Historia, kjo portë e madhe e Jetës, kjo strehë e shenjtë gjithmonë është e hapur për cilindo njeri që kërkon të hyjë e të zërë vend në të , pavarësisht se si mund të jetë ai vend, i vogël apo i madh…
Jo çdo gjë varet nga ne. Çdonjeri duhet të dijë të zgjedhë rrugën në të cilën kërkon të hyjë në portën e madhe Histori dhe, përsëri kjo varet, nëse ajo të pranon.
Ka njerëz të veçantë që Historia i merr vetë dhe i strehon në strehën e saj të shenjtë, falë asaj çfarë njerëzit kanë dhënë në jetë për t’u mbetur i pavdekshëm…
Të hysh në Histori dhe të bëhesh pjesëtar i saj nuk do të thotë të jesh shenjtor, profet, filozof… Mjafton të jesh njeri me kulturë, të kesh humanizëm, shpirt të gjërë, t’u japësh shpresë, dashuri njerëzve për të jetuar… dhe, që këto virtyte, jo të gjithë njerëzit i kanë.
Dihet nga të gjithë se njerëzit që kanë aftësi të krijojnë dhe të japin shpresë për jetën janë mjekët. Këtë, më mirë se kushdo tjetër e dinë ata që e kanë provuar, pacientë të ndryshëm, ata pacientë që i mbajnë sytë nga sytë e mjekut. Një fjalë e mirë, e ngrohtë, shpresëdhënëse e mjekut, prekja e pacientit nga duart e tija, janë më tepër se një recetë ilaçes që mund të rekomandojë mjeku për sëmundjen tënde. Ato janë medikamenti më qetësues për të sëmurin.
Zemra e mjekut, sikur të kishte mundësi të ndahej në aq copa të shumta sa është edhe numri i pacientëve nuk do kishte mundësi t’i shkonte çdo pacienti, e megjithatë, ata, pacientët e shëruar mbajnë me vete një pjesë zemër mjeku, sepse mjeku, për vetë profesionin e tij human që ka, bashkë me zbulimin dhe shërimin e sëmundjes të jep edhe një pjesë zemre nga zemra e tij.
Doktor Namik Shehu!
Mjek i nderuar kardiolog, shkencëtar, profesor, bir i qytetit të Beratit që u lind dhe u rrit në atë qytet. Një jetë të tërë në shërbim të njerëzve jo vetëm të qytetit të tij, por edhe të qytetarëve të tjerë nga e gjithë Shqipëria. Doktor i aftë në profesionin e tij dhe i palodhur në punë, që gjithë jetën e tij ia kushtoi jo vetëm shërbimit shëndetësor, por edhe leximit, literaturës, kërkimit, studimit në fushën e mjekësisë, shkencës.
Doktor Namiku gjatë gjithë karierës së tij si mjek, nuk mund të rrinte i qetë duke i gëzuar mbajtjes së diplomës së mjekut të përgjithshëm dhe specialitetit të tij si mjek kardiolog. Puna studimore e shkencore ishte etja e tij për t’u ulur me orë të tërë mbi libra, për të gjetur atë, bërthamën e re të frutit që mjekësia shqiptare duhet të prodhonte. Në vitin 1980 mbron disertacionin për gradë shkencore, Kandidat i Skencave Mjekësore me temë: “Presioni arterial dhe hipertensioni arterial thelbësor”, 150 faqe.
Në vitin 1984 merr titullin: ” Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor, ndërsa në vitin 1994 laureohet me gradën shkencore: “Doktor i Shkencave Mjekësore”
Portreti i Doktor Namik Shehut është i gjërë dhe i larmishëm, sa të shkruhet në një faqe gazete nuk mjafton para gjithë aktivitetit të tij shumëvjeçar si mjek.
Doktor Namiku ka qenë anëtar i këshillit shkencor të Ministrisë në vitin 1971, kryetar i shoqatëve të mjekëve në Berat gjatë viteve 1971-1994, ndihmës gjyqtar për shumë vite, kryetar i shoqatës Shqipëri – Turqi për Beratin dhe nën kryetar i kësaj shoqate si republikë në vitet 1991 – 1997, gjithashtu ka qenë edhe anëtar i Shoqatës Evropiane të Kardiologëve dhe të Dhembjes së Kokës nga viti 1992.
Doktor Namik Shehu është dekoruar disa herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhërin në Shërbim të Mirë të Popullit”, ndërsa nga Instituti Amerikan i Biografive me titullin: “American Medal of Honour”.
Dr. Namiku gjatë gjithë jetës së tij si mjek nuk i është ndarë asnjëherë punës kërkimore shkencore nëpërmjet kurseve të kualifikimit pasuniversitar, disertacioneve për gradë shkencore e deri në referencat e studimet shkencore që kapin mijëra faqe të daktilografuara.
Në vitin 1981 ka botuar katër monografi në fushën e shëndetësisë.
Në vitin 1983 ka botuar monografinë me bashkautor: ” Reumatizmi artikular akut dhe pasojat e tij” me një volum prej 2008 faqe. Ka bërë përkthime dhe përshtatje. Ka botuar artikuj në revistat “Shëndetësia Popullore”, “Buletini i UT-së”, “Seria e Shkencave Mjekësore”, “Punime Neuro-Psiqiatrike”, ” Punime Neurologjike” e shumë të tjera. Për probleme të shëndetit janë mbajtur disa referate dhe është folur edhe në RTSH. Qyteti i Beratit si dhe qytetet e tjerë fqinj kanë patur fatin të kenë mjekë të aftë si Doktor Namik Shehu, i cili ka punuar përkrah mjekëve të tjerë të aftë, që kanë një emër nderi në Mjekësinë Shqiptare si: Maksut Dërrasa, Pandeli Çina, Lluka Muço, Vangjel Ikonomi, Ymer Dishnica e shumë të tjerë.
Dr. Namik Shehu jeton prej tetë vjetësh me familjen e tij në SH.B.A. në Nju Jork, i cili gëzon të dyja kombësitë, shqiptare dhe amerikane. Edhe këtu Dr. Namiku ka ushtruar veprimtarinë e tij si mjek, duke punuar vullnetarisht në spitalin “Lenox Hill Hospital” në Manhatten. Është Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave Shqiptaro – Amerikane në Nju Jork. Ka marë pjesë në takime të shpeshta me ambasadorin e Shqipërisë pranë OKB -së, si dhe takime me mjaft interes me ambasadorin e Shqipërisë në Uashington për probleme të akademisë dhe në interes të Kombit Shqiptar. Kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro – Amerikane Prof. Dr. Skënder Kodra është shprehur: “…
Dr. Namik Shehu është një personalitet shkencor dhe si person i devotshëm dhe i aftë në kryerjen e detyrës…, ndërsa kryetari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Prof. Dr. Ylli Popa është shprehur: … Nëpërmjet Doktor Namik Shehut i uroj suksese Akademisë së shkencave Shqiptaro – Amerikane. Vitin e kaluar Dr. Namiku festoi në qytetin e tij, Berat, 70 vjetorin e lindjes, bashkë me shumë shok, miq, të afërm të doktorit, të cilët, dhurata më e bukur për Dr. Namikun ishte respekti dhe mikpritja, që qyteti dhe qytetarët e tij i rezervuan këtij njeriu të nderuar, ndërsa vetë doktori nga ana e tij atë mungesë disavjeçare do t’ua shuante mallin, duke i dhuruar edhe ai vetë një dhuratë tepër të çmueshme për qytetin dhe qytetarët e tij librin: “Berati, mjekësia nëpër shekuj”.
Dr. Namik Shehu është i martuar me mësuesen e nderuar, zonjën Engjellushe Shehu (Dyrmishi) ku kanë lindur edhe tre fëmijë. S’ka si të ndodhë ndryshe, kur nga pema e shëndoshë detyrimisht që do dalin edhe fryte të shëndoshë.
Teuta, vajza e tyre e madhe është inxhiniere e rymave të ulta, Eriani, djali i tyre është mjek, po aq i aftë sa edhe i ati si dhe vajza tjetër Loanda farmaciste, ku ka fituar edhe titullin “Masters Degree”.
Duke u njohur me udhën e bukur, të gjatë e të vështirë, në të cilën ka ecur gjatë gjithë jetës së tij si njeri, mjek, shkencëtar, doktor, si dhe me kontributin e tij të madh që ka dhënë, doktor Namik Shehu ka ecur edhe në udhën e gjatë, duke hyrë në portën e madhe të Historisë dhe Historia, jo vetëm që do ta pranojë, por do t’i japë edhe vendin e tij të nderit që i takon.
Le të mbetet Doktor Namik Shehu nderi i Beratit, i beratasve, i gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe të gjithë ne të bashkohemi njëzëri duke i uruar: “Jetë të gjatë, duke u mbetur shembull për brezat e rinj”.





