Drama e dhunës dhe e të pagjeturve

NGA: AJETE ZOGAJ



SHQIPE HASANI “SYTË KËRKOJNË PËRTEJ VDEKJES”, botoi “Orfeu” Prishtinë, 2015, 53 faqe, ISBN: 9789951581264

Është poetja, infermierja e humanistja Shqipe Hasani, që kësaj radhe, në dramën e saj “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” na sjellë tablo dhembjeje e vuajtjesh nga lufta e fundit, të cilat të bëjnë të rrëqethesh nga gjithë ajo që ka përjetuar Njeriu i këtij nënqielli nga njerëzit gjakatarë...Nga njerëzit bisha e barbarë...

Hyrje

Edhe pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh liri, Kosova rënkon nga plagët e luftës, rënkim ky që frymon në dhimbjet e familjarëve që kanë humbur më të dashurit, frymon në krijimtarinë e krijuesve dhe artistëve. Është poetja, infermierja e humanistja Shqipe Hasani, që kësaj radhe, në dramën e saj “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” na sjellë tablo dhembjeje e vuajtjesh nga lufta e fundit, të cilat të bëjnë të rrëqethesh nga gjithë ajo që ka përjetuar Njeriu i këtij nënqielli nga njerëzit gjakatarë...Nga njerëzit bisha e barbarë...

Struktura e dramës

Dramën “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” autorja Shqipe Hasani e ndërthurë në katër akte me gjithsejtë pesëmbëdhjetë skena të cilat ndërlidhen njëra me tjetrën, duke shpalosur skena dhimbje e tmerri nga lufta, por në të njëjtën kohë si një tisë e hollë paraqitet optimizmi e mbijetesa, se përkundër të gjithave, jeta duhet të vazhdojë!

Drama hapet me një prolog ku paraqiten personazhe të grupmoshave të ndryshme: ata që kanë përjetuar tmerrin e luftës, ata që kanë mbijetuar, dhe fëmijët pa prindër që ose i kanë të vrarë ose të zhdukur.

Janë kryesisht gra të cilat të mbledhura në një klasë i rrëfejnë njëra- tjetrës gjithë katrahurën që u kishte ndodhur: vrasjet, plagosjet, dhunimet, dëbimet dhe zhdukjet e luftës së fundit shqiptaro-serbe.

E gjithë ngjarjen e dramës e përshkruajnë dy motive, secili më i dhimbshëm se tjetri: Motivi i njerëzve të zhdukur që nuk u dihet as varri dhe ankthi i familjeve të tyre, dhe motivi i dhunimit të femrave shqiptare nga paramilitarët dhe barbarët serbë. Janë këto dy motive që të rrëqethin kur i përjeton nga rrëfimet e personazheve të kësaj drame ,e që na bëjnë të mos e harrojmë të kaluarën, e të punojmë për të ardhmen.

Personazhet e kësaj drame, janë kryesisht gra që kanë humbur më të dashurit, djemtë, burrat, baballarët, nënat, motrat...

Të dy skenat, si ajo e të pagjeturve dhe ajo e grave të dhunuara, ndërlidhen mes tyre nga personazhe që kanë përjetuar këto tmerre.

Derisa në Prolog, përmes personazheve: Shamilokes, Gruas së Parë, Gruas së Dytë, Xha Islamit e Gentit, pasqyrohet fati i atyre që kërkojnë të pagjeturit dhe njihemi me fatin e këtyre personazheve. Në skenat dhe aktet kësaj drame njohim personazhet: Hykën së cilës i kanë humbur të dy djemtë dhe nusja duke i lënë vajzën pesëmbëdhjetëmuajsh Norën, Gentin nga Krusha e Madhe i cili ka babanë e zhdukur, dhe gra e burra të tjerë të mbledhur në Sheshin Nënë Tereza që kishin ardhur të protestojnë e të kërkojnë zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Nëna, gra e fëmijë të pikëlluar me lule dhe me fotot e të zhdukurve janë një tabllo e dhimbshme e kësaj drame, e dramës së hidhur kosovare....

Skenë mjaft mbresëlënëse është edhe skena e njohjes së Norës me Gentin, njëri pa nënë e tjetri pa baba, si dhe vdekja e gjyshes së Norës Hykës një ditë para se ta martonte mbesën ( Ajo bëri njohjen e Norës me Gentin) dhe vdiq me dëshirën e plotësuar të martesës së mbesës me djalin që ajo ja përzgjodhi.

Skena më e dhimbshme, është ajo e fatit të Tiles, nuses së djalit të Hykes e nënën së Norës. Në kohën e luftës, të shoqin dhe kunatin ia rrëmbyen serbët, kurse ajo deri sa po kthehej në shtëpi pas punës e rrëmbejnë paramilitarët serbë dhe e dhunojnë e poshtërojnë...Disa javë më vonë kupton se ishte shtatzënë nga ata që e dhunuan...Ndihej e turpëruar...U zhduk e nuk dihej më për të...Në bark mbante një fëmijë...ishte fryt i gjakatarëve...

Atë çka i kishte ndodhur ia rrëfen shoqes së saj Ludes, duke i treguar se ndihej e turpëruar nga ajo që i kishte ndodhur: “ Marrja nuk më linte t’u dilja njerëzve përpara. Sidomos Hykes, vjehrrës sime...Nuk mund të duroja të shihte barkun tim duke u fryrë dhe fëmijën e vrasësit duke u rritur në këtë bark”. (faqe. 71)

Shumë skena të kësaj drame i përshkruajnë momente të dhimbshme, skena që të bëjnë të të mbushen sytë me lotë...Është shumë prekëse vdekja e gjyshes së Norës Hykes, si dhe dalja nga shtëpia e Norës tek përshëndetet me pragun e derës...por edhe skena optimiste se ky popull ka ditur të mbijetojë e të tregojë forcë edhe atëherë kur dhembja e çanë gurin: ”Nora:... Ëhë, do t’i them, Genti, qysh jo. Do t’ia tregoj të gjitha shtëpisë, që të mos pikëllohet e vetme. Do t’i them se një ditë fëmijët do ta mbushin cep më cep me zëra të ëmbël. Dhe në ato stinë do të bëhet shtëpia më e lumtur në botë”...(faqe, 68)

Skenë shumë prekëse, ndoshta ndër më të të realizuarat është skena Prolog. Është një ditë pranvere në fshatin e Gentit në Kurshë të Madhe, në Krushën e plagëve të shumta të luftës...Nora derisa qëndronte në oborrin e shtëpisë së burrit, një zë e thërret në emër... I shfaqet nëna e saj Tilja që erdhi ta takojë pas shumë vitesh, tani vajzën e saj nuse...” Mos më pyet pse të lash, nga brodha, nëpër ç’ferr kalova! Kurrgjë mos më pyet, bijë!Vetëm një gjë mbaje mend: as varri nuk më mbajti brenda pa të të takuar sërish, pa të gjetur tek më thërret nënë!” (faqe 77)

Është skenë dhimbje, malli, rinjohje e nënës me të bijën....skenë që e përcolli fatin e një femre shqiptare...

Përfundim

Drama “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” e autores Shqipe Hasani, është një dramë mjaft e realizuar qoftë në aspektin e trajtimin të temës dhe motiveve, por edhe të skenave dhe portretizimit të personazheve. Nëpërmjet kësaj drame, autorja synon të trokas në ndërgjegjen e atyre që bënë këto krime: të zhdukurit dhe të dhunuarat, e njëkohësisht, në gjuhën e artit, ajo synon të lë një përmendore kujtese të gjithë asaj që ka ndodhur...sepse duke kujtuar të kaluarën, ndërtojmë të ardhmen tonë më të ndritur dhe nuk lejomë të na përsëritet historia.

Me një gjuhë të pastër të mbushur me fjalë e shprehje të figurshme, me përshkrim të skenave dhe personazheve, autorja ka arritur që dramën e saj “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” t’ia ofrojë lexuesit me mjaft mjeshtri e thjeshtësi.

Krejt në fund, urojmë dhe shpresojmë që kjo dramë të realizohet si skenarë filmi a shfaqje teatrale, për t’i pasqyruar gjeneratave të reja sakrificën e madhe dhe çmimin e lirisë që dha Kosova, që paguan me jetën dhe gjakun e tyre bijtë e bijat e saj!

************

NGA FLORI BRUQI : 

Cikël poetik nga Shqipe Hasani





SHËNIME PËR AUTOREN:
Shqipe Hasani u lind më 18 dhjetor 1971 në Prishtinë. Filloren dhe shkollën e mesme, (mjekësin e përgjithshme) , si dhe fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe letërsi Shqipe i mbaroi në Universitetin e Prishtinës.
Përveç dramës "QËNDISTARJA S'KA MORT", (2011), Shqipe Hasani deri më tani ka botuar edhe këto vëllime me poezi:
 "Shiu i vetmisë", (1997).
"Qielli i varreve", (2000).
 "Akuareli i dhimbjes", (2008).
 "Premtim i lënë peng", (2009)
.........
“Sytë kërkojnë përtej vdekjes”(2015)
Etj.
Vëllimit poetik "Akuareli i dhembjes", Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës i dha Çmimin e Mitingut të Poezisë, si libri më i mirë me poezi i vitit.
Shqipe Hasani jeton në Prishtinë.
Cikël me poezi nga përmbledhja “AKUARELI I DHEMBJES”,botoi “FLOMED”, Prishtinë 2008.
HAPE PORTËN
Hape portën nënë
s’kam frikë nga profetët dhe vrastarët
reve të kuqe pashë
pikturat e masakrave
të mbuluara me perde krimi
lufta dhe eklipsi paskan mbaruar
ardhur jam nga metropolet Ilire
veshur me petkun e bardhë
simbol kam historinë e fisit
t’i puth muret e kalasë së gurit
logun e fjalës
qytetit të lashtë
kokës mbaj vellon e lirisë
merr valixhen e mallit
fshehur e mbajta arkës së vjetër
katalogun me emra të zhdukur
dosje me dëshmi
harta kampesh e burgjesh
të mbështjella me flamur
dhembjeve të shekullit
NDOSHTA JAM ROZAFA
Mos pandehni se nuk kujtoj
vuajtjen e Rozafës me trup të përgjysmuar
mbron një dashuri të mbyllur
si një kurorë qielli
kjo legjendë me mua
përballet si një hije nuri
dashurinë ma ndrydh nga pak
Çfarë përpëlitjesh ndiej
harrohem përtej fundit e nisjes
virgjëreshë i mbetem kohës boshe
kërkoj dashuri të ngushëlluar
rrëmbimet të mos ringjallen
jeta e poetëve thyhet kufijve të vrazhdë
për asgjë mos më pagëzoni mëkatare
se një ditë bëhem Rozafa
KRONIKË PËR PRAPASHTICËN
Dielli vezullon majë labirintit
Të Malësisë së djegur
Ajo e shprush historinë
Mbështjellur me kopertina vuajtjesh
Etshëm puth idealet
E lidhura qafës gjerdan
Frymon me ankth shpata harkore
Prapashtica është kështjellë
Që amshon ëndrrat e gjyshërve
Për djepa e nipër
Kishin dëshirë të kenë urë shekulli
Pleqërishten me pleqërisht
Aty ku buron Kroi i Thanës
Prapashtica jeton me gjuhën e legjendave
Me kronikën e bukurisë dhe shëmtisë
Tash gjithçka digjet në galeri kujtimesh
Malësi e djegur betejë e kuqe
Gjallë je
Gjallë
KY POPULL MJAFT DUROI
As dimri Siberian
S’mund t’i mposht murlanët
Që fryjnë mbi emrin Kosovë
Pjesë e ngjitur e pa frikë
Jam unë që gatuaj territ
U nxjerr brumin fjalëve
A ka kohë midis jetës dhe vdekjes
Që s’duroi ky gjak populli
Nuk e besoj kurrë
Evropa përgjoi mplakjen
Ëndrrave mashtruese
Simfoninë e zërit hodhi me drojë
Derisa zgjonte peshë vetveten
Varret s’mund të përmbyten
Mjaft durova mëkate.
S’mund t’i shoh fëmijët migjenianë
Mbështetur ëndrrave të statujave
Si lexojnë vargun e skamjes
Gjirit të mjerimit
Çmenduria nuk vjen nga e mira
Mbi varg vazhdova
Të pi lot në vend të ujit
Të mbyll vdekjet pas perdes së robërisë
Të gjejë dashuritë lirive të mangëta
Mes klithjes dhe kureshtjes
S’harrohet durimi as dhembja as vuajtja
Populli përballet me shpresa
PESË PLAGËT E TRUALLIT
Shumë afër lëkurës sime
Rrinë muret e vjetra
Plot ëndrra terri
Kufijve të kuq kumbon
Kënga shqiptare
Kosovës lindore
Hidhen farërat të pluhurit
Ujërat turbullohen
Bujanocit digjen ngjyrat rrugëve
Mbi qiell të Metvegjës rigon shi
Ç’mynxyrë mëngjesit të fjetur
Mjegulla e Kosovës shtrihet atje
Egërsisht hyn foleve të braktisura
Perdet e verbra shqyhen me hov
E fisi im pyet
Kush mund të hajë bukë
Me liri të ftohtë
Askush nuk vdes nga uria e cunguar
As nga hijet e bishave të zeza barbare
Loti i këngës buzë muzgut
I lidh duart popullit tim
Ushtarët e UÇPMB që i rriti nëna ime
Zgjojnë çdo fund horizonti
Presin eklipsin e diellit
Nga lindja në perëndim
Ylberit të ndezur
Ndalojnë dhembjen e shëmtuar
Kosova e lindjes është relief
Palcës së Kosovës së madhe
Trojeve të zgjuara
Thurin kurorë
Ishullit të lirë
LETËR MBI ISHUJ
Me kë të flas për romancën
Kryqëzuar një trup një shpirt
Për letrën ditëlindjes së fundit të vajzërisë
Skllavëria kryeneçe shponte
Fate me shigjeta të acarta
Mërzia ekzaltonte
Vellos së bardhë i vinte era epsh
S’pëlcitnin gjëmat oazave
Puthjet virgjinë deheshin
Kornizave artistike
Mozaiku i shpirtit çdo ditë
Derdhi nga një pikë gjak
Një zjarr fërgonte dashurinë
Në kohë zbrazëtie
Harrova se kush jam
Viteve të ikura
Vargjet lirike në dorëshkrim të Serembes
Notuan deteve tej kontinenteve
Ishujve piramidalë
Një kartolinë mbështjell hermetikisht
Me frymën e uratave në shekuj
Portreti me njëmijë metafora erotike
Kërkon dashuri
Dashuri të ngushëlluar
Kërkon dashuri
*****
Psalm i Kleopatrës
Të mërkuren e shenjtë do të më vënë
Në skenë si Kleopatren
Pse hyra në legjenden e kurorës
Pse lava sytë ëndrrat që i pash
Pse putha pa mëshirë diellin e dashurisë
Të enjtën do të më këndojë si Kleopatra.
Aq më bënë xheloze...
Se të premten e zhvirgjërimit
Do të më zgjosh me fustan të gjakut
Do të më bësh roje nën flokun e gjatë
Do të më fshehin në shtratin e trëndafiltë
Deri sa të të dua gjithë natën
E mos të nginjem.
Gjithë javën tjetër qaj dhe gjykohem
Që s’të kam njohur më parë
Me shpirtin e prushtë të Cezarit
Dikur të bëhemi fitimtarë të vjeshtës
Të pijmë verën e dasmës
Të ringjallim betejën e dashurisë
Për vitet e ikura.
Poezia e poetes Shqipe Hasani “Shalmi i Kleopatrës” ka fituar çmimin e parë në Festivalin e 31-të të poezisë “Takimet e poeteshave Shqiptare” që u mbajt të premten në mbrëmje në qytetin e Vushtrrisë.
*****
Edhe dhembja ka ngjyrat e saj!

Shqipe Hasani: “Akuareli i dhembjes” : poezi. Botoi “Flomed” Prishtinë, 2008

“Akuareli i dhembjes” mban titullin libri më i ri poetes prishtinase, Shqipe Hasani. Është ky një libër poezish brenda kopertinave, të së cilës janë të renditura një numër i konsiderueshëm i poezive ku secila në vete jep një ide, krijon një pamje, jep një ngjyrë të dhembjes.
“Akuareli i dhembjes” është metaforë e poetes e cila dhembjes i jep konturat e diçkaje që vjen, jeton e vdes me njeriun, mirëpo si e tillë ajo ka ngjyrat e saj. Dhembja pra merr përmasat e saja të vërteta tragjike, ajo ka emër e mbiemër, emri i saj herë-herë është vdekje, ndarje, e herë-herë mbase edhe dashuri, ndjenjë emocion e kështu me radhë. Libri ka një strukturë të tillë ndërtimi, pra është e ndarë në cikle poezish si: Akuareli i dhembjes, Ndoshta jam Rozafa, Ike në Pranverë, Motive me atdheun; ku secili cikël në vete përmban sharmin e një krijuese meditante e cila di që në mënyrë vërtet artistike të jep pamje reale të njeriut në kozmos.
Kjo poezi është përpjekje serioze e poetes dhe në masë të shkëlqyeshme e arritur në artin e fjalës së shkruar, pra duhet vënë pikë faktit se kur flasim për sensin krijues të kësaj poeteje flasim për vlera të mirëfillta letrare e artistike. Në njërën apo mënyrën tjetër, autorja bën që me poezinë e saj të ngrit dilema, çka në të vërtet është njeriu, cili është misioni i tij i parë, dhe final në jetë. Poezia e kësaj poeteje është mishëruar me vendin dhe hallet e njeriut të saj. Në vargun e saj ndjehen ditët e mira të diçkaje të re që po lind në truallin e saj: “Zemra ma thotë një këngë/ përsëri festojmë Kosovë”, intonon poetja.
Mërgimi, kjo barrë e cila e shoqëroi një kohë të gjatë njeriun tonë, sikur zgjon në shpirtin e poetes një ankth, pra mërgimin në penën e Shqipe Hasanit është sinonim i vetmisë, largësisë, kujtimeve, frikës, dhembjes shpirtërore; “Vitet e mërguara i kaplon dhembja/ Sifizi i mbulon me gurë e djersë” .
Dhembja, kujtimet, nata, frika, largësia faktikisht përshkojnë “Akuarelin e dhembjes’ ose ciklin e parë të poezive brenda librit i cili mban të njëjtin titull.
Vargu i kësaj poeteje është i mishëruar me vuajtjet e njeriut të saj, ajo bashkndjen me nënat, motrat, vëllezërit, fëmijët e njerëzve të gjakut të vet.
Ashtu sikurse edhe për shumë nëna e fëmijë bonjakë të Kosovës, në shpirtin e një poeteje sa të talentuar aq edhe humane, fjala Liri sikur e ka një hije të zezë e cila do të zhduket vetëm atëherë kur do të mbarojë odisejada e dhimbshme e gjetjes së njerëzve të humbur të cilët lanë peng lirinë e Kosovës.
Të një gjuhe të figurshme, të një stili të gdhendur deri në pambarimësi, të një metaforë të goditur, janë edhe vargjet brenda ciklit të dytë të poezive; ‘Ndoshta jam Rozafa’.
Individualitetin krijues të poetes e hasim në secilin varg të saj, në secilën shkronjë të saj, vargu i kësaj poeteje është unik në të gjitha pikëpamjet, kam përshtypjen se këtë unikatësi, këtë jokonvencionalitet e ruan tematika që trajton në poezinë e saj Shqipe Hasani, poezi e cila për mendim tim ka fituar statusin e një poezi të pavdekshme.
Poetja kërkon që njeriun gjithnjë ta përcjellë dashuria, kjo ngrohtësi shpirtërore. Kurrë nuk është vonë të duam, ngase vetëm ndjenja se ne duam dikë përmbysë të gjitha t ligat e kësaj jete, e cila shpeshherë di të jetë e pamëshirshme në rrethana të caktuara.
Vetëm ndjenja se duam dikë, se kemi një mision, rezulton me vargje të tilla: “Askush nuk e di sa e qetë jam/ Rrëfimi dhe realiteti le të bekohen /Lumturia defilon/ Për të dashuruarit/ Kurrë mos u përmbystë kjo botë”.
Në ciklin e poezive “Ike në Pranverë” njëra nga poezitë i kushtohet dëshmorit të kombit Agim Ramadanit. Autorja ngrit një lapidar për dëshmorin, vetëm se kësaj radhe me një varg i cili mbase do të mund të futej në radhën e vargjeve antologjike që krijoi pena e krijuesve me nam; “Atdhe quhet fjala dhe emri yt”, intonon poetja.
Në ciklin e katërt dhe të fundit të këtij libri poezish, autorja i këndon atdheut.
Termi Atdhe në penën e poetes lakohet më shumë kujdes, ngase ky emër është sinonim i dashurisë së pafundmë, dashuri kjo e cila është mishëruar në vargun e saj, mesazhin e së cilës gjeneratat e reja duhet ta ruajnë si thesarin më të çmuar; “Tokës së kuqe i jap shpirtin/ Kosovën kurrë s’mund ta fali”.
Si postskriptum i kësaj që u tha më lartë vijmë në përfundimin se, poetja Shqipe Hasani me sharmin e saj prej një krijuese të vyer, do të mund të renditej në majën e krijuesve të talentuar, individualitetin krijues të së cilës do ta kenë lakmi shumë pena që dha arti i fjalës së shkruar.(Ilir Sefaj)