Rreth librit udhëpërshkrues të Jan & Kora Gordon, nëpër Shqipërinë e verës së vitit 1925
Nga Arta MARKU
E përfytyrova ulur mbi një stol të vogël, para një kavaleti, me paletën e bojërave në dorë. Por mund të ketë qenë edhe thjesht një bllok vizatimi mbi të cilin skiconte me laps ndonjë perspektivë rruge me kalldrëm dhe avlli të larta shtëpish prej nga dallohen majat e pemëve frutore. Tekefundit çfarë kam më të lehtë të marr me mend është rezultati, bardhezi apo me ngjyra, për shkak të imazheve të pikturave të saj që gjenden në libër (Dy bredharakë në Shqipëri, shënime udhëtimi, Jan & Cora Gordon, përkth. E. Frashëri, botimet Jozef). Por mund të përfytyroj gratë vendase që e kanë rrethuar piktoren e huaj, kalimtare të rastësishme që nuk i bëjnë dot ballë tundimit për të ndaluar e marrë vesh diçka më shumë. Një grua që pikturon mu në mes të rrugës! Nuk është një pamje që i shfaqet syrit përditë. Është ngjarje që duhet shënuar. E pastaj kushedi se për sa kohë të gjatë do të shndërrohet në një temë bisede mes fqinjash. Aq të gjatë madje sa, me shumë gjasë, do t’ua kalojnë vajzave e vajzat vajzave të tyre, historinë e gruas, ardhur nga një vend i largët, që hapte letrat në mes të rrugës e ia niste të vizatonte ç’i shihte syri. Qe një ngjarje pra, në jetët e tyre të rrafshëta, ku gjërat që duheshin bërë gjatë ditës ishin të përcaktuara qysh më parë, e brez pas brezi nuk ndryshonin.
…Ishte kapërcyelli i çerekut të parë të shekullit XX. Ishte vera e vitit 1925, kur Cora Gordon me të shoqin, vendosën të merrnin rrugën nga ishulli i madh në perëndim të Europës ku jetonin, të kaptonin detin e pastaj përmes kontinentit të bënin përpara drejt lindjes… derisa të mbërrinin në Shqipëri. Atë fillimshekulli tashmë ishte zakon i konsoliduar që Ballkani të përfshihej në itinerarin e Grand Tour-it të famshëm. Kështu ishte edhe për Jan dhe Cora Gordon-in, udhëtarë të sprovuar për më tepër. Ata i kishin rënë sakaq kryq e tërthor Europës dhe shënimet e tyre të udhëtimeve, i kishin botuar. “Dy vagabondë në Spanjë”, “Dy vagabondë në fshatin francez”, “Dy vagabondë në Suedi”, “Dy vagabondë në Ballkan”… ishin sakaq në librari me emrat e Gordon-ëve mbi kopertinë, e tani radhën e kishte Shqipëria. Pse jo, tekefundit, Edith Durham-i i kish botuar librat e saj për këtë vend dhe intriga ishte bërë e parezistueshme. Ndoshta ishte koha për ta vërtetuar vetë: a kishte të drejtë Durhami? Madje mund të shkohej edhe më larg në kohë për të gjetur nxitje: a thua të ishte ky vend aq romantik e ekzotik sa Lord Bajroni kishte thënë më se një shekull të shkuar? Përfundimisht Gordon-ët nuk patën asnjë ndërdyshje teksa u ngarkuan me kavaletin portativ, telajo e letra, me bojëra e lapsa, me veglat e tyre muzikore, me baulen me gjërat e nevojshme dhe një pasdite të nxehtë vere, e gjetën veten duke zbritur nga një anije, në Portin e Durrësit, e prej aty drejt e në Tiranë… “Vagabondët” ishin sërish në rrugë…Sot, gati një shekull pas vizitës së britanikëve, dhe botimit të shënimeve të tyre në gjuhën angleze, libri ka ardhur në shqip nga Edgar Frashëri me titullin “Dy bredharakë në Shqipëri”, sipas zgjedhjes së përkthyesit për ta paraqitur fjalën vagabond. Epo Gordon-ët nuk ishin vagabondët sipas kuptimit që fjalori i shqipes ofron. (“Dy endacakë në Shqipëri” e ka përkthyer titullin Afrim Karagjozi në një përmbledhje që i bën, mes të tjerash, edhe shënimeve të Gordon-ëve, të botuar në librin e tij zonjat angleze në Shqipëri, botimet Skanderbeg Books). Por te varianti i Edgar Frashërit dua të rrimë, pasi përkthimit të tij i jam referuar, i vetmi variant i plotë i librit të Gordon-ëve, i botuar në gjuhën shqipe. Ndaj le t’i quajmë, siç edhe përkthyesi në shqip ka vendosur t’i quajë, bredharakë…
Pra, ndoshta më mirë: bredharakët ishin sërish në rrugë!
Çfarë ata gjetën në rrugëtimin e tyre disamujor, na shfaqet ne shqiptarëve si një lloj pasqyre që na vihet përpara e ku herë njohim tiparet tona, të cilat shpesh na bëjnë të buzëqeshim apo të befasohemi nga përkimi, e tjetër herë, pse jo, të zhgënjehemi nga mospërputhje të mundshme mes mënyrës sesi ne e shohim veten dhe mënyrës sesi na shohin të tjerët.
Autorët duken të ftohtë, ndryshe e thënë, të aftë për të rrëfyer drejt çfarë shohin e dëgjojnë, të pandikuar. Por me gjasë, diku-diku emocionet i pështjellojnë edhe ata, dhe ndonjë inat i vogël, i bën të shfryjnë, ku ta dish, ndonjë mllef a ndonjë pakënaqësi të rastit. Por mund të jetë edhe një moskuptim nga ana e tyre. Apo, mos ndoshta gjithsecili lexues shqiptar kështu do të mendonte, kur ndonjë koment për shqiptarët nuk i shkon shumë për shtat? E vështirë të thuhet. Por le t’i kthehemi momentit kur ajo, Cora Gordon pra, ka hapur kavaletin, apo bllokun e madh me letra vizatimi dhe skicon peizazhin para të cilit ka qëndruar…
Është një çast kundrimi para pasqyrës. Jemi ne, shqiptarët, dhe në sipërfaqen prej argjendi përballë, spikat një nga tiparet tona, tipike, shqiptare…
***
Cora pikturon e rrotull saj një tufë grash. Padyshim një punë i ka detyruar të kapërcejnë portat e oborreve. Ama një çudi e paparashikuar, i ka bërë të mos kthehen menjëherë, me të mbaruar. Një figurë e çuditshme është aty përtej, një grua për më tepër. Nuk është se ato janë të tronditura nga vizatimi a piktura. Nuk është koha e Edward Lear-it që mbërriti në Shqipëri në mes të shekullit XIX, kur shqiptarët, të terrorizuar nga “vjedhja” që ai i bënte rrethepërqarkut, e gjuanin me gurë. Kanë kaluar 75 vjet nga ajo kohë, dhe kushdo është i lirë të vizatojë. Por, siç thuhet lart e poshtë, kjo grua e ka diçka që nuk shkon. Diçka që të çudit, përpos faktit që pikturon në mes të rrugës, diçka së cilës vështirë t’i japësh përgjigje e për pasojë e lë kureshtjen therëse. Ajo grua e ka një burrë. Është i shoqi, me të cilin ka ardhur nga përtej detit. E megjithatë, në vend që të ketë një fëmijë në krahë apo përdore, ajo ka thjesht penelin dhe përqendrimin te kuadrati i letrës që duhet mbushur. Kurse gratë duan ta shuajnë kureshtjen me çdo kusht:
-Ai atje tutje është burri? Ju jeni të martuar? Sa vjet keni që jeni të martuar? Dhe ai, burri, është në rregull? Dhe ju sërish nuk keni fëmijë?! Po pse kështu!?
E njëjta pyetje rreth së cilës sillen e përsillen, sepse gratë duan me çdo kusht të kuptojnë se si është e mundur që një grua e martuar nuk mendon të mbushë prehrin me fëmijë, por thjesht dhe vetëm të marrë rrugët me të shoqin e të zbulojë vende të largëta. Ku janë fëmijët!? Ku janë djemtë për më tepër?! Trashëgimtarët?!
Shqiptarët kureshtarë? Ndoshta është krejt e natyrshme, njerëzore gjithsesi, të bëhesh kureshtar për gjëra që janë larg mënyrës tënde të të funksionuarit. Epo është, si të thuash, kureshtje për të panjohurën, për botët e paeksploruara, planetët e largët, kozmosin, galaktikat, për faqen e pasme të hënës… Ama kureshtja e shqiptarëve është edhe në nivele të tjera. Jo thjesht për të marrë vesh se si është e mundur që ekzistojnë njerëz që duken ndryshe nga ata. Ndryshe në pamje, veshje apo në sjellje, njerëz që jetën e ndërtuakan në mënyra krejt të pazakonta. Sepse shqiptarët janë kureshtarë edhe për të ditur edhe se çfarë ndodh përtej derës.
Përtej një dere që nuk është e tyrja. Përtej derës së një dhome hani, ku burrë e grua nga Anglia duan të çlodhen pas varavingove të gjata të një dite. E çfarë presin të shohin?! Për anglezët qe një befasi e paimagjinuar që fasha e dritës që hynte nga jashtë, prej poshtë derës së dhomës, u bllokua papritmas. Akoma më e paimagjinueshme ishte të shihnin, me të hapur derën, një burrë të shtrirë sa gjerë gjatë, me shpresën absurde për të parë përtej. Hëm. Mirë se erdhët në Shqipëri! Apo ndoshta e kishin marrë vesh tashmë, qysh më parë? Në një han tjetër, ku kishin bujtur disa ditë të shkuara, një dritare e vogël, e cila për të izoluar dy kthina fjetjeje ishte lyer me bojë vaji, qe gërvishtur diku, aq sa për të lejuar syrin për të vëzhguar lehtësisht çfarë ndodhte në anën tjetër.
Dhe kureshtja vazhdon. Nga dita në ditë një kureshtje e padëgjuar më parë, nga qyteti në qytet një sjellje e re kureshtare.
***
Dy bredharakët kanë një vëzhgim të mprehtë. Tekefundit për të vëzhguar kanë ardhur. Por, sidoqoftë, nuk ka si i shpëton vëmendjes, diçka që haset për herë të parë, një sjellje, një veprim a një qëndrim, me të cilin kurrë s’je hasur. Kësisoj edhe për Gordon-ët, ishte një herë e parë ballafaqimi me mënyrën se si këta njerëz, që i takuan në verën e vitit 1925, i shihnin të huajt. Oh, çfarë avantazhesh kishte në Shqipëri të qenët i huaj!Avantazhe të jashtëzakonshme.
Jemi sërish mu përpara pasqyrës, duke kundruar veten e duke e njohur mirë. A nuk ndodh edhe sot e njëjta gjë? A nuk është ende sot, në shekullin XXI, një avantazh i jashtëzakonshëm të jesh i huaj në Shqipëri? Jan dhe Cora Gordon nuk do ta kishin pasur të lehtë rrugëtimin e tyre nga Durrësi në Tiranë, po të kishin qenë thjesht shqiptarë. Nuk po flasim për rrugët e shkalafitura nëpër të cilat fluturonte brinjëthyes Fordi-taxi, se fundja jemi në vitin 1925, por çështja është vetëm se sa vetë do të mbante brenda ky automobil… Me siguri aq shumë sa mbanin edhe furgonët e linjave qytetëse a ndërqytetëse të viteve ’90 a fillimviteve 2000, ku nuk kishte një centimetër katror të lirë e ku udhëtarëve s’u mbetej veç të mjaftoheshin me të vetmin avantazh që, duke qenë aq ngjitur, nuk do të vriteshin nga frenimet e papritura, apo rëniet në gropa. Pra, nëse Fordi që çoi Gordon-ët nga Tirana në Durrës nuk u tejmbush në atë mënyrë, me pasagjerë të panumërt që do t’i hipnin sipër pa vramendje njëri-tjetrit, ndodhi për të vetmen arsye se në ndenjëse ishin rehatuar dy të huaj. E pastaj, sërish pse ishin të huaj, ata patën fatin të priteshin gjithandej si mysafirë të dorës së parë apo të gjenin vendet më të mira të mundshme hoteleve. Madje ia dolën të gjejnë dhomë fjetjeje edhe në Tiranën e tejmbushur me deputetë, të cilët për shkak të Parlamentit që kishte seancë, i patën bllokuar hotelet e nuk kishin lënë shtrat të lirë… Do ta kishin gjetur gjithsesi edhe sikur shoqëruesit t’i duhej të zhdëpte në dru hotelxhiun… sepse ishin të huaj.
***
A do të thotë sa më sipër se e kundërta është e vërtetë? Pra: a do të thotë që duke pasur konsideratën më të lartë për çdo të huaj, shqiptarët kanë një mungesë të theksuar konsiderate për veten? Jo për veten mirëfilli, por për shqiptarët në përgjithësi. Për shqiptarët e tjerë, domethënë, gjithnjë duke e përjashtuar veten. Po, edhe kjo është e vërtetë! Kështu thonë Gordon-ët, por me ta lexuar prej tyre kujtohesh që ky është tipari tjetër që ti e sheh në pasqyrë dhe ia njeh vetes. “Brenda tri ditësh, – lexohet e zeza mbi të bardhë në librin Dy bredharakë në Shqipëri – në secilën bisedë ose intervistë që patëm me këdo, na thoshin në konfidencë se Shqipëria ishte një vend i mjerë që kishte kryesisht banorë të neveritshëm. Secili përpiqej të linte të kuptohej se ai vetë kishte një shpirt mbi nivelin e bashkatdhetarëve të tij dhe se ne, si ardhacakë të një sfere më të lartë, nuk duhej ta gjykonim atë nga vogëlsirat përreth… “Ju edhe unë”, dukej sikur theksonin, “jemi vëllezër të ndriçimit të mendjes, të gjithë të tjerët janë të varfër dhe llum” …Ky lloj vetëzhvleftësimi pothuajse i pandryshueshëm, u bë gati universal”…
Shenjë inferioriteti, tipike shqiptare? Me gjasë. Le t’ua lëmë psikologëve interpretimin.
***
Dy bredharakët në Shqipëri, s’bëjnë tjetër veç dëshmojnë, dhe shihet se nuk e kanë aspak gabim, tek flasin për hollësi tipike dhe individualitete me të cilat janë hasur, gjatëbredhjeve të tyre.
Për shembull, a nuk është e vërtetë që të huajt në Shqipëri nuk e vrasin mendjen të flasin shqip? Është pothuaj e panevojshme për ta. Janë shqiptarët që i flasin gjuhët e tyre. Edhe kur nuk është pikërisht ashtu, shqiptarët do të përpiqen gjithsesi të shmangin të folurit shqip. Gordon-ët kishin studiuar pak shqip para se të niseshin, kishin marrë mësime nga një student shqiptar. Madje, kishin hartuar edhe fjalorthin e tyre. Por pak u hyri në punë, sado e çuditshme të duket. Ndoshta do të ishin marrë vesh më mirë nëse shqiptarët do të kishin folur shqip me dy anglezët. Por zgjedhja ishte tjetër. Jo se flitej anglisht kudo nëpër Shqipëri. Aspak. “Mbi ne – shkruajnë Gordon-ët – lëshonin fjali ku përziheshin pa lidhje fjalë nga gjermanishtja, bullgarishtja, italishtja, serbishtja, greqishtja, rumanishtja, gjuha amerikane dhe bile turqishtja. Nganjëherë disa gjuhë të përziera në një fjali. Njerëzit që dinin një ose dy fjalë në gjuhë të huaj, e përsëritnin atë me këmbëngulje duke i kaluar kufijtë e arsyes, kurse ata që ishin të paditur, nxitonin të kërkonin ndihmë te ndonjë poliglot i pakuptueshëm, ndërkohë që po të flisnin në gjuhën e vet, me pak mundim, mund të merreshim vesh shumë kollaj”.
Sërish, ne para pasqyrës dhe ky është rregull në librin Dy bredharakë në Shqipëri.
***
Padyshim ka edhe përjashtime nga rregulli, që ndoshta me shumë gjasë, siç ndodh rëndom, s’bëjnë veç përforcojnë rregullin. E megjithatë, duhen përmendur edhe përjashtimet, rastet e herëpashershme, apo të rrallëhershme, kur Gordon-ët nuk thonë çfarë ne presim. Madje thonë diçka që jo vetëm s’na ka shkuar në mendje, por mbi të gjitha, diçka që edhe po ta mendojmë gjatë, nuk tingëllon si e saktë. Imazhi në pasqyrë është disi i turbulluar dhe, ka të ngjarë, nuk na përket. Ndoshta, ndonjëherë Gordonët ngatërrojnë varfërinë me mungesën e mikpritjes. Tjetër herë disa rregulla të vendosura e të ruajtura brez pas brezi, u duken abuzive, ndërsa s’janë veç të kushtëzuara nga nevoja për mbijetesë… E tek-tuk, pse jo, të huajt hasin me diçka që negativiteti mund të paraqesë. Fundja njerëz janë edhe shqiptarët e si të tillë, shfaqen në shumëformësinë e tyre.
Në fakt, Gordon-ët nuk i gjejmë ekstremisht të mrekulluar, sikurse, sa për të dhënë një shembull, amerikania Roze Wilder Lane duket në një letër që i shkruante së ëmës. Në paragrafin ku ajo përshkruan shqiptarët nuk ngurron aspak të thotë: “Ata (shqiptarët)kanë trupa të mahnitshëm, duar e këmbë të ndërtuara bukur hollë, me thonj të përkryer në formë bajameje, fytyra të zgjuara, të këndshme, të gjalla, aq të pashme sa nuk ta përshkruaj dot…” Jo, Gordon-ët nuk entuziazmohen kësisoj. Por, nga ana tjetër, janë fort të bukur një pjesë e mirë e burrave shqiptarë të pikturave të tyre…
Për hir të objektivitetit që ia kanë vënë vetes qëllim qysh në krye të herës, nëse diçka i magjeps veçanërisht, padyshim që e shënojnë në libër. Për shembull ata thonë se Gjirokastra ishte një mrekulli befasuese… një qytet i veçantë që ia vlen të përshkruhet… sepse nuk mund të ketë qytet tjetër në botë si Gjirokastra.
Diku tjetër, për befasinë tonë, Gordon-ët shkruajnë: “Zëri natyral i shqiptarëve është i fuqishëm dhe bindës. Do të ishte çudi nëse, në të ardhmen nuk do të kemi nga Shqipëria, këngëtarë të mëdhenj të operës.” E pra, ja ku është, sërish në këtë pikë, pasqyra ku shihemi, me sipërfaqe veçanërisht të kthjellët dhe imazhi ynë në të veçanërisht identifikues… Ndërsa përfytyrimi na çon në skenat e mëdha bashkëkohore të operave të Europës, ku ngjiten triumfues soprano e tenorë shqiptarë…
***
E pra, në pasqyrën që na vënë përpara Gordon-ët, ne shohim veten, pothuaj përpikërisht ata që jemi. Të paraqitur saktësisht, falë ftohtësisë së përshkrimit mbi të gjitha, nga dy bredharakët anglezë.
Me shumë gjasë, të paktën sa herë flitet për karakterin dhe mendësinë shqiptare, pasardhësit e tyre sot do të kishin shkruar të njëjtin libër për shqiptarët, duke vijuar të jenë, pasqyrues…





