Ja si duket kulla e re e Sali Berishës në Tropojë


Nga Gjon Neçaj

Sali Berisha kishte premtuar kohë më parë në një intervistë se kullën e tij në fshatin e tij të lindjes,Viçidol, të rrënuar nga lufta e fundit në Kosovë, do ta ngrinte nga themelet.

Dhe kështu ka ndodhur. Kulla e përfolur shumë, sidomos gjatë kohës që strehonte luftëtarët e UÇK-së, tashmë është nusëruar, duke zbatuar edhe një postulat domethënës të popullit, se “mos prit të kesh hajër nga ai që len gërmadhë shtëpinë e tij”.

Berisha është larguar prej kullës trekatëshe që në moshën 14-vjeçare, kur filloi mësimet në shkollën e mesme në Politeknikumin Mjekësor Tiranë.
12347833_926859560735210_720544791925745105_n
Vizitat e tij në vendlindje kanë qenë të rralla, jo vetëm gjatë viteve të pluralizimit, kur ai braktisi profesionin e kardilogut për t’u marrë me politikë, ku arriti në postet më të larta të drejtimit dhe qeverisjes së shtetit.

Gjatë vitit 1999, ajo ndërtesë u kthye në një bazë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duke rifituar disi gjallërimin e dikurshëm.

Lejen për përdorimin e saj e dha vetë Berisha që në atë kohë ishte kryetar i Partisë Demokratike në opozitë.

Për muaj me radhë ajo u përdor nga ushtarët e UÇK-së, por më pas genocidi serb u shtri edhe në territorin shqiptar dhe pranë kullës së gurtë 100-vjeçare.

Vetë Berisha ka deklaruar herë pas here se kullën e kanë shkatërruar predhat e ushtrisë serbe gjatë Luftës së Kosovës.
Kulla e vjeter
“Është dëmtuar sepse në luftën me Kosovën ata e kanë gjuajtur me mortaja 127 mm të cilat i ranë afër”, ka pohuar ai.

Para dy vjetësh, Berisha vendosi të rikthehet në rrënjët e tij duke rindërtuar shtëpinë e vjetër ku ka lindur dhe ku kanë jetuar prindërit e tij, pra kulla e Zeqir Halilit në Viçidol të Tropojës.

Tashmë kulla ka përfunduar sipas projektit duke ruajtur traditën e kullës së vjetër, nga një skuadër e specializuar për ndërtimin e kullave me specialistë nga Kosova.

Madje edhe në rrjetet sociale është themeluar një grup i quajtur “Kulla e Sali Berishës”.

Ja si shprehen disa prej ndjekësve të këtij grupi, në të cilin deri më tani janë anëtarësuar me qindra anëtarë dhe çdo ditë shtohet numri i tyre:

“Kjo kullë jo vetëm që mbart vlera historike të traditës së trevës të Malësisë së Gjakovës, por është simboli dhe epiqendra e mobilizimit ushtarak të UÇK-së në luftën epokale ndaj pushtuesve barbarë çetnik.”

“Në këtë kullë janë rritur e kanë jetuar burra si Zeqir Halili, një burrë me zë, ku ia la amanet nipit të tij, Sali Berishës,ku emri dhe puna e tij të shndrit në çdo vend.”
12038046_435338826655816_1645194647924320145_n
“Në kullën e Sali Berishës kanë qëndruar shumë luftëtarë të hershëm e të rinj të kombit shqiptar, si motorri i luftës së fundit, tigri Fadil Nimani i Rrafshit të Dukagjinit, së bashku me Agim Zenelin. Kjo kullë ka kujtime të paharruara të historisë së lavdishme të kombit.”

Por kulla e Sali Berishës, me nurin e saj pas rikonstruksionit, madhështinë dhe hijeshinë njëherësh, përçon dhe paradoksin e shoqërisë shqiptare në 25 vite: faktin se për shtëpinë e tij, shqiptari bën gjithçka, që ta ketë të pastër e të bukur, por tej gardhit kjo nuk ndodh.

Kështu që dhe thënia popullore e cituar pak më sipër, “mos prit të kesh hajër nga ai që len gërmadhë shtëpinë e tij”, nuk vlen në raport me atë që ka ndodhur në çerek shekulli e vijon të ndodh.

Nuk ka shtëpi politikani e qeveritari që të jetë gërmadhë, por vendi që ata kanë udhëhequr dhe udhëheqin, vazhdon të jetë gërmadhë. Në rastin konkret, bukuria e Kullës së Berishës do kishte patur shumë më kuptim sikur rreth e rrotull saj, e pse jo, në të gjithë Tropojën e më tej në të gjithë Shqipërinë, të sundonte jeta e bukur, gjë që fatkeqësisht nuk ndodh.