MISTERI/A e vrau Hitleri mbesën?


Në mëngjesin e 19 shtatorit 1931, një vajzë njëzet e tre-vjeçare, Geli Raubal, u gjet e vdekur në Mynih në apartamentin e Adolf Hitlerit. Raubal, e cila ishte bija e motrës së Hitlerit, ishte qëlluar me pistoletën e tij. Arma u gjet pranë trupit.

Për Hitlerin, nuk mund të kish qenë moment më i keq. Zgjedhjet e vitit të mëparshëm kishin rritur numrin e nazistëve në Reichstag nga 12 në 107, duke e çuar partinë e tij shumë pranë pushtetit. Një skandal tani - sidomos një i tillë që do të përfshinte akuza për përdhunim dhe vrasje - mund të degdiste Hitlerin dhe nazistët në skajet e politikës gjermane.

Gazetat antinaziste e bënë "copë" këtë lajm. Shumë shpejt nisën të qarkullojnë zërat se njëzet e tre-vjeçarja kish qenë dashnore e Hitlerit, njëkohësisht mbesë e tij. "Munich Post" shkruante se Raubal kish patur një hundë të thyer, duke lënë të kuptohet se Hitleri e kish vrarë ndoshta në një moment zemërimi, mbase sepse do të ketë zbuluar që ajo shkonte me dikë tjetër, apo për shkak se ajo do ta kish kërcënuar për të folur publikisht rreth disa praktikave seksuale disi të pazakonta të dajës. Të tjerë thanë se Raubal kishte qenë detyruar të kryente vetëvrasje, ose nga xhelozia e dhunshme e Hitlerit, ose nga kërkesat e tij seksuale. I marrë në pyetje nga detektivët, Hitleri i tronditur ka raportuar se ai e kish parë një ditë para se të gjendej kufoma. Ishin grindur për shkak të planit të tij për të marrë leksione kënge në Vienë. Ajo ishte inatosur, pasi ai nuk e kish lejuar të shkonte vetëm, por më pas ishte qetësuar. Më pas, vazhdoi Hitleri, ai qe nisur për një tubim fushate në Nuremberg. Pikërisht aty mësoi lajmin për vdekjen e saj. Ai u nis menjëherë për në Mynih, duke ndaluar vetëm për një gjobë shpejtësie që mori në gjysmë të rrugës. Personeli në apartamentin e Hitlerit kishte pak për t'i shtuar historisë së Hitlerit. Ata kujtuan që Raubal doli vrullshëm nga dhoma e gjumit e Hitlerit, dukshëm e mërzitur, por ata nuk e kishin idenë se çfarë e kishte mërzitur apo çfarë i kishte ndodhur. Policia nuk gjeti shenja të një hunde të thyer, apo ndonjë dëshmi tjetër që Raubal ishte sulmuar. U vendos që ishte vetëvrasje. Por, meqë kishte shumë simpatizues nazistë në nivele të lartë në Ministrinë e Drejtësisë, shumëkush dyshoi se policia ishte nën presion të shkurtonte hetimin. Edhe stafi i familjes mund të jetë kërcënuar nga zyrtarë nazistë, veçanërisht nga zyrtarët e partisë që ishin në vendngjarje para se të mbërrinin detektivët.

Pra, të paktën për historianët, hetimi mbeti i hapur. Dhe kërkimi për dëshmi që ai ka vrarë Raubalin i ka çuar ata në skuta shumë të errëta të mendjes së Adolf Hitlerit. Mes atyre që dyshonin se Hitleri vrau Raubalin ishin disa ish-anëtarë të rrethit të tij të ngushtë. Më i njohuri ishte Oto Strasser, i cili botoi një gazetë me influencë naziste dhe vëllai i të cilit, Gregor, ishte zëvendës-führer i partisë. Gregor, i cili më vonë sfidoi Hitlerin për udhëheqjen e partisë, u vra në vitin 1934, ndërsa Oto u largua në Zvicër. Në librin e tij të vitit 1940 "Hitleri dhe unë", Oto Strasser përmendi tre copa të një dëshmie për vrasje: së pari, një bisedë që kishte me një prift, i cili i tha atij se ai do të varroste Raubalin si një katolike, diçka që nuk do të kishte qenë e lejuar nëse ai besonte se ajo ishte vetëvrarë; së dyti, një bisedë me vëllain e tij, në të cilën Gregori i kish thënë se kish dëgjuar direkt nga Hitleri që ai kish qëlluar Raubalin dhe në fund, një histori (burimi i të cilës nuk ka qenë Strasser) se Fritz Gerlich, një botues i njohur antinazist, kish patur në plan të botonte një ekspoze të madhe për vrasjen në 12 mars 1933. Por më 9 mars, trupa naziste hynë me forcë në zyrat e gazetës, shkatërruan të gjitha dosjet dhe arrestuan Gerlich. Gerlich, si Gregor Strasser, u vra në vitin 1934. Oto Strasser nuk foli për një motiv për vrasjen e Raubalit, por ai la të kuptohej se kish qenë rezultat i zemërimit të Hitlerit për faktin që Raubal takohej me burra të tjerë.

Ernst Hanfstaengl, dikur sekretar shtypi i Hitlerit, ka dhënë më shumë hollësi: Raubal jo vetëm që kishte meshkuj të tjerë, por ajo gjithashtu ishte shtatzënë. Babai i ardhshëm ishte një mësues arti dhe, më keq akoma, parë nga perspektiva e Hitlerit, ishte hebre. Raubal e kishte takuar mësuesin në vitin 1928 dhe tani ajo donte të martohej me të. Për Hitlerin ishte një çnderim, personalisht dhe politikisht, që një hebre t'i grabiste mbesën-të dashurën. Pra, sipas Hanfstaengl, Hitleri detyroi Raubalin që të kryente vetëvrasje. Se si e bëri, kjo nuk del qartë nga rrëfimi i Hanfstaengl, edhe pse ai la të kuptohej se kishte të bënte me disa kërcënime për nënën e saj. Sido që të jetë, shtoi Hanfstaengl, familja e Hitlerit e gjitha e mori këtë histori për të vërtetë. Ai vetë e kishte mësuar atë nga Brigid Hitleri, gruaja e vëllait të Hitlerit, Alois. Në librin e tij të vitit 1944 "Der Führer", historiani gjerman Karl Heiden ka argumentuar se ishte shefi i SS, Heinrich Himler, dhe jo Hitleri, përgjegjës për vdekjen e Raubal. Në fakt, argumentonte Heiden, Hitleri ishte në dashuri me Raubal dhe donte të martohej me të. Himmler, i frikësohej një skandali, ose për shkak se ai dyshonte Raubal flinte me një tjetër njeri, ose sepse ajo do të ketë kërcënuar që do të bënte publike praktikat seksuale të xhaxhait të saj. Heiden nuk ishte i sigurtë nëse Himmler e vrau, apo e shtyu drejt vetëvrasjes, por ai ishte i bindur se nazistët ishin fajtorë. Burimi i tij, tha ai, kish qenë një mik i nënës së Raubal.

Problemi me të gjitha këto rrëfime ishte se ata mbështeteshin në thashetheme të pabaza, të qarkulluara kryesisht nga të afërm dhe ish-bashkëpunëtorët të Hitlerit, që ishin shpesh më pak të shqetësuar në lidhje me të vërtetën se sa me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe daljen në pah. Këta ishin njerëz, dëshminë e të cilëve, historianët më vonë me të drejtë e konsideruan të dyshimtë. (Duhet shtuar që Heiden, ndryshe nga Strasser ose Hanfstaengl, ka qenë gjithnjë një armik i Hitlerit. Por historia e tij, gjithashtu, pati si burim një kushëri të pakënaqur.) Për më tepër, fleta e gjobës i shërbeu Hitlerit si alibi. Ajo nuk ishte, për të qenë të sigurtë, një alibi e palëkundshme, duke ditur se policia dhe dëshmitarët e tjerë mund të kenë qenë mbështetës të nazistëve, por nuk kishte asnjë provë që ta kundërshtonte. Sa për akuzën e Heiden se Himmler ishte përgjegjës, ajo dukej e palogjikshme; e nëse motivi i tij kishte qenë për të shmangur një skandal, ai sigurisht nuk do të kishte lënë trupin në banesën e Hitlerit, apo pranë saj armën e Hitlerit. Pra, edhe pse vrasja nuk mund të përjashtohet, vendimi i policisë për vetëvrasje dukej se kish më shumë gjasa. Por mbeten disa pyetje vendimtare: A e shtyu Hitleri mbesën e tij në vetëvrasje? Dhe cila ishte natyra e marrëdhënieve të tyre?

Nuk ka asnjë dyshim, në mendjen e Heiden, se synimet e Hitlerit ndaj Raubalit ishin më shumë se xhaxha-mbesë. Një tregim i Heiden, që nuk përmendte burimin e tij, kish të bënte me një letër që Hitleri i kishte shkruajtur mbesës, në të cilën shprehte "ndjenja që mund të priteshin nga një njeri me prirje mazohiste, koprofile në kufijtë e ... unidinizmit". Më troç, ajo çfarë donte të thoshte Heiden ishte se Hitleri eksitohej kur një grua urinonte mbi të. Letra nuk mbërriti kurrë tek Raubal, por ra në duart e një shantazhisti. Në vitin 1929, sipas Heidenit, kreu i thesarit nazist, Franc Shvarc pagoi shantazhistin dhe rimori letrën.

Hanfstaengl tregoi edhe historinë e një tjetër përpjekjeje për shantazh, kjo një vit më vonë. Ai kujtonte që kish takuar Shvarc në vitin 1930, vetëm pasi kreu i thesarit kishte blerë nga një shantazhist një format të madh me skica pornografike që Hitleri i kishte bërë Raubalit. Hanfstaengl pa vizatimet, i tronditur dhe i sugjeroi Shvarcit që t'i grisë. Shvarc tha se Hitleri donte t'i riktheheshin. Heiden nuk ishte i sigurtë nëse Hitleri kishte shkuar përtej fantazisë për mbesën e tij, por Hanfstaengl mendonte që po. Ai citonte një bisedë - e ka pranuar që e kish dëgjuar nga një i tretë - në të cilën Raubal i kish thënë një mikeje se daja i saj ishte një "përbindësh" dhe se "ju nuk mund të besoni gjërat që ai më detyron të bëj". Dhe, siç vinte në dukje Hanfstaengl, kishte një precedent incesti në familje: prindërit e Hitlerit ishin kushërinj të dytë dhe nëna e Hitlerit, e cili ishte njëzet e dy vjet më e re se babai i tij, e quante atë "Dajë". Oto Strasser, ashtu si Hanfstaengl, nuk kishte dyshime se marrëdhëniet në mes Hitlerit dhe Raubalit kishin qenë konsumuar dhe se ajo nuk ishte aspak një marrëdhënie seksuale normale. Në një intervistë të 1943 me agjentë të OSS (paraardhësit e CIA-s në kohën e luftës), Strasser ishte i qartë rreth unidinizmit. Ai pohoi se kishte dëgjuar për të direkt nga Raubali dhe se ajo e quante "pështirë".

Ashtu si me akuzat për vrasje, këto rrëfime për jetën seksuale të Hitlerit duhej të trajtoheshin me një farë skepticizmi. As Hanfstaengl dhe as Strasser nuk ishin një burim veçanërisht i besueshëm dhe burimet e tyre ishin shpesh pa emër, ose edhe më pak të besueshme se ata vetë. Strasser as nuk u mundua për të shpjeguar pse Raubali kishte zgjedhur pikërisht atë për t'u rrëfyer - në atë kohë ai qe një koleg i ngushtë i njeriut prej të cilit ajo donte të shkëputej. Pra nuk është e çuditshme që biografët më të respektuar të Hitlerit në dy brezat e fundit - Alan Bullock në vitin 1952 dhe Ian Kershaw në vitin 1998 - të dy shprehën dyshime serioze nëse Hitleri dhe Raubal e konsumuan ndonjëherë marrëdhënien e tyre, e lëre më të angazhoheshin në ndonjë lloj seksi të pazakontë. Dëshmitë thjesht nuk mjaftonin. Gjithsesi, ndryshe nga akuzat për vrasje, thashethemet e një marrëdhënieje seksuale të pazakontë kishin një farë logjike. Psikobiografët, veçanërisht frojdianët, prireshin për të parë sekrete seksuale tek kushdo, sidomos ishin ata të prirur t'i gjenin tek një psikopat si Hitleri. Walter Langer, një psikiatër që përgatiti raportin e OSS të vitit 1943 mbi Hitlerin, besonte se Raubal (dhe Strasser) kishin thënë të vërtetën rreth unidinizmit. Langer përmendi gjithashtu intervista me një tjetër grua, aktoren Renate Müller, e cila rrëfeu për takime njësoj të pakëndshme seksuale me Hitlerin në 1932. "Nga një shqyrtim i të gjitha provave," Langer shkruajti, "duket një perversion i Hitlerit, ashtu si e ka përshkruar Geli".

Vetëvrasje, apo krim pervers?

Zor se mund t'u vësh faj frojdianëve për faktin që kanë të konsideruar domethënëse që, të shtatë gratë që mendohet të kenë patur në kohë të ndryshme marrëdhënie seksuale me Hitlerin, gjashtë prej tyre ose kryen vetëvrasje, ose tentuan ta bëjnë. (Gjashtë përfshijnë Raubal, mbi supozimin se ajo nuk ishte vrarë, si edhe Eva Braun, e cila vdiq me Hitlerin në vitin 1945). Çfarëdo që Hitleri bënte me gratë që flinin me të, dukej qartë se kjo i shkaktonte atyre pakënaqësi. Por, siç theksonin biografët më pak frojdianë të Hitlerit, asnjë nuk vërtetoi që problemet seksuale ishin rrënjët e problemeve të Hitlerit, apo grave që flinin me të. Nuk ishte e thënë të besoje që Hitleri ishte një pervers seksual për të shpjeguar pse këto gra kanë kryer vetëvrasje, mbasi ai kishte shumë tipare të tjerë të papranueshme. Në të vërtetë, mund të pranohet fare mirë se çdo grua që zgjidhte të hynte në marrëdhënie me Hitlerin, kishte tashmë disa probleme serioze.

Sigurisht që Raubal nuk e zgjodhi Hitlerin. Ajo shkoi të jetojë me dajën, sepse ajo dhe nëna e saj nuk kishin asnjë vend tjetër për të shkuar, dhe kështu vazhdoi për aq kohë sa jetoi. Ajo ishte e bllokuar në shtëpinë e një njeriu që ndiente një tërheqje të jashtëzakonshme prej saj dhe i cili ishte i pamëshirshëm në përpjekjet e tij për të mos e lejuar të takohej me meshkuj të tjerë. Refuzimi i tij për ta lejuar të shkonte në Vjenë ishte vetëm njëri i një serie të shkallëzuar të kufizimeve që vendosi mbi mbesën e tij, që kur ajo erdhi të jetojë me të në vitin 1929. Nuk është e thënë të pohosh se e detyronte të bënte seks pervers për të imagjinuar se e trajtonte brutalisht.

Ky ishte konkluzioni i Bullock dhe Kershaw, dhe shumica e historianëve kanë ndjekur rrugën e tyre. Hitleri, në pikëpamjen e shumicës, ndoshta nuk e vrau Raubalin. Dhe (edhe pse konsensusi mbi këtë pikë është shumë i dobët) ai ndoshta nuk ka patur marrëdhënie seksuale me të, ose në qoftë se ka patur, ndoshta nuk ishte natyra e seksit shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes së saj. Por ai ishte një tiran - një tiran i brendshëm në 1931, edhe përpara se të bëhej tiran kombëtar dy vjet më vonë. Për Geli Raubalin, vdekja duket se kish qenë shpëtimi i vetëm.

Për shumëkënd, duke përfshirë ish-biografët nazistë, vdekja e Raubalit ishte një pikë e rëndësishme kthese për Hitlerin. Hanfstaengl, për shembull, shkruan se "me vdekjen e saj ishte shtruar rruga e shndërrimit përfundimtar të tij në një demon". Fotografi zyrtar i Hitlerit, Heinrich Hoffmann, i bëri jehonë këtyre ndjenjave.

"Në këtë kohë", kujton ai, "fara e mizorisë filloi të çelë tek Hitleri. Oreksi i tij për mizori u rrit shumë vetëm pas vdekjes së Gelit". Kjo lloj analize tingëllonte në fakt vetë-pastruese, nëse Hitleri u bë një përbindësh vetëm pas vdekjes së saj, atëherë ata mund të faleshin që kishin qenë aleatë të mëhershëm të tij.

Por nuk ishin vetëm ish-nazistët që besonin se vdekja e Raubalit e transformoi Hitlerin. Shumë biografë frojdianë, motivimi i të cilëve ishte sigurisht më i pastër se sa i ish-nazistëve, prireshin për të parë vdekjen e Raubalit si një pedanë vendimtare në zhvillimin e tij si një vrasës. Edhe në qoftë se ai nuk e vrau, kanë argumentuar ata, humbja e gruas pas të cilës ishte fiksuar e ktheu atë në përbindësh.

Ndikimi frojdian ka qenë i konsiderueshëm; edhe Bullock, ndonëse gjeti që faktet qenë të pamjaftueshëm, besonte se vdekja e Raubalit ndryshoi Hitlerin dhe se kishte "ndoshta diçka seksuale" në antisemitizmin e Hitlerit.

Megjithatë, për shumicën e historianëve, vdekja e Raubalit nuk mjaftonte për të shpjeguar ambiciet gjenocidale të Hitlerit. As edhe shpjegimet e tjerë e të ndryshëm seksualë - që përfshijnë një testikul të munguar apo një marrëdhënie të Hitlerit me një prostitutë hebreje të sëmurë nga sifilizi - nuk i kënaqin shumicën e historianëve, sidomos ata të Holokaustit. Në të vërtetë, të gjesh arsyen e vdekjes së miliona njerëzve në një shkak të vetëm paraqet probleme praktike dhe morale, me të cilat historianët vazhdojnë të ndeshen edhe sot. Një gjë është e qartë: vdekja e Raubalit pati një ndikim të thellë tek Hitleri, por nuk qe ajo që e ktheu në një vrasës. Ai tashmë i kishte duart të përlyera me gjak, pavarësisht nga kujtimet selektive të ish-biografëve nazistë, banditët nazistë kishin vrarë dhe rrahur deri tani me qindra mijëra njerëz para shtatorit 1931, pa dyshim me dijeninë dhe miratimin e Hitlerit. Vetëvrasja e Geli Raubal nuk ishte aspak vdekja e parë, për të cilën Hitleri ishte përgjegjës.