Mesazhi.com: “Propozohet ulje e çmimit për ngrohje nga “Termokosi”” plus 9 more |
- Propozohet ulje e çmimit për ngrohje nga “Termokosi”
- Dyshime për korrupsion në organizimin e ndeshjes Kosovë – Kroaci
- Asgjësohen 20 tonë mish gjedhi
- Kryesia e re e PD-së i kërkon Aganit ta lirojë zyrën
- Gjuriqi heq dorë nga vizita e së dielës
- Qeveria i ka votat e Listës Serbe, është e vendosur për ta ratifikuar versionin e tashëm të demarkacionit
- E-maili skandaloz i Clintonit, ta shkatërrojmë Sirinë, ta shpëtojmë Izraelin
- Kosova kërkon nga SHBA dhe BE që të ndalin tensionet e krijuara nga Serbia
- EULEX-i do ta mbështesë fuqizimin e sundimit të ligjit në veri
- Franca konfirmon mbështetjen për ministrinë e kulturës
Propozohet ulje e çmimit për ngrohje nga “Termokosi” Posted: 04 Oct 2016 11:23 AM PDT 5% është ulja mesatare e propozuar e çmimit për ngrohje nga "Termokosi" nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Nëse bordi i ZRRE-së e miraton këtë propozim, atëherë do të ketë ulje të çmimit prej 7% për konsumatorët shtëpiakë, ndërsa 3% për ata komercialë e institucionalë. Të hyrat e lejuara nga ZRRE-ja për "Termokosin" për sezonin 2016-17, do të jenë 6 milionë e 300 mijë euro, që është për afro 500 mijë euro më shumë se vitin e kaluar. Por, kjo shumë është më e vogël sesa kërkesa nga "Termokosi". Po ashtu, është prezantuar edhe struktura tarifore, e cila do të ndahet në disa kategori. Atë për objektet "një konsumator, një nënstacion" – ku ekziston matësi funksional; objektet ku disa konsumatorë janë të kyçur në një nënstacion dhe objektet në të cilat nënstacionet nuk janë të pajisur me matës funksional të energjisë termike. Te kjo e fundit do të zbatohet tarifa normative e bazuar në sipërfaqen në metër katror për ngrohje. The post Propozohet ulje e çmimit për ngrohje nga "Termokosi" appeared first on Mesazhi.com. |
Dyshime për korrupsion në organizimin e ndeshjes Kosovë – Kroaci Posted: 04 Oct 2016 11:20 AM PDT Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e vartëses së tij Diturie Hoxha. Kontrata ka të bëjë me organizimin e ndeshjes së futbollit mes Kosovës dhe Kroacisë. Ora 20 e 45 minuta e së enjtes, më 6 gusht, do të shënojë një arsye për festë dhe mburrje. Është hera e parë që përfaqësuesja e Kosovës do të luaj një ndeshje të vlefshme si nikoqir. Liderët shtetëror dhe krerët e federatës do të jenë aty, të gatshëm për t'ia atribuuar vetes "sukseset" e organizimit të ndeshjes së parë ndërkombëtare të vlefshme për botërorin "Rusia 2018". Por, në prapaskenë gjërat janë zhvilluar në drejtim të kundërt. Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) janë përfshirë në një skemë të konfliktit të interesit, e cila nxit dyshime për korrupsion. Insajderi ka zbuluar se FFK-ja vendosi që organizimin e ndeshjes ta bëjë kompania private "Sheshi" Sh.P.K, e cila është në pronësi të zyrtares së lartë të FFK-së, Diturie Hoxhës. Ajo mban postin e drejtoreshës për marketing dhe marrëdhënie me publikun në Federatën e Futbollit të Kosovës. Insajderi ka siguruar kopjen e kontratës së lidhur mes Federatës së Futbollit, kompanisë Sheshi Sh.P.K si organizatore e ndeshjes si dhe kompanisë "Moneta Moneygram) si distributore e biletave për ndeshjen Kosovë-Kroaci. Kompania "Sheshi", e zyrtares Diturie Hoxha është angazhuar për shtypjen dhe shpërndarjen e biletave tek kompania "Moneygram". The post Dyshime për korrupsion në organizimin e ndeshjes Kosovë – Kroaci appeared first on Mesazhi.com. |
Asgjësohen 20 tonë mish gjedhi Posted: 04 Oct 2016 11:15 AM PDT 20 tonë me mish gjedhi, i dedikuar për Kosovë, është bllokuar në pikën kufitare në Vërmicë, pasi i njëjti është tentuar të futet në treg me dokumente të falsifikuara. Mishi është importuar nga Belgjika dhe se të gjitha dokumentet e këtij vendi kanë ardhur të falsifikuara. Ky tentim i futjes së produktit ushqimor me afat të skaduar ndodh pak kohë pas një rasti tjetër të tentimit të importimit të prodhimeve ushqimore po me afat të skaduar . Me hetimin e këtij rasti, është duke u marrë njësia për krime ekonomike, duke marrë në pyetje kompaninë që merret me prodhimin e disa produkteve të mishit, drejtues të së cilës u kanë ofruar dokumente, me pretendimin se ata janë mashtruar nga kompania e huaj në vlerë prej mbi 40 mijë eurosh. Drejtuesit e kësaj kompanie mësohet t'u kenë treguar hetuesve se mishin e kanë blerë në berzën ndërkombëtare dhe sipas dokumenteve të prezantuara, thuhet që mishi është në gjendje të rregullt. Kohavisioni mëson se brenda paketimeve është gjetur mish, të cilit i kishte skaduar afati që në vitin 2014, por që mbi të është vendosur një tiketë tjetër, ku është shkruar se mishi ende ka afat të përdorimit. The post Asgjësohen 20 tonë mish gjedhi appeared first on Mesazhi.com. |
Kryesia e re e PD-së i kërkon Aganit ta lirojë zyrën Posted: 04 Oct 2016 10:33 AM PDT Kryesia e Partisë së Drejtësisë e dalë nga Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor i ka bërë thirrje Ferid Aganit që ta lirojë selinë e partisë, të cilën sipas tyre e ka uzurpuar. Në një komunikatë të kësaj partie i bëhet thirrje Aganit që të ndalojë së shfrytëzuari buxhetin e partisë."Kryesia e Partisë së Drejtësisë e dalë nga Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor kërkon publikisht që ish-kryetari Agani me klanin e tij ta lirojë selinë e Partisë të cilën e ka uzurpuar. Si dhe në të njëjtën kohë ti ndalojë të gjitha shpenzimet e mjeteve monetare të Partisë. Kryesia e PD-së ju bënë me dije klanit Agani, që çdo shfrytëzim i mjeteve financiare prej datës 28 shtator, për çfarë do qoftë është keqpërdorim i mjeteve financiare dhe në rast se ndodhë kjo PD do të paraqes padi në organet e drejtësisë", thuhet në komunikatën e PD-së.Kjo parti, njofton anëtarësinë e saj dhe opinionin publik se ka filluar aktivitetin e vet politik pas marrjes së besimit dhe legjitimitetit nga ky Kuvend. Kryesia e PD-së fton kryetarët e degëve që të fillojnë mobilizimin për takime të përbashkëta dhe debate publike me qëllim të fillimit të punës për kristalizimin e projekteve politike për konkurim në zgjedhjet lokale 2017."Partia e Drejtësisë, konsideron se është koha e stabilitetit politik brenda PD-së, dhe çdo kush që mendon ta luajë rolin imagjinativ si kryetar apo udhëheqje politike e PD-së është në lajthitje të thellë të motivuar nga interesat personale dhe egoiste. Kuvendi zgjedhor çdo kujt ja dëshmoi fuqin politike që ka brenda Partisë", thuhet në komunikatë. The post Kryesia e re e PD-së i kërkon Aganit ta lirojë zyrën appeared first on Mesazhi.com. |
Gjuriqi heq dorë nga vizita e së dielës Posted: 04 Oct 2016 10:18 AM PDT Drejtori i së ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, ka paralajmëruar sot se në javët e ardhshme do të jetë publikisht në Kosovë. Për dallim nga dje kur tha se këtë të diele do të jetë në veri, Gjuriq duket se ka ndërruar mendje. Në Vrnjaçko Banjë ai ka thënë se ekzistojnë "indikacione serioze që një grup i njerëzve, përfshirë ministrat Enver Hoxhaj dhe Edita Tahiri, janë të përzier në ndalimin e lirisë së lëvizjes që në Serbi paraqet vepër penale", transmeton lajmi.net. Sipas tij, autoritetet në Kosovë "nuk duhet të luajnë me fjalë kërcënuese", sepse askënd nga Serbia nuk do të mund ta ndalojnë që të lëviz lirshëm në Kosovë. "Tentuan edhe në Graçanicë që të më ndalojnë, por nuk ia arritën qëllimit. As tash nuk do t'ia arrijnë", ka thënë ai në fund. The post Gjuriqi heq dorë nga vizita e së dielës appeared first on Mesazhi.com. |
Posted: 04 Oct 2016 10:17 AM PDT Zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu, në emisionin Fakt Plus me Leotrim Berishën ka thënë se opozita duhet t'i qaset ndryshe demarkacionit. Ai kërkuar nga opozita që të pranojë ftesën e kryeministrit Isa Mustafa për të dialoguar për çështjen e demarkacioni. Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vendosur për të ratifikuar versionin aktual të demarkacionit. E, po ashtu shprehet se Lista Serbe do të votojë atë. Duke i mohuar zërat se për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, Qeveria po bën pazare me Beogradin, paralajmëron se vitin e ardhshëm Kosova do të bëhet me Ushtri. "Kryeministri Mustafa nuk hyn në asnjë pazar që të dëmtohet interesi i Kosovës", ka thënë Abdullahu. The post Qeveria i ka votat e Listës Serbe, është e vendosur për ta ratifikuar versionin e tashëm të demarkacionit appeared first on Mesazhi.com. |
E-maili skandaloz i Clintonit, ta shkatërrojmë Sirinë, ta shpëtojmë Izraelin Posted: 04 Oct 2016 10:16 AM PDT Pas publikimit të disa dokumenteve të kandidatit për president të ShBA-së, Donald Trump, ku tregohet se republikani nuk kishte paguar taksat për 18 vite radhazi, një tjetër publikim i bujshëm ka tronditur zgjedhjet presidenciale, por kësaj nga kampi i demokratëve.Një e-mail i zbuluar ditët e fundit ka treguar se Hillary Clinton udhezoi presidentin aktual, Barack Obama, si të orkestronte një luftë civile në Siri për tu shërbyer interesave gjeopolitike të Izraelit."Mënyra më e mirë që të ndihmojme Izraelin të arrijë një marrëveshje me Iranin për çështjen e armëve bërthamore është nëpërmjet popullit të Sirisë për të rrëzuar regjimin e Bashar Assad" – shkruan Clinton në këtë email në kohën që ishte sekretare shteti.Dokumenti ka një gabim në datë pasi edhe pse thuhet se është dërguar në 31 dhjetor 2000, ai flet për negociatat e Stambollit të 2012-ës, gjë që do të thotë se është dërguar realisht në 31 dhjetor 2012 dhe është një prej të shumtëve të vjedhura nga llogaria e Clinton gjatë kohës që punonte si Sekretare e Shtetit.Ky dokument vërteton politikat e ndjekura nga SHBA për të rrëzuar Bashar al Asad me dhunë dhe kjo për të ndihmuar Izraelin. Sipas saj Izraeli duhet të jetë i vetmi vend i lindjes së mesme që duhet të ketë bombë bërthamore."Programi bërthamor i Iranit dhe lufta civile në Siri duken si pa lidhje me njëra tjetrën por në fakt janë. Ajo që e shqetëson më shumë Izraelin, dhe që nuk ka mundësi ta shprehë është humbja e monopolit të armëve bërthamore. Nëse Izraeli e humb këtë monopol, bëhet i parrezikshëm për kundërshtarët në rajon. Nëse Irani prodhon armën bërthamore nuk e ka të vështirë të thërrasë aleatët e saj të Hezbollahut në Siri për të sulmuar Izraelin" – shkruan kandidatja aktuale për presidente.Emaili ka tronditur amerikanët pasi ka vërtetuar edhe njëherë si administrata Obama i "dha krahë"terrorizmit në Lindjen e Mesme vetëm me qëllimin për të mbrojtur Izraelin. The post E-maili skandaloz i Clintonit, ta shkatërrojmë Sirinë, ta shpëtojmë Izraelin appeared first on Mesazhi.com. |
Kosova kërkon nga SHBA dhe BE që të ndalin tensionet e krijuara nga Serbia Posted: 04 Oct 2016 09:04 AM PDT Mos zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe arrestimi i një zyrtari të lartë të Policisë së Kosovës, kanë krijuar tensione dhe vështirësi në raportet ndërmjet ekipeve dialoguese të Kosovës dhe Serbisë. Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i tha Radios Evropa e Lirë se bisedimet me palën serbe gjithmonë kanë qenë të vështira, por kohët e fundit ato janë vështirësuar edhe më shumë, pas zhvillimeve të fundit. Ajo theksoi se Serbia, duke u munduar të ketë juridiksion përtej kufijve të vet, po rrit tensione dhe brenda ekipeve dialoguese mes Kosovës dhe Serbisë. Tensionet u rritën në veçanti pas arrestimit të drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, në vendkalimin kufitar në Konçul dhe vënies së masës së paraburgimit prej 30 ditësh nga një Gjykatë e Lartë në Nish të Serbisë. Në Bruksel, ndërkaq, negociatorët serbë 'bllokuan zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën', siç thanë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Ndaj, Tahiri kërkoi nga garantuesit e bisedimeve që të ndërmarrin masa për, siç tha ajo, "sjelljet e Serbisë". "[Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të angazhohen më shumë, por edhe Bashkimi Evropian të angazhohet më shumë, sepse të dy partnerët janë garantues të këtij dialogu, kurse BE është edhe ndërmjetësuese", tha Tahiri. Autoritetet në Beograd kanë fajësuar Prishtinën zyrtare për, siç thonë, "mosgatishmëri në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog". Mediat serbe kanë cituar drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të ketë akuzuar, siç thuhet, "përfaqësuesit në Prishtinë për pengim të lëvizjes së lirë". Ndërkohë, analistët në Kosovë thonë se dialogu "jo vetëm që mund të tensionohet, por ai nuk mund të ketë kurrfarë rezultati' nëse, siç thonë ata, vazhdojnë arrestimet e qytetarëve të Kosovës". The post Kosova kërkon nga SHBA dhe BE që të ndalin tensionet e krijuara nga Serbia appeared first on Mesazhi.com. |
EULEX-i do ta mbështesë fuqizimin e sundimit të ligjit në veri Posted: 04 Oct 2016 08:30 AM PDT Shefja e Misionit EULEX, zj. Alexandra Papadopoulou, u takua sot me kryetarët e komunave të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Ky takim, i cili mes tjerash u përqendrua në mandatin e ri të EULEX-it, është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë ndërmjet këtij Misioni dhe komunave në veri. Zj. Papadoupolou i përgëzoi kryetarët e komunave në veri për angazhimin e tyre konstruktiv, duke theksuar se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për këtë mision si dhe për komunitetin lokal. “EULEX-i është i gatshëm që të vazhdojë ta mbështesë fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit në veri, si dhe ta përkrah zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha zj. Papadopoulou, duke shtuar se integrimi gjyqësor është një proces i rëndësishëm i cili shpresojmë se do të finalizohet së shpejti. Pas këtij takimi, zj. Papadopoulou e vizitoi Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ku u takua me gjyqtarë dhe prokurorë që punojnë aty për të diskutuar lidhur me një numër të çështjeve, duke e përfshirë integrimin e gjyqësorit dhe aktivitetet e përditshme. The post EULEX-i do ta mbështesë fuqizimin e sundimit të ligjit në veri appeared first on Mesazhi.com. |
Franca konfirmon mbështetjen për ministrinë e kulturës Posted: 04 Oct 2016 08:25 AM PDT Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar sot ambasadorin e ri të Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin ka biseduar për një varg çështjesh të intersit të përbashkët, si dhe nevojën që raporte bilaterale ndërmjet këtyre dy vendeve të thellohen, duke përmendur fushat specifike dhe tejet të rëndësishme, që janë kultura dhe sporti. Ministri Shala dhe ambasadori Chaber theksuan nevojën që raportet politike në fushën e kulturës dhe të sportit, të zhvillohen edhe më tutje, sidomos me komunikim më aktiv ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Francës, dhe me njohjet të ndërsjella kulturore. Ministri Shala e falënderoi ambasadorin Chabert për vizitën, dhe njëherësh i uroi sukses në misionin e ri në Kosovë, duke theksuar se, për Kosovën dhe institucionet e kulturës, bashkëpunimi me Francën është i një rëndësie të veçantë. Po ashtu, ministri Shala u shpreh se Kosova synon të bëhet pjesë e organizatave kulturore dhe për këtë kërkoi ndihmën aktive dhe bashkëpunimin e Francës. Ndërsa ambasadori Chabert e falënderoi ministrin Shala për pritjen dhe u shpreh se detyra e tij e re është një përgjegjësi e rëndësishme, që të vazhdojë bashkëpunimin me Institucionet e Kosovës, sidomos në fushën kulturës dhe sportit. Po ashtu, ambasadori Chabert u shpreh se ka vullnet dhe mundësi që bashkëpunimi ndërmjet Francës dhe Kosovës të zgjerohet edhe në fusha tjera, duke përmendur librin, letërsinë dhe arkeologjinë. The post Franca konfirmon mbështetjen për ministrinë e kulturës appeared first on Mesazhi.com. |
You are subscribed to email updates from Mesazhi.com. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |