Në Pallatin Elize ka nisur takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor me Presidentin francez, François Hollande, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini.
Në hyrje të Pallatit, liderëve të Ballkanit njëri pas tjetrit iu urua mirëseardhja nga i zoti i shtëpisë. Takimi ku janë të pranishëm shefat e qeverive të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjës mbahet në kuadër të Samiti për Ballkanin që dje i ka nisur punimet në Paris. Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hanh, ka deklaruar se për Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë janë ndarë 96 milionë euro për linjën hekurudhore që do të lidhë të tre shtetet. Në takimin e zhvilluar me liderët e Ballkanit Perëndimor, Edi Rama ka qenë i ulur në krah të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe Presidentit francez François Hollande. Po ashtu Kryeministri shqiptar Edi Rama ka zhvilluar një takim me Komisionerin Europian të Politikave të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, ku ky i fundit ka shkruar rreth këtij takimi. Në rrjetet sociale Johannes Hahn shprehet se në kuadër të Samitit të Ballkanit në takimin me Kryeministrin Edi Rama është diskutuar për rrugën e Shqipërisë në BE dhe Reformën në Drejtësi.
Fondet për Ballkanin
Bashkimi Europian premton 150 milionë euro për projektet infrastrukturore, të transportit dhe ato energjetike në Ballkanin Perëndimor që do të lidhin vendet e rajonit, deklaroi dje eurokomisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn në forumin e biznesit të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Paris. “Potenciali i marrëdhënieve mes vendeve do të realizohet plotësisht vetëm nëse ato zbatojnë të gjitha reformat e kërkuara”, theksoi Hahn. “Kemi vendosur të investojmë 96 milionë euro për tri projekte infrastrukturore hekurudhore Serbi, Shqipëri dhe Kosovë si edhe 50 milionë euro të tjera për masat e mbrojtjes së mjedisit si eficenca e energjisë në ndërtimet rezidenciale dhe projektet e vogla hidro. Kjo tregon seriozitetin e premtimit të BE-së që deri në vitin 2020 të investojmë një miliard euro”, theksoi Hahn.
Merkel dhe Hollande
Pavarësisht nga dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, Presidenti francez Hollande dhe kancelarja gjermane Merkel u kanë dhënë garancinë krerëve të shtetit të Ballkanit se procesi i integrimit të Ballkanit nuk do të ndalet. Pavarësisht Brexit, Presidenti Hollande mësohet se u ka thënë kryeministrave të shteteve të Ballkanit të Perëndimor, se “nuk do të ndryshojë asgjë në angazhimet e marra për këtë rajon”. Në këtë linjë ka folur dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila u ka bërë ditur se Ballkani nuk do të hyjë në BE “në bllok”, por në faza të ndryshme. Kancelarja gjermane ka thënë se Konferenca e Parisit për Ballkanin Perëndimor mbahen me qëllimin për të lehtësuar futjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe të forcohet në kuptim praktik stabiliteti dhe paqja në rajon. Merkel shtoi se sheh një perspektivë europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por procesi i tyre i pranimit në BE do të ketë “shpejtësi të ndryshme”, kjo duhet të thotë se ata do të integrohen në BE në faza të ndryshme, pra pa një zgjerim të Ballkanit Perëndimor të teorisë “Big Bang”. Pas takimeve, Presidenti Hollande ka shtruar një darkë së bashku me krerët e shteteve të Ballkanit, pjesëmarrës në Samitin e Berlinit.
Deklarata, samiti i ardhshëm në Itali
Shteti i së drejtës dhe reforma në drejtësi, zemra e procesit
Samiti i Parisit ka miratuar një deklaratë me 12 pika ku i kërkohet shteteve aspiruese në BE angazhim dhe forcim të shtetit të së drejtës dhe mbi të gjitha bashkëpunimin për sigurinë dhe paqen për rajonin e Ballkanit. “Në sfondin e referendumit në Britani të Madhe, pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor ripohuan se e ardhmja e tyre ndodhet në Bashkimin Europian. Një perspektivë e qartë europiane iu është dhënë të gjitha vendeve e rajonit në Samitet e Zagrebit dhe Selanikut në vitin 2000 dhe 2003; ajo është ritheksuar vazhdimisht dhe pa mëdyshje, në përputhje me kushtëzimet dhe kërkesat e aprovuara. Progres i konsiderueshëm është bërë nga vendet e rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian gjatë viteve të fundit. Ne mirëpresim përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për fazat e ndryshme të procesit të anëtarësimit dhe u bëmë atyre thirrje për të vazhduar këtë punë që të avancojnë drejt Bashkimit Evropian. Më shumë se kurrë, sundimi i ligjit është zemra e procesit të zgjerimit, veçanërisht në lidhje me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore”, thuhet në pikën 1 të deklaratës.
Kryediplomati
Bushati: Dëshirojmë që zgjerimi të ecë me ritme të shpejta
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili po merr pjesë në Samitin e Parisit, ka vlerësuar vëmendjen që Bashkimi Europian dhe Franca u kushton vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht zhvillimeve të fundit në Union. Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se gjithsesi do të dëshironte që zgjerimi i BE-së të ishte me ritme më të shpejta. “Organizimi i Samitit të Ballkanit Perëndimor në Paris për të tretin vit radhazi në kushtet kur Europa po përballet me pasojat e Brexit, është një lajm i mirë në vetvete, sepse dëshmon që angazhimet e BE përkundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor mbeten të pandryshuara. Ndonëse të gjithë do të dëshironim që politika e zgjerimit të ecte me ritme më të shpejta dhe më cilësore për të përfunduar një orë e më parë procesin e shtet-ndërtimit dhe shtet-konsolidimit demokratik të vendeve të Europës Adriatike apo vendeve të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Bushati.





