Sistemet e lëvizshme të raketave do të maskohen në një mënyrë krejtësisht të re. Makinat, të cilat janë të afta të imitojnë sistemet e lëshimit të raketave, kanë hy në shërbim të Forcave Raketore në vitin 2013. Siç shpjeguan në Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë, teknologjia e re destinohet të rrisë mbrojtjen e efektivit dhe armatimeve të Forcave Raketore nga goditjet e kundërshtarit potencial.
Makinat e reja do të lejojnë maskimin e zhvendosjes së komplekseve të sistemeve të raketave nga një pozicion në tjetrin në terren. Ato janë të afta të shtrembërojnë gjurmët e vërteta duke lënë të rreme në terren, të cilat çojnë në pozicione dhe objektiva jo reale. Në Internet tashmë janë postuar fotografi të kësaj teknike ushtarake.
“MIOM 15M69” (russ. «МИОМ 15 М69») është projektuar për shtatë persona. Ajo mund të punojë si me sistemet e lëvizshme të raketave "Jars" (russ. «Ярс») dhe "Topol-M" (russ. «Тополь-М»), ashtu dhe në mënyrë të pavarur. Çdo makinë e tillë është e pajisur me mekanizma për shtrimin e gjurmëve të rreme në terren si dhe kontejnerë, të cilët shërbejnë për imitimin vizual dhe termik të sistemeve të lëshimit të raketave. Një makinë “MIOM 15M69” (russ. «МИОМ 15 М69») është e aftë të imitojë gjurmët e një divizioni të tërë, të përbërë prej 6 sistemesh të lëshimit të raketave.
Ndërkaq duhet pranuar se jo të gjithë ekspertët janë fort të impresionuar nga ky zhvillim i ri i teknikës ushtarake. Dyshimet e veta në lidhje me nevojën e financimit të sistemeve të tilla i shprehu, për shembull, vëzhguesi ushtarak i gazetës ruse "Komsomolskaja pravda" (russ. «Комсомольская правдвa»), koloneli Viktor Baranec:
- Në këtë rast lind natyrshëm pyetja: po sa e rëndësishme është tani kjo gjë, kur çdo qindarkë duhet investuar në prodhimin e raketave reale? Ne kemi probleme mjaft serioze me çështjen e prodhimit të raketave, të cilat duhet të zëvendësojnë modelet e vjetëruara tashmë, periudhat e garancisë së të cilave ne i kemi zgjatur nga tre ose katër herë deri tani.
Dyshimet e ekspertit, ka shumë mundësi, të jenë plotësisht të justifikuara. Por nuk duhet lënë gjithashtu në harresë edhe fakti, se raketat që janë në shërbim të ushtrisë tani kanë nevojë për maskim, shprehet me bindje të plotë redaktori ekzekutiv i gazetës ruse "Vëzhgimi i pavarur ushtarak" (russ. «Независимое военное обозрение») Viktor Litovkin:
- Në Traktatin e ri (№ 3) mbi reduktimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO apo START) është përcaktuar zona, e cila destinohet për dislokimin e komplekseve të lëvizshme të raketave. Ajo përbën 50 kilometra katrore, por koordinatat e sakta të saj nuk janë specifikuar. Meqenëse amerikanët janë duke zhvilluar tani sistemin e dhënies së goditjes së shpejtë globale - raketa pa mbushje bërthamore ata disponojnë më shumë se katër mijë njësi- është plotësisht e mundur që raketa të tilla të japin goditje mbi forcat tona strategjike bërthamore. Me qëllim që komplekset tona raketore të mos bien nën goditjen e tyre, ato vetkuptohet që duhen maskuar.
Aktualisht Ministria e Mbrojtjes e Rusisë po vazhdon ripajisjen e Forcave Raketore. Në vitin 2012 këto trupa kanë marrë rreth 20 njësi teknike inxhinierike ushtarake. Ndërsa deri në muajin shtator Forcat Raketore u pajisën me sistemet moderne të mbrojtjes raketore "Jars" (russ. «Ярс») dhe "Topol-M" (russ. «Тополь-М»).