“Kjo nuk është vetëm një retorikë e fjalëve sepse gjenocidi kundër shqiptarëve dhe gjitha luftërat në ish-Jugosllavi kanë filluar me këto retorika. Nuk di ku është Bashkimi Evropian nuk dëgjuam asnjë reagim të tyre, dhe paramendojeni nëse Kosova do bënte një gjuhë të tillë kundër Serbisë, jo dy kushte por nuk di çfarë kushtesh do të i bëhej”, tha Tërmkolli.
Tërmkolli tha se bisedimet me Serbinë që nga fillimi i ka quajtur “pa kokë dhe se Kosova nuk e ka dert se çfarë po fiton”.
Sipas saj bisedimet duhet të ri dizajnohen sepse bisedimet e tilla Kosovën po e çojnë në kokë pa fund.
“Kam frikë se edhe Trepçën nesër kanë me fut në bisedime dhe nuk do të doja të tingëlloja si opozitare, por realiteti është i tillë. Zotëri president, kryetar i Kuvendit, kryeministër dilni zot këtij vendi. Zgjidhje tjetër nuk ka. Nuk është fjala vetëm për këtë rast. Kosova ka edhe burra edhe gra që kanë mjaftueshëm dije, kanë mjaftueshëm edhe atdhetarizëm, ngritje profesionale të bëjnë çfarë duhet. Këtu nuk ka asgjë me qeshë, dhe qesh ai që qesh i fundit”, tha Tërmkolli.
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me arrestimin e nënkolonelit, Nehat Thaçi, tha se burgosja e tij është provokim.
“Prej nga kjo e drejtë që Serbia të arrestoi qytetarë tanë? Ndalesa e qytetarëve tanë në shtetin serb po tregon për forcën që ka ajo. Por, Serbia nuk po tregon se ku janë të zhdukurit. Ajo nuk po kompenson dëmet e luftës. Serbia po fshikullon me kamxhikun e luftës”, ka thënë Brovina.
Ajo ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të nënkolonelit Thaçi, ndërsa për arrestimin e tij, ajo kërkoi që të lajmërohen edhe instancat ndërkombëtare.
“Kosova duhet të ketë emrat e kriminelëve, edhe pse nuk është pjesë e Interpolit, por të paktën të dihet kush janë dhe ne t’i njohim ata”, deklaroi Brovina.
Brovina shtoi se bisedimet janë rrjet i ndërtimit të paqes, por për të qenë të mirëfillta, duhet të respektohen marrëveshjet e dy palëve.
Në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për arrestimin e drejtorit të Policisë Nehat Thaçi, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu tha se Serbia edhe sot nuk lë gur pa lëvizur për të shantazhuar dhe penguar fqinjët e saj e me fokus atë të Kosovës.
“Shqiptarët po maltretohen nga regjimi fashist serb dhe duhet të punohet që këto fletë arreste të hedhen njëherë e përgjithmonë.
“Ne si popull nuk duhet të lejojmë të na shkelin në qafë kujt t’i teket. Ne kemi votuar për mandatin e EULEX-it por ne si Parlament e kemi ulur kokën. Kemi grupin e Drenicës në burg i cili shtyhet për një vit në Gjykatën e Apelit kurse në Mitrovicë ato bëhen me kohë. Dhe ne po heshtim. Por ne duhet ta ngrisim zërin dhe të thërrasim organizatat ndërkombëtare për shkeljen e këtyre të drejtave të qytetarëve”, tha Musliu.
Sipas saj ka ardhur koha të flasim pasi që sipas Musliut “askush përveç neve nuk ia njeh të mira këtij vendi”.
Duke uruar që tahci të kthehet shëndosh në shtëpi Musliu po ashtu u lut që ky të jetë rasti i fundit që ndodhë me qytetarët e Kosovës.
Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë se pas arrestimit të Nehat Thaçit, Kosova duhet të filloi me reciprocitet ndaj Serbisë duke e arrestuar shefin e zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
“Arrestojeni Marko Gjuriqin i cili po sfidon ligjet dhe policinë e Kosovës, duke thënë se nuk mundet të arrestohet edhe nëse hynë pa leje në Kosovë”, ka thënë Selimi.
Ai ka shtuar se shpresojnë që së shpejti Nehat Thaçi të lirohet dhe të kthehet në Kosovë, dhe se kur të kthehet qeveria duhet të japë përgjegjësi.