Nënë Tereza bën bashkë Kuvendin e Kosovës, 5 shtatori “Dita e bamirësisë”


Me 61 vota pro , asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar propozimin për shpalljen e 5 Shtatorit si “Dita e bamirësisë – Nëna Terezë”.

Ky propozim u mbështet si rrallë herë nga të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare si PDK, LDK e VV. Adem Grabovci tha se PDK e mbështetë këtë nismë të vonuar. “Populli thotë më mirë vonë se kurrë“, tha ai.
nene-tereza
Alma Lama tha se shpallja e 5 shtatorit është nder i jashtëzakonshëm, që i bëhet figurës së Nënës Terezë.

Ndërsa kërkoi nga Kuvendi, që të reagojë ndaj qarqeve radikale, të cilët siç tha ajo, janë përpjekur ta thyejnë figurën e Nënës Terezë.

“Kuvendi i Kosovës nuk ka reaguar ndaj qarqeve radikale, që janë përpjekur të thyejnë figurën e Nënë Terezes. Ky Kuvend duhet të reagojë fuqishëm ndaj çfarëdo lloj gjuhe e veprimi. Nënë Terezën e nderon mbarë bota, si mos ta nderojmë ne. Kuvendi duhet të reagojë në rast të incidenteve të tilla”, tha ajo.

Papa Francesku tashmë ka shpallur shenjtërimin e Nënë Terezës kurse ceremonia do të mbahet me 5 shtator.