuptimin e mirëfilltë  të fjalës(2). Mirëpo ,siç konstaton studiuesi dhe pprkthyesi ,Anton Nikë Berisha ,vlera e saj qëndron  edhe në faktin se shumë ide e mendime ,forma të transponimit e të shqiptimit të botës së njeriut,të krijimit të tablove poetike e të përshkrimeve  të natyrës,janë  shfrytëzuar dhe bërë objekt trajtimi në shumë vepra letrare  të mëvonshme(4).
     Është me rëndësi të theksohet  se gjithë ajo që shqiptohet ,në Epin e Gilgameshit, dëshmon ,siç shkruan Anton Nikë Berisha,për një botë sa  të lashtë ,po aq të pasur e të veçantë.Bota njerëzore shprehet nëpërmjet Gilgameshit , mbretit të Urukut,heroi tragjik i veprës,dhe njerëzve që jetojnë  në të.Bota e Gilgameshit ngërthen në vetvete  tema nga më të ndryshmet ,si ajo e: kuptimit të jetës, e botës  së nëntokës, dhe e botës së përtejme,e p a v d e k ë s i s ë ,e vdekjes ,e errësirës, dhe e shkëlqimit ;bota e gjumit ,e ëndrrës  dhe zgjimit; e shtegtimit , e kaosit  dhe e rregullit,bota e hyjnores ,njerëzores dhe shtazores, e egërsisë,e fuqisë,e agresivitetit,e dobësisë njerëzore, bota e dashurisë dhe miqësisë ,etj.
Gilgameshi është shembulli tipik ku ndeshen heronjtë, perënditë , gjysmëperënditë e mitet ; të fuqishmit dhe të dobëtit, të egrit dhe të butët si dhe kombinimet  ndërmhet tyre.Enkiduji  i "egër" bie ndesh me Harlotin e civilizuar.Por ai përfiton prej tij; ndonjëherë humanizmi i Enkidujit  prej Harlotit mund të merret edhe si pjesë e procesit të civilizimit  të një pjese të botës së egër  dhe primitive.
Pavarësisht nga dëshira e tij , Gilgameshit  i ishte thënë:
"Kurrë nuk do ta gjesh  jetën e përtejme që po e kërkon,
Sepse kur zoti krijoi  njeriun ,ia dhuroi  atij vdekjen...".
  Njëra ndër idetë bosht të Epit të Gilgameshit , mbi bazën e së cilës pastaj krijohet një sistem  i tërë kuptimor,  është lufta kundër së keqes.Të këqijat për njerëzit janë të shumta ,por e keqja më e madhe , së cilës ata nuk mund t'i shpëtojnë në asnjë mënyrë ,është vdekja.Kësaj nuk mund t'i shmanget as mbreti i Urukut, Gilgameshi.Përpjekja për t'i  shpëtuar vdekjes, përkatësisht për ta gjetur jetën e amshuar  dhe rininë,përbën qenësinë kuptomore të këtij epi.
---------------------------
1.Epi i Gilgameshit.Përkthimin nga gjermanishtja,parathënien dhe plotësmin me shënime nga A N.Berisha,Rilindja,Prishtinë 1984.Botimi i dytë"Naim Frashëri" Tiranë 1990;Botimi i tretë i rishikuar "Argeta-LMG",Tiranë 2008;Botimi i katërt i plotësuar me shënime"Argeta-LMG" Tiranë 2016.
2.Mendimet dhe konstatimet e A N.Berishës  për Epin e Gilgameshit ,të shprehura te ribotimi i fundit,te "Vepër që i kushtohet tmerrit të vdekjes dhe qëndresës së njeriut,kanë të bëjnë me tekstin e plotësuar  nga G.Burckhard-i ,përkatësisht me tekstin e përkthyer në gjuhën shqipe,që po i paraqitet, lexuesit , me botimin e fundit,e jo me tekstet e thera me zbrazësira.
3.Epi i Gilganeshit ,Vepër që i kushtohet tmerrit të vdekjes dhe qëndresps së njeriut,fq.5
4.Për praninë e Epit të Gilgameshit  në letërsinë botërore është me rëndësi ,pos tjerash,edhe vepra:Das Gilgamesch-Epos  in der Weltliteratur,Strassburg;1906,e P.Jensen-it.
-Përveç Epit të Gilgameshit ,A.N.Berisha ka përkthyer edhe këto vepra:
a)Domeniko Korradini H.Brusard,Lavdërimi i kryqëzuar .
Përkthimi nga italishtja,"Faik Konica",Prishtinë 2008,
b)Kënga e Këngëve.
Përkthim nga itakishtja.Në revistën"Fjala Hyjnore",Prishtinë-Shkodër 2013,
c)Kënga e Nibelungëve.
Kënga e parë dhe kënga e pestë.Përkthimin nga gjermanishtja dhe parathënien Anton Nikë Berisha.Argeta-LMG,Tiranë 2016,
d)Giuseppe Napolitano,Pëshpëritje hënës.Bashkë me Ilire Zajmin."Faik Konica", Prishtinë 2014.