
VLORA NUK HARROHET KURRË
“U hap mali e doli miu”.
Dy gishtat tunden në dorë,
I shpalli fondet Saliu:
“Do festojmë Njëqind Vjetorë.
Katërqind mijë dollarë
Nga rezerva e buxhetit,
“Nder” për ju, parlamentarë,
Ngrihet Mauzoleu i Mbretit!
Për stadium e parlament,
Këtë radhë, s’kemi pare.
Më pas, ngremë monument,
Biem eshtra, mbartim varre.
Festën do ta nis në Vlorë
Në datën njëzeteshtatë,
Dita Njëzetetetë Nëntor
Do festohet në Tiranë’’.
*
Gjëmon dajrja e lahuta
Bije pipëza, çiftelia,
Vijnë nga vendet e buta,
Nga jallia, nga malësia.
Gëzon Ismail Qemali
Isa i shkreh dy kobure
Hingëllin sa s’mbahet kali
Tiranë e bukur, moj nure!
Në Vlorë, ku u ngrit flamuri,
Te “Muzeu i Pavarësisë”,
Shtrohen trotuare guri
Restaurimet, sa kanë nis.
Punimet ngelen në mes
Nuk ka fonde financimi.
Vallë kush preu në besë?
Në buzë na ngriu gëzimi!
Mos u dëshpëroni, shokë
Dhe në Vlorë do festojnë
Marigotë, mbledhur tokë,
Do kërcejnë e do këndojnë.
Tunden dy gishtat në dorë...
Vlora nuk harrohet kurrë,
Vendi, ku Plaku Flokëborë
Proklamoi Shtet e Flamurë.
Vlorë, më 26.10.2012
SI MUND TË LIHET VLORA?
Gjashtë muaj buzëdetit dhe nëpër ullishta.
Do të ulem të shkruaj, të shfrytëzoj një rast.
Tastierën e Laptopit, sa e prek me gishta,
Shkronjat rrëshqasin dhe shfaqen në çast:
U nisa nga Tirana në muajin Maj,
Lulet e pemëve i prekja me dorë,
Punohej në Vorë, në Durrës, Kavajë,
Po ngrihej në Levan Bajpasi për Vlorë.
Sodisim tej Levanit, një autostradë
“Rrugë më të mirë nuk kanë as Gjermanët”!?
Afër Vlorës së bukur, marshojnë paradë
Godina madhështore, në të dyja anët.
Drejt qytetit nga “Pusi i Mezinit”;
Një emër çudi: Udhë “Transballkanike”,
Pa gjelbërim e pemë, pa shtylla ndriçimi;
Në gjirin e detit, lidhur ca kaike.
Vlora si e fjetur, një muze i qetë,
Pak muzikë vlonjate, i njëjti avaz;
Në qiejt, harbuar vërtiteshin retë
Dhe deti shkumonte me dallgët tallaz
Javët ikën radhë, shpejt hapet sezoni,
Turistët vërshojnë, sa pushtojnë rrugën,
Ditë si këto, shpesh do t’i kujtoni
Me Anin, me Delën, me Nikun dhe Lukën.
Ishin më të shtrenjtit, bijë edhe nipa,
Emigrantë, që vijnë nga Amerika.
Më çelën dhe mua, si në qiell hipa,
Iku vetmia, dhimbjet, hallet, frika.
Moti nis e ngrohet, gjindja gjallërohet
Qindra, mijëra njerëz me dallgët po rreken
Në një garë ngjyrash çadrat dhe shezlonet,
Det, diell, dush; turistët dëfrehen.
Në Vlorën e bukur gjinden plotë hapësira
Ca te “Plazhi i Ri”, dikush te i “Vjetri”,
Radhima, Izvori, vendet më të mira
Narta, dhe Zvërneci, rezidenca mbreti.
Po dhe miqtë e vjetër, relikte më vete
Nuk ka si Ejupi, nuk gjendet si Bardhi,
Qirjakua dhe Spirua, me zemrat si dete
Aty Petraq Gjonçe, me tej Petraq Pali.
Buzëqeshur Qaniu, tregon një qyfyr,
Hadëri me derte, numëron tespihet,
Petro Koçi i ditur, Llazari i mirë
Bisedojnë me radhë, kur kafeja pihet.
Dhe unë dëshpëruar, ri, mendoj largimin
Gjashtë muaj rresht, bisedat trashur.
Do më marri malli, do ta ndjej mërgimin,
Po sërish do kthehem te shokët e dashur.
Edhe në Tiranë, po më pret Axhemi,
Nikua dhe Bardhyli, Taullaj, Reshati
Durua dhe Irfani, Pirrua dhe Vangjeli
Harilla, Llazari, Miltua dhe Laveri,
Vaçi, Fatoshi, Gudari, Viktori, Minellat.
“Dëgjoj”, këngës ia merr doktor Sadedini,
Pimë dhe këndojmë, fluturojnë kapelat,
Labçe kthen me grykë akademik Farudini.
Pse po e lë Vlorën, kthehem në Tiranë?
Se më grishin shokët, thonë “po të presim”!
Vlorën afër zemrës, përherë mbajmë pranë,
Për Vlorë e Flamur, gati dhe të vdesim!
Vlorë, 18.10.2012
HOMAZH PËR PËLLUM ÇIPIN
Jemi mbledhur këtë herë
Jo për gaz e për aheng
Por për vdekje e qeder
Për një kuje, për një peng.
Nuk është më, mendja e ndritur,
U fik drita plot shkëlqim,
Pëllumb Çipi fort i ditur
Nuk sheh më e nuk merr frymë.
E kaloi jetën me nder,
Doktori, i palodhur kurrë,
Me ullishtat jep e merr
Pret e qeth lastar e drurë.
I thjeshtë, i ditur, i urtë
Ditë e natë eksperimente
Përmbys traditën e gurtë,
Kërkon të rejat në shtete.
Vendos rregulla, kritere:
“Kohë vaditjet e ullirit”,
Jo me gjyma e tenxhere.
Po përvojë e më të mirit!
Rezultatet- maksimale,
Rendimentet- më të larta.
Asnjë mburrje personale,
Pa shenja e dekorata.
*
Pëllumb Çipi nuk është më
Por, do kujtohet për jetë,
Si një shkencëtar në zë
I mençur, i urtë, i drejtë.
DUKE LEXUAR MIRA MEKSIN
Të adhuroj, o bijë e Nolit
Dhe e shokut tim, Bardhyl,
Me ta, lindur anës molit
Miq të rritur krahë e bërryl,
Gjak vlonjati dejesh mbart,
Edukatë babë Liu në vite,
Ti, talent me penë të artë,
Në përsosmëri arrite.
Dhe pse plak e i rrëgjuar
Të lexoj, të ndjej me fund:
Letërsi bukur ke shkruar,
Që të tund, të shkund, të mund.
15 01.2012
PRAPËSITË E “MBRETIT’
Ca fakte do numëroj
Mbledhur ndër vite tok.
Do përpiqem t’i rreshtoj
Prapësitë e “mbretit” Zog:
Në Turqi, pak klasë shkollë,
Ahmet Burgajet Mati;
Si djalosh, duket në Vlorë;
Në njëzetën ndahet fati.
Lushnja, shpejt e bën Ministër.
Më tej, dështime pa fund,
Ndiqet si kryeministër,
Në Serbi, kokën e fut.
Marrëveshja Zogu-Pashiç:
Te Shqau përfshihet Kombi.
Përfaqësi, dogana - hiç,
U shit Shën Naum, Vermoshi.
Mercenarë e Vrangjelistë
Sollën Zogun në fuqi:
Ushtria ngeli në listë,
Pagat te xhepi i tij.
Shpejt lidhet me Italianë
U jep toka e pasuri,
Sulm mbi banka dhe doganë.
O, e mjera Shqipëri!
I teket e shpallet mbret,
Diktator, si në mesjetë,
Pushkaton, vret e pret
Patriotët e vërtetë.
Trima, atdhetarë me nam:
Avniu, Hasan Prishtina
Bajram Curri, burrë azgan,
Gurakuqi, suferina...
*
E përkrahu Musolini,
Hitleri, bencin ja sosi,
Vet përgatiti shtatë prillin
Pushkëve ia hoqi llozin.
Tha, se opingat do vishte
Dhe në male do luftonte,
Po Zogolli, turp nuk kishte
Atdheun të tradhtonte.
Iku, burracak, kusar
Me familjen dhe xhandarët,
Grabiti thesar me ar,
Robër i la Shqiptarët.
Nuk mendoi për Shqipëri
Po, veç për kokën e tij.
Nuk ish prijës e as njeri,
Beu, i prirë për prapësi.
*
Mendo mirë, Kryeministër:
Jo, Zogollit, monument!
Nuk është “vlerë,” një okë misër,
Bukshkali, vet shpallur mbret.
Për vitet që “qeverisi”,
Boll emri në bulevard,
Një varr, bash te qiparisi,
Vetëm kaq i shkon për shtat.
Vlorë,15.09.2012
ADELA, NUSJA JONË E DASHUR(MJEKE NË ÇIKAGO)
Ikën shpejt, tretur ndër vite, dyzet pranvera.
Po duket thellë në flokë, diku një fije gri.
Në kulm të jetës mbërritët, të rinj ngelshi përherë
O nusja jonë e dashur, me flokë e sy të zi.
Me Anin tonë për krahu, bashkëshort të adhuruar,
Dy miq e shokë, kolegë, që jeta ju përzjeu,
Keni Nikun dhe Lukën, dhuratën më të çmuar,
I rritni, bijtë e shtrenjtë, me dashuri Atdheu!
Nga larg, prej Shqipërie, dërgojmë urimet varg
Shëndet e jetë përrallorë, ashtu si e meritoni,
Mbarësi e begati, pafshi pa ndarë në prag,
Të lumtur, të gëzuar të jeni, sa të rroni!
Tiranë, më.20.03.2012
ANXHELA UNIVERSITARE
Kryelajmin sot, s’mund ta mbaj për vete,
Dua ta përhap, jehonë të vërtetë:
Mbesa ime, Anxhela, në të tjera dete,
Në Holandën e luleve, fillon tjetër jetë.
Nis Universitetin, studentja me fat,
Hyn e del për ditë, atje në Roterdam,
Si të ish Oksford, si të ish Harvard,
Mbledhur nga bota talente me nam.
Le ta marrin vesh, kushdo ta mësojë,
Se kjo bukuroshe, ky yll vezullues,
Atje, disa vjet, me zell do studiojë
Me emrin krenar “Student Erasmus”.
Nuk është gjë e thjeshtë, as një rastësi
Të jesh student në Evropë, Holandë
Kaloi dymbëdhjetë vjet lodhje, pagjumësi
Përpjekje, studime, me ditë e me natë.
Dhe një sitë e imtë të shoshit në fund,
Provime e pyetje në të gjitha lëndët,
Një tërmet tetë ballë të shkund e të tund,
Të kontrollon trurin, sa të dridhen dhëmbët.
Po Anxhela jonë e kaloi limitin
Çau vetë përpara, pa një kallauz,
E nderoi Kombin dhe e theu mitin
Zuri vend Shqiptarja, bash në “Erasmus”.
Si mos të gëzohesh, të mos jesh krenar
Prindërit, gjyshi, gjyshja me babush Wimin
Kurorëzim mundimi tetëmbëdhjetë vjeçar.
Mbesa jonë e denjë e ka hak nderimin!
Vlorë, më 25.08.2012
TIMO FLLOKO, SIMPATIKU
Po flasin, sa çirren, gratë
-Timo Flloko, është vlonjat?
-Unë e di që është Pejan;
-Gjirokastrit, më thanë.
Mos u zini, lumë miku,
Kam fakte Qeverie
Tim Flloko, simpatiku
Ka shumë qytete yje:
Vërtetë, lindur në Pejë,
Po, Vlora në zemër ju fut,
Gjak Gjirokastre, në dejë
Qytetar në Hollivud.
Dikush e quan Visar
Një tjetër e thërret Kanan,
Fatos, Mirosh, a Bujar,
Çerçis Topullit i ngjan.
Madhështor dhe te Çeçeni
Mato Gruda, kur qëllon
Fan Nolin, gjallë e ndjeni
Luan Sina reciton.
Te “Vdekja e Kalit”, Agroni,
Nikua, te “Syri Magjik”,
“Partizanin Meço”, kujtoni,
Artistin simpatik.
*
Është Vlonjat, a është Pejan?
-Vlora, në radhë të dytë.
/Shqiptar, e kemi fat,
Pejan - Gjirokastrit!
Vlorë, më 30.06.2012
PARADOKSE SOCIALE TË KOHËS
(Tregime të një plaku)
Po të rrosh gjatë ke çfarë tregon
Për ngjarje, që të tjerët nuk i kanë parë.
Çuditet e dyshon, kush i dëgjon.
Ju siguroj, kështu kanë ngjarë:
1)
Dikur, femrat pjella të errësirës,
Pas tarabës “kërcisnin dhëmbët”,
Si maskë, një perçe për rreth fytyrës
.Dhe me çitjane mbulonin këmbët.
Skllave të burrit, në injorancë,
Privuar për pasuri e votë,
Në qeverisje, pa asnjë shans,
Kufi lëvizje, deri në portë.
2)
Një tjetër mbresë kam si kujtim,
Që u duk vonë, kur “dridhej” burri,
Xhirot e bulevardit në pambarim,
Si lëmi me kuaj, ku shihej gruri.
Një dukuri në shumë qytete,
Nisu e kthehu dimër e verë,
Paradë mode, shaka më vete,
Me përshëndetjet për disa herë.
3)
Kur e kujtoj, më dridhet mezi,
Sa për të qarë dhe për te qeshur:
Nxitoni shpejt, zbardhi mëngjesi,
Nisni ushtrimet, zhveshur a veshur!
-Gjimnastika, burra e gra,
I bënë të fortë, i gjallëron.
Po të mos vijnë, as pagë s’ka
Dhe vendi i punës “ju fluturon”!
4)
Çudia tjetër thirrja me çangë:
Pushkët dhe vezmet, zbor ushtarak!
Nxitoni burra për në barangë,
Armiku i egër, po shkel në prag!
Me këngë rreshtore, si në marshim,
Pushkë, fishekë dhe kundërgaz
Në çantë të shpinës: tesha, ushqim.
Dhe të sfilitur mbërrinim në bazë.
Ja objektivi, guxim, o shokë
Zini bunkerët e rini të qetë.
Janë si kërpudha shpërndarë në tokë,
Çimento e hekur, të bëra vet.
Armiku para, armiku majtas
Nga deti dhe ajri. Mbrohuni fort!
Vala goditëse kaloi djathtas.
Ne, dhe të vetëm, mposhtim një botë!
5)
Radha e qumështit një paradoks
Ngriheshim herët në ora katër
Një gur, një tullë, një shishe bosh...
Një kile qumësht, ëndërr për vatër.
Biberonin foshnja, çanakun plaka
Një pjesë nga dhia dhe dy nga vija
Kapitalizmit i rëntë flaka
“ Rroftë Rendi i Ri”, s’ka si Shqipëria.
6)
Për çdo nëpunës, punë fizike
Një muaj në vit të lehtëson.
Pa doza turpi, pa pikë frike
Është proletare partia jonë.
7)
Dhe qarkullonte shpesh e çdo kush
Nga Ministria, drejt e në fshat.
Të popullohet çdo mal e fushë.
Gjithnjë nëpunës? Turp e mëkat!
Në postet vakante, në Ministri,
“Klasa punëtore”, vihej në majë
“U ka rrit bari në lartësi,
S’gjen njëthundrak, atë ta hajë”*.
*
Ka pas paradokse edhe të tjera:
Familje të mëdha patriarkale,
Policë, burgje, rroba të çjerra.
“Në gojë të ujkut, ne hiqnim valle”!
Vlorë, më 07.07.2012
*thuhej, aso kohe, në Shkodër.
POEMA E DËSHTIMEVE TË MËDHA
(Vazhdojnë tregimet e një plaku)
Po i tregoj rresht faktet, siç ndodhën
Dështime të “prijësve” dekada më parë.
I kam parë nga afër, lumenjtë që rrodhën.
Dhe po i tregoj ashtu si kanë ngjarë:
*
Në pushtet dhunshëm erdhën komunistët
Edhe pse përpjekje bënë dhe të tjerë,
Grupe patriotësh dhe nacionalistë,
Burra të shkolluar e njerëz me vlerë.
Shpërtheu terrori antidemokrat,
Gjoja për ndryshime, masa dhe reforma,
Qindra arrestime në qytet e fshat,
Burgosje, shtetëzime, grabitje në prona.
U vet shpallën, zotët e rinj të tokës,
“Tokën, ta marri ai që e punon”
Dhe ngrihen këmbët e i bien kokës,
Shtetëzime, vjedhje, egërsi, tension.
“Luftë ndërmjet klasash”, demonstrim inati,
Me gjak e pa gjak, me dredhi e thikë.
Jemi Diktaturë Proletariati:
Në litar armiqtë, borgjezë e fisnikë!
*
Me Serbin, u lidh një miqësi e fortë
Aq sa gati lindi “republikë e shtatë”,
Program i shkërmoqur, siç thyhet një gotë
U shkëputëm shpejt, se do ish mandatë.
*
Lindi “miqësia” internacionale
Bashkimi i Lavdishëm Ruso-Sovjetik,
Krerë dhe Byroistë seç po heqin valle:
“U lidhëm për jetë me një krye mik”.
*
Po, drejtuesit rus, grisën, deformuan
Doktrinën e Marksit, Udhën e Leninit.
Dolën Hrushovianët dhe revizionuan
Rrugën komuniste të “Baba Stalinit”
Këtë farë mynxyre, ne nuk e pranuam
Grisëm traktate dhe përmbysëm pakte
Bar le të hanim, parimet s’i ndërruam,
Po i demaskuam, me “shembuj e fakte”.
Largohen nëndetëset, përgjysmohet flota,
Ndërpriten ndihmat. Do na marri lumi?
Pamë djathtas, majtas. Përpjekje të kota...
Kokë e sy i kthyem nga... “filifistuni”.
*
Dalin “dansibaot”, ca shkrime konfuze,
Ndihmat shpejt e varg nga “kinezëria”
Vaporë të mbushur tanke dhe obuze.
Porosi e rreptë: Larg nga Shqipëria!
*
Arritje të mëdha: Elektrifikimi,
Arsimi, kultura, shëndeti, ushtria
Sistemi vaditës dhe bonifikimi.
Bukën e prodhoj me forcat e mia.
*
Jo, nuk na kënaq qëndrimi i juaj:
Te Ten Siao Pini shtrembërim timoni,
Kjo e bën Kinën të “heq e të vuaj”
Drejton e vepron me diktat Niksoni.
Mbajeni ju Hrushovin, edhe Amerikën,
Lumi rrjedh përpara, kemi rrugën tonë
Nuk i duam ndihmat, nuk e njohim frikën.
Marksi dhe Lenini, sërish triumfon.
Tash që erdhi dita, prishja më e madhe,
Le ta marrë vesh e gjithë bota mbarë
“Ne, në gojë të ujkut, hedhim, dredhim valle”
Tërhiqemi zvarrë dhe me barkun tharë.
Në këmbë do vdesim, gjithnjë kryelartë,
Te devotshmëria lumturinë e gjetëm.
Drejt komunizmit, shkëlqimit brilant,
Do finalizojmë, qoftë dhe të vetëm.
Jemi ne, besnikët e Josif Stalinit,
Si flakë Olimpi, nëpër botë përhapim
Idetë e Marksist, Engelsit, Leninit.
Dhe për komunizmin jetën tonë japim!
Kot nuk i ndërmorëm bash disa fushata
Dhe kooperativat i ngritëm në fshat
Kujtoni ju “tufëzat”, ëndërroni “arëzat”,
Ansamblet gazmore dhe “vallen me shpat”.
*
Po, kjo bota dridhet dhe nuk ri në vend,
Shkërmoqet copash vet “Murri i Berlinit”
“Timishoara”, godet, prish e shemb
Ëndrrën e shpifur të “Hoxhë Nastradinit”.
01.08.2012
DYZIMI IM PËR ALI PASHAIN
Ali Pashën tani e kemi,
Portret, nga Agimi Sulaj,
Na fton diçka t’i themi.
Në heshtje, unë, po vuaj...
Ai, po dredh tespihet,
Dhe sheh, thellë në mendim:
“-Ikni, me ju nuk rrihet,
Nuk jeni shoku im.
Ndaj mos u ngatërroni,
Të thoni ç’farë të doni.
Më njeh vet Napoloni,
Dhe më nderon Bajroni.
Sulltanin e përballa,
(Kjo, histori e gjatë),
Kam qenë Vezir i Madh
Me peshë, gjykim e shpatë.
Inate fort të vjetra,
O, nip i kardhiqiot...,
(Nis t’i lëkundet mjekra),
Nënë Hankua, prerë, më thotë:
-Ti, ç’ke me të, që flet,
Kujtoje amanetin,
Shtroji drizat lëm e det,
Ta shuash krejt miletin!”
*
Portretin rri, sodis
Ç’të të kujtoj më parë:
-Famën e trimërisë,
- A, bëmat si barbar?!
Vlorë, më 15.06.2012
Shënime:
-Kardhiqotët : Ata që u vranë barbarisht duke “shirë driza”.
-Hankua: Nëna e Ali Pashait
HOMAZH MEDIN ZHEGËS
Shoh foton dhe sikur flas me të,
Me futbollistin virtuoz Medin Zhega,
Lojtar e trajner në zë,
Që jetën mbylli me brenga.
E kujtoj kur luante me top:
Vllazninë, Dinamon dhe tifozët gjallëronte
Drejt portës godiste me këmbë e me kokë.
Vraponte, driblonte dhe gjithnjë shënonte...
E kam adhuruar, talentin e vërtetë,
Futbollistin e shpejt gjithë nur ,
Trajner të përfaqësues në disa vjet,
Shkodranin me grimë dhe kulturë.
E vallë, kush ishte si ai në imazh
I ëmbël, i prerë kompetent,
Me disa diploma e kaq shumë bagazh:
Kimist, akademist, trajner, deputet?
Medin Zhega, ky “Mjeshtër i Merituar”
Njeriu, futbollisti, trajneri buzagaz
Do rrojë për jetë i pa harruar
Me lavdinë dhe nderimin nga pas.
Vlorë, më 13.06.2012
NESTOR JONUZI, PIKTORI I POPULLIT
Musa Jonuzi, kujtohet
Me kamje e tregtar i parë.
Pasardhësit, kudo nderohen,
I njeh Labëria mbarë.
Pasuria më me frutë,
Korrektesa, ndershmëria,
Puna, talenti i pafund,
Është dhuratë nga Perëndia.
Ndër vite shfaqet Nestori,
E nderoi vendin dhe Vlorën
Vlerësime e tituj mori
Ja çmuan mendjen dhe dorën.
Si piktor - është radhë e parë;
Qindra punime stolisur;
Shok e mik, nuk ka të sharë
Si njeri - i urtë i ditur.
Kush e sheh me buzën gaz
Bisedon - zemra në dorë,
Rrugëton, i vete pas
Nga Tirana gjer në Vlorë.
Atje, buzë detit ngeli,
Rri, sodit e pikturon
“Shkëmbi, deti dhe tuneli”,
“Perëndim, që flakëron”,
Tablotë nuk kanë të sosur:
“Mbi Kuislingët, bam... me top”,
Të rrëmben pamja e përsosur
“Vashat që pikojnë lot”.
Dashurinë e re ringjalle
“Shkolla Vlonjate” në zemër
“Piktori i Popullit” u shpalle
Nestor Jonuzi me emër.
10.06.2012
.
SKËNDER KAMBERI DHE SHKOLLA VLONJATE E PIKTURËS
Ju pyes, dijetarë, e shpjegoni dot,
Është fenomen apo rastësi:
Pse dhjetëra piktorë ka kjo Vlora sot,
Një ndodhi e rastit, apo ligjësi?
Ata, midis shokësh, zënë vende nderi,
Që nga Selenica, flakërim shandani,
Në krye, krenar, rri Skënder Kamberi,
Ndrin Nestor Jonuzi dhe Rakip Shabani.
Vazhdon yjësia, si ylberi feksi:
Mjeshtër Agim Sulaj, artist Petrit Ceno
Mësues Ilmi Bani, grafist Arben Meksi
Skicat Agron Dine, idetë Fate Velo.
Aty Pirro Stefa dhe Agron Jakupi
Sabaudin Xhaferi, Luani i Hysniut
Shpëtimi dhe Koçua, Zeqir Alizoti
Alfredi, Kristaqi, Bajrami, Zihniu...
Dikush thotë: - Mjaft, numërove boll!
-Jo, vëlla i dashur, s’është se po e zgjat,
Është radh’ e madhe, kot si thonë Shkollë.
Lavdia traditë: ”Piktorët Vlonjatë”.
Secili me vlera, kushdo me një emër
Po, Skënder Kamberin, unë e kam në ballë:
Me dorën të artë dhe me mendjen femër,
Mjeshtër në ngjyrime, në tablo i rrallë.
*
-Ku është e veçanta, ku qëndron sekreti
Pse këta vlonjatët, me kaq shumë piktorë?
-. “Ngjyrë” në portokaj, te mali, te deti...,
Veç, sa të përkulesh...dhe e ke në dorë.
Vlorë,06.06.2012
PESËDHJETENJË VJETORI I MARTESËS
Çohem herët në mëngjes
E ndjej veten si të ri
Në krevat, rekord ginës:
Pesëdhjetë vjet dashuri.
Më kujtohet koh’ e shkuar
I pandarë, përherë besnik
Tetëmbëdhjetëmijë net takuar
Nuk mendova kurrë të ik.
*
Seç po qesh, dyzetvjeçari,
Që ka ndërruar katër gra:
-“Qenke një tip katundari,
Kjo tradita, pas të la.
Monotonin, pse ta vuaj?
Pjaca, mbushur çupa plot:
Me një vajzë - disa muaj
Bashkë sot, e ndarë mot!
Me çdo grua - një fëmijë,
Ata mund të bëhen dhjetë,
Të përpëliten si minj.
Do ta gëzoj jetën vetë”.
*
-Unë, po njësoj do të rroj,
S’e ndërroj zakon e vjetër
I lus Zotit të jetoj
Me Hanëmen. S’dua tjetër!
4 Qershor 2012
NDERIM SKËNDER HASKOS
(Ngacmime nga libri i tij “UDHËTIM...”)
Befas, para sysh më shfaqet
Dhe ma bëri natën ditë...
Shpejt hap librin dhe kthej faqet
Te Dukati me traditë.
Para del një imazh i rrallë,
“Babaxhan” e burrë me vlerë,
Më ngjan, si me yll në ballë
Në Gjongjinaj, vëllai Skënder.
Mburrej, kush e njih Bilbilin,
Inxhinierin mekanik,
Sadikun, Arifin, Birçen, Halilin.
Ishte nder t’i kishe mik.
Vëllezër, ADN e zgjedhur,
Njëri më i mirë se tjetri,
Nga një farë në tokë hedhur
Mjaltë i riu, zjarr i vjetri.
Po, Skënderi dhe më ndryshe,
Borzilok e trëndelinë,
Të kujton: babë, nënë e gjyshe,
I lindur për letërsinë...
Kërkojnë fëmijët një tjetër
“Gaztor e karagjoz”,
“Koçomijë, maçokë e mbretër,”
“Arusha hundëkavanozë”.
Shqiptarët, kudo ku rinë,
Duan drama e poezi
“Për Dardanë”, “Dervish Alinë”,
“Ca të fshehta e ca çudi”.
*
Me besim presim të vijë,
(Pesëdhjetë libra, nuk janë pak),
Ky, Skënder Hasko, të ndrijë
Të shkëlqejë si “yll me flakë”.
Vlorë, më 06.06.2012
URIM PËR DATLINDJE
Sa shpejt erdhi 1 Qershori,
Kjo ditë e veçantë për ne
Edhe pse, “Holanda e Luleve”, na i mori
Lulen, më të bukur mbi dhe,
Lulëzon shqiptarka, përhap erë,
Në “Lulishten e Botes” dallon,
Kjo Anxhela me sqimë e vlerë
Mbesolla jonë, e mirë etalon.
Sot mbush tetëmbëdhjetë pranvera,
Plotësuar me virtyte njerëzore,
Maturantja e shquar në vlera,
“Holandeze”, me stampë mbretërore.
Ne gjyshat, i urojmë nga larg
Me shpirt, e besim, si qëmoti:
Fat e suksese varg,
Dhuratë e ndihmesë Zoti,
Një degë të mirë studimi,
Shëndet, nur e bukuri,
Një jetë të pafundme gëzimi,
Dituri, mbarësi, lumturi!
Vlorë, 1 Qershor 2012
VJERSHËRIMI
Poetit të njohur mik, moshatar me mua,
Një tufë me vjersha i dhashë, në një çast frymëzimi
Dhe i thash: Po munde, nga ty, unë dua
T’i lexosh vëmendshëm, më duhet gjykimi...
Jo, u përgjigj miku, nuk e marr këtë mundim,
Ti je krejt jashtë kohe, je një plak i mekur,
Klasik në vjershërim: me varg, ritëm, rim.
Je i dalë nga moda, koha të ka vdekur.
Modern jam unë, në një tjetër shfaqje,
Pa limit në rimë, ritëm e metrikë,
Shkujdesur në rrokje, i lirë në vargje,
Bashkëkohor në vite, si në Amerikë.
Dhe “vargjet e lira”, duhen kapërcyer.
Fabul, personazh nuk ka pse mendoj,
Boll të shkruaj bukur si me ngjyrë lyer.
Hënë, yje e engjëj - në varg admiroj.
Përmbajtja pa bosht, forma nuk ka vlerë,
Fllade pindarike, subjekte abstrakte,
Shtirem erotik, fluturoj si errë.
S’dua poezi me norma dhe pakte!
*
Jo, o mik i dashur, do vargëzoj siç di
Si shkroi Lasgushi dhe Ali Asllani
Fan Noli dhe Fishta, si në Lashtësi:
Mall, shpresë, protestë, adhurim vatani,
Dhimbje dhe kujtime, dashuri e brengë,
Nder edhe respekt, qarje, britma, gjëmë,
Shprehje artistike, që të bëhen këngë,
Që të recitohen me duar e këmbë.
Poezia - ndjenja që më ngazëllen,
Që del thellë nga shpirti, tingëllim pompoz,
Fjalë zgjedhur bukur, që zemrën e gjen,
Po nuk qe kështu, le ti themi prozë.
Tiranë, më 14.03.2012
GRINJARI DHE I URTI
Qylafin me thekë,
Ballit, si dikur,
Poture e brekë,
Lidhur me ushkur.
Dhëmbët të rarë.
Fytyrën pa larë,
Ti, po si më parë,
Ngele duke sharë.
Edhe tani, plak,
Zakonin s’e ndërron
Shigjeta me flakë,
Shënon e qëllon.
Grinde, zihe, shan
Hedh fjalë koti,
Përgojon dynjanë,
Siç bëje qëmoti:
“Këta janë të shitur
Ata janë të blerë
Turmë e paditur
Qenie e pa vlerë.
Greku do Epirin
Serbi-Dardaninë
Malazeztë-Ulqinin
Maqedonasit-Drin
Një tufë me armiq
Të pabesë të çartur
Hajdut e të liq,
Çirren, për të zhvatur”.
*
Ata, vërtetë i duan
Po, s’ i marrin dot.
Se janë zjarr i shuar.
Në Atdhe ka zot.
Me fjalë, s’ke pse merre,
Lëri sa të ngjiren.
Kufijtë pa ferra,
Vreshta le të mbillen,
Fqinji edhe miku
Çmohen, vlerësohen
Më mirë se çifligu
Duhen e nderohen.
Krishtit një shuplakë
Faqen tjetër jep.
Benzina në flakë
Rrezik që të djeg.
Me fjalën e butë
Zemrën përkëdhele,
Si një qengj i urtë,
Që pi në dy dele.
24.02.12
KALENDARI I VATRËS I TETËMBËDHJETËS
Prej babës tim larguar, ka ngelur ndonjë relikt
Nga jeta e tij rinore, para njëqind vitesh,
Kujtime, ngjarje, fakte, kur ishte në Amerikë.
-“Merru me to, biro, në motet kur të ritesh”!
Ndodhitë bënin dritë për vitet e vështira
Në kohë të pavarësisë, të lindjes, e formimit,
Kur larg mijëra milje, vetshpallej pavarësia
Rrethuar mes ujkonjash, në kushte asgjësimi.
Shpalosej lart flamuri nga plaku mjekër bardhë
Në Vlorën heroike, mbledhur nga kombi mbarë.
Po s’bindej lehtë Evropa dhe shtetet rreth vërdallë:
Anglezë, francezë e fqinjë, “të larë e të palarë”.
E vetmja forcë shpresëdhënëse ish Amerik’ e Madhe
Dhe presidenti Uilson, i ndershëm, e i paanë
Mburojë për popujt e shtypur, të varfër e me halle.
Këtu u lidh Konica, Fan Noli me Vatranë.
Dhe, shkruan im atë, ”çaste të paharruar
Vendosën shqiptarët, njëzëri të pandarë:
Rezerva e kursime, në vite grumbulluar,
Dhuratë për Shqipërinë-miliona dollarë”.
Oshtima malpërhapur gjëmon në vesh dhe sot
“Mbahu nëno, mos ki frikë”, betim e qiellçarje,
Nuk shuhet kurrë nga mendja, sa nuk harrohet dot
“Ke djemtë në Amerikë”, ke forcën shpëtimtare.
Dhe ja tani, nga pluhuri, po shkundet kalendari,
Shkruar nga vet Fan Noli në vitin tetëmbëdhjetë,
Te “djemtë”, n’atë mot, gjen krenari shqiptari
Dhuratë për mëmëdheun pika nga gjaku i vetë.
E pres me padurim, sikur do më ngjallet baba,
Që kinse, Amerikan, i thanë për “ofendim”
Dhe pse për Shqipërinë, askund, nuk ngeli prapa
Po thjesht, se sytë i mbante, përherë në perëndim.
Tiranë, më 20.02.12
KATËR SHOKËT
Në një mbrëmje, çast mërzie
Më kish humbur dita, viti.
Një imazh prej fëmijërie
Gjumin krejt e davariti:
*
Të gëzuar shend e verë
Fëmijë, loznim shkujdesur
Buzë detit, hidh e merr
Topin, qime kali pleksur.
Si qilim na dukej rëra,
Topi, cilësi e parë,
Shukej koka, krahu, këmba,
Bjer e ngriu, pa u vrarë.
Në krye gjithnjë, Minella
Gjoksi i gjerë, krejt i zbuluar,
Llambit, ia mbante kapela
Kaçurrela e ballë mbuluar.
Harilla, këpucë me taka,
Të bëhej njësh me shokë,
Unë, me këngë e me shaka.
Të katërt, kokë më kokë.
Bashkërisht edhe në shkollë,
Në Shtëpinë e Pionierit.
Katër pjesë ndanim një mollë,
Mirënjohja, simbol i nderit.
Si në Vlorë dhe në Tiranë
S’u shkëputëm asnjëherë
Edhe larg, ndiheshim pranë,
Miq të mirë me sqimë e vlerë.
Ditët ikën si në garë,
Ne ndër vite arsimuar.
Herë bashkë, dikur të ndarë
Letra kilometra shkruar.
Në të mirë e në të keqe,
Gjendeshim te njeri tjetri
Në halle, gropa, hendeqe
Dora shtrënguar na mbeti.
Mësues Minoja, shoku im
Shquar dhe si peshkatar.
Grepa, pezevoll e cimë
Çdo gjë, cilësi e parë.
Llambi Kona, operetat,
Kush i këndonte si ti?
Mustaqet, flokët, basetat
Inxhinier me hijeshi.
Kur këndonim tok të katër,
Harmoni, zëra të rrallë,
Edhe plaku bëhej tjetër,
Gumëzhinte një mëhallë.
Vinin entuziast te ne
Kori i madh, improvizuar.
Në mbrëmje, gaz e hare,
Dhe, aheng i pambaruar.
Ikën shokët zemër hekur
Jeta e ka një limit.
Ata, ngelen të pa vdekur,
Përjetuar te të rinjtë.
Ne, do ngelemi vërtetë
Të pa ndarë, si kuartet.
Për ju, lëmë një amanet:
“Gëzoni çastin në jetë!”
Tiranë, më 20.02.12
Shënim:
Në nderim të shokëve:
-Minella Kostandini, mësues fizkulture, trajner noti
-Llambi Kona, Inxhinier mekanik, autor librash
-Harilla Papajorgji, Profesor-doktor në ekonomi.
ZËRI I SHOKUT
.
Në eter hapet një thirrje,
Nga larg po ushton një zile,
Konturet duken në rritje...
Ja, figura po na shfaqet,
Buzët, sytë nisën të qeshin,
Mendja, shpirti po kënaqet.
Imazhin e pritur ndeshin.
-Po të flas nga Nju Jorku
A më sheh, a më dëgjon?
Duar lart, përshëndet shoku.
Zemra nis e drithëron.
Kishim vite pa u parë,
Shok e mik prej gjashtëdhjetë vjet,
Malli fort na kishte marrë
Mërguar larg, në kurbet.
Ish dikur me vlerë në Vlorë
Me gradë profesor-doktor
Në Universitet - Rektor.
Miku im, tund kok’e dorë.
Mëmëdheu nuk e mbajti,
S’u rizgjodh “partia mike”,
Shkarkimi rrugës i vajti
Kur vinte prej Amerike.
Tani, për rreth me fëmijë
Vajz’ e djem të emigruar,
Numëron dhjetëramijë
Yjet e qiellit, dëshpëruar.
Dua të pyes: (po kush dëgjon)
Vallë, kaq të pasur jemi?
Bota, vlerat i kërkon,
Ne, i dëbojmë dhe kur i kemi.
Tiranë, 15.02.2012
HANEMJA
Fëmijët u benë të mirë
Yje, me nipër e mbesa,
Po, shkëlqen me sqimë e hirrë
E dhimbsur, si nën Tereza,
Hanëmja, “Zonja e madhe”,
Si e quajnë dashamirët,
Në gëzime e në halle
Shëmbëllesë, gjen më të mirët.
Si nënë, si gjyshe, njësoj
E qeshur, buza në gaz
Nuk i bëhet të qortoj,
Veç për enjgjëj di të flas.
Mërmërit disa ninulla,
Nga kroje shekuj buruar,
Me mbretër, kala e kulla,
Me trima, burra të shquar.
Kënga flet për Skënderbeun,
Për Donikën, për Mamicën,
Me trimat, që tundën dheun,
-“Pije bijë, mos e lër cicën”.
Bashkë me brendësinë e gjirit
Mëkon nder e shqiptari,
Që ti ngjajë më të mirit,
Mbi çdo gjë – trim e njeri.
Kafshatat baras i ndante
Bënte ç’ishte më e mira
Me hesap çdo gjë e mbante.
Ishin vite të vështira...
Koha ikën vetëtimë...
Tre fëmijët u madhuan
Një nga një e lanë shtëpinë
U shkolluan, u martuan.
Shkuan larg edhe ata
Drejt perëndimit mërguan,
Fluturuan, si me krah,
U gëzuan dhe u shtuan...
Nëna juaj pesëdhjetë vjet.
Me këngë, ninulla e përralla.
A dëgjohen, në kurbet?
Se këtu... gjëmon mëhalla.
Tiranë, më 10.02.2012
MBESAT DHE NIPAT E MI,
A DO VIJNË PËR PUSHIMET VERORE?
Në vizion përjetoj një ëndërr të parë,
Sikur gjyshi i mbledh të lozin te Parku
Dhe pse ata jetojnë të shpërndarë,
Janë nipat dhe mbesat e një gjaku:
Në krye është Vali, ulur te froni,
Mbesa, që ndodhet larg, në Kanada,
Vëllai i saj, më tej, Den Ikonomi,
Me Anxhelën, holandezen, në krah.
Në sfond, dy vocërrakët e pabindur
Me emrat Nikolas dhe Luka
Të dy në Amerikë lindur
Shqip, ende s’dinë as si quhet buka.
*
Emigruan nëpër botë bijtë tanë,
Kaptuan kontinente, në qiejt mbi re.
Aq larg, për jetë më të mirë vanë.
Nuk deshëm me ta, të qëndronim ne.
Tani mall kemi, për vajzat dhe djalë,
Për nipat dhe mbesat me “yje në ballë”
Si pleq vetmitarë kërkojmë veç një fjalë,
Një supë të ngrohtë, një gotë me dhallë.
Për tanët në Holandë, Kanada e Amerike
Nuk ka tjetër çmallje, veç takimit virtual:
Fotot, telefonat, lidhjet kompjuterike
Dhe fraza: “babagjysh, iskjuzmi, më fal”!
Ne në shtëpi mbyllur, sytë i mbajmë nga dera
Dhe presim e presim me shpresë të pashuar,
Dimri i ftohtë do iki dhe shpejt arin vera
Ndofta, grigja jonë, vjenë për të pushuar.
Tiranë, më 15 janar 2012
QOFSHIN TË PAHARRUAR
Një mbrëmje, te gjitoni.
Agimi, Lumja, Shpresa
Kanë ikur nga kjo jetë
Po, kanë lënë mbresa
Kujtime, mall e brengë..
Të bukur e të pashëm,
Si yje të pashuar
Të urtë e të avashëm,
Të qeshur të gëzuar.
*
Kush ka njohur Agimin,
Financierin e ditur,
Ka pas gjetur shërimin
Dhe hallet i pat shqitur.
Në urim e ngushëllim,
Si më i miri mësues,
Në fjalë e në mendim.
Si një balsam qetësues.
*
Lumturinë e Refitit
Njëherë ta kishe parë
Ndodhitë e gjithë vitit
Të shkonin mirë e mbarë.
E bukur dhe e qeshur
Ngaherë buzën në gaz.
Po, fener i pa ndezur,
Sëmundja shpejt iu qas.
Deri në çastet e pasme
Dhe pse e paralizuar
Qëndiste vello dasme
Kokë ulur, dëshpëruar.
*
Shpresa e Demirit,
Një krijesë përrallore,.
Zonjë, nënë e mirë
Dhe gjyshe shembullore,
Grua e urtë Vlore,
Që si dëgjohej zëri
Si bleta punëtore
Çdo gjë, përsosur bëri.
Kjo vajzë nga qyteti
Nderuar dhe në fshat.
Pas tyre, nuk mbeti
Në sjellje e tabiat.;
Ndaj sofra për çdo ditë
Shtruar e mbushur plot.
E shtonin perënditë
Sa, nuk mbarohej dot..
Shpresa dhe Demiri
Shtëpi me bereqet
Përherë me mysafirë
Çdo gjë ju kish lezet.
Po mbi të gjitha kishin
Dy zemra mal e det.
Një çift i rrallë ishin
Në mirëkuptim një jetë.
*
U mblodhëm miq e shokë
Shpresën për të kujtuar.
Njëzëri urojmë, tok:
Qofshin të paharruar!
.Tiranë, më 28.01.2012
Shënim:
-Agim, Lumturi, Shpresa Hamzaraj,nga Vlora
-Ing.Demir Avxhiu, nga Korça
PAS NJË VITI
Iku një vit, erdhi tjetri 21 janar,
Pas aktit të përgjakur barbar,
Kur katër të pafajshëm u gjetën të vrarë,
Goditur nga plumbat vrastar.
Hetimet dhe ekspertizat zgjaten,
Këtu në Tiranë e deri në ShBA.
Hetues dhe ekspertë sorollaten
Ky krim, ndërthuret me ta.
Na kujtohen skafandrat, rrahje e përleshje,
Ndeshja e demonstruesve me policë e gardianë,
Britma e ulërima, gjakosje e zhveshje,
Turma në rreshta, pa fund e pa anë.
Plumbat fishkëllyen nga pushkët, në errë
Shkrepur nga garda, me urdhër të prerë,
Qëllonin dhe direkt mbi turmën e mjerë,
Si të ishin ujqër, jo njerëz me vlerë.
Shtrënguar shkopinjtë e gomës në gishta,
Ballina e braktisur, lëvizte bulevardit.
Valëvitnin në duar, jo flamuj, po bishta,
Të verbonte vërshimi i ujit, dhe i gazit.
Të gjithë e panë se ç’ farë ndodhi atje,
Kudo që ishin, mes turme a para ekranit,
Kur viktimat u mbartën, të tre
Të vdekur, në shesh të mejdanit.
Ishin pa armë, pa thika e pa shpata
Dhe larg territorit shtetëror,
Qytetarë të thjeshtë me prirje të majta,
Që protestonin me grusht e me dorë.
Gjithkush i pa, po, vonon t’i shohë drejtësia,
Ndaj vendimin shtyn nga sot, për nesër.
Barra e fajit ngel te Qeveria
Dhe te partiakët me para e me teserë.
Tiranë, më 21.01,2012
ME DRITERO AGOLLIN
Më shfaqet çdo ditë Dritero Agolli:
Thesare të rrallë, nga thellësitë nxjerrë,
Nderon mëmëdheun, baltën nga Devolli,
Ky poet i shquar, mendimtar me vlerë.
Tituj librash, poezi, lexoj në dhjetëra kapakë:
“Në Rrugë dola”, “Me hapat në asfalt” shkelur,
“Devoll, Devoll”, buhisje toke vlagë,
Te “Shtigje Malesh ...”, gjen vargje të zgjedhur..
Në “Mesditë” takon “Baballarët” e “Nënës Shqipëri”
Kjo “Fjala gdhend gurin”, kur “Udhëtoj i menduar”
Dhe raftet, mbushur libra, të ndjellin kërshëri:
“Lypsi i Kohës”, më tej “Pelegrini i vonuar”.
Mbushem me gëzim, dashuri e shpresë
Bëhem optimist, nga fryma Naimiane
Edhe pse i moshuar, nuk mendoj të vdes
Frymëzimi nga Bernsi, rrënja Lasgushiane.
Nuk më lë Agolli, tendosur më mban,
Më shtyn që të ndreqem të ngelem pa huqe,
Të adhurojmë tokën, nënën dhe babanë,
T’i shkatërrojmë armët, t’i kthejmë në plugje,
Ta gëzojmë çastin me miq e me shokë,
Të hamë e të pimë, ta shijojmë jetën,
Ta duam Atdheun, ta kemi mbi kokë,
Të themi, guximshëm, vetëm të vërtetën.
E, si mos ta duash Driteroin tonë,
Ta lexosh për ditë dhe ta adhurosh?
Në çdo faqe libri dituri bulon.
Kushtoji pak kohë, botën të fitosh!
Tiranë, më 18.01.2012
NJË INTERVISTË TELEVIZIVE
Pamë e dëgjuam në intervistë
Lajmet e reja në televizor:
Një gazetar e publicist
Disa probleme “preku me dorë”.
E kam dëgjuar dhe tjetër herë
“Të dyzuar”, sipas meje,
Mendimi i ri, me shumë vlerë
Mu duk prej “tjetër feje”.
Ishte Henri Çili, ky gazetar,
Një publicist me emër,
Hapur dhe troç, si guximtar
Mu duk në mendje “femër”:
Pyetja direkt qe për Berishën,
Çmendon, për trembëdhjetën*:
-Ta s’takoi si Kryeministër fishën
Apo, ta mbajë për gjithë jetën?
Dhe ky Enrik, pa pasur frik,
Pasi rreshtoi merita,
Tha: “Berisha duhet të ik
Se, i ka ardhur dita”.
Duhet shpejt e qysh tani
Të ndërrohet politika
Se, me teprime dhe egërsi
S’ na do as Amerika.
Këtë kërkon dhe ti dhe unë
Duan të djathtë e t’ majtë
Nuk fluturohet në erë furtunë
Nuk ecet dot në lluc’e baltë.
Një tjetër lider, një trim i ri
Ta ngrejë flamurin lart
Program madhor për Shqipëri
Bashkim dhe besë të mbart.
Të thërresë të aftët ngado ku janë
Pa përçarje, sharje, dasi e grindje
Njësh me Kosovën, asgjë s’na ndanë
Drejt Evropës marshojmë me bindje.
Tiranë, më 10.01.2012
HOMAZH PANDELI JANINËS
Iku dhe një shok, një bashkudhëtar
U shua nga vitet, kaq e kish “të shkruar”
Ishte burrë i rrallë, nuk kishte të sharë
Për ndihmë e këshilla ishte motivuar.
Pandi i Kol Mërkurit, flitej në të ri,
Pandeli Janina, iu dëgjua zëri.
Ishte gojë ëmbël, me zemrën flori
Njeri fort i ditur, veç të mira bëri.
I lindur në Skelë, nuk i ndahej detit,
Këndonte bukur e luante në kitarë,
Gjithnjë i dalluar në punët e shtetit,
Mik i preferuar dhe shok i pandarë
Me Lilon si vëllezër, i shikonim shpesh
Miq të adhuruar e me plot virtyte,
Rinin bisedonin hapur, shesh më shesh,
Kumtonin kulturë të mbartur në vite.
Pandi, me shumë dije në ekonomi,
Lilo Panozaqi, financier peri,
Një çift i përsosur, s’gjendej si ai
Përfundimi ishte: një përsosmëri.
Ikën bijtë e Vlorës, ngelën përjetimet
Thellë dhjetëvjeçarëve, s’kanë për t’u harruar.
Veprat, porositë skalitin kujtimet,
Imazhi i tyre përherë i nderuar.
Tiranë, O3.01.2012
I KTHYER PAS NË VITE
Sodis dhjetë pleq të shquar
Dhe mendimi shumë larg shkon
Kujtoj me mall kohën shkuar
Kjo foto, thellë po më ngacmon.
Vasil Santo, më i moshuar
Nëpunës i rrallë, etalon;
Eqrem Beci, i pa harruar
Që, si i ri, flet e shikon.
Stavri, Iliri, Jorgua, Niko Gjyzari,
Shkëlqim Agolli, në njërën anë,
Agim Hadua e Luan Shahollari
Dhe unë i ftuar, Çipi Luan.
Mblidhen shoqërisht, para çdo viti,
Përmendin punët në “Komision”,
Kur, si në përralla, kumte e mite
Dhe buka e gojës ish me racion.
Kërkonin rrugë, e çanin shtigje
Në Evropë, të gjenin tregun e ri
Të mbanin vendin, me ato ligje
Shtrënguar fortë, e pa kredi.
“Burrat e shtetit”, janë mbledhur tok
Mëtojnë, sërish, mendim të pjekur
Me nostalgji, si miq e shok.
Modeli i tyre është për t’u ndjekur!
Tiranë, më 25.12.2011





