Ringjallja e Sterjo Spasses



Im atë, Sterjo të Ilinden Spasse!

(ese )


Nga Përparim Hysi

Çdo monografi që shkruhet për iks autor, ca më tepër kur kjo monografi promovohet, unë e quaj
ringjallje. Dhe mos e merrni si një metaforë, por si një ndodhi të bukur. Një ndodhi të bukur që nuk e shpika, po e përjetova. Pra isha në një"përjetim" të tillë dhe, çudia që nuk më çuditi hiç, qe fakti shumë domethënës: u ngjall, pas vdekjes, një nga prozatorët më në zë të Letërsisë Mbarëshqiptare, u ngjall STERJO SPASSE!


* * *
Nëse dyshoni në këto që po shkruaj, them që dyshimi është i kotë. Fare i kotë. Po të shihnit pjesëmarrësit e këtij riti kaq çudibërës, tak dhe do kthjelloheshit dhe do më jepnit të drejtë mua, që nuk po bëj gjë tjetër, por po sjell para jush, vetëm ca momente të atij akti kaq madhështor dhe pak të rrallë. Them kështu, se nuk ndodh me këdo. Monografia "Im Atë, Sterjo!" është shkruar nga i biri i Sterjos, Ilindeni, dhe është shkruar me aq dashuri dhe saktësi, sa, pas leximit, rri i mbresuar nga impresione të mëdha që nuk të lënë të flesh gjumë rehat. Pse është shkruar kështu, monografia bëhet aq e prekshme sa, edhe po nuk e pate njohur autorin, por dhe nëse nuk ke dëgjuar hiç për të, pas leximit të vjen e të fiksohet portreti i tij disaplanesh: si shkrimtar me një prozë aq të "përtypshme" për çdo stomak; si bashkëshort: model dhe i papërsëritshëm; si prind? Për t'u vënë në kornizë në një pavijon ku "lektorët" kanë se ç'leksion të mbajnë dhe mbi të gjitha: si shok e mik. Lista e gjatë e shokëve dhe miqëve të tij, flet për një NJERI që sot duhet vendosur në muze, për t'ua treguar brezave. Sidomos, duke filluar nga "brezi i sotëm" që po jeton të "ftohtët polar" të shoqërisë shqiptare.
* * *
Auditori ku u zhvillua kjo ceremoni aq e bukur, qe holli i Universitetit EUROPIAN . Ligjëratës kryesore e mbajti ZONJA NATHANAILI që duke vlerësuar një prozator të mizurës së STERJO SPASSES, me fjalën e saj elokuente diti të "freskojë" atë mjedis të nxehtë që, po t'i shtoje atë të nxehtë afrikan të ditëve të prapme të qershorit, bëhej dyfish i nxehtë. Ky "freskim", mandej, u thellua me ligërata aq shkencore të Doktor Sadik Bejko dhe Doktor Myzafer Berberi.
Si njëri dhe tjetri, kishin zhbiruar deri në qelizë çdo shkrim të Sterio Spasses dhe auditori u bë sy e veshë. Shkrimtaraja dhe përkthyesja, Meri Lalaj, tregoi në auditor se si shihej autori i "ringjallur" në rininë studenteske të viteve '60-70-të.
Por nuk qe vetëm kaq. Pjesëmarrësit qenë o bashkëmoshatarë të Sterio Spasses, o ca më të vonë. Sado që promovimi u bë në këmbë ( për ta bërë si në Evropë), pjesëmarrsit e shumtë ( mua m'u duk se më i "riu" isha unë që jam shtatëdhjetë e tre bukësh veç byreqeve që kam ngrënë), e përjetuan "ritin e ringjalljes" të prozatorit të madh dhe mikut të të gjithëve: STERJO SPASSE!
* * *
Dhe unë fola në këtë ceremoni, por, nëse tani po bëj këtë ese, këtë e bëj me qëllim për të folur pak më gjatë për Sterjo Spassen. Kurrë nuk flas me letër dhe kështu veprova dhe aty. Fola për Sterjon jo si shkrimtar, por për Sterjon si mësues; për Sterjon, atë maqedonasin nga Gllomboçi i Prespës së Vogël që, veç si shkrimtar, ka dhënë një kontribut me vlerë si autor tekstesh për nxënësit e shkollës 7-vjeçare e të mesme, më vonë. Më bëhej sikur e kisha në dorë edhe librin e gjuhës shqipe, por dhe librin e stilstikës, për mos shkuar më tutje. Fola për Sterjon se qe bërë proverbial qoftë dhe tek njerëz me dy gramëshkollë. Nuk ka se si tingëllon më bukur, kur dëgjon një dialog të tillë:- Pse? -Ohu, po psenë nuk e ka gjetur Sterjo Spasse!!! Vetëm kaq, do të mjaftonte që t'ia vlente një ringjallje e tillë. Ia vlente një "meshë" për të dhe, me të vërtetë, qe një "meshë e bukur".
Natyrisht, kur mora fjalën time, kisha shumë për të thënë. Por, sipas vendit, bëhet dhe kuvendi. Në atë "kuvend", me gjithë respektin që kisha për auditorin dhe organizatorët e këtij promovimi, ndjeva të më rrinin pak "rrobat ngusht", tek pashë pjesëmarrësit që të gjithë në këmbë dhe, u detyrova, t'u bija fjalëve dy hunj e një purtekë. U largova me një premtim. Diçka më tepër do shkruaja. Ndaj atë që nuk e bëra atje, po e bie sot me këtë shkrim timin modest.
* * *
Sterjon e kam njohur qysh kur ka qenë normalist, përmjet shkrimeve dhe, veç tjerash, nuk kam lënë shkrim apo vepër të tij pa lexuar: "Afrëdita","Afërdita përsëri në fshat","Ata nuk ishin vetëm"."Të fala nga fshati" për mos vazhduar me korpusin e romaneve për "Rilindësit e Co... Ka qenë dhe është një shkrimtar që lexohet me ëndje. Nëse ka një varg "Afërditash" në Shqipëri, nuni them është Sterjo Spasse. Edhe kaq nuk do ishte pak. Por më prekëse e bën para meje (dhe jo vetëm para meje), Sterjo Spassen si familjar. Më gjeni kund tjetër që një shkrimtar i madh të ketë dhe të pleqërojë me një bashkëshorte krejt analfabete si STERJOVICA aliaz NIKOLINA. Më gjeni kund një si Sterjo SPASSE që për 12-vjet pasmaretese, sakrifikon për familjen e madhe në Gllomboç. NIKOLINA (enkas e shkruaj në çdo gërmë me të madhe) del një zonjë që të rralla i ka shoqet. Shtëpia e Sterjo Spasses aty tek rruga "Him Kolli" kthehet në një "hotel" pa doganë. Ndodh kështu se pranë zemërmadhit,STERJO SPASSE, qëndron një ZONJË FISNIKE E BUJARE që quhet NIKOLINË. NJë simbiozë e bukur dashurie apo një çift i lumtur dhe i veçantë.
* * *
Në këtë "hotel pa para" vinë tërë presparët e largët dhe tërë miqtë e shumtë të STERJOS dhe të STERJOVICËS. Ky altruizëm nuk është libressk dhe as "rrëshqitje pene", por një realitet i prekshëm dhe shumë sinjifikativ. Në "hotel as kishte dhe as mbarohej" si në ato përrallat popullore dhe, për çudi, hapësira e ngushtë zinte e zgjerohej nga bujaria e të zotërve të shtëpisë.
Por, tek do flisja për Sterjo Spassen, nuk kisha si mos e veçoja nga gjithë shkrimtarët e tjerë (të vdekur e të gjallë), për miqësinë e gjërë e të sinqertë që mbante jo me një e dy, po me përmbi dhjetë e ca shrkimtarë apo artistë. Vargu i tyre është i gjatë dhe i biri, Ilindeni, i ka portretizuar më së miri ata. Aty në "Kasollen e Xha Tomit" nga duarët e STERJOVICËS, NIKOLINË kanë gjetur strehën e ngrohtë, një "aradhë e tërë shkrimtarësh", si: Ziaudin Kodra, Nonda Bulka, Mitrush Kuteli, Mahir Domi, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Zisa Cikuli, Nexhat Hakiu ,Vedat Kokona,Spiro Çomora, Nasho Jorgaqi,Zisa Cikuli...dhe lista vazhdon: me presparë, me korçarë, me të njohur të vjetër e të rinj. Tek shkruaj me mirënjohje për të gjithë ata, nuk kam se si mos veçoj dhe mikun tim të ndjerë, të paharruarin, Mustafa Greblleshi. Ai më fliste veçarrisht për këtë miqësi. Mustafa Greblleshi është njeriu që më ka dhënë shkrepsen dhe më ka ndezur zjarrin për t'u ngrohur me letërsinë. Librin e parë (unë qaja tek e lexoja) që kam lexuar qe "Gremina e dashurisë" dhe autori,aso kohe, më dukej qiellor. Kur u rrita, për çudi, këtë "qiellorin" e gjeta në tokë. Sado që pompa e bojës mbi kurriz ia kish vrarë shpatullat, të imponohej me atë bust atleti. Qe fati i bardhë që Mustafa Greblleshi të ishte vetdora, vëllai i profesoreshës ime të nderuar, Vjollca Omari dhe në shtëpinë e saj, në Fier, e takova këtë qiellori. Ishte me të bukurën, Rushi! Rushi si HIRUSHE! Qiellori kishte gjetur qiellin e tij. Por, pikërisht, ky shkrimtar kaq i bukur, kish provuar burgun dhe tani, në epokën e "ndritur" të partisë, punonte bojaxhi.
* * *
Nuk e solla kot, pak më gjatë, të ndjerin Mustafa. E solla enkas: për t'u thënë të gjithëve se "Kasollja e xha TOMIT" ku qeversinit SPASSE dhe STERJOVICA as që pyesnin për dallimet klasore. Aty do gjeje dhe Manush Peshkëpinë që e pushkatuan kot fare; do gjeje Nexhat Hakiun atë "lirikun" e bukur që "vranë si në gjumë"; do gjeje atë PETËR ELEZIN; shpatarakun që varrin donte në SHpat; gjeje Nondan aq "ikonjito" me biçikletë që tek sillte "libra të ndaluara". ngjante me ata ilegalët e kohës së luftës që gjitnin trakte nëpër mure; gjeje Mahir Domin e pafjalë; Fatmir Gjatën që nuk u "tregua trim" nga një provokim i hapur... gjeje... epo kë nuk gjeje. Bohemët kishin gjetur "kishën" ku faleshin. Edhe "nuni" STERJO, por dhe "nunesha" STERJOVICË i priste, si gjithmonë, me buzë të qeshur.
Sa momente prekëse të kësaj miqësie të sinqertë gjen në monografi. Dhe më prekës bëhesh, kur sheh Sterjon në momente kur ndahet me këta miq. Ka një përjetim emocional dhe, tek sheh lotët që rrjedhin për njërin apo tjetrin, tak përlotesh dhe vet.
* * *
Natyrisht, në këtë monografi kaq voluminoze, nuk ke se si mos përjetosh dhe ato çaste gëzimi apo dhe hidhërimi të SPASSEVE si familjar. Pena e të birit, Ilindenit, ka rrëshqitur pak me gjakftohtësi duke na sjell parasysh një prind dhe një gjysh të dashur aq sa nuk gjen një të dytë. Tek e shoh këtë monografi, pak më thellë, në optikën time fiksohet mendimi se, deri më sot, nuk ka një monografi kaq cilësore sa kjo e Ilindenit, për të atin e tij, STERJO. Duket sikur pema ka rënë nën pemë. Por, për t'u shprehur edhe ca më saktë për Profesor-Doktor Ilinden Spasse, më duket se do isha më i drejtpërdrejtë, po të thosha: " ILOJA ia ka zgjatur hijen babait". Më tej, komentet janë të tepërta.

Tiranë, 5 korrik 2016